e martë, janar 13, 2009

Elizabeth Hunter, një model për të qënit njeri në ditët tona



Fatmir Terziu

Elizabeth Hunter. Një emër. Një njeri. Një njeri që jeton në kryeqytetin Britanik. Një grua e panjohur për mua. Për asnjërin nga ne ndoshta. Një grua që jeton pak metra larg shtëpisë sime në Londër. Një grua që kurrë s’e kisha menduar se do të ishte një shembull, një model njeriu në këtë botë. Në këtë botë kur materialja ka mposhtur në përgjithësi njeriun. Në këtë botë ku njeriu sfidën më të madhe të jetës ka paranë. Me këtë njeri model ndodhi ndryshe. Ajo mbeti dhe është njeri. Njeri i mirë. Njeri që duhet falënderuar publikisht! Po pse?
Pak ditë para se viti 2008-të t’i jepte lamtumirën kalendarit, një email i rastësishëm në adresë të “Fjala e Lirë” më tërhoqi vëmendjen. Ishte një email dashamirës i një poeteje me zemër humane, që më bëri të ulem e të shkruaj. Pastaj një postë elektronike nga një poete tjetër më shtyu të shkruaj. Të shkruaj një tregim për një dhimbje. Një tregim që lidhej me një Ëngjëll! Dhe Ëngjëlli që padrejtësisht kishte lënë dy vjet më parë pragjet e ndërimit të viteve ‘zemërthyer’, dhe Ëngjëlli që kishte lënë familjen Vraniqi me lotë të patharë, tashmë ishte një cast ndalese, një frymëzim për një nga tregimet e mia, ishte një hapësirë për analizën dhe kritikën e poezisë së gatuar me zemër nëne, me dhimbje shpirti, të atij shpirti që pikturoi tërë ato ndjenja dhe i ktheu në poezi. Ishte poezia e Medije Vraniqit, kushtuar Valonës, Ëngjëllit që mbushi faqet e librit të pavdekshëm, ishte kjo shkas për këtë ndodhi.
Dhe pikërisht në atë ndërrim vitesh, pikërisht në ato ditë kur familja Vraniqi në SHBA, përkujtonte dyvjetorin e vajzës të ikur aksidentalisht nga kjo botë, do të shtyhej dëshira për të më dërguar librin me poezi në adresën time si kujtim dhe mirënjohje. Por në hutim e sipër mbi zarf shkruhet gabimisht adresa ime. Kaq u desh që libri dhe një dhuratë për tre fëmijët e mi të përfundonte në një adresë tjetër. Pikërisht në adresën e anglezes Elizabeth Hunter.
Anglezja zemërmirë dhe tepër njerëzore menjëherë kontakton dërguesen Vraniqi në SHBA. Në letrën e saj ajo shkruan se ka marë ‘gabimisht në adresën e saj një pako me një libër dhe një sasi të hollash në dollarë amerikanë, dhe kërkon që të jepet adresa e saktë me qëllim që ajo ta dërgojë në adresën e familjes Terziu…”. Të paktën kështu shkruan ajo në letrën e saj dërguar zonjës Vraniqi. Kështu dhe zonja Vraniqi e përlotur pas telefonit shprehet, se vërtet Valona ishte një Ëngjëll i vërtetë, që sakrifikoi dhe shpëtoi edhe librin e shkruar për të që ai të përfundojë në destinacionin e duhur.
Është vërtet një rast sa human, aq edhe biblik. Një rast që na vjen në mendjen tonë dhe tërë ndjesinë tonë njerëzore me modelin e një veprimi tejet të lartë e tepër domethënës. Një ngjarje kjo që na bën të kuptojmë shumë. Në këtë jetë, ku njeriu qëdron midis “materiales” dhe “egos” natyrshëm ky rast është shumëdimensional.
Në përgjigjen drejtuar zonjës Elizabeth Hunter, Medije Vraniqi, drejtohet me fjalët “Faleminderit, Zoti ju bekoftë juve, Elizabet! Dear Elizabeth. Unë sapo mora letrën tuaj dhe e vlerësova jashtëzakonisht shumë. Sot në këtë botë nuk ka shumë njerëz dashamirës dhe unë mendoj se Ju jeni një prej tyre. Unë vlerësoj shumë kohën që shpenzuat për të më postuar letrën për të më njoftuar se pakoja ime me librin tim shkoi në adresë të gabuar.”
Pak kohë më parë mediat britanike jepnin dhe transmetonin dy-tre raste që kishin të bënin me veprime ordinere postierësh dhe njerëzish që përfitonin nga posta, dërgesat e njerëzve. Bëhej fjalë për abuzime, hapje letrash dhe zhdukje pakosh. Bëhej fjalë për antinjerëzoren. Në një rast tjetër kemi mësuar për humanizëm në forma të ndryshme. Por ky i anglezes Elizabeth Hunter, duket tejet njerëzor, shumë prekës.
Kësisoj një rast i tillë është më se human. Një veprim i tillë është shembull që duhet parë në tërë lartësitë njerëzore. Një detyrim moral i njeriut të mirë për njeriun. Një veprim që nuk i gjenden fjalët për ta përshkruar. Një model që flet vetë dhe ndjehet deri në thellësi të shpirtit….


Nuk ka komente: