Mbi “E blertë arre të papjekur” të Artan Guskiqit
Fatmir Terziu
“E blertë arre të papjekur” e Artan Guskiqit është një bashkëbisedim jete. Një kompleks i tillë marrëdhëniesh që lidhen midis fshehtësisë dhe ndodhisë enigmatike të një hapësire që nis gjetkë në skutat e natyrës njerëzore. Është një rrëmim i ndjeshëm. Si një hulumtim tipik, pra vëllimi me tregime i Guskiqit, është një kujtesë në këtë hapësirë jetike të njeriut. Një ngarendje metrike, maturi e tejkuptimshme, një hakatëri harresash dhe një dihatje e padukshme deri në bitisje të idesë së nisur. Sipas autorit “ngarendjet, bisedat e vockla në Shëtitoren e Hiçit, shakatë, mëdyshjet e kota, fytyrat e dashura apo ca fytyra të tjera verdhacuke, që kisha pandehur gjithmonë që ishin apo lypsej të ishin të dashura, edhe pse gjithmonë edhe më të huaja, të pakapshme edhe në orët më të volitshme, zërat, trumba fjalësh të ngecura pafund stomakut si grimca të patretshme mallkimi, që s’të zë kollaj, por të ha përditë nga pak, hijet, shushurimat e një kohe të perënduar pa lindur ende mirë, që bënte dhe s’bënte dot pa ne, kureshtjen e ca syve të shpëlarë, që dinë ç’shikojnë dhe vetëm heshtin, heshtin, dritaret e puthitura aq mirë, perdet e lëvarura, që nuk i lëviz më asnjë dorë e ngrohtë, ballkonin e gjatë pa mbulesë, ballkonin vuv, ballkonin tjetër me shufra të shkurtra hekuri dhe fare pak lule…” e të tjera si këto janë pjesë e kësaj bashkëbisede që stiset në mendjen e autorit dhe vuloset në syrin dhe memorjen e lexuesit si një lidhje në këtë histori të treguar në rreth 15 tregime. Duke u bërë bashkëudhëtar i kësaj fshehtësie gjërash të treguara natyrshëm është edhe potencialiteti metafizik që përmbush zbrazëtinë e gjërave deri në mundësi plotësuese në mendjen e lexuesit. Kështu çdo tregim ka një hapësirë të tillë. Ajo vjen e dashur, e bukur, tërheqëse dhe të çon në këndin e jetës tënde. Të çon atje ku të duhet të përqëndrohesh e të grumbullosh kujtimet e jetës për të plotësuar atë që Guskiqi e sheh tek “…rikthimet e vona nëpër ato vende, ato rrugica, ku nuk na njihte më [as]kush, pritjet e pafund dhe dëshpërimin pa emër, apo kuturisjet e marra nëpër ato zgëqe, ku vështirë të kujtohej kush për ne, ngase edhe ne kishim bërë pak a shumë të njëjtën gjë, ose, më keq akoma, nuk kishim dashur të bitisnim gjë prej gjëje…”.
Këto janë metafora jete në tregimet e Guskiqit. Këto metafora janë të nevojshme. Padiskutim pa to asnjë nga tregimet e Guskiqit s’do të përbënin interes dhe për lexuesin do të ishin ashtu siç Roger Silverstone shpjegon tek “Përse ne studjojmë media?”. Sipas Silverstone tregimet e këtij autori do të ishin si “shikimi nëpërmjet xhamave të avullt” (Silverstone; 1999:23). Por ashtu si gjithë metaforat në funksionin e tyre edhe në këto tregime përshkrimi është pjesor dhe ndoshta disi i ngushtuar, deri aty sa krijon një ngadalësi në rrjedhën e mendimit. Mendimi im për këtë është se autori ka patur arsye të tjera që ka lejuar këtë mangësi, pasi ai ka sjedh në jetë shumë ndodhi të gjalla dhe më tej e veçanta e tij, në përzgjedhjen e gjuhës, paraqitjen lineare e mjaft arsye të tjera them se e kanë detyruar autorin të kapërcehet në këtë detaj. Gjithësesi për të kuptuar më qartë të shkruarën dhe paraqitjen e saj ka mënyra të ndryshme leximi. Kjo është një lloj mënyre që ndihmohet nga literature bashkëkohore, dhe naturshëm është një arsye më shumë tek teoria e Silverstone “ato kanë cikle të ndryshme jete dhe histori të ndryshme (po aty). Në ktë aspekt mund të kapërcehet kjo ndikesë e vogël e tregimeve të Guskiqit dhe në vazhdimësi shihet ajo që lidhet me detajet e tjera, ku spikat e veçanta dhe gjuha.
Si një pikënisje në lidhje me detajet e tjera që lidhen me gjuhën, dhe fjalët e veçanta të përdorura bukur dhe arsyeshëm, duke shmangur disi ngarkesën emocionale, le të shohim se si kjo është një pikë referimi për gjithë krijimet e Guskiqit. Eksperienca. Kujto tënden. Dhe ajo duket se ka një lidhje, është një ordinancë në këtë histori të shkruar e treguar. Rikërko në kujtesën tënde. Dhe natyrshëm aty ka një arsye tjetër. Pra, në këtë mënyrë është gjithë thurja artistike e tregimeve të “E blertë arre të papjekur” e Artan Guskiqit. Ajo që Frojdi e quan realitet i gjithë kohërave, dhe problem i realitetit, është gjithmonë një realitet social. Një realitet që lidhet me faktin e të treguarit në mënyrë të natyrshme të Artian Guskiqit. Është një problem i të tjerëve apo i tjetrit si karakter apo ngjarje, apo paraqitje figurative e letrare e këtij autori, por që në asnjë mënyrë sipas Frojdit është një realitet fizik. Ky lloj detajimi në tregimin e Guskiqit ka një mënyrë domethënëse interpretimi. Një interpretim që lidhet me këtë teori dhe që gjithmonë është një vështirësi apo një pamundësi i përqafimit të realitetit social, që do të nënkuptohej si një realitet njerëzor, një realitet përqafues i gjithë karaktereve njerëzore, që padyshim, është pjesë e ‘mendimit dhe idesë’ arsyes dhe më tej tregimit letrar të autorit. Kjo shihet që në tregimin e parë të vëllimit. “Humbja e mikut” sillet si një klauzzolë që në titull për të ndërtuar tërë realitetin përqafues. Është një tregim që nis me hapësirën dhe përshkrimin e vendndodhjes duke depërtuar në konkretizmin e situatës. Është një situatë feste, një lidhje festive që përshkruan një karakter dhe që lidhet me tipiken e të qënit “kryetar”. Pastaj është vesi që prek një tipar të realitetit dhe më tej ushqimi si shtysë për të rrokur atë që lidhet me teorinë e lartcituar të Frojdit. Dhe në këtë lidhje teorike kuptohet ajo që ndërlidhet me realitetin ndryshe, me fallsifitetin festiv, dhe me atë që vetë autori e realizon bukur kur thekson se “asgjë nga këto nuk ftillova. Si zakonisht, bëra sikur isha i gëzuar, dhe ashtu sit ë ftuarit e tjerë hëngra, piva dhe këndova shumë, ose thjesht, e djeshmja do të shtyhej ca më tej, ngaqë nuk njihte zot tjetër veç vetes.” Kjo pamje e realitetit Frojdian, ndjehet edhe tek tregimi “Betimi”. Autori i përkushton një hapësirë realitetit pasqyrues. Ai sqaron vendin me detaje. Dhe arrin deri në brendësi duke dhënë edhe minidetaje për këtë derisa ndriçon ‘dobësia për bijën e mësueses së parë vjen e para fare’. Dhe kjo pjesë e realitetit sqaron bukurinë, veshjen, dallesën midis vajzave të tjera etj.
Tregimi “Luleshurdhat çelin nga zori” i kushtohet Kujtim Halilit. Është një tregim që vazhdon rrjedhën dhe stilin e autorit dhe tregon rishtaz në mënyrën e tij. Ndërsa tregimet “Vdekja e përkthyesit”, “Pushimet”, “Hedhja atje ku uji vjen më blu”, “Dritarja”, “Terrina”, “E blertë arre të papjekur”, “Ballkoni” etj natyrshëm kërkojnë një përqëndrim më të vëmendshëm dhe një vlerësim më real. Autori ka krijuar në mënyrë të qartë, arsyeshëm dhe është interesant në ndërtimin e fabulave.
Nuk ka komente:
Posto një koment