e hënë, janar 05, 2009

ETHE...


Suzana Kuqi


( Kronikë e zezë)

-
Ndjehem keq, koka po më plas, kam një peshë në kraharor e nuk më len të mbushem me frymë. Djersij papushim, nuk mund të fle... Ai ka hyrë në kokën time e nuk pushon së foluri...Veç t'a dëgjosh se çfarë më thotë... Në fillim nuk e besoja, nuk dua ta besoj ... janë të gjitha shpifje... gruaja ime... jo, nuk besoj... edhe se nganjëherë dyshoja pak gjë... nuk ka mundësi... pastaj ai shoku im i ngushtë... ishte...
- Përse thua ishte?

- Ashtu thashë?- një buzëqeshje qesëndisëse shtrembëroi buzët e tij.

- Po.
- Ashtu kot, ishte... sepse ka një copë herë që
nuk mund të...
- Sepse mendon se të ka tradhtuar
me...
- Merre si të duash.
- Unë
nuk e besoj. Kushedi se ç'të bluan truri nga ethet.
Ai heshti nje hop.
- Të të bëj një kafe? E pimë bashkë.

- Jo, presim se mos vjen jot shoqe, ti nuk je në gjendje t'a bësh.
- Po pritëm atë... s'ke për t'a pirë kurrë...
- Përse, të ka braktisur?
- Një farë
soji... nuk është këtu...
Pashë rrotull i zënë ngushtë. Nuk doja t'i
dëgjoja njëherësh këto lajme të këqia për mikun tim të vjetër.
- Sa ditë ke që rri vetëm i mbyllur këtu?
- Kush tha se jam vetëm, jam me atë... - ai i
rrotulloi syte duke i ngritur lart sikur donte të tregonte kokën.
Kuptova se e kishte fjalën për atë mysafirin imagjinar që kish bërë
strehë aty.
- Nuk të bën mirë të rrish vetëm për
vetëm me të, vishu e dalim.Ndoshta ethet të bien.
-
Atij nuk i pëlqen të dalë.Thotë se jemi mirë këtu brenda. Nuk thotë
urdhëron. Ndryshe...
- Ndryshe çfarë?
- Më shkund të tërin, më ngre në ajër dhe më përplas majtas e djathtas e pastaj përtokë. Pasatj më çjerr, më çjerr kokën nga brenda... kur zemërohet shumë del e më gjakos edhe jashtë... shiko...- Ai ngriti mëngët e pizhamave dhe unë pashë i tmerruar shenja të frekëta gërvishtjesh në krahë e parakrahë. Dukeshin si shenja kthetrash të mprehta. Pashë thonjtë e tij, ishin vertetë të gjatë. M'u dhimbs. Të kishte arritur deri në këtë pikë sa t'i bënte kaq keq vehtes? Kisha dëgjuar se ka njerez që e bëjnë këtë punë... po përpiqesha të kujtoja emrin e ssaj semundjeje..
- E di se ç'mendon, - buzëqeshja e tij më befasoi, - mendon se i kam bërë vetë sepse jam i çmendur. Edhe gruaja ime kështu mendoi, edhe ai shoku im... Asnjë nuk më beson... për atë që kam këtu brenda... atë që më ndez ethet... Dhe e di sepse m'i shkakton? Sepse andej nga vjen ka vetëm zjarr ... e nëse nuk përcëllohet nuk ndjehet mirë...

- Ke nevojë për një mjek.
- Kam nevojë për dikë
tjetër, por nuk mund të ta them se më dëgjon.
- Mos ma thuaj,- i thashë e ndërkohë i zgjata një copë letër e një stilolaps duke i bërë me shenjë që ta shkruante. Ai zgjati dorën me frikë e i
mori. Mbylli fort sytë e me dorë të dridhur filloi të shkruante. Pastaj po me sy të mbyllur e palosi letrën më katërsh e pastaj edhe një herë derisa copa e letrës mori formën e një rripi të hollë e ma zgjati. Pasi unë e mora letrën i hapi sytë.
- Tani shko, letrën hape pasi të kesh dalë nga lagjja!
&

Dola pothuaj me nxitim. Kish filluar të më zihej fryma në atë ambjent të tejnxehur e me ajër të prishur. Pasi kalova shtëpinë e fundit të lagjes hapa letrën e hapi m'u step. Me shkronja të shtremberuara ishte shkruar vetëm një fjalë: “Ekzorcist”
Nxorra celularin e bëra numrin e urgjencës duke u dhënë adresën e tij.
Mund të kisha shkuar në kishën më të afërt por vetëm mendimi më bëri të qeshja. Pastaj... kush është ai që mund të jetë i pushtuar nga demonët, nëse ka të tillë, dhe ta pranojë... Kisha lexuar se demonët janë dinakë e bëjnë ç'është e mundur të fshihen e të mos zbulohen. Prita aty më këmbë ndërsa binte muzgu, derisa u dëgjua sirena e autombulancës. E ndoqa me sy kur ndaloi para shtëpisë së mikut tim. Dy burra dolën prej saj e hynë brenda. Pashë shoferin që shikonte me padurim orën. Mezi priste të mbaronte turnin, në darkë kishte ndeshje e ai ndoshta kish vënë edhe baste për rezultatet e saj. Dy burrat dolën nga shtëpia e hynë sërish pas disa çastesh me një barelë. Prita derisa e pashë mikun tim mbi barelë tek e ngarkuan në pjesën e prapme të autoambulancës. Me sirenë të zhurmshme autombulanca u nis, e unë më së fundi mora drejtimin e kundërt.

&

Gruaja i doli përpara duke i buzëqeshur ëmbël. Ishte përgatitur për të dalë.
- Për ku kështu? - e pyeti thatë ai.
- Nuk do te shkojmë në kinema? Më ke premtuar,- buzëqeshja nuk ishte shuar ende.
- Nuk ka mundësi, sot ka sport.
- Shpirt,- ajo u afrua dhe u pështet pas tij,- lëre ndeshjen për sot, shkojmë në kinema!
Ai ndjeu kurmin e ngrohtë të saj. Aroma e lëkurës së saj përzier me erën e
këndshme të profumit... Eshtë ende shumë tërheqëse... e bukur, mendoi,
kushedi ç'efekt bën kur e shohin burrat e tjerë... Ky mendim e befasoi,
nuk kish menduar kurrë kështu.Ajo ju ngjit më shumë. Pale po di dhe si
të të prishë mendjen, thua e bën vetëm me mua...
- Shkojmë në kinema! - buzët e saj ishin ndjellëse por e lanë indiferent. Edhe të tjerëve mund t'u dukeshin ndjellëse buzët e saj... kur ka
filluar t'i bëjë kështu... Një rrenqethje e ftohtë e përshkoi nga koka tek këmbët tek e pëfytyronte t'a bënte këtë lojë me ndonjë tjetër.
- Jo, do të shoh ndeshjen, pastaj nuk ndihem dhe aq mirë,- u justifikua ai. Gruaja nuk bëri zë, shkoi në dhomë për t'u ndërruar, ndërsa ai ndezi televizorin. Kishin filluar lajmet. Befas në ekran, ndën dritën e reflektorëve, sheshi i një pas aksidenti. Një autoambulancë ishte përplasur me një maune të madhe. Të gjithë të vdekur, shoferi, mjeku infermieri dhe pacienti që transportonin në spital.Gruaja u afrua ngadalë tek dëgjoi emrat e personave që kishin humbur jeten. Ndjeu dorën e saj që ju pështet drithshëm mbi shpatull.
- “Shtiret sikur i vjen keq për ty” ,- dëgjoi një zë të huaj brenda kokës së tij, i cili e trembi e ai kërceu përpjetë.
- Kush flet?- briti. E shoqja i vuri dorën mbi ballë.
- Digjesh, të të bëj një çaj e të jap një aspirinë.
- “Dëgjove? Aspirinë thotë. Don të të japë helm, ja se ç'don të të japë ajo. Dhe vetëm se nuk e çove në kinema”.
- Nuk dua gjë!- i tha me inat së shoqes.- Lermë të
shikoj ndeshjen!
&
Filloi ndeshja. Nuk po përqëndrohej dot. Ish tërë sy e veshë nga e shoqja që gatuante në kuzhinë. Nuk vuri gjë në gojë, as për të ngrënë dhe as për të pirë. U shtri vonë bri saj , me trupin që i shponte e kokën që po i plaste nga dhimbjet. Frymëmarrja e lehtë e saj tek flinte ja cingrisi nervat. Ajo fle, unë vuaj, nuk e çan kokën për mua...
- “Të thashë, nuk të don, kushedi se
kë ka në mendje”.
- Mbyll gojën!- ju hakërrua zërit.
- “Në fakt një dyshim të mjegullt... ai kolegu i saj i
zyrës...”
- Mjaft, e njoh atë kolegun, është djalë i
mirë dhe i martuar...
- “E pastaj”?
-
Pastaj nuk ja vlen.
- “Ku e din ti”?
-
E di dhe aq! Nuk është më i pashëm se unë.
- “Këtu jam
dakort me ty. Por a e ke menduar ndonjëherë se ç'epërsi kanë kolegët e
zyrës mbi burrat? As që të ka shkuar ndërmend. Ata i sheh gjithnjë të
larë, të krehur, të rruar, të hekurosur, as edhe një rrudhë në jakë...
ndërsa burrin... ha, ha, ha, e ke parë veten në pasqyrë kur zgjohesh
dhe gromësin... je vërtet shumë për t'u admiruar...”
-
Ç’më këshillon, të filloj ta ndjek e ta ruaj?
- “T'i
shkosh prapa e ta ruash? Përse? Fundja me siguri që do t'i kapësh bashkë e pastaj... e merr me mend se ç'torturë do të jetë për ty, ajo ndënë të, e zhveshur tek...”
- Mjaft!
-
“Tek rënkon e rënkon... e rënkon prapë nga kënaqësia...”
- Të lutem!Mjaft!
- “Hiqe qafe tani! Do
t'i kursesh vetes netë të tëra pa gjumë duke u bluar në morsën e xhelozisë dhe dyshimit... shiko se ç'nënqeshje të bukur që ka, me siguri po e sheh në ëndërr... një pëllëmbë larg teje... Merr nënkresën e merrja frymën... mbytja ëndrrën... ja ashtu... vendosja mirë në fytyrë... pak më në qendër dhe tani... Mbytja ëndrrën...”
Trupin pa jetë të gruas e gjetën pas dy ditësh. I shoqi kish humbur pa nam e nishan. Dikush tha se e kish parë dy netë më parë tek endej rrugës me pizhama, çirrte fytyrën e fliste përçart. Ndalonte kalimtarët e rrallë të natës e u kërkonte adresën e ekzorcistit, kërkesë që i bënte të qeshnin këta të fundit. Pranë trupit
të gruas u gjend një copë letër ku ishin zhgarravitur shpejt e shpejt
disa rreshta:
Nata më zbriti në shpirt
Si furtunë
errësire
E pamëshirshme
I tmerruar pashë
Si dogji
Cdo gjë të bukur
E bëri shkrumb
Mori edhe hirin
E iku tutje
Duke lënë pas
Veç
Një bishë monstruoze
Që ushqehej
Me mishin
E trupit të saj.

Imperia 3 Janar 2009



Nuk ka komente: