FATMIR TERZIU
Një vit pavarësi, 10 vjet në Liri. Kjo është Kosova e ditëve tona. Kjo është Kosova e pas gjakëderdhjes, shkatërrimit dhe eksodit masiv. Kjo është ajo që është pamja reale në faqet e historisë. Por ende pas kaq vitesh Kosova nuk ka të institucionalizuar plagët e saj. Ende plagët e saj nuk kanë marrë ilaçin e duhur shërrues. Janë plagë që ende dhembin, sjellin lotë, sjellin vuajtje. Janë plagë që ende janë rëndesa, të pakonceptueshme mbi varre masive. Në fakt të gjitha janë pasojë. Pasojë e një mospërkushtimi. Pasojë e një heshtjeje kolektive. Në librin e tij “Reflektime Shqiptaro-Britanike”, Daut Dauti sqaron qartë pse një gjë e tillë ndodh. Ai në faqen 13 të këtij libri shprehet: “Tmerret, të cilat i përjetuan shqiptarët në Kosovë, unë i përshkrova me fjalën Holokaust, me të cilën [hebrenjtë mbështetëit e mëdhenj të Kosovës shënimi im] nuk u pajtuan”. Ai shton më tej se ata, pra hebrenjtë e Londrës, në një takim në Hampstead të Londrës e kishin këshilluar “që të mos përdorte termin Holokaust” për dy arsye. “E para, ishte se shqiptarëve u ndihmonte tërë bota liberale demokratike, kurse hebraikëve në kohën kur ata përjetonin tmerret, nuk u kishte ndihmuar askush. Arsyeja e dytë, ishte se Holokausti ndaj hebraikëve ishte term që duhej të përdorej vetëm nga hebraikët, për arsye se vetëm kështu shpegoheshin përmasat e mëdha të tmerreve të tyre. Sipas Dautit, kjo “kishte vërtetë logjikën e vet.” Të njëjtin mendim në hyrje të librit ndan edhe Prof. Dr. Milazim Krasniqi. Edhe mjaft të tjerë në fushën intelektuale edhe politike kanë vënë theksin e gjetjes së një fjale që do të krijonte “institucionin” e mishërimit të vuajtjeve dhe plagëve në histori dhe do të funksiononte gjatë si efekt i memorjes kombëtare dhe ndërgjegjësimit. Por, nëse vite më parë Kosova ishte kryefjala e medias, ushqesa e akademikëve, tani mosgjetja e një fjale të tillë, që ende kërkohet, duket si një arsye tjetër që mban plagët nën fasho.
Kosova tashmë ka njëvjetorin e Pavarësisë. Një vjetorin e saj si shteti më i ri i Botës. Kosova ecën dhe pikëtakon në mënyrën e saj ecjen tërësore. Dhe në ecje e sipër ecën mes miqsh të vërtetë si SHBA, Britania e Madhe dhe Komuniteti Evropian. Ecën si një Zonjë modeste që kërkon bekimin e vazhdueshëm, por edhe forcimin e memorjes. Vetëm kështu përvjetorët do të jenë më tërheqës. Do të jenë kështu se përmasat e mëdha të tmerreve shqiptare do t’i flasin me fjalët e duhura brezave dhe historisë. Do të jetë ashtu siç Dauti thekson: “Shqiptarët duhej të përdornin termin e tyre [dhe ende duhet] që të simbolizonte dhe që do të shpjegonte tmerret dhe shkatërrimet.” Po, sipas dautit “kjo çështje, e një emërtimi autokton, ngërthen në vetvete aspektin filozofik që me siguri do të kishte efekt në zhvillimin dhe në trashëgiminë kulturore të shqiptarëve, ashtu siç pati te hebraikët, por një gjë e tillë nuk u bë”. Dhe një gjë e tillë ende pritet dhe duhet të bëhet. Këtë më shumë se kush e kërkojnë plagët e Kosovës. Këtë më shumë se kush duhet ta thonë akademikët nga ‘llogorja e tyre”.
LLOGORJA E AKADEMIKËVE NË "LUFTËN E FJALËVE"
Lufta dhe ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë nxori në skenë një numër të konsiderueshëm analistësh, kritikësh dhe akademikësh. Ata në mënyra të ndryshme e interpretuan atë për publikun, për politikën e median, duke i shtuar arkivave miliona rrjeshta, herë me nota realiste e herë në lëmin e opinioneve. Disa prejt tyre fituan gradat e Doktorit, disa shitën librat e tyre, disa pasuruan arkivat personale dhe ato bibliotekare dhe disa vetëm thanë e shkruan ndonjë ide a ndonjë mendim personal. Numri i madh i akademikëve, në fakt, gjeti rrast që të shtoj studimet mbi bazën e kësaj plage të dhimbshme duke e trajtuar atë me nota të ndryshme. Sot, pas gati disa vitesh shumë emra prej këtij numri të madh heshtin, ose ende janë duke reshtuar mendimet e tyre dhe shënimet e dikurshme, bazuar në faktet mediatike. Të pakët janë ata që ende servirin mendime e opinione. Disa që janë shumë intensivë në paraqitjen e situatave bazuar në këndvështrime të reja, natyrshëm “ushqejnë dhe ushqehen nga media”. Shumë prej tyre që zgjodhën opinionet e medias së shkruar dhe televizive për t’i servirur në tryezat akademike apo librareske, sot çuditshëm edhe në një vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kur duhet të ngrejnë zërin, heshtin.
Dhe heshtja e tyre ka ngjallur sërrish polemika, ka nxjerrë në dritë një dritë jeshile për të zbuluar e ndriçuar misionin e penës së tyre të para tetë viteve, që shkruante me gjakun e qindra të pafajshmve në zemër të Ballkanit. Shumë prej tyre shprehen, se “Fjala e akademikut dhe studiesit është dhe ka të bëjë të bëjë me kërkimin e fakteve dhe të paraqesë faktet herët a vonë sipas një mënyre tematike”, të tjerë thonë se “ajo që u shpreh u shpreh, me ecurinë dhe me problemet e tjera u takon mediave, i takon institucioneve…”, një numër tjetër shprehen se “misioni ynë mbaroi me luftën…” ose më tej për ca të tjerë kur thonë “të presim finalen…”. Logjikshmën dhe në mënyrë institucionale kjo hierarki mendimi duket shfajësuese në plan të parë, duket e qartë edhe në fushën profesionale të argumentimit dhe paraqitjes së mendimeve dhe në fakt edhe mund të anashkalohet, dhe mostrajtimi i mëtejshëm mund të bëhet palë me heshtjen reale të disa prej tyre. Këtu emrat e tillë janë shumë, sepse ashtu siç e thamë që në fillim Lufta e Kosovës rrëmbeu shumë emra të fushës së letrave, më së shumti elitën akademike të të gjitha vendeve, por qëllimi i këtij shkrimi nuk është të analizohet emër për emër, apo të kritikohen emra të përveçëm. Synimi i këtij shkrimi është të shkund sadopak një interes tjetër debati në këtë situatë kur një “luftë” tjetër ka përfshirë njhojen në masë të madhe të Kosovës në arenën politike dhe diplomatike ndërkombëtare, që do të ndihmonte në zgjidhjen dhe arritjen e “finales”. Shkrimi mes disa fakteve dhe argumentave kërkimore të muajve të fundit do të shpjegojë faktin e heshtjes së këtyre penave akademike për këtë problem të mprehtë dhe domethënës për fatet e një populli.
Një nga analistët e mirënjohur A. J. Bellamy në shkrimin e tij “Kosovo: After the War, the War of Words” (Kosova: Pas Luftës, Luftë Fjalësh), botuar në The International Journal of Human Rights, Volume 5, Issue 3 Autumn 2001, faqet 97 – 110, shprehet jo më kot që në titull se “Kosova e pasluftës është dhe gjendet mes luftës së fjalëve”. Kjo kuptimplote për momentin, pasi zgjidhja e problemit padyshim pret “fjalën”. Dhe kur lufta e fjalëve del në mejdan, shpallet në sheshin e madh politik dhe akademik, padyshim “pena” është protagonisti kryesor. Dhe ajo duhet të jetë aktive, ndoshta po aq aktive kur trajtoi Luftën e Përgjakshme. “Lufta e fjalëve” e mbërthyer më së shumti në politikë, duket disi e pakonceptueshme në interesat akademike, për faktin se midis kësaj fjale ka mure e ura që duhen kapërcyer.
Akademikët shpeshherë nuk pajtohen me deklarimet e politikanëve. Ata i quajnë nxitime dhe rrëmbime emocionale çasti, fakt që ndoshta i shton rradhët e heshtjes akademike për problemin në fjalë. Gjatë hulumtimeve dhe kërkimeve tona bazuar në rezultatet e postës elektronike, arkivave akademike të disa viteve të fundit dhe disa anekseve profesionale të lëmisë së letrave, fakti flet se kjo “penë” ka heshtur në masën 20-25 për qind, krahasuar me bumin e një periudhe që trajtoi problemin e Luftës në Kosovë në të gjithë hapësirën e Globit.
Më tej edhe kur elita akademike ka folur ose shkruar, më së shumti është tematikë e luftës, plagëve të saj, dhe shumë pak për projektet konkrete. Këto të fundit sigurisht më së shumti i përkasin qeveritarëve vendas, elitës akademike shqiptare të Kosovës e elitës intelektuale shqiptare kudo që është. Në fushën e projekteve, heshtja ose opsioni i akademikëve dhe analistëve të huaj është më shumë i aspektit vëzhgimor. Këtu ata mendojnë se sërrish “rradhën e ka media për të folur”.
Për t’a ilustruar më qartë këtë ide për fjalën e medias, po citojmë një akademik aktiv Britanik në kohën e bombardimeve të NATO’s mbi Kosovë, por i heshtur për situatën në fjalë. Philip Hammond, Profesor në LSBU në Londër shrehet: “ media [për Kosovën - shënimi im] ka luajtur një rol kryesor në mbështetjen e idesë për mbrojtjen humanitare ndërkombëtare, ndoshta më të madhin, që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Akademikët gjetën ushqimin e nevojshëm aty.” Sot kur Kosova e pasluftës është mbërthyer në këtë fushëbetejë të re të “Luftës së Fjalëve”, natyrshëm duhet flakur tej heshtja. Akademikë të të gjithë fushave duhet të dalin në “llogoren e parë”. Dhe ndërsa sjedhim këtë fakt nuk duhet harruar angazhimi i madh i Dr Noel Malcolm dhe i John Hodgson, që edhe në festimet e nje vjetorit të Pavarësisë në Hamersmith Toën mes një salle plot me fjalë entuziaste sollën emocione të reja. Ata dhe deputeti John Grogan folën aq shumë, dy të parët madje edhe shqip, sa heshtjen e akademikëve shqiptarë e bënë sfidë, madje edhe duartrokitjet në sallë folën ndjeshëm e qortueshëm për problemin në fjalë.
KOHA KËRKON RIDALJEN NË SKENË TË ‘FJALËS’
Vërtet Kosova ka festë. Vërtet gjithkush me genin shqiptar feston dhe gëzohet. Vërtet duhen harruar plagët… por institucionalizimi i tyre është sërrish kërkesë. Është një domosdoshmëri më e madhe në një kohë kur sipas BBC-së “Ndërsa Kosova po përgatitet të shënojë njëvjetorin e pavarësisë, shumë qytetarë serbë vazhdojnë të mos e njohin realitetin e krijuar pas 17 shkurtit.” Këshilla e fundit e Ministrit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, Dejvid Millebend, ‘për të qenë të durueshëm e të matur’, nënkupton të qënit të pjekur, për të qenë në një hap me Perëndimorët. Kjo dhe mbështetja e deklaruar se Britania e Madhe dhe SHBA janë nga shtetet e para që njohën Pavarësinë e Kosovës përbën thelbin e domosdoshëm të ftesës publike për fjalën e mençur akademike dhe analitike.
Nuk ka komente:
Posto një koment