e hënë, janar 19, 2009

Nuk dua të imitoj asnjë model gruaje në politikë

Intervistë me n/kryetaren e Komuns së Vushtrisë, znj. Xhevahire Imzaku

Nuk dua të imitoj asnjë model gruaje në politikë, jam vetvetja. S'kam frikë nga sfidat që më presin në jetën politike

Intervistoi Fatime Kulli

Zonja Xhevahire Izmaku, gruaja me vyrtyte të larta që më ka lënë mbresa të pashlyera, kur unë vizitova për herë të parë Vushtrinë. Xhevahirja është një grua vërtet intelektuale, një grua potente ku fjala e saj peshon rëndë, përballë edhe burrave me "mustaqe". Para pak kohësh, ajo u zgjodh n/kryetare e Komunës së Vushtrisë në Kosovë, duke shënuar për të parë në ato zona, ekzistencën e një gruaje në qeverisjen vendore. Xhevahire Imzaku është një grua me ambicje për të ardhmen, është e ndjeshme, e sigurtë, vyrtuoze para sfidave që e presin në jetën politike dhe në fushat e tjera të jetës.

Kush është realisht për lexuesit e Fjalës së Lirë, znj. Xhevahire Imzaku dhe nga vjen ajo?

Xhevahirja ka lindur në Vushtrri me 15 gusht 1971, është motra e dy vellezërve dhe dy motrave, është e bija e një mësuesi të nderuar në qytetin antik të Vushtrisë, për të cilin flitet me respekt e mirënjohje në gjithë zonën e Drenicën, si një njeri fisnik me idelale të pashkelura kombëtare, gjithashtu, Xhevahirja është bija e një nëne të përkushtuar, e cila di të dhurojë vetëm dashuri, jo vetëm për fëmijët e saj, por për të gjithë zonën ku jeton.

Arsimimi dhe eksperiencat

Xhevahirja në qytetin e saj të lindjes, Vushtri ka kryer ciklin 8 vjeçar dhe shkollën e mesme si laborante kimi-biologji. Ajo ka tentuar të jet një mjeke, por më vonë u bë një filologe me mesataren e studimeve 9,15. Në Universitetin e Prishtinës kreu fakultetin Filologjik - Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe (1989 – 1995). Aktualisht, studjon në vitin e II-të pasdiplomike për menaxhim. Puna e saj e parë ka filluar si aktiviste e KMLD, para fillimit të luftës në Kosovë, gjatë luftës ka punuar si gazetare në Radio 21. Në Mars 1999 – 2002, ka punuar si gazetare, e reportere në RTV 21. Dita e parë e çlirimit e gjeti Xhevahiren në punë si zëdhënëse e KK-së Vushtrri. Pas një viti filloi punë administrative në kabinetin e PDK- së. Që nga viti 2003 punoi si menaxhere e Komunikimit në Institutin e Kosovës për Administratë Publike në Qeverinë e Kosovës. Gjatë kohës Janar-Dhjetor 2005 Xhevahirja ka marrë pjesë në trajnime të nivele të larta, ku dhe është diplomuar shkëlqyeshëm si: "Kosova Institute for Public Administration, KIPA", Prishtine, (Program njevjecar trajnimi i organizuar nga Konzorciumi nderkombetar HAUS (Finlande), LIVADIS (Lituani) and HUMAN DYNAMIC (Austri), i cili ka mbuluar disa fusha – Menaxhim i Pergjithshem, Legjislacion, Buxhet e Financa, Burime Njerezore, Çeshtje te BE-së.) gjithashtu, në Maj 2005, është trajnuar "Kosova Institute for Public Administration, KIPA", Prishtinë, e të tjera, (Program njevjecar trajnimi i organizuar nga Konzorciumi nderkombetar HAUS (Finlande), LIVADIS (Lituani) and HUMAN DYNAMIC (Austri), i cili ka mbuluar disa fusha – Menaxhim i Pergjithshëm, Legjislacion, Buxhet e Financa, Burime Njerëzore, Çeshtje te BE-s.), e të tjera. Aktualisht është nënkryetare e komunës së Vushtrrisë. Jeton në Ulpianë të Prishtinës, në katin e 8 të një soliteri në fontanën e këngëve të Sabri Fejzullahut.



Jeta letrare

Ka botuar tre vepra letrare me poezi, ku është vlerësuar nga kritikë dhe është autore e shumë shkrimeve letrare dhe fizolofike në revista letrare, gazeta, web-a. Xhevahire Izmaku u paraqit në letrat shqipe me vëllimin e parë poetik "Lot zemre" (1992), botuar këtu e një dhjetëvjeçar e gjysmë më parë, duke treguar që atëherë se do të jetë kultivuese e një poezie të angazhuar kombëtare. Edhe në librin e saj më të ri "Liria" ajo vazhdon të kultivojë poezinë e re patriotike a atdhetare, duke vjershëruar për figurat e ndritshme të historisë sonë më të re, si: Adem Jashari, Indrit Cara, Edmond Hoxha, Agim Ramadani, Ferki Aliu e Mehë Uka. Po ashtu, ajo do të ligjërojë edhe për tempullin e atdhetarizmit shqiptar, Prekazin e Madh në një frymë shumë bashkëkohore, si dhe për dëshmorët e kombit dhe invalidët e ndryshëm të luftës së fundit.
E drejta, poezia e saj, të shumtën e rasteve, është një dramë e vogël, siç do ta përkufizonte Elioti poezinë, sepse, qoftë në poezitë e këtij zhanri, qoftë në poezitë e tjera, me tone të theksuara familjare e prindërore, vihet re një tension, një tendosje e ndjeshme. Në vitin 1993 ka botuar "Lot i Zemrës", në 2003 "Dremitja e shpirtit", në 2008 "Farajona". Dhe tani poetja Imzaku, ka hyrë në jetën politike, me hap të sigurtë tek vetja e saj për vlerat intelektuale e njerëzore që posedon.


Pyetje:Zonja Xhevahire, jeni zgjedhur n/kryetare e komunës së Vushtrisë, dihet që kjo komunë përfshin zonat me probleme të mëdha, sociale. Sa e vështirë do të jetë për ju si grua që t'i dilni mbanë?

-Zgjedhja ime si nënkryetare në një Komunë ku qytetarët e saj ballafaqohen me probleme si: sociale, rregullime infrastrukturore etj. Kjo është një sfidë që unë vërtet dua të ballafaqohem. Vushtria është qyteti që dua më shumë se çdo gjë dhe që ëndërroj, ta shohë më shumë të zhvilluar. Jam një model politikaneje që nuk iku nga problemet, por gjej forcën e guximin për t`u ballafaquar me to për t`i zgjedhur. Përgjithsisht Kosova e veçanërisht Vushtrria, ka nevojën e krijimit të shtetit të mirëqenies sociale që bëhet me stabilitet dhe investime afatgjatë, arsim, infrastrukturë dhe prodhim. Mendoj që programi social gjithsesi duhet të përmbajë investimin në parametrat që japin instrumentet e OKB-së për investime afatgjatë, duke mos harruar edhe masat e karakterit të përkohshëm, si prioritetet kombëtarë në punësimin e kategorive sociale, me programe të qarta që secili të jetojë nga krijimi i të ardhurave që siguron puna e vet. Eshtë një kënaqësi që për një afat rekord qeverisjeje thuajse të gjitha rrugët urbane e rurale janë asfaltuar dhe vërtet si pushtet lokal, qytetarëve tanë po u krijojmë shanse të barabarta për jetën dhe punën. Përkatësia gjinore mendoj se fare pak, ka rëndësi këtu. E rëndësishme është vetëm përkushtimi, vendosmeria dhe vizioni.

Pyetje: Si e konceptoni gruan në vendim marrje, të fortë, apo delikate?




-Ekziston një mori argumentesh që gruaja vërtet ta "pushtojë hapsirën" dhe në vendimmarrje të ketë pozicionin e fortë apo meritor. Nuk do të dëshiroja asesi të mirren vendime pa vullnetin e 50 % të shoqërisë dhe kjo është arsye e ekzistencës së demokracisë.

Pyetje: Si hyrët në rrugën e politikës?


-Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetja që ju dha asaj nga bota demokratike, krijoi hapsirën për veprim e angazhim politik dhe institucional, por ajo la edhe një amanet që në Kosovë të ketë vende për politikë të lirisë dhe politikane të lirise dhe synim kanë trasimin e rrugës se lirise dhe ndertimin e shoqerise sipas nje modeli kur vihet kufiri mes të vertetës dhe interesit, administrates dhe politikës, kufirit se ku mbaron politika e ku fillon kriminalitet, kufirit mes deëhires dhe dijes për të marrë pushtet, kufirit mes të ligjshmes dhe të paligjshmes, kufirit mes kulturës dhe industrisë së argëtimit, kufirit mes autoritetit dhe autoritorit. Qasja e tillë ndaj jetës hapi derën në rrugën time politike dhe jam krenare që pata fatin të jem pjesë në Qeverinë e parë Komunalë në Vushtrrinë e pasluftës, ku takova politikën idealiste dhe atë pragmatike në të njejtën kohë. Mendoj se kam marrë pozitiven nga të dyjat.

Pyetje: Sa e vështirë është për gruan kosovare të jetë pjesë e rendësishme në jetën politike?

-Fare lehtë, mjafton të kesh vullnetin, dijen dhe guximin për të qenë pjesë aktive e proceseve politike. Të gjitha këto tipare duke perfshire edhe ambicien, jane tipare edhe për meshkujt.


Pyetje: Keni qenë kandidate për deputete në zgjedhjet e kaluara parlamentare, (për partinë e PDK) dhe keni humbur për shumë pak vota. A u ndiet keq me garën elektorale përballë burrave, apo ishte një eksperiencë e parë për të ndërmarrë hapa të tjerë?


-Ka qenë një nder për mua që të jem pjesë e listës të kandiduarave të PDK-së në garën elektorale. Unë nuk ndjehem e humbur. Ne të asaj liste por edhe gjithë elektorati ynë kemi fituar dhe gëzohem që në këtë fitore edhe unë kam një kontribut që është rezultat i angazhimit tim në garën elektorale. Elektorati ne na veshi me përgjegjësi pushtetore dhe kjo tani paraqitet si nje risi me karrieren time politike por edhe eksperiencë gjithësesi.


Pyetje: Ku ndahet jeta juaj personale nga arti dhe politika?


-Politika vertet më ka dinamizuar jetën time.Arti më freskon shpirtin tim.Që të dyja më janë bërë si pjesë e pandarë e jetes sime publike. Jeta ime personale ndahet aty ku fillon politika. Arti është mëshirim i të dyjave.



Pyetje: Cili është zhgënjimi që ka lënë më shumë gjurmë në karakterin tuaj femëror?

-Të gjithë pa dallim gjinie, si njerëz gjatë jetës, ndeshemi me krejt gjërat e mira e të këqija në jetë, ketu nuk ndryshoj as unë. Kam pasur një zhgënjim, çuditshëm më ka dhënë mësim në jetë, duke mos më sjell më dëshprim.

Pyetje:Ju jeni një poete jo pak e njohur në Kosovë dhe jashtë saj. A e ndjeni veten se poezia ju ka mëshiruar drejt një misioni finsnik për të kontribuar edhe në politikë, sa e lehtë ose e vështirë është kjo për ju?

-Edhe politika është art, art i së mundshmes. Sigurisht se përceptimi im për jetën ka tjetër shiqim, dhe këtu ndikon edhe pjesa tjetër që jetoj me të, vargu. Disa gjëra i kam më vështirë gjatë punës sime, ngase mund të gjykoj emocionalisht nga ndjeshmëria.

Pyetje:Kush është idhulli juaj nga politikanet gra, në Shqipëri, Kosovë apo dhe në botë?

-Jemi vërtet demokraci e re në krejt hapsirën kombëtare dhe politika ende ushtrohet
ndryshe nga vendet me demokraci qindravjeqare. Model për veprimet e mija politike nuk dua të marrë vetëm nga një figurë, dua dhe jam vetvetja por, ndjej simpati ndaj çdo gruaje që ka marrë guximin dhe shpreh në mënyrë aktive dijen për angazhim politik, dhe të tilla ka mjaft.

Pyetje: Ju përveçse jeni një grua shumë simpatike, por jeni dhe shumë e prerë në punën tuaj. Kur shkela për herë të parë në Vushtri, në takimin e poeteshave shqiptare, ju admirova për seriozitetin dhe punën organizative të përsosur që realizuat. Cili është vlerësimi që ju kanë bërë kolegët burra për punën tuaj?

-Si fëmijë e kam dashur shumë kulturën, artin, poezinë, muzikën, pra qytetarët e mi janë mësuar gjatë këtyre viteve me figurën time në segmentin kulturor, mirëpo atë politik, unë jam duke e ndërtuar. Këtu vlerësimi dhe përkrahja nga kolegët burra ka qenë e admiruar, unë për këtë do t'ju jem mirënjohëse gjithë jetën time, sepse herë herë më kanë mbështetur edhe kur s'kam qenë as vet e sigurt për hapat që kam marrë. Të gjithë ne gjate rrugës mësojme nga njeri tjetri.


Pyetje: Për çka në jetë nuk do të mund të vazhdojë, apo kush e thot kuptimin e jetës pa bërë asgjë vetëm duke qenë së ekzistuari?!.

-Këtu e kam shumë lehtë të përgjigjem- jeta ime ka kuptimin më të madh nga vajza ime 13 vjeçe DELVINA .

Pyetje: Cilat janë vizionet tuaja për të ardhmen?

-E kaluara në Kosoë ka reflektuar të tashmen e kjo është bazë për të ardhmen. Kombi ynë ngadalë por i sigurtë është duke ecur rrugës së duhur të veprimit politik. Kjo rrugë ka dalje në magjistralen e madhe të civilizimit evropian, që ishte dhe mbetet synim i gjeneratave të shumta edhe i imi. Tani ka ardhur koha e konsolidimit të një autoriteti kombëtar e politik që rrenjet i ka në të kaluarën e trupin në të tashmen, por që kokën për të ardhmen e vendit. Autoritet ky, që po i kthen kokën këtij populli kah tradita e tij, kultura dhe dinjiteti.Kjo është bazë primare për integrim në kulturat dhe traditat e kombeve të tjera të Evropës së Bashkuar.

Faleminderit zonja Xhevahire.
-Faleminderit juve

Nuk ka komente: