Marius Çano: “Dua nga Ministria e Arsimit që të më mundësojë të ndjek disa fakultete njëkohësisht”
Ministria e Arsimit nuk do t’ia di për talentin shqiptar
Isuf Kurtaj
Di 20 gjuhë të huaja. Është vetëm 17 vjeç. Të gjitha gjuhët i ka mësuar brenda një kohe të shkurtër. I qetë por këmbëngulës. Ky është Marius Çano i jashtëzakonshëm, nxënës i shkollës “Petro Nini Luarasi”. Është gjeni. Por ç’e do, është i papërfillshëm nga shteti. Vlerat reale të tij i kanë vlerësuar vetëm mësuesit, dhe të njohurit e afërm. Edhe pse ka dalur disa herë në media, duke e bërë të ditura dëshirat dhe kërkesat nga shteti, përgjigja nuk ka ardhur. Tek të thotë gjuhët që di, ndjen një kënaqësi. Djali që di 20 gjuhë është shqiptar. Çfarë fati... Ëndrra e tij është e qartë. Do që të bëhet doktor profesor. Librat janë miqtë e tij më të mirë. Nuk ka kohë të lirë, pasi gjatë gjithë kohës lexon. Por e gjen kohën edhe për të luajtur futboll. Ka disa muaj që nuk mëson më gjuhë të huaja. “Kam vendosur që të merrem pak me shkollën dhe pastaj do ia filloj prapë”,- na thotë Mariusi. Dëshirën për të studiuar gjuhë të huaja ai e ka pasur që i vogël. Por për të mësuar ia ka nisur që në klasë të shtatë, ndërkohë kurset i ka filluar më vonë. “Kam filluar të studiojë gjuhë të huaja në moshën 14-vjeçare dhe kam mundur që për dy vjet të mbroj 20 gjuhë të huaja”, shprehet gjeniu. Për këtë gjë ai nuk është krenar, dhe nuk e quan vetën të ndryshëm nga të tjerët. “Unë vërtet di shumë gjuhë, por kjo s’do të thotë që ta quaj vetën hero”.
Pengu
Ai ka një kërkesë nga MASH. “Dua që të studioj disa fakultete njëherësh sepse mund ta përballoj shumë mirë, na thotë me zë të ulur. Kaq dua nga Ministria”. Gjeniu e ka të qartë që rregullat e arsimit të lart janë që të vazhdohet vetëm një fakultet, por ai na kujton se jashtë shtetit, rregullat nuk vlejnë për tipa si ai. “Në gjithë botën talentet si unë ndihmohen edhe me shuma të mëdha vetëm e vetëm që ai të ecë përpara”, ndërsa tek ne jo. Ai nuk do gjë nga shteti. “S’dua lekë, por vetëm mundësi që të studioj disa degë”. Para disa kohe ka qenë në dyert e Ministrisë së Arsimit. MASH i është përgjigjur me indiferencën më të madhe. “Nuk i kërkoj para shtetit për të studiuar. Dua vetëm një leje, që mos të më ikin kot vitet sepse kam projekte të mëdha në mendje. Dua të studioj në 4 fakultete njëherësh, në Juridik, Ekonomik, Filozofi dhe Histori-Gjeografi, të cilat dua t’i mbaroj brenda dy vitesh. Më pas, numri i fakulteteve dhe gjuhëve të tjera të huaja që do të zotëroj, do të jenë shumë herë më të mëdha”, shprehet Mariusi. Prindërit duan ta shohin atë si një akademik në moshë shumë të re. Sipas tyre është fatkeqësi për Mariusin, fakti që ai ka lindur në një vend të tillë si Shqipëria. Ata thonë se diku tjetër Mariusi do të ishte personalitet. Dhe kanë të drejtë sepse këtu po shkon dëm. E pafalshme.
Sa vjeç keni filluar të mësoni gjuhët e huaja?
Kam filluar të mësoj gjuhët e huaja që në klasë të 7, trembëdhjetë vjeç
Sa orë në ditë i jeni kushtuar gjuhëve të huaja në ditë ?
Në kohën kur jam marr me gjuhët e huaja kam lexuar 6 orë në ditë.
Cila lëndë ju pëlqen më shumë?
Unë jam i dhënë pas të gjithë lëndëve. Nuk mund të veçoj ndonjë. Jam i mirë tek të gjithë.
Mesatarja në shkollë?
Kam një mesatare prej 9.9.
Ku ndryshoni ju nga moshatarët e tjerë?
Nuk është se ndryshoj shumë. Jam si ata, sepse në shkollën time ka nxënës të mirë. Por fakti që unë di 20 gjuhë, kjo po që më bën pak më të diferencuar.
Çfarë dëshironi të bëni dhe nuk arrini ta realizoni ?
Unë kam një kërkesë nga Ministria e Arsimit që të më mundësoj që të vazhdoj disa fakultete njëkohësisht sepse e quaj humbje kohe të bësh një fakultet. Unë kam aftësi për të bërë disa fakultete dhe kërkoj që të plotësohet kjo kërkesë.
Çfarë dëshironi të bëheni ?
Unë dëshiroj që të marr titullin doktor I shkencave në disa degë. Ajo që unë dua është që të bëj ndonjë kërkim shkencor. Dhe për këtë besoj shumë.
Hobi juaj ?
Leximi. Aty gjej qetësinë dhe kënaqësinë. Sa më shumë të lexosh aq më shumë e kupton botën e mistershme.
Cilin autor preferoni ?
Autorët romantik më pëlqejnë. Rusët dhe francezët dhe anglezë.
Sporti që pëlqeni?
Gjatë kohës së verës luaj futboll dhe notë, ndërkohë ka raste kur bëj dhe vrap.
Nuk ka komente:
Posto një koment