e mërkurë, janar 14, 2009

"Jam ende i gjallë gjersa rri gërvish me penë...

... sikur do të rroj sa të më dojë qejfi"


Keze (Kozeta) Zylo

…Nuk kuptoj më shkruan poeti Agim Shehu midis të tjerash, në urimin që më bën për librin tim të fundit “Mjellmat po të vijnë” pse u zgjata këtu, ndoshta ngaqë afër 75 vjetorit rri e kujtoj të kaluarën duke gënjyer veten se ajo më rri ende afër, dhe 80 vjetorin, mesa duket… Ia them gruas, dhe qeshim të dy bashkë me qetësinë e Sokratit të lashtë.
Për vdekjen ka frikë ai që e ndjen veten të vdekur.
”Jam ende i gjallë gjersa rri gërvish me penë, sikur do rroj sa të më dojë qejfi”.
Fraza e fundit është një ndër theniet më të bukura më të ndjeshme, që cdo krijuesi i japin forcë dhe shpresë për të jetuar më gjatë! Nuk ka si ndodh ndryshe me poetin Kombëtar, tepelenas, i cili herë pranë yjeve, e herë pranë Vjosës, e herë me lotin alpin mbi retë në malet e Zvicrës, ku poeti ka emigruar në moshën e bardhë të viteve…në vendin neutral, asnjanës i cili i ka bërë “dhuratë” azilin politik, ai nuk i trëmbet moshës, por rrezaton edhe pse mbi flokët e tij me thinja të holluara si ajri, kanë rënë fluridhet e bardha të moshës.
Poetin Shehu në këtë 75-vjetor, e imagjinoj me Zanën e bukur, fisnike, bashkëshorten e tij, që e ëndërronte qysh në, “Vegjëlinë me Hënë”…

…Une qëndro, ajo qëndro…
Poshtë saj më lidhej goja!
Ngrija kokën-hën’e plotë,
Ishte “bejka” që kerkoja!

Poeti Shehu ka mbështetur kokën në prehrin e poezisë qysh fëmijë, kjo ndodh vetëm tek këta poetë që i përkasin asaj race, në të dukshmen dhe më së shumti në të padukshmen…por ne brezi pas tij a brezat e tjerë, kjo nuk dihet…mbase i zbulojmë ato fije që janë brenda arkitekturës së poezisë, në harmoni persosmërie të shpirtit me mendimin e krijuesit.
I lexoj, i rilexoj vargjet si të shkruara në horizonte të kaltra dhe aty ndjej rrahjet e zemrës së poetit, per vendlindjen e tij, vendin piktoresk Progonatin, aty ndjej bukurinë e virgjër të natyrës tepelenase, aty më duket sikur poeti iu ka afruar fronin krijueseve, në atë fron ku nusëron dhe mbretëron magjia e fjalës…
Poeti shpesh turbullohet nga këto bukurira marramendëse, si nga furshullima e thëllënxave, nga lumi Vjosa, bluja e Danubit, por më shume atë e turbullon bluja në të paprekshmet sy të gjimnazistes në kalldrëmet e Gjirokastrës, ku ai ka studjuar.
Kuptimet metaforike, që më duket sikur është më së shumti pronë e këtij mjeshtri të poezisë, marrin një magji vallëzimi përmbi valë, e përmbi fjalë, e të prekin ndjeshëm poetikisht cipën e shpirtit!
Vargu i tij ku s’ta çon imagjinatën, ku s’të ngjit, përmbi re e nën nje re, aty prekim te paprekshmin, Lasgushin e madh, tek një re e bardhë puplore, “qenushi” ka ngritur kryet, kërkon në hapësirë të Zotin duke lehur gjer në yjet…
Poetët janë tepër të ndjeshëm, e veçanërisht karshi antinjerëzores, që dhe vetë poeti e ka ndjerë thellë në shpirt, ai është pranë poetit të burgosur, Pano Taçit, që edhe pse tek nikotinë e gishtave të tij rri hëna, burg më burg, e pa shume pak në jetë…
Janë këto figuracione të mbushura me kontraste dhe të përdorura mjeshtërisht, të cilat marrin një ngarkesë të fuqishme emocionale dhe që zbrazin në qiell të pastër, gjithçka që poetin e shpon gjer në kockë për klasën që vuajti mizorisht nga regjimi ku dhe vetë poeti s’mundi t’i shpetonte rrethimit të atij bunkieri hermetik.
Poezia dhe shpirti i tij është kudo në gjithë vëllezërit të një gjaku, është pranë gjakut kosovar, ku autori me forcën e shpirtit jep aktakuzën, dhimbjen e fatit të tyre, që shpesh u shqyen nga të dy diktaturat: …Më arrestoi Tirana, më burgosi Serbia/ (çudi të tillë s’kish njohur bota):/ brenda prangave të mia/ putheshin dy diktaturat motra!
Me penelata të holla dhe me krenari të ligjshme jep gjakun virgjin të races sonë/ në duel me cdo mbretëri: / sa vriteshe në Fushë-Kosovë/ ringjalleshe në Çamëri.
Shqipërinë, të bukurën e dheut, është e kudondodhura, ajo udhëton mbi përrallën e gjyshes te djepi, dhe ja shalon dallgëve për udhë…
Poeti Shehu vazhdon rrugën e Rilindasve, jep mesazhe të kthjellta se shqiptarëve kur ju preket atdheu: atë e kanë mbi gjithçka, bëhen bashkë për atdhe në fe, herë shkojnë në xhami të nderojnë Pashkët dhe herë shkojnë në kishë të festojnë Bajramin!
Drama e popullit mbi shpinë përcillet dhe në botën e amëshueme, amanetin e Çamit për tokën e përgjakur nuk e tret dheu: Një buzëqeshje e hollë, e ngrirë/ qe ulur përmbi buzët të tij, po shihte ëndër në hapësirë, se po e çojnë në Çamëri!...
Poeti nuk mund të hesht përballë krimeve monstruoze, ai kërkon të dënohen, se ndryshe, vrasësi ecën drejt shekullit të ri, edhe pse qindra viktimat që ka vrarë, s’e qasin poshtë tek botë e tyre!
Poeti nuk ndjen kurrë lodhje, atë e shikojmë më shumë se kushdo të ripërterirë, gjithë vitalitet në vargjet e tij, që janë gurë të çmuar në thesarin e kulturës kombëtare.
Edhe pse Zana, nje engjell i bardhe, mikja e tij besnike me dhembshurine e bashkeshortes, i thotë: “U lodhe dhe po të shtohen thinjat përmbi shkronja, kurse autori gjen forca tek prushi i dashurisë që s’është shuar ende, ai e fton atë të kujtojnë rininë me xixëllonja.
Ndersa une, bashkatdhetarja dhe patriotja juaj po e mbyll me dëshirën tuaj të shprehur shqiptarçe: Të rroni sa t’ju dojë qejfi duke e ngjizur urimin tim prane deshires suaj, qe del nga thellësia e shpirtit, në kete 75-vjetor:
Vite të panumërta poetit Kombëtar, Tepelenas, z.Agim Shehu!

Janar, 2009

Nuk ka komente: