Brikena Muharemi-Mlinaku
Shpallja e pavarësisë së Kosovës ka një rëndësi të veçantë për shtetin e Kosovës, rëndësi kjo e cila më së miri shihet nëse Kosova analizohet nëpër etapa të ndryshme të historisë së saj. Shpallja e pavarësisë ka ndryshuar raportet e ndryshme që Kosova ka në botë. Që nga shpallja kemi parë formimin e institucioneve kosovare. Një ndër institucionet më të rëndësishme, i cili është kyç për stabilitetin e vendit, është sistemi i drejtësisë. Shpallja e pavarësisë dhe shtetndërtimi deri tani kanë bërë që qytetarët e Kosovës të gëzojnë të drejta dhe obligime të reja në shtetin e ri. Të drejtat e qytetarëve tani mbrohen me kushtetutë dhe ligjet e miratuara nga parlamenti. Gjykatat janë në funksion për shqyrtimin e rasteve penale dhe kontesteve tjera.
Sistemi juridik kosovar natyrisht që vetëm sa ka hedhur hapat e parë nën kushtetutën e tanishme. Duhet theksuar se ky sistem momentalisht përballet me probleme fundamentale të cilat e pengojnë zhvillimin e tij dhe të shtetit kosovar në përgjithësi. Çka është edhe më e rëndësishme, këto probleme e pengojnë administrimin e drejtësisë në rastet individuale që vijnë para gjykatave.
Kosova duhet punuar shumë në mënyrë që të distancoj veten plotësisht nga sistemet e kaluara të cilat i kanë lënë trashëgim metoda dhe mënyra pune të caktuara. Kosova duhet përqafuar frymën perëndimore dhe parimet që kultivohen dhe respektohen në vendet e zhvilluara në fushën e drejtësisë. Shoqëria kosovare duhet të synoj që sundimi i ligjit të jetë prioritet i saj.
Dëshiroj të shoh një sistem të drejtësisë në Kosovë i cili synon drejt një niveli të lartë pune, organizimi dhe menagjimi. Gjykatat duhet të jenë të pavarura nga çdo ndikim i jashtëm, qoftë ai politik apo tjetër.
Rol kyq në funksionimin e mirë të drejtësisë luajnë të gjithë ata të cilët janë të kyqur në proceset juridike, duke filluar nga parlamentarët e deri tek gjykatësit, avokatët mbrojtës dhe prokurorët. Profesionalizmi i këtyre duhet të jetë në nivel. Kodet e punës duhet të jenë të standardeve të larta dhe këto kode duhet të respektohen. Të gjithë që punojnë në drejtësi kanë rol të rëndësishëm në shoqëri meqenëse ata kontribuojnë në respektimin dhe sundimin e ligjit, e sundimi i ligjit për një shtet është çështje thelbësore.
Me shpalljen e pavarësisë Kosova ka rast të përparoj dhe të fitoj vetitë e një shteti të mirëfilltë. Nëse sistemi ligjor kosovar, si një nga shtyllat kryesore të shtetit, funksionon mirë dhe në mënyrë korrekte, atëherë patjetër që edhe shteti kosovar do të vazhdoj shtetndërtimin dhe funksionimin e tij me sukses.
Brikena Muharemi-Mlinaku
Barrister
Janar 2009
Nuk ka komente:
Posto një koment