Aleko Likaj
Qiellin e natës e gërvishnin avionët. Një zhurmë dhe uturimë e thellë maramendëse vinte që andej, duke na kujtuar ne, se në të gjithë orët e natë-ditës sonë, ishte e pranishme, ajo, lufta në Kosovë, ku komuniteti e nje bote të qytetëruar ishte prezent aty me ato mjete të ajrit, për ti thënë « ndal » dorës gjakatare të aventurierëve serb që i kishin vënë flakën gjithë Kosovës martire. Jetonim me ankth e me mendje dhe zemër atje. Dimensionet i a shihnim në ekranet e televizionit të të gjithë stacioneve të botës, që e transmetonin non-stop. Skena tepër të trishta, ku në qendër të tyre, ishte një ikje e madhe. Genocid i pashembullt ne historinë e vitit të fundit të shekullit që lamë pas. Rreshta të pafundme me portrete fëmijësh e grash të përlotura. Të moshuar që mezi mbaheshin, vige me të pamundur dhe të lënduar, e pështjellime drejt pikës së kufirit, karro, traktorë e zetorë familjar të mbuluar përgjysëm me plasmas. Me fytyra te pikëlluara e të cfilitur deri ne mjerim. Një marshim i vërtetë biblik ku ishte krejtësisht e pamundur që të mos rrënqetheshe, e të mos përloteshe për atë dramë të papërsëritshme, që nuk ishte vetëm në celuloid..
Kisha lënë në Elbasan Pallatin e Sportit të qytetit, ku ishin mbledhur atë ditë disa qindra banorë të Kosovës, të cilët prisnin ndihmë dhe së bashku me një mikun tim të fëmijërisë, nxitova për në spital, në një lagje veriore. Në mëndje më kishte mbetur portreti i një gruaje prishtinase të cilës i a kishin vrarë barbarisht serbët gjithë pjestarët e familjes me tre fëmijë të mitur. E kishin tërhequr zvarrë për ta përdhunuar përpara se ti jepnin edhe asaj një plumb. Njerëzit përreth e ngushllonin dhe e qetësonin duke i thënë se « mund që ti takonte shumë shpejt », dhe se « ishin ngatëruar atje në Kukës ». Ajo gjysëm e zalisur dhe me sy të ënjtur lebetitej në duart e disa grave. Dy infermire të ndihmës së shpejtë aty, i bënë një inxheksion, ndërsa ajo, klithte me dhimbje. Një kosovare tjetër prishtinase, mbase fqinja e saj atje ne « Kodra e Diellit », që i jepte zemër, na tha se, e kishte parë krejt skenën e masakrës e fshehur në një pyll aty pranë. Kishin qenë në rrugë e sipër për të ardhur drejt kufirit. Por disa batare të ardhura pas pyllit, i kishte bërë paramilitarët serbë, që ta linin viktimën e tyre në një lëndinë, të braktisur....
Na kishin thënë se një grup të plagosurish sapo kishin mbritur dhe ishin nisur përpara nesh në ambjentet spitalore. Në një pavion të katit të parë të kirurgjisë, i ngritur enkas për të plagosurit e Kosovës, ende po vazhdonin përgatitjet dhe rregullimet e ambjenteve, edhe pse tashmë katër persona, ishin sistemuar në dhomën e parë të atij ambjenti.. Një tjetër ishte në sallën e operacioneve, ndërsa pritej e përgatitej pacienti i dytë, një 35 vjeçar i gjakosur mbi çarçafin e bardhë i dalloheshin njolla të mëdha gjaku
- Quhem Mustë Bajraktari - më tha një një prej të plagosurve.- Më dinë të vdekur. Jam plagosur dy ditë më parë në një aksion. Më kanë pshtue e marrë do kalimtarë që iknin prej luftës. A me ndihmoni me i çue një fjalë Jakup Krasniqit në Tiranë?. Kemi qenë shok burgu e qelie tek serbi. I thoni, që Musta është i gjallë deri tash. Kaq.
Me një fytyrë krej të hequr e të zverdhur, e me flokët gjysëm bjondë që zgjateshin poshtë fashove që pështillnin kokën, luftëtari i kosovës, drejtues i një prej formacioneve të mëdha të UÇK- së, u duk se ra në një kllapi të thellë. Dy mjekë e një infermiere nxituan që ta përmendnin dhe e çuan me njëherë në reaminacion. Anash i varej njëri krah i coptuar e krejt pa forme që dukej se mbahej në një fije peri...
Natyrisht që të nesërmen në mëngjez zbrita menjëherë në Tiranë, për të sjellë reportazhin e pritjes se kosovarëve ne Elbasan. Me një gazetar kosovar që punonte atë kohë në Televizionin Shqiptar, ja çova njoftimin Krasniqit. Në mesditë Mustën e morën menjëherë në Tiranë, në spitalin ushtarak. Diskutonte jetën. Por edhe aty ndroi vend.
Dy muaj më vonë, ime shoqe më tha, se Must Bajraktari,më kishte telefonuar nga spitali i Pisës në Itali, " I thuaj gazetarit, se do ta kem mik për tërë jetën. Nuk i a haroj"...
Mbetëm miq që at'herë ...
Nuk e di se si më erdhën ndërmënd sërrish ato skena lufte të atij fillimprilli këto ditë, ndërsa shfletoj shtypin, ku Kosova vazhdon që të jetë në qendër të masmedias, edhe pse është krejtësisht e pavarur. Përpiqem që të kap fillin e një lëmshi që shtjellon shovinizmi i sëmurë e mjeran i fqinjëve tanë të vjetër, që pretendojnë demokratizimin dhe inspirimin për në rrjedhat europiane, por më duket krejtësisht e pamundur, si një mision inatçor, arkaik e pa krye. Mitrovica dhe politikat e dëshpëruara të politikanëve shterpë serbë, të cilëve u ka mbetur "ora e historisë në vend", në dhjetor të 1913 tës, at'here ku ndërhyrja e car Nikollës të rusisë, bëri që Europa ta lejë jasht kufijve këtë tokë shqiptare duke i a bashkëngjitur sërbisë, duken tashmë si një atavizëm, që ka e mbart në esencë, një donkishotizëm bashkohor. Të ndarë në pëllumba e skifterë, klasa politike serbe në vend që të kërkonte falje kolektive për trajtimn shnjerëzor, diskriminimin, e pastaj masakrimin dhe genocidin e nje kombi me të cilin tentonte të bashkjetonte padrejtësisht, duket sikur luan "kukamshefti" me europën dhe komunitetin botëror. Bëjnë presione, shantazhe dhe kërcënime të hapura, madje, e përqasin luftën me guerilje në veri të Mitrovicës, e pastaj shkojnë në Azi, Afrikë, Amerikë Latine për të bërë lobing antikosovë.
Por ka një realitet tjetër, krejt ndryshe nga ai i çetnikëve e politikave shoviniste, që kanë mbërthyer këtë vend, ish Jugosllavi, e që ndodhet sot në shtratin e të sëmurës së Ballkanit. Konstituimi i pavarsisë dhe njohjet e kosovës nga shumica e shteteve më të fuqishme të globit. Vullneti i një populli që kërkon të ecë në rrjedhat e reja ballkanike,i lirë, sovran dhe me një vizion krejtësisht të qartë bashkohor.. Dhe këtë, Kosova e ka dëshmuar tashmëqë prej një viti me dinjitet, në harmoni të plotë edhe me ato pak pakica minoritetesh duke dhënë njëkohësisht edhe provën e madhe. Ajo afron prosperitet jo vetëm për qytetarët e vet, por edhe për fqinjët e Ballkanit.
Një shtet që e ka të shenjtë lirinë
Se brenda vetë asaj, është e materializuar qëndresa e drama, kalvari nga ku kaloi një komb i gjithë, dimensionet e së cilës mbajnë thirrjen e pavdeksinë e legjendarit Adem Jasharit, sakrificat sublime e nje shoqërie që u torturua e u vra ç’njëzisht. Ashtu si në mesjetën e thellë.
Kosovarët, kanë njëmijë e një arsye, që t’i gëzohen përvjetorit të parë të lirisë, edhe pse ajo është tepër e brishtë
Nuk ka komente:
Posto një koment