e hënë, shkurt 09, 2009

Një vit më parë Kosova



Robert Martiko

Një vit më parë Kosova fitoi pavarësinë e saj. Nëpërmjet « Albanian Mail », dua të shpreh se jo vetëm shqiptarët, por ç’do qytetar tjetër në botë me sens drejtësie e civilizimi, admiroi dhe përkrahu ato momente me të vërtetë të shenjta për historinë e zhvillimit të një populli. Kjo ditë erdhi si pasojë e përpjekjeve shumëvjeçare për liri e pavarësi, në radhë të parë prej vetë kosovarëve trima, të preokupuar për të ardhmen e vendit të tyre.
Nuk mund te ekzistoj liri me copa. Ajo, ose qëndron e cunguar dhe e kufizuar nëpër sirtaret diplomatike, ose fitohet. Kështu ndodhi një vit më parë. Kështu do të ndodhë edhe në të ardhmen: nuk do të jetë e largët dita, kur Republika e Kosovës do të njihet botërisht si një shtet i pavarur e me të gjitha të drejtat e ligjëshme. Në ditët e sotme, të zhvillimit maksimal të shkencës e teknologjisë dhe të kulmit të ideve shoqërore e filozofike të shoqërisë, nuk mund të konceptohen praktikat politike me karakter të cunguar e gjysmak. Shpreh optimizmin se në një të afërme jo të largët ky shtet i ri do të njihet nga mbarë bota, për vet faktin sepse e ardhmja e vëndeve të rajonit të Ballkanit është Europa e Bashkuar. Nuk ka rrugë tjetër. Çdo njeri paqësor e përparimtar, mund të dalloj për bukuri konturet pozitive dhe fisnike, që përcaktojnë një perspektivë të tillë.
Ndërkohë, meqënëse përpiqem të jem një shtetas i moderuar në ide dhe i disiplinuar në sjelljen time ndaj ligjeve dhe institucioneve të vendit, më pëlqen të mendoj, që vetëm ministria e jashtme e vendit mund të inçizojë politikën e jashtme. Ato janë pikërisht organet e specializuara. Ç’do sugjerim me karakter patriotik, nuk mund të hidhet poshtë e të mos merret në konsideratë, por kam përshtypjen se kur tejkalohet masa, përveç anës pozitive, për të nxitur një situatë të caktuar, mund të shkaktohet padashur, një dëmtim i padëshiruar në çështjet kombëtare.
Historia e botës ka treguar se jo pak herë pas një fitimi pavarësie, lirie apo ngritje flamuri brenda territoreve të një vendi, ky i është nënështruar tragjedisë së luftës civile, në rastin më ekstrem… ose një kokëngrënie të paparë brenda vetë komunitetit. Pikërisht, këtu qëndron e keqja. Historikisht shqiptarët janë dalluar për mungesë kohezioni ndërmjet tyre. Më lejoni të zbuloj atë që ndofta shumë pak më pak dëgjohet në kohën tonë. Se rilindja e kombit vjen nga ndërgjegjja e pastër dhe edukata e mirë. Edhe në artikuj të mëparshëm kam theksuar se patriotizmi duhet konsideruar, si një ndjenjë e fortë dhe e pastër dashurie për vetë shqiptarin në radhë të parë, pastaj për detet, lumenjtë, malet, kodrat dhe fushat e vendit. Nuk asnjë kuptim patriotizmi, si një mjet i egër, i ushtruar ndaj bashkëpatriotëve të tu, që të ndihmon për të ngjitur shkallët e pushtetit.
Nuk i njoh mirë problemet e brendëshme të Kosovës. Duke dashur të marr ndonjë shëmbull nga Shqipëria, do të thoshja se qeveritë aktuale që kanë ardhur pas rënies së sistemit komunist, nuk kanë zgjidhur problemin e pronave. Për ç’farë patriotizmi bëhet fjalë në këtë rast?... Jo pak herë dëmi më i madh për një komb vjen nga brenda. Mund të fitosh demokracinë por kurrë lirinë e vërtetë. Nuk mund të ketë liri kolektive pa liri individuale. Dhe kjo e fundit është e lidhur ngushtë me të drejtën mbi pronën.
Nga ana tjetër, rregulli dhe disiplina e çdo individi përcakton të ardhmen e një vendi. Dua të shtoj se Kosova fitoi lirinë ose pavarësinë që i takonte, por nuk i zgjidhi problemet. Sipas meje, koncepti i pavarësisë, në trajtën aktuale noton në një trajtë të mjeruar e të varfër. Jam mjaft pretendues në këtë pikë... Qoftë edhe nga larg, do të doja ti trajtoja kosovarët si njerëzit e mij më të dashur Tju jepja të njëjtat mësime, për tu integruar si pjestarë të denjë të një shoqërie të bukur e të civilizuar në Europë.
Më ka rënë rasti të rilexoj Historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një libër të bukur të Albana Mëlyshit (Lifschin). Në momentet fillestare, kur ky shtet fitoi pavarësinë nga Mbretëria e Anglisë, burrat e parë të shtetit, u kujdesën të vendosnin rregulla mjaft të forta brenda vendit. Jo vetëm për të disiplinuar tregëtinë dhe sistemin e taksave, por për ti bërë shtetasit e tyre të barabartë, nëpërmjet ligjeve të bukura të rregullit e demokracisë, madje edhe vetë skllevërit apo zezakët. (Dhe jo të grabiten pronat e vetë shqiptarëve!) Këto personalitete të fuqishme si Xhorxh Ëashingtoni, Tomas Xhefersoni, Abraham Linkolni, Hamiltoni e shumë shumë të tjerë janë futur në historinë botërore. Me dinamizmin që karakterizon udhëheqësit e Kosovës do të doja tju uroja të njëjtin fat në histori. Gjithashtu, të sugjeroja se pavarësi për Kosovën do të thotë projektimi apo përcaktimi në distancë i të ardhmes së saj. Politikanët e saj tu përngjajnë arqitektëve japonezë, të cilët qoftë edhe një ndërtesë të thjeshtë urbane, e projektojnë në një pararendje kohe prej pesëqind vjetësh.
Kam bindjen se nuk do të jetë e largët dita kur Kosova, ky margaritar i denjë i kurorës europjane do të njihet botërisht. Theksoj se në radhë të parë, pikërisht, mënçuria e politikanëve të saj do ta dallojë këtë vend.

ROBERT MARTIKO
shkrimtar

Nuk ka komente: