e mërkurë, shkurt 04, 2009

Përmes fjalës racionale deri te thellësia e kuptimit

Agim Deva


- Shënime për "Aventurat e lirisë" të Sazan Goliku -

Ndonjëherë nëpër libra, duke u afruar letërsia për fëmijë me atë për të rriturit, sikur zbehet apo edhe zhduket fare kufiri midis tyre. Kështu, arti letrar zgjëron funksionin e vet të dedikueshmërisë dhe vepron me të gjitha energjitë e veta universale te lexuesi i vet, pa marrë parasysh moshën e tij.

I këtillë është edhe libri me rrëfenja e parabola i Sazan Golikut “Aventurat e lirisë”, ku në një varg të tërë prozash të shkurtëra, invencionalisht mjaft të pasura e tematikisht mjaft të larmishme, trajohet një spektër i gjërë idesh, që sado të pavarura duken, megjithatë, të shkrira në nje tërësi, duket sikur e ndihmojnë dhe e plotësojnë njëra tjetrën, për të krijuar një hierarki vlerash, që përshkallëzohen pozitivisht, sidomos në aspektin e strukturimit refleksiv të tyre.

Krijues me përvojë

Me hyrjen spirituoze, (por pa nevojë - tepër modeste), Sazan Goliku nis karvanin e prozave të veta në drejtim të panjohur, dhe vërtet - të panjohur, ku me “Flamurin magjik”, përmes një dialogu interesant midis at Gjergj Fishtës dhe fëmijës, shpalohet e trajtohet me sukses një motiv, që ndërlidhet me çastin kur artileria e ushtrisë së krajlit pushtues nisi ta gjuajë me topa flamurin tonë, që qëndronte në majën e një katedraleje. Po Fishta përgjigjet: “Ani, mos u mërzit, biri im. Flamuri është magjik si liria. U dogj një, me qindra e qindra të tjerë mbinë për tërë natën në çdo shtëpi shkodrane. “Shqetësimi i voglushti për fatin e flamurit të vet, simbolizon preokupimin e një brezi të tërë të fëmijëve shqiptarë për fatin e popullit tonë dhe - ekzistencën tonë në përgjithësi..

Kjo ide sikur vazhdon të shkallëzohet edhe në prozën tjetër “Epikë”, kur plaku Balë, i verbuar në luftë për të mposhtur flamurin e huaj, që valonte mbi malet e veta, e zgjati lirinë - në këngë deri në ditët tona. Sazan Goliku është krijues me përvojë e kulturë të konsiderueshme letrare. Pjesa më e madhe e rrëfenjave të tij në del - e angazhuar. Situatat sikur përsërisin jetën e tyre të dytë - por tani të artizuar, të pajisur herë-herë me ironi e sarkazëm e të shtrira deri te akuzat që i bëhen në mënyrë mjeshtërore diktaturës enveriane. Në tregimin “rrëfenjën “Brenda vetes” i burgosuri e ndien veten në burg shumë më të lirë se kur ishte jasht tij, pikërisht pse brenda grilash mund të shprehte lirisht mendimin e vet: “… Dhe pas tridhjetë vjetësh vdiq i lirë brenda mureve dhe hekurave të burgut.” S. Goliku e ka të qartë qëllimësinë e asaj që dëshiron ta thotë. Ai nuk bredh fjalëve poshtë e lartë. Përmes fjalës racionale arrin deri te thellësitë e kthjellta të kuptimit në prozën e tij tregimtare. Kështu, gëjëdhëna “E pabesueshmja”, e shkruar sipas subjektit të Xh. Lazrakut, e vë forcën e shprehjes në epërsi artistike ndoshta edhe ndaj vetë subjektit. Me gjithsejt dymbëdhjetë rreshta thuhet aq shumë, sa që kjo prozë e vogël e ka një porosi shumë më të madhe seç është vetë struktura e saj. Hajnat, duke plaçkitur në varr trupin e vdekur të gruas shtatzënë, nga klithma e papritur e kufomës pësojnë vdekjen, kurse gruaja në varr “e lindi fëmijën njëherësh: nga barku e nga toka”. Shkrimtari është fanatik i moralitetit në kuptimin pozitiv të fjalës.

tregimin tjetër me titull “Pleqërisht”, trajtohet dhe hymnizohet krenaria e malësorëve shqiptarë, që shkonin drejt vdekjes duke kënduar e vallëzuar. “Le të vdes si njeri, për t’i treguar botës se kam jetuar si njeri. Në fund të fundit, të vdesësh do të thotë t’u japësh mundësi të tjerëve për të jetuar".

Shprehjet e këtilla aforistike, që nuk mund të kuptohen ndryshe nga ajo siç janë thënë, janë bazament i fortë i rrëfenjave të këtij libri. Kështu, në prozën “Mëngjes pune” (titull ky ndoshta jo aq asociativ) buzëqeshja e monarkut, i cili për herë të parë gjatë diktaturës së tij ua kishte flakur dënimin me vdekje - itnelektualit kryengritës dhe kusarit vrasës, bën që si shpërblim i një akti të këtillë t’i rikthehet dashuria e artistes franceze Odet Zheny, e cila si e hipnotizuar nga sjellja e monarkut, i hedhet atij në përqafim dashuror, sado që në prozën tjetër “Eksperimenti” ngjet e kundërta: djaloshi mbetet i poshtëruar nga qëndrimi i tij mospërfillës ndaj atyre, të cilëve donte t’ua marrë meritat për punën e kryer.

Simbolika e kuptimeve

Sazan Goliku ka elasticitet narratori. Të duket se shkruan thjeshtë, por rrëfenjat dhe parabolat e tij janë njështresore. Simbolika e kutpimeve, e ideve, e trajtave të ndryshme që marrin fjalët, të cilat herë-herë kanë edhe ambicie alegorike, na bëjnë të mendojmë se arti nuk mund të qëndrojë pa idejshmërinë e vet, e as ideja pa art. Ato duhet të jenë në simbiozë të plotë për ta mbijetuar - suksesin. Në tregimin “Nga ditari i alpinistit” Sazan Goliku bën një zhvendosje ambientale: dëshira e zjarrtë e djaloshti për të parë e shkelur tokën e Kosovës, mbetet si një ëndërr, si një etje. Por “fusha e Kosovës ishte mbuluar me borë të zezë”, e shkelur me topa e tanke. Sado që autori në formë digresionale ndërhyn në subjekt me këtë etje të madhe të alpinistit për Kosovën, në esencë këtu edhe ndalet qëllimsia e kësaj proze.

Libri i Sazan Golikut ka një sistem porosish: duhet të kesh guximin që forcës t’i përgjigjesh me forcë, kërcënimit me kërcënim, se vetëm trimëria e mban njeriun në jetë (“Përralla e peshkut të madh”). Aty ku shtrohet nevoja, S.Goliku ndërton qëndrimin e vet sarkastik, si psh. në tregimin e shkurtër por shumë interesant “Nga kujtimet e pabotuara të Amstrongut", i cili nga Hëna e njofton Papën se atje e paskësh gjetur Zotin, por - të vdekur.

Kërcënimi i Papës nga Toka se “po u zhduk ai, zhdukemi edhe ne” bën që Amstrongu të thotë preraz: “Lajthitje, ishte një mirazh kozmik". Sado me bazament fantastik, proza tjetër “Aventura e fundit e Çarli Çaplinit” po ashtu të imponohet me mesazhin e vet të qartë: gruaja e, cila duke shfrytëzuar popullaritetin dhe famën e një aktori botëror, dëshiron të përfitojë materialisht shuma të mëdha parashë, mbetet e zhgënjyer, kur Çarli Çaplini i ik nga shishja ku e kishte pas mbyllur kjo, duke e fshehur kinse nga gazetarët (prej të cilëve kishte ikur aktori) dhe papritmas i del - në ekranin televiziv, prej nga i drejtohet gruas: “Më vjen keq, zonjë e nderuar, që s’të shërbeva siç deshe, po meqë je e etur për fitim, dil e shit lolon ose veten. Mbase të del më mirë. Mos harro, Çaplinin s’e hodhi në kurth Holivudi! Ti në xhep mund të futësh paratë, po jo artistin, jo lirinë time.”

Sado që aty-këtu ndonjë rrëfenjë a parabolë në librin “Aventurat e lirisë” s’e kanë fuqinë e prozave të tjera, apo frymojnë disi përmes formave të ndryshme të shprehjes gazetareske (reportazhit), si psh. “Në qoftë se”, “Në mort” etj., ato megjithatë, nuk pozicionohen në vlerat proiritare të librit. Mendoj, se për pjesën dërmuese të këtyre prozave mund të flasim me plot gojën në mënyrë afirmative, sepse këtë e meriton strukturimi i gjithmbarshëm i tyre, i shprehur përmes një leksiku të pasur dhe artistikisht mjaft dinjitoz, duke e mbajtur të hapur kurreshtjen e lexueist: çka e shtyri fshatarin me gamile të ngjitet në maje të piramidës gjigante, aty ku nuk ngjit kurrë që dyzet vjet më parë? (“Në maje”) Sazan Goliku i njeh mirë koridoret nëpër të cilat komunikon suksesshëm me lexuesin e vet, e kjo është parakusht, domosdoshmëri dhe vlerë, pa të cilën një vepër nuk mund ta rrojë jetën e vet, ashtu si e kërkon arti letrar.

Agim Deva

Nuk ka komente: