Dr. Luan ZYKA
Tanimë rolet ishin ndryshuar. Ndërsa para nëntë vitesh, në prill të vitit 1999, në ditët e Luftës së Kosovës, isha unë që i telefonova gazetarit D.B. të një kanali televiziv grek për të marrë pjesë në debatet televizive për Kosovën, tani ishte miku im tashmë, gazetari D. B. që më ftoi në studion e tij televizive për të folur për Kosovën. Një ditë më parë, të djelën e 17 shkurtit 2008, Kosova kishte shpallur Pavarësinë e saj.
Tani shumë gjëra ishin më të lehta për t’u kuptuar, ose më mirë për t’u mos u keqkuptuar, edhe pse në Ballkan kur flitet për çështje etnike, atmosfera e keqkuptimit mbështjell të gjitha ndjenjat, mendimet dhe veprimet e tjera. Ajo që ndodhi në Kosovë më 1999 për shqiptarët dhe popujt e rajonit të fuçisë së barutit, kryesisht serbë e sllavomaqedonë, ishte zhvillim llogjik i historisë, ndërsa për popullin grek ishte si një rrufe në qiell të hapur. Kjo gjendje e mpleksur në hapësirën ballkanike, ku diku njohja ishte reale, diku ishte në tymnajën e mitit dhe diku në terrin e plotë, ishte pasojë e shplarjes etnike të trurit nga shtetet kombe, ku secili krijonte një realitet që i shërbente interesave të tij shtetërore-kombëtare.
Miti serb për Kosovën
Deri atëhere mbizotëronte teoria për Kosovën si djep i Serbisë. Ky ishte mit i parë i shpikur nga historiografia politike serbe, i gatuar me lëndë fetare, kulturore e pseudoshkencore por në thelb i shërbente politikës të shtetit – komb të Serbisë. Kur kam vizituar manstirin serb të Graçanicës në vitin 2001 me një ekip televizioni grek, ku besoj administrata fetare serbe nuk e dinte se midis tre gazetarëve njëri ishte me pashaportë shqiptare, në katin e dytë në sallën e pjesës lindore na priti Rada Trajkoviç, veprimtare e komunitetit serb të Kosovës. Në krahun e majtë të hyrjes në atë sallë ishte një pikturë e vjetër kushtuar betejës së Kosovës më 1389. Interesante në të ishin veshjet e larmishme popullore të njerëzve ku spikasnin shumë kostume të mirënjohura popullore shqiptare si fustanellat, xhamadanët, qeleshet etj.
Duke soditur pikturën i them gazetarit grek këtë fakt. Ai e miratoi me kokë dhe duke folur me Rada Trajkoviçin dhe një femër tjetër serbe e dërguar aty nga qeveria serbe për të ndihmuar bashkatdhetarët e saj, u thotë atyre se - “ju më kot vazhdoni mitin e Kosovës si djep i Serbisë, kjo pikture për Betejën e Kosovës tregon se këtu luftuan shumë etni bashkë kundër invazionit osman, se kjo ishte betejë e lidhjes së krishterë në mbrojtje nga feja e pushtuesit”. Vazhdoi një bisedë e acaruar mes gazetarit grek dhe serbëve, për pak minuta i gjithë ekipi ynë e pa se serbët e kishin kthyer edhe Manastirin e Graçanicës në një strofull në shërbim të miteve të tyre. I kërkuam atyre që të fotografonim pikturën por nuk na lejuan, përveçse xhirimin e bisedës me Rada Trajkoviç me sfond shenjat ortodokse. Ishte mesazhi që duhej t’i jepej një populli tjetër ortodoks, dhe kështu miti përhapte tymnajën e tij historike.
Miti i objektivitetit mediatik
Ato pamje rrënqethëse të varganëve të qindra mijra shqiptarëve të Kosovës të përzënë nga shteti serbo-milosheviçian jepeshin në ekranet televizive greke me komente për bombat e NATO-s mbi popullin e pa armatosur serb dhe shoqëruar me muzikë vajticash serbe. Në ekrane shfaqeshin kosovarët duke ardhur nga jashtë dhe shkonin të rreshtoheshin me bashkatdhetarët e tyre në luftë për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb, dhe këta njerëz që po flijoheshin për liri etiketoheshin nga mediat si hajdutë e aventurierë, dhe drejtuesit e tyre si mafiozë. Politika serbe po aktivizonte gjithë arselin e mundësive të veta në shoqërinë greke, politikanë, profesorë, biznesmenë greke që kishin investuar në Serbi dhe ish-Jugosllavi po dilnin në ekranët greke për sulmin e imperialistëve, papistëve, muxhahedinëve ndaj popullit të krishterë serb dhe “qingjit socialist” Milosheviç. Mitet po shtoheshin duke zvetënuar realitetin. Tani ishte media greke që po krijonte një mit të ri, mitin “e objektivitetit mediatik” siç e quan Umberto Eco. Nga ana tjetër, prania e mendimit tjetër në studiot televizive greke përfaqësohej nga i ndjeri Aristidh Kola edhe disa emigrantë shqiptarë. Këtyre të fundit nuk mund t’u mohoje ndjenjat dhe motivin e tyre atdhetar dhe njerëzor, por të gjitha këto hijezoheshin nga një zhargon i keq i greqishtes së tyre dhe nga njohuri të cekta dhe deri në demagogjike për problemin e Kosovës. Bile ndonjëri i frymëzuar nga ndjenjat etnike dhe i irrituar nga bashkëbiseduesit e tij grekë harronte temën e bisedës për problemin e Kosovës, por shkonte deri atje sa të shprehej se historinë në Ballkan e kanë bërë vetëm shqiptarët ! (prandaj nuk kishim kohë të bënim Shqipërinë)
Megjithatë, pa dyshim kishte trokitur ora e shqiptarëve. Për herë të pare, që prej viteve ’80 kur isha student në Selanik dhe tani pas rreth 20 vjetësh ndjehesha krenar dhe i çlirët kur shihja atë popull që nuk po lutej për bukë goje, por me dinjitet po luftonte për liri. Urtësia Rugoviane ishte shtruar në themel të së ardhmes kosovare duke i dëshmuar botës se shqiptarët e Kosovës e kanë aftësinë për të organizuar një shoqëri. Rugova dhe Adem Jashari po zbatonin parimin e përdorimit të politikës si mjet për dëshminë e ekzistencës së një populli – siç e koncepton Hegel-i. Shqiptarët po luftonin për idealin e lirisë dhe të barazisë – siç kishte bërë çdo popull i ndërgjegjshën në botë. Ishte koha e luftës, e luftës midis një realiteti për të afirmuar ekzistencën e tij dhe miteve të krijuara.
Ishte koha kur bota dhe opinioni grek të shikonin të vërtetën, pavarsisht rrethanave gjeopolitike që mund të krijoheshin në këtë rajon ku popujt ballkanikë kishin pak mundësi vendimmarrjeje. Ishte koha kur në studiot televizive greke do bisedonim me politikanë, të majtë e të djathtë,me fashistë dhe me studjues të politizuar. Ishte e lehtë dhe çliruese kur u tregoje se në ato troje para se të vinin sllavët dhe otomanët ishin arbërorët, Se emërtimi sllav Kosovë ishte i ri para emërtimit të lashtë Dardani ku banonin popullsitë arbërore. Ndjeheshe i liruar kur shije fytyrat e tyre kur u tregoje të dhëna historike për krishtërimin e hershëm në Arbëri, për kishat paleokristiane të Ulpjanës (afër Prishtinës së sotme), për peshkopët dardanë që kishin marrë pjesë në Koncilin Ekumenik të Nikeas më 325 p.k., bile se sllavët u ungjillizuan jo vetëm prej Shën Cirilit dhe Shën Methodit nga Selaniku por para tyre e kishin shtruar rrugën mjaft misionarë vendas arbërorë nga Dardania duke ndërtuar bile mjaft kisha në Penoni, në Mesia, Dalamci, në Sardika (Sofjen e sotme etj.).
I vetmi politkan grek që dënoi publikisht politikën milosheviçiane ishte miku im I. M., ministër i ministrisë greke të Maqedonisë-Thrakës. Ishte një zë mes shkretëtirës, kishim nevojë të dëgjonim diçka përtej demagogjisë dhe interesit ku miti vërshonte në sferat e pseudoideologjisë. Kishin nevojë në rradhë të parë vetë grekët, por kishim nevojë edhe ne që jetonim mes grekëve. Miqtë tanë duhet të ishin edhe miq të së vërtetës, dhe e vërteta ishte me shqiptarët Po ato ditë, unë i mora një interevistë mikut tim ministër dhe e botova në gazetën “Koha Jonë”. Por ishe më e vështirë të përballoheshe me keqkuptimin të ish- professorëve të mi në Universitetin e Selanikut. Në ato kohë të ndezura, më telefonon ish- profesori im tani në pension, në laboratorin e të cilit punoja që kur isha student, dhe me zë të rënduar më thotë se nuk e priste që unë të isha i përvëluar për të dalë nëpër ekranet televizive, bile atij i kishin thënë kolegë të tij se unë isha antigrek. Duhet të sqaroja me urtësi profesorin tim të dashur se unë isha ai shqiptari ashtu siç e kishe njohur ai në laboratorin e tij, dhe fakti se je shqiptar nuk do të thotë se je antigrek. Duhet ta siguroja se unë isha po ai adhurues i kulturës dhe filozofisë së lashtë greke, dashuronjës i poezisë greke ku kisha përkthyer gjenitë e saj Kavafisin Elitin dhe Ricos. Duhet ta sqaroja se ishte detyrimi im intelektual dhe njerëzor për të spjeguar dy gjëra nga thellësia e vetes sime. Dhe në fund të fundit, ashtu si kisha ndryshuar edhe unë mendimet e mija fillestare pët tema të ngjashme, të gjithë duhet të ndryshojmë. Megjithatë edhe sot e kësaj dite me ish-profesorin tim, me atë që më besoi detyra të mëdha shkencore deri në doktoraturën time, pothuajse nuk flasim më. Dikush tjetër më tha se ne i kemi mëshiruar emigrantët shqiptarë por tani po na bëni që t’ju urrejmë…mitet po nxirrnin në grahmat e fundit… Kishte ardhur koha që mbi mëshirën dhe urrejtjen, mbi keqkuptimet dhe mospranimet, mbi vetë mitet tymnore po lartohej me Kosovën dinjiteti ynë personal, dinjiteti i një populli.
Realitet apo mit që vjen nga e ardhmja
Kisha mjaft kohë që nuk pranoja të merrja pjesë në debatet televizive greke me tema shqiptare. Ndjehesha i lodhur nga zullumet e politikës dhe të ordinerëve shqiptarë, dhe nuk kish pse të justifikohesha unë duke kërkuar tolerancë e mirëkuptim para gazetarëve dhe opinionit grek. Por telefonata e gazetarit grek më 18 shkurt 2008 ku më ftoi të marrë pjesë në debatin televiziv për Pavarësinë e Kosovës, më kujtoi se duhet të mbaroja një punë të filluar vite më parë… Ishte epilogu i një ngjarje të madhe të cilin e përjetova bashkë me familjen time duke ndjekur direkt transmetimin televiziv të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës deri në orët e para të mëngjezit. Ishte agimi i lindjes së një krijese të re. Gjithçka emetonte dritë, freski, njomzi, pastërti, sinqeritet, edhe njerëzit, edhe ndërtesat, edhe dita, edhe tisi i mbrëmjes, edhe bryma… Ishte Liria. Ishte liria për të mdërtuar të ardhmen ashtu si vendos çdo popull, pavarsisht miteve dhe ëndrrave të së shkuarës. Të bukura ëndrrat, i dhimbshëm kujtimi i dëshirave të paplotësuara…
Për të gjithë ishe e qartë, të paktën qysh prej Rambujesë, se në këtë pjesë së Ballkanit, ku prej shekujsh jetohej me fantazmat e miteve po ndërronte historia. Shteti – komb, që kudo në botë ka degjeneruar shpesh në megalomini kombëtare dhe në këtë cep të botës kishte shkatuar tragjedi historike njerëzore, po i linte vendin një krijese të re. Flamuri i Kosovës me dy elementë domethënës semiotikë; territorin dhe 6 yjet e kombeve që jetojnë mbi të është shprehja konkrete e teorisë së Fukuyamma për state-building në vatrat me kriza të tilla etnike. Tani lënda bazë e ndërtimit të shtetit multikulturor nuk do jetë llogjika e mëvetësisë së pafund, por llogjika e bashkëekzistencës dhe e harmonisë multietnike. Tani duhet të ngrihen institucione politike të ligjit dhe të shtetit demokratik për të kufizuar faktorët gërryes të kohezionit shoqëror. A do jetë e aftë demokracia t’i vërë fre “nepotizmit etnik”, siç e quan Vanhanen fenomenin gjenetik të grupimeve të njerëzve në bazë të “genit” të kombësisë në luftën e shoqërisë për ekzistencë dhe mbijetesë? Apo ndoshta ky është një mit i ri, me të vetmin ndryshim se vjen nga e ardhmja, dhe qënka fataliteti i Kosovës të ekzistojë mes mitesh … Këtë do ta provojë koha…
Nuk ka komente:
Posto një koment