e hënë, janar 05, 2009

Shitësi ambulant

Tregim

Fation Pajo

Dritan Mero me hapa të shpejtë kapërceu urën e Lanës dhe mori rrugën drejt parkut “Rinia”. Nisi të bjerë një shi i imët. Hapi çadrën e në ecje e sipër vështroi orën. Donte dhe gjysmë ore për t’u takuar me shefin e tij,Spiro Durin,para kinema “Milenium”-it. Tek po i drejtohej “Tajvanit” për një ekspres,në trotuar dalloi një shitës që tregtonte libra. Vendosi aty për aty të blinte një libër për të mos e ndjerë udhëtimin që e priste.
-Mirëdita,zotëri !-përshëndeti Dritani duke ngritur çadrën pak më lart.
-Mirëdita !-gjegji shitësi dhe drejtoi me mundim trupin. Nga trupi thatim,me berretën e zezë në kokë e nga veshja,tregonte rreth të 55-ve.
-Jam për larg…-iu muar zëri për një moment djaloshit trupdrejtë,-mund të më rekomandoni një libër për të lexuar ?!-foli e nën bulëzat e shiut që binin mbi plastmas u mundua mos dallonte ndonjë titull libri a autor nga të njohurit
-Ç’farë gjinie preferoni,ju lutem ?-vështroi Dritanin në sy shitësi,-Ju e dini që ka nga më të…
-Një vëllim me tregime a novelë,s’ka rëndësi,-s’e la të mbaronte Dritani e instiktivisht hodhi përsëri sytë poshtë tek librat e shtruar në trotuar.
-Mua po ma lini zgjedhjen ?!-lëvizi pak nga vendi tjetri. Ishte i pari klient që në këtë mikro-biznes ia linin në dëshirën e tij blerjen.
-Sigurisht ! Ju i keni lexuar e…
Shitësi nuk e la të vazhdonte më tej. Ndryshe nga herët e tjera,u përkul mbi çantë-valixhe e duke nxjerrë prej andej një roman gati 170-faqësh me një ndjenjë gëzimi në fytyrë iu drejtua:
-Merrni këtë. Mendoj se do t’u pëlqejë !-fshiu me një copë beze kapakët e tij e ia zgjati.- Ka stil të veçantë të shkruari…është interesant, Ju siguroj !
Dritani mori librin ndër duar e si e vështroi pak gjatë para e pas mblodhi buzët dyshimshëm. Emrin e autorit s’e kish hasur gjëkundi nëpër libraritë e qytetit. ”Estref Mamo” ?!-lexoi nën zë dhe pa ndonjë interes nisi të shfletojë faqet e brendëshme. I panjohur edhe autori i parathënies. Po nguronte.
-Nga Tirana jeni ?!-theu heshtjen shitësi. Nga veshja,me xhinse e xhup meshini treçereksh,dukej që ishte njeri i rregullt e me kulturë.

- Po …Pse pyesni ?!-u përqëndrua në fytyrën paksa të pa rruar të tjetrit.

-E shoh që jeni në mëdyshje,-nuk nguroi ai.-Ju kuptoj drejt,por…por meqë ma latë mua edhe pse është një autor i panjohur ka shkruar bukur. Kjo ka rëndësi…-u kollit lehtë për të qëruar zërin,-I dashur,mua s’më duhet kush është autori tek një libër që vërtetë është tërheqës… Ç’bukë ka gatuar…! Ç’mesazh Ai përcjell tek ne…?! Ju garantoj se ia vlen gjithë ky kompliment.

-Pooor…

-Të më falni,-ndryshoi çehren e fytyrës shitësi,-Ju mos doni Balzakun, Gëten,Cvajkun,Kadarenë…natyrisht që i kam,por…

- Po e marr !-shpejtoi Dritani. Nxorri portofolin,-Sa kushton,ju lutem ?

Shitësi ia mblodhi me një copë letër të hollë dhe gjegji:

-Merreni,merreni !-I hodhi krahëve dorën,-Kur të ktheheni nga shërbimi flasim !...Merreni…

-Jooo,-këtë herë Dritani u duk më i vendosur,-Ju ushqeheni me këto.-I zgjati paratë,-Mjaftojnë ?-e pyeti në dyshim duke i dhënë një kartmonedhë 1000-lekëshe e bëri të shkojë.

