e enjte, shkurt 05, 2009

Diplomati z.Lublin Dilja nje mik i perhershem i Diaspores shqiptare

Kozeta Zylo

Vetë fjala humbje, ka të mbledhur brenda guackës së saj dhimbje, që si një tym i hidhur të helmon shpirtin, kur dëgjon për njerëz që humbasin jetën, veçanërisht nëse këta janë në një moshë që s’duhet të iknin, ose për më tepër kur i ke njohur personalisht, të gjitha dhimbjet dyfishohen.
Ambasadori Dilja jo vetëm që ishte një diplomat me një kulturë të gjerë profesionale, dhe i bënte nder Kombit shqiptar kudo që ai ligjëronte në botë, këto fal dhe profesionit te tij shumë të dashur si pedagog në disa universitete, por ai kishte mjeshtërinë e komunikimit, ate çelës magjik, që jo çdo diplomat apo person publik e ka…!
Ambasadori Dilja kishte një kohe të gjatë pranë Diasporës shqiptare në Amerikë, pikërisht në Washington dhe më së shumti në New York.
Ai ka dhënë një kontribut me vlera në të gjitha organizimet e Diasporës, dhe e ka përfaqësuar shtetin shqiptar dhe Kombin tonë denjësisht.
Eshtë tronditëse kur sapo çohesh në mëngjes, dhe të lexosh informacione për humbje të tilla, këtë radhë sjellë nga gazetari Beqir Sina, ose kur kontrollon mesazhet në celular dhe dëgjon zëra të dridhur gati të mekur për humbje miqsh të Diasporës sonë në Amerikë.
Mesazhi i znj.L.Qose, në telefon, një mike zemërbardhë nga Elbasani e familjes Dilja, m’u bë një ofshamë rrënqethëse, gati, gati si një melodi funebre…!
O Perëndi, sa shumë mesazhe dëgjova në atë muzg me ngrica, unë i mblodha si tufa ”manushaqesh” për mësuesin e shumë brezave, dhe lotova, pavarësisht se lotët e të gjithëve që po dëgjonin për lajmin e kobshëm, po ngrinin në forma kristali, ngaqë ishte tepër ftohtë…e ftohtë e akullt si vetë vdekja…
Punën e tij diplomatike, të palodhur dhe me kulturë tejet profesionale, për çështjen e Kosovës dhe të Shqipërisë, mund ta përmendësh në shumë aspekte, dhe ai do të kujtohet gjatë, por unë do të ndalem në një takim për festën e Flamurit, në nëntor 2003, në Brooklyn, me studentë shqiptarë dhe nga të gjitha vendet e botës, ku Zoti Dilja ishte i ftuari i nderit në këtë takim.
Organizatori kryesor i kësaj feste, z.Q.Zylo, anëtar i stafit pranë kolegjit në bisedën telefonike, që pati direkt me z.Dilja, për ta ftuar në këtë festë të Flamurit, e çmoi së tepërmi atë për komunikimin e ngrohtë që patën së bashku dhe për ftesën që e kishte pranuar me kenaqësinë më të madhe.
Thjeshtësia e tij ishte e dallueshme, ai u takua dhe bisedoi gjatë me të gjithë studentët, si përfaqësues i Misionit shqiptar pranë OKB-s. Salla ishte mbushur plot e përplot, aq sa njerëzit rrinin në këmbë dhe dëgjonin me vemendjen më të madhe, drejtuesen e programit znj.K.Halsted, e cila po e prezantonte para auditorit se kush ishte z.Dilja, pasi ai në këtë ceremoni, ishte ligjëruesi kryesor.
Ajo nuk lexoi çmimet që i kishin dhënë, as vlerësime të të tjerëve, pasi vetë ai nuk i pranoi ato, siç bëhet rëndom në kësi grumbullimesh, por foli për punen e tij studimore, të palodhshme si një studjues i vërtetë, për profesionin e tij tepër të arrirë, qe fatkeqësisht jo çdo diplomat shqiptar e ka.
Z.Dilja i bëri një përshkrim koncentrat historisë shqiptare, rrugën dhe betejat kundër pushtuesve, që e çuan atë deri në fitoren e Pavarësisë së saj, me plakun e mençur Ismail Qemali. Auditori dëgjonte me kuriozitetin më të madh për këtë vend në zemër të Europës, por që pati dhe prej tyre që nuk e kishin dëgjuar Albaninë.
Me mjaft elekuencë dhe diplomaci ai foli për Kosovën, vizitën e presidentit amerikan, Klintonit, dhe shpresën e madhe se Kosova do ta fitonte në mënyrë të padiskutueshme Pavaresinë.
Z.Dilja ju lexoi të pranishmëve dhe një letër nga ish studentët e Vienës, të cilët në fillim të shekullit të kaluar iu drejtuan Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z.Willson për çështjen shqiptare. Ata u betuan se do ta mbronin deri në fund të jetës së tyre Kombin shqiptar.
Të nesërmen nëpër të gjitha klasat, pedagogët amerikane dhe të huaj, diskutuan gjatë dhe u shkruajtën esse, për atë festë aq të bukur, duke e çmuar fjalimin e diplomatit Dilja, i cili me një qetësi olimpike, një karakteristikë e veçantë e tij dhe me kulturë kishte prezantuar Shqipërinë dhe luftën e Kosovës për Pavarësi.
Ai ju dha mesazhe të kthjellta studentëve, ta donin këtë vend, ta donin Amerikën se është i vetmi vend në botë, që ju ka hapur derën e miqësisë shqiptarëve dhe që po lufton me
tërë forcën diplomatike për çështjen e Kosovës.
Auditori u sensibilizua mjaft mirë, shuajtën shumë kuriozitete, dhe u njohën nga afër me Shqipërinë, hartën e saj, Kosovën, Camërinë, Dibrën e madhe, shqiptarët e Maqedonisë, Malin e Zi, pasi shumë prej tyre nuk e njihnin fare historinë e dhimbshme të Shqipërisë…!
Vizita e tij e mirëpritur dhe mbresëlënëse, u botua në disa gazeta, si në gazetën “Illyria”, “Bota sot”, dhe në shumë website të tjera. Gazetari prej Prishtine, z.N.Syla, akoma e ka në faqen e webit të tij: http://www.ereniku.net/diaspora19992005.html
Këngëtari i sukesshëm Frederik Ndoci i cili interpretoi hymnin shqipar në këtë festë, fliste me konsideratë të lartë, për diplomatin Dilja, mikun e nderuar të Diasporës amerikane. Ai shpesh shprehej për sëmundjen e gjatë të tij: ah, sikur të jetë një ëndërr e trishtë!
E di, kanë filluar ngushëllimet që prej Amerike, bashkëshortja e tij fisnike Nora, së bashku me fëmijët ëngjellorë, i prêsin ato me dhimbje, për humbjen e më të dashurit të tyre, ndërsa nëna e tij e plagosur në Shqipëri, ka vënë kujen për birin e saj të shtrenjtë, por edhe të gjithe ata që e njohën dhe e takuan së afërmi, nuk mund t’i ndalin dot lotët, këtë shi dhimbjeje për një njeri që na iku shumë shpejt…lot për një diplomat që la gjurme të thella në Diplomaci, Arsim dhe Diasporë.

Lamtumirë miku i Diaspores, lamtumirë!

New York
Shkurt, 2009

Nuk ka komente: