Nase Jani
Homazh
Do vijnë përvjetorët e Kosovës së lirë e të pavarur.
Dhe përvjetorët do të kenë kalendarët e viteve, në nisje të këtij shekulli për të shkuar në gjithë shekujt e mijëvjeçarit të tretë.
Ishte shkurti i vitit 2008, ku 109 deputetë të Parlamentit të Kosovës, mbi letrën papirus, me moshë 700 vjeçare, të blerë në kryeqytetin anglez e të ardhur me avion nga SHBA, hodhën firmën e Deklaratës së Pavarsisë. Ishte akti final, që mbante brenda mijëra ëndrra-lirie, qindra Heronj që i dhanë jetën asaj ëndrre, mijëra luftëtarë, nëna e bij-nënash, që luftuan deri në sakrifica-historike. E shkrova fjalën “historike”se lufta e popullit kosovar, në gjithë kohët ka bërë histori-qëndrese e histori-fitoreje.
Jo më kot u zgjodh ajo letër papirusi me moshë shtatëshekullore për të shkruar Deklaratën e Fitores së Pavarsisë. Ndoshta kështu s’ka ndodhur në asnjë Pavarësi në kombet e tjerë të botës së qytetëruar, qysh nga fillimet e qytetërimit botëror. Ndodhi ashtu se Pavarësia e Kosovës ishte e gjitha simbol.
Aty ishin dhe mungonin ata burra të moçëm, që të hidhnin firmën mbi atë papirus...
Aty mungonin dhe prapë ishin ata luftëtarë që i duheshin lirisë së Kosovës. Ishin ata, që e firmosën atë “papirus” me gjakun e jetës së tyre.
Aty mungonin dhe ishin intelektualët e shquar, që e mbajtën ndezur kujtesën kombëtare, me fjalën e folur e me fjalën e shkruar, me urtësinë e “Oxhakëve të Kosovës”...
Do të ndodhë ndonjë herë që të harrohen ato firma?
Si mund të ndodhë që të harrohen ato firma?!
Nuk mund të harrohen pse u hodhën ato firma!
Do kalojnë vitet e shekujt dhe ajo Deklaratë me “jetë-papirusi” do të jetë sinfonia e pambaruar e jetës së një populli, që e ëndërroi lirinë, e meritoi lirinë, e fitoi lirinë, për të jetuar i lirë...
Kosovarët, si askush tjetër, i njohin miqtë e vërtetë, siç njohin veten. Dhe dinë t’i nderojnë e t’i duan miqtë e vërtetë, siç dinë e duan lirinë dhe nderin e tyre.
Bota e qytetëruar, që gjithë kohët ka dhënë mënçuri-demokracie, për popujt e tjerë, ka çfarë të mësojë dhe nga qytetaria e lirisë kosovare, që nuk mban vetëm vulën e mbi një milion e gjysmë shqiptarëve të Kosovës, por të gjithë shqiptarëve kudo që janë, që numërohen miliona.
Shikoni Flamurin e shqiptarëve dhe kuptoni se ç’simbol ka liria!
Kosova në një-vjetorin e pavarësisë... sa shekuj është Kosova?! Ishte shpikur “papurisi” në atë fillim-jete e në atë ëndërr-lirie?!
Shkurt, 2009
Nuk ka komente:
Posto një koment