e premte, janar 30, 2009

Pjesë e pandashme e ciklit epik ilirian.

Naum Prifti

(Kujtime)

Një ditë Lasgush Poradeci erdhi i zemëruar në redaksinë e revistës “Ylli,” e cila ndodhej në rrugën e Elbasanit. Në atë kohë, -duhet të ketë qenë viti 1964-1965- isha redaktor i revistës tok me Vehbi Skënderin, Kin Dushin dhe Qamil Buxhelin. Lasgushi u ankua për komentin e Z. Kodrës, professor i letërsisë shqipe, i cili duke komentuar poezinë e tij, Poradeci, u kishte thënë studentëve se Drini nuk kalon mes për mes Shqipërisë, siç thotë poeti, por anash, përbri, prandaj duhet konsideruar licencë poetike. Lasgushi shtoi se kur e kishte lexuar këtë poezi në Gratz të Austrisë, albanologu Jokl, e kishte përgëzuar autorin që po u linte brezave pasardhës nëpërmjet kësaj poezie përkatësinë e trojeve etnike. “Austriaku e dinte më mirë se profesori historinë e popullit tonë,” qe komenti i Lasgushit. Miqtë e tij kujtojnë urimin që i delte nga thellësia e shpirtit: “Mos vdekshim pa e parë Kosovën të lirë!” Ai nuk e arriti këtë ditë, por ëndrra e Lasgushit u përmbush dhe vajzat e tij, nipërit e mbesat sot po shohin Kosovën e lirë dhe të pavarur.
Mitrush Kuteli, veç veprave madhore në prozë, i dha letërsisë shqipe “Poem Kosovar” një kushtrim poetik të cilën e shkroi më 1944, kur Kosova ishte dyfish e okupuar nga gjermanët dhe serbët. Poemi u ribotua më 1974 në Amerikë nga Petraq Ktona dhe për vite me radhë u recitua në aktivitetet kushtuar çështjes së Kosovës.

Disa vargje të poemit.

“Jam Shqiptar

E Kosovar

Zot e krenar

-Zot e bujar-

Mbi këtë dhe.

Që gjysh e stërgjysh

që bres pas bres

që gjithmonë.

Duke ngulmuar për autoktoni të pakontestueshme, poeti njëheresh sjell premtimin solemn.

“Unë jam këtu e do të jem

-den baba den-

Sa mali të bëhet hi

E hiri mal përsëri.

Kësul-bardh e krye-lidh

Krye-lidh me nji shami,

Me tri shami,

për trimëri.

Dhe kam uri

Si s’ka njeri:

Për Drejtësi

E për Liri!



Dhe në fund betimi:



“Komb i lirë kosovar,

Ti komb shqiptar,

Ti zot krenar

Ti djalëri – ti pleqëri,

Bëju gati për vrull të ri

……………………

Për liri

për Shqipëri.”



Prof. Sami Repishti e konsideron poemin pjesë të pandashme të ciklit epik ilirian.

Në krijimtarinë e M. Kutelit poemi veçohet për vrullin, energjinë duke marrë tingullin e një kushtrimi.

Nuk ka komente: