Fatmir Terziu
Margaret Hasluck (1885-1948) nuk ishte angleze. Ajo ishte një skoceze e shkolluar mirë, një shkencëtare dhe një bijë e një njeriu me emër në arkeologji. Por edhe pse nuk ishte angleze, ajo u quajt e tillë për shumë kohë në Elbasan, në Shqipëri, ku ai ndejti dhe punoi për shumë vjet. Edhe sot ky emër, pra ‘Englezka” është një toponim i mbetur dhe i fiksuar jo vetëm tek njerëzit edhe në vepra e studime. Alison Brown i Universitetit të Oksfordit sqaron në një studim të tij punën e Margaret Hasluck, që në Shqipëri, sidomos në Elbasan, ku ajo u vendos në afërsi të lagjes Haxhias, u quajt “Englezka” dhe shtëpia e saj edhe sot quhet “Shtëpia e Englezkës”. Sipas Brown ajo ka qenë një koleksioniste e mirë e tekstileve dhe materialeve folklorike që tashmë ndodhen në muzeumin Mariskal (Marischal). Koleksionimet e saj u realizuan aty nga mesi i vitit 1921 dhe vazhduan deri në fillim të vitit 1940-të. Këto koleksione përbëhen nga rreth njëqind objekte. Gjatë kësaj periudhe Hasluck udhëtoi gjerësisht në tërë Ballkanin. Për punën e saj në mbledhjen e të dhënave dhe objekteve etnografike, ajo pati botuar artikuj të shumtë dhe shumica e tyre janë përfshirë në librin e saj “Ligji i Pashkruar në Shqipëri”.
Por çfarë e shtyu atë drejt Ballkanit?
Sipas Alison Brown atë e shtynë “një numër faktorësh”. Faktorët që gjen Brown janë disi të ngjashëm edhe me ata që Roderick Bailey dikton. Gravitacioni i saj drejt rajonit të Ballkanit, sipas Roderick Bailey nga St. Antonys College të Oksfordit, në librin e tij “Çifti i çuditshëm: Margaret Hasluck dhe operacionet e posaçme ekzekutive, 1942-44”, është se “pas katër viteve të vdekjes së bashkëshortit të saj, Margaret Hasluck (1885-1948) filloi një bashkëngjitje në Shqipëri”. Por ngjizja me Shqipërinë është edhe një faktor tjetër për të parë rrjedhën e saj. Me dëbimin e saj nga vendi në 1939, ajo vendoset përkohësisht në Skoci. Në 1942, ajo u rekrutua në (SOE), Organizim në Britaninë e asaj kohe që u shërbente Operacioneve Speciale Ekzekutive, një shërbim i forcave sekrete të kohës së luftës. Kjo organizatë e krijuar nga Churchill kishte për synim sipas Bailey për të 'vënë Evropën në flakë', dhe kështu Hasluck u vendos në komandën e kësaj organizate në Shqipëri. Ky është një angazhim i shkurtër i saj por shumë i rëndësishëm për jetën dhe veprimtarinë e saj në shërbim të detyrës. Me rëndësi të veçantë ishte edhe ndikimi i bashkëshortit të saj, FW Hasluck, një arkeolog, me të cilin ajo udhëtoi në gjithë Greqinë. Sipas Robert Elsie ajo është “Një figurë mjaft e njohur në fushën e albanologjisë”. Ajo për Elsie nuk është thjesht antropologia skoceze, por shkencëtarja Margaret Hasluk (Margaret Hasluck, 1885-1948) e cila nga viti 1935 jetoi për trembëdhjetë vjet në Elbasan. Ajo është autore e disa librave, përfshirë studimin e parë anglisht për Kanunin.
Por, sipas Elsie ajo ka edhe një koleksion të madh përrallash shqiptare të përkthyera prej saj në anglisht, një vepër prej më shumë se 500 faqesh të daktilografuara. Ndër botimet e Qendrës për Studime Shqiptare në Londër do të dalë së shpejti edhe një vëllim tjetër për Hasluk-un me titullin e bukur: “Our Woman in Albania: the life off Margarett Haslluck,, Schollar and Spy (Gruaja jonë në Shqipëri: jeta e Margaret Hasluk-ut, shkencëtare dhe spiune).
Ballkani, sidomos Shqipëria në atë kohë janë cilësuar si zona me magjepsje të theksuar për elementin femëror, sidomos të grave udhëtare të atij shekulli. Kjo kishte ndodhur më parë me Edith Durham (1863 – 1944) dhe më vonë me Margaret Hasluck (1885 – 1948). Përveç kësaj, duhet theksuar se Shqipëria e asaj kohe ishte edhe një vend interesant për koleksionime të ndryshme. Ajo mblodhi koleksionet e veta dhe e gjithe kjo punë e saj kishte një marëveshje me autoritetet britanike duke mos ndikuar aspak në antropologjinë e ideologjive apo edhe folklor. Në punë e saj, mësohet se Hasluck ishte frymëzuar nga etnologët dhe folkloristët e saj bashkëkombas AC Haddon dhe Sir William Ridgeway, me të cilët ka punuar në Cambridge gjatë periudhës kur ajo kreu studimet e saj atje.
Nuk ka komente:
Posto një koment