-Prisni,-tentoi të fusë dorën në xhep të xhaketës shitësi,-janë shumë…

-Mbaji,mbaji-buzëqeshi Dritani,-Do shihemi së shpejti…-përshëndeti ai e me hapa të shpejtë iu afrua lokalit.

Nën shiun që shkiste përgjatë xhamave të dritareve Dritani piu gati më këmbë ekspresin e doli. Hyri në turmën e kalimtarëve që ecnin të shpenguar në trotuar dhe i heshtur iu afrua kinemasë. Nuk vonoi dhe Spiroja mbriti me makinën që do t’i shpinte në aeroport.
Ditët për Dritanin po shkonin pa u kuptuar. Nga mëngjesi deri pasdite vonë ai ndodhej në zyrë. Dëshironte të gjente një kohë të përshtatëshme për të takuar shitësin para bar “Tajvanit”,por s’po e krijonte dot. Romani që kish blerë i kish pëlqyer jo vetëm atij dhe Rozit,por dhe kolegëve të punës.

Dy ditë pas pune kish shkuar për ta takuar atë njeri të mirë,por nuk e kish gjetur në vend. Me mendimin se ishte vonë ndryshonte rrugë e shkonte në shtëpi i bindur se të nesërmen do ta gjente tjetrin. Shitësi i kish lënë mbresa të veçanta për aq pak minuta sa kishin biseduar.

Një pasdite,kishin kaluar gati dy javë nga takimi,ai vendosi të kthehej për në shtëpi përsëri në këmbë. Kapërceu sheshin “Skënderbej” e në rrugën më të shkurtër doli pas godinës së Ministrisë e përmes lulishtes iu afrua vendit ku kish takuar ditë më parë shitësin. Nuk e gjeti sërisht as aty dhe as përreth. Iu afrua një tjetër shitësi diku pranë vendit. Një burrë i shkurtër,paksa i shëndoshë e flokërrallë qëndronte në parmak i zhytur në heshtjen e tij.

-Më falni,kërkoj librashitësin këtu,-tregoi Dritani vendin ku ai tregtonte.

-Ka dy ditë që është larguar…-gjegji mendueshëm shitësi.

-Ku mund ta gjej ?!

-Shiko njëherë tek lulishtja përballë “Dajtit”…më duket se aty do të ketë shkuar…Këtu s’të lenë të qetë “Bashkiakët”,djalo…E di ti si të ngjiten ata !

-Ju faleminderit !-përshëndeti Dritani shitësin e pa humbur kohë mori rrugën drejt bulevardit të madh.

Ecte pa e patur mendjen ku shkelte. Ndër sy kish skalitur portretin e shitësit dhe me ndjenjën e takimit sa më parë me të harroi disa momente se po shkelte mbi barin e rritur të parkut. E dalloi tjetrin që larg. Ishte me po të njëjtën veshje. Iu afrua pranë.

-Më falni,-iu drejtua,-mund të pijmë një kafe bashkë ?

Shitësi u tërhoq pas,ndryshoi në fytyrë e njëherësh u zverdh e u bë si limoni. Përballë e shumë pranë po ndeshte me një djalosh të bëshëm e me kostum të grinjtë. “ Kush jeni ju ?!...S’u kam parë ndonjëherë ?!...”-deshi të ngrinte zërin,por sepse iu zu në fyt.-Ku…kush jeni Ju ?! Nnnuk u njoh ?!
-Keni të drejtë,-e ndjeu Dritani se s’po e mbante mend tjetri,-Kam disa ditë që po u kërkoj…Isha tek vendi e miku yt më adresoi për këtu. Tani s’ka shumë lëvizje…është kohë e përshtatëshme për të pirë një kafe. Si thoni ?
Shitësi mbeti disa sekonda si i gozhduar nga këto fjalë. “Mos është ndonjë nga ata vagabondët që vjedhin në mes të ditës ?! Edhe me kostume këta të thajnë piten e të lenë lakuriq në mes të sheshit…?! Hej,ç’bela…! Tek unë e gjete pikërisht sot që po bëj pak xhiro ?!...-u përqëndrua për disa çaste në fytyrën e Dritanit.-Dale,dale,si fytyrë e parë më dukesh !...”-shikonte të riun në sy dhe s’po guxonte të shprehej.

-Zoti…-filloi të qeshë Dritani,-Jam unë…jam ai shoku i librit para…

-Oh,lere-lere !-I shkriu gjaku shitësit – Po thuaj,or mik që në fillim…Sa njerëz vijnë tek unë ?! Më fal…!-u çlirua plotësisht nga ai makth që e kish pushtuar,-Erdha…!-i qeshën sytë e si i foli disa fjalë shokut që kish disa metro më tutje u ngrit,-Tani po,shkojmë…!

Rrezet e ngrohta të diellit perëndonjës tej mbi lulishten e stërmadhe po i shoqëronin ata drejt lokalit. Po dilte dhe Tetori me kohë të ngrohtë.

-Kanë ardhur kohë të vështira !-ngau bisedën ai.-Ç’nuk të shohin sytë. Kemi frikë të punojmë pasi të marrin errëzin rrugaçëria. Ndaj dhe lëviza,i dashur…Të më falësh që s’arrita të të njihja që në fillim.

-Të besoj,të besoj !-i dha të drejtë Dritani. -Erdha të të takoj sepse … sepse e meritoni…

-Ju faleminderit !-u ndje i kënaqur shitësi. Ata kishin shumë vite diferencë midis tyre. Ndonjëherë këto diferenca s’ndihen kur është ndjenja e mirësisë në mes. Mënyra si ky djalosh po kapërcente vitet e tij,si erdhi e si po fliste,po e detyronte atë ta respektonte. Dy vjet në këtë mikro-biznes e askush nuk donte t’ia dinte me se ushqehej. Askush gjatë kësaj kohe “Ndryshimi”s’i ish drejtuar si mik. Shiste në trotuare e kërkush s’i kish thënë një fjalë të ngrohtë. Sot vjen ky djalosh i panjohur dhe e vlerëson.

-Është e vërtetë që atë ditë isha në mëdyshje kur bleva librin.-e zgjoi nga mendimet Drtani.- Nuk kisha kohë të shihja “Vitrinën” tuaj. Shi binte, ora po shkonte,ndaj dhe e lashë në dëshirën tuaj zgjedhjen…

-Mbase nuk u kam zhgënjyer,-ndërhyri shitësi.

-Jo,apsolutisht jo!-ndërhyri Dritani.-Është kënaqësia ime të vij e t’u takoj. Ju më dhatë një roman tepër tepër interesant. Më mbajti të lidhur gjithë udhëtimin e në hotel deri vonë pasmesnatës sa e mbarova. Histori ngjethëse e reale që jo shpesh i ndeshim.

-Ashtu është,miku im…u shpreh i kënaqur tjetri,-Ju faleminderit që…

-Që jeni një njohës i mirë i librit e kuptova,por nuk më thua,si ju quajnë e ç’punë keni pasur më parë ?-e shtyu kureshtja Dritanin tek po i drejtoheshin hyrjes së lokalit të xhamtë..
-Gafur Liçka. Kam punuar në Tec-in e qytetit si inxhinier elektrik për më shumë se një dekadë dhe tani…-ofshami gati nën zë ai,-Tani ne të vjetrit nuk u duhemi më…Më shkurtuan…Por pasionin për librin kërkush s’ma heq dot…Ndaj dhe mundohem të mbijetoj me këtë “zanat”… -Ju kuptova,-aprovoi Dritani,-Ndaj dhe s’jam gabuar që erdha të të takoj e të të uroj nga zemra për sinqeritetin dhe mirëkuptimin që treguat ndaj një klienti të panjohur si në rastin tim.,-i futi krahun me dashamirësi Dritani mikut të ri,-Nga sot do t’i shtohet dhe një klient më shumë “Biznesit” tuaj.
Ju faleminderit !-u shkëput paksa nga miku Dritani dhe tërhoqi derën e hyrjes,-Kam kënaqësi t’u jap një kafe z Gafur !-tha ai dhe i lehtësuar në shpirt shoqëroi mikun drejt tavolinës.
-Siç ke zemrën të gjerë ashtu t’u bëfshin dhe të mirat,Dritan !-uroi Gafuri ndërsa po zinte vend. Në sytë e mjegullt ai po provonte për të parën herë ç’forcë kanë fjalët e ngrohta për njeriun kur ato thuhen ashtu siç edhe ndihen.

Dhjetor,2008

Nuk ka komente: