Kristi
Dedikuar bijes sime ne njezetenjevjetorin e ditelindjes
Ftohtësira therrëse e ajrit i sëmboi mushkëritë. Kristi ngriti jakën e palltos. Nuk duhej të kish dalë në atë të ftohtë. Pastaj ç'i kish thënë mendja të vinte në këtë festë, sikur nuk mund të festonte vitin e ri në shtëpi me familjen e saj. Këmbëngulja e Taulantit. Ktheu kokën e përmes xhamava të avulluar dhe e shqoi tek vallëzonte me Linën. Një drithërimë xhelozie. I fejuari i saj , dukej, merrej vesh mjaft mirë me shoqen e saj të ngushtë ... Të ngushtë, derisa ... i kish vjedhur projektin atë natë dhe e kish lënë me gisht në gojë. Po Lina nuk dinte gjë. Dhe as që kishte për ta ditur. E tani? Ironi e fatit, vendosje ekuilibri mes së mirës e së keqes, apo një shaka pa kripë e rastit? Tani ç'do t'i bënte Linës? Këtë rradhë posta në lojë ishte më e madhe se sa një zili kolegësh, ishte zemra. Ju duk sikur buzët e tij çikën lehtas qafën e bukur të Linës, e papritmas ndjeu vapë. Jo, nuk është rasti, nuk do t'i dorëzohem sërish këtij instinkti, mendoi. Nuk m'a ka vjedhur, unë isha duke vdekur në atë shtrat, doktorët m'a patën hequr vizën... I janë ndodhur pranë njeri tjetrit e shkaku kam qenë unë ... Le të rrinë bashkë, janë njerëz të mirë ... Kristi filloi të ecë. Sa për autobuz, as bëhej fjalë orët e para të vitit, e nuk donte t'a shoqëronte ai me makinë. Ecja do të më bëjë mirë, kur të arrij në shtëpi, nuk do të kem më asnjë të fejuar. Rruga ishte e shkretë, njerëzit ishin lodhur duke festuar jashtë, i ftohti i kish shtyrë e mbyllur brenda. Nga muri i trotuarit u shkëputën tri hije burrash e lëvizën në drejtim të saj.
-Ku shkon bukuroshe?- avuj alkoli i ranë në fytyrë. - - Hapu!- foli me ton ajo duke e shtyrë atë të mesit, i cili u lëkund e Kristi mori të bënte përpara. Një dorë e kapi nga krahu dhe e tërhoqi me forcë. Dy të tjera i kapën pallton nga supet dhe ja xhveshën. E pushtuar nga paniku desh të ikte me vrap por u pengua në një këmbë që i doli përpara dhe u rrëzua. Dikush u hodh mbi të por ajo pati kohë të kthehej mbi kurriz dhe i dha një shkelm të fortë në fund të barkut i cili u shoqërua me një ulërimë të mbytur. U tërhoq me të shpejtë mbrapsht duke u munduar të ngrihej më këmbë. Por ishte tepër vonë, kur u gjend më këmbë ishte me shpatulla pas muri e ata të tre veç një hap larg saj. Njëri prej tyre ju afrua e kapi nga jaka e fustanit, ja tërhoqi me forcë e ajo ndjeu mërmërimën e cohës së butë që shqyhej duke filluar nga prapa qafës deri në brez. Pastaj duart ju ngjeshën rripave të recipetit. E dëshpëruar, ja nguli dhëmbët në parakrah me sa forcë kishte. Dëgjoi një të sharë të ndyrë por për një çast duart u larguan. Gjysmë e zhveshur, pështetur aq fort pas murit sa ju zgjuan dhimbjet e plagës së aksidentit, u ndërgjegjësua se nuk kishte shpëtim. Zot, mendoi, më mirë të kisha vdekur atje...në atë aksident. Pa një dorë të rëndë tek mblidhej grusht. Pas këtij grushti, do të humb ndjenjat e do të bëjnë ç'të duan me mua...Me mua...Truri i alarmuar u vu në lëvizje, ishte në garë me kohën... befas asnjë tingull, një qetësi absolute, një zbrazëtirë ku si me ngadalësues afrohej një grusht ... Dua të jem larg... në shtratin tim...Tani!Grushti ishte para fytyrës së saj dhe ajo pati ndjesinë se po shpërbëhej ...
Një zhurmë si krisje kockash të thata shoqëroi goditjen e grushtit në mur. Pas saj një ulërimë e zgjatur.
- Putanë!- briti burri duke shtërnguar dorën që i dhimbte me tjetrën ndërsa dhimbja shtohej duke e bërë t'i dilnin lotë nga sytë. Dy të tjerët filluan të qeshnin.
- Maskarenj! Përse qeshni? Ku iku putana?
Dy të tjerët ngritën supet. Gruaja ishte zhdukur sa hap e mbyll sytë.
- Ti duhet t'a dish, ti e godite.
- Aq fort e godite, sa e bëre të zhdukej,- u gajas tjetri.
Burri me dorë të lënduar shikoi përeth. Befas filloi të qeshte edhe ai. E bukur dhe kjo, duhej të kishte ndonjë dhunti dhe ai, nga ato të fantashkencave. Po shokët e tij e kishin me hak, do t'i zhdukte. Mblodhi grushtin e ja pështolli atij që kish afër. Por dhimbja.. . Një grusht i erdhi dhe i përsheshi turinjtë.
- Cfarë bën? Më dërmove hundën, - hungëriu.
- Vetë e kërkove, - ja pat tjetri,- mirë që na zhduke atë gruan me të cilën do të dëfreheshim, po tani fillon e na gjuan edhe...
- Desha ta provoja, - ntha hundë e buzë ai. Kjo i bëri t'ja shkrepnin sërish të qeshurit.
- U pa puna sonte, s'ka femra, eja shkojmë e gjejmë diçka për të pirë
U nisën të tre të gjenin ndonjë lokal nate. Në kthesën e rrugës ishte ulur një lypës i mbështjellë me batanije të trashë leshi.
- Gëzuar vitin e ri! - foli lypësi dhe u buzëqeshi.
Ata vazhduan pa i kthyer përgjigje.
- Thashë se ndoshta do të kishit dëshirë të pini me mua, – ngulmoi lypësi.
Të tre mbajtën hapat.
- Cfarë ke për të pirë ?
Lypësi nxorri me kujdes nga poshtë batanijes një shishe të pafilluar uiski dhe e tundi.
- Eshtë i vjetër, ma dhuruan në një nga ato lokalet e pasanikëve, – sytë i shndrisnin me krenari për shishen me lëngun në ngjyrë mjalti të errët. Njëri prej tyre ja rrëmbeu nga duart.
- I ri apo i vjetër, nuk është për ty!- tha ai dhe ja dha të qeshurit e pas tij ja shkrepën së qeshuri dhe dy të tjerët.
- E kuptova, pijeni për shëndetin tim!
- Për shëndetin tënd!- burri me dorë të lënduar ktheu shishen duke i shkelur syrin lypësit dhe u largua i ndjekur nga dy të tjerët. Po të kishin ndalur në kthesën tjetër e të kishin parë prapa, do të shihnin vetëm batanijen e hedhur përtokë.
Lulja e bukur mbi komodinë e bëri të buzëqeshte. I kish pëlqyer shumë ajo lule. Por, buzëqeshja ju shua shpejt, i erdhi keq që e kish këputur. Atje, në atë majë mali, në atë perëndim të mrekullueshëm, i ishte dukur aq e bukur sa nuk i kish rezistuar dëshirës për ta këputur e për ta marrë me vehte. Mallëkoi atë instinkt, atë dëshirë të të pasurit të gjërave, të posedimit të tyre. Mirë që Zoti disa gjëra i kish bërë të pa zotërueshme. Sa e shëmtuar do të ishte bota, sikur dikujt t'i shkrepej të merrte agimet, e t'i mbyllte në kasafortë, apo perëndimet...Edhe lulja kish të drejtë të mbetej atje, për t'u admiruar. Ai përemër i tmerrshëm dhe ajo dëshirë makutërie, i imi, e imja,...e kish bërë të vdiste. Do të vdiste gjithsesi, mendoi, edhe atje, por do te vdiste me dinjitet, një lule që vyshket ngadalë e plaket në natyrë sipas ligjeve të natyrës, në kërcellin e vet...pa na dhënë atë bezdi që na japin lulet e vyshkura në vazo e pastaj i hedhim tej. E imja... i imi, deri në vdekje, edhe me personat jemi kështu, duam dashurinë e tyre deri në vdekje ose... i urrejmë ... Kështu i kish ndodhur me djemtë që kish dashur përpara Taulantit. Me Taulantin kish qenë tjetër. Ndoshta e kish dashur më shumë se të tjerët... ndoshta. E donte akoma, e ndjente sa herë që e shikonte, e mundohej të nënshtronte atë ndjenjë xhelozie që e çirrte nga brenda... Kish ndryshuar ajo. Mund të kishte këmbëngulur e do ta kishte pranë vetes Taulantin, ndoshta për tërë jetën, por nuk do të kishte kurrë dashurinë e tij.
Shkoi në kuzhinë të kërkonte një vazo për lulen. Cfarë do t'i thoshte nënës? Sendet e tjera që kish sjellë nga udhëtimet e netëve të saj, i fshihte. Nuk donte t'a zbulonin. Atë mëngjes që e kish gjetur veten mbi shtrat me rroba të shqyera kish dashur t'i tregonte nënës e babait për gjithë ç'i kish ndodhur një natë më parë. E ndërsa mendohej se nga t'a fillonte, kishin filluar lajmet, e kish parë në ekran trupat e agresorëve të saj... tre burra të helmuar... helmi ishte gjetur në shishen e uiskit... Jo, më mire nuk do të thonte gjë. Nuk donte të kish të bënte me policinë. Lajmi do të mirrte dhenë, e kush do t'i besonte se nuk e kishin përdhunuar e nuk i kish helmuar ajo...Në derën e kuzhinës u dha e ëma .
- Je ngritur herët sot, nuk e ke pushim?
- Desha vetëm një vazo ... për një lule.
- Ja tek e ke mbi bufe. Po nga doli kjo lule?
Kristi u zgjat e mori vazon së bashku me një shishe ujë. Nëna e ndiqte me sy kureshtarë.
- Ma dhuruan mbrëmë,- ajo u zgjat dhe e puthi nënën në faqe para se të dilte nga kuzhina.
- Po ti sikur nuk dole mbrëmë? - dëgjoi të ëmën që i fliste nga pas, por nuk e ktheu kokën. Jo, ajo nuk dilte, ajo veç mbyllte dhomën e saj me çelës...
Vuri lulen në vazon me ujë, u fut në shtrat e mori një libër me poezi. Kohët e fundit i ishte kthyer dëshira për të lexuar e shkruar poezi. Poezitë e saj nuk ishin të këqia, por nuk ishin as edhe kushedi se çfarë, por asaj aq i bënte. Kur ndjehej mirë, kur shkrihej e bëhej një me natyrën, me çdo gjë të bukur përreth, apo kur kapte ndonjë moment që i linte shije të këndëshme në shpirt, mundohej ta fotografonte në rreshta. Ishin albumi i saj. Dy herë nuk kish qenë e zonja të zhgarraviste gjë. Herën e parë kur e kishte pushtuar ajo ndjenjë zilie për shoqen e saj, herën e dytë pas aksidentit rrugor, ku kish mbetur e mbërthyer në shtrat. Mendimi se nuk do të ecte më në atë moshë të re, ajo jetë që do ta kalonte në shtrat, e kish mbushur me zili deri për katërkëmbëshat që ecnin. Kish provuar të shkruante, e kish derdhur aq mllef për botën e për njerëzit që nuk i kishin faj, faji kish qenë vetëm i një personi të pirë në timon. Kish mbaruar poezinë, e kish rilexuar, i ishte dukur sikur ato shkronja e lutnin, i thonin të mos i përdorte, të mos i helmonte... I kish fshirë me inat e nuk kish shkruar për një kohë të gjatë. Atëhere kish kërkuar besimin. Kish filluar të hapte e të studionte sitet e fesë për të gjetur ngushëllim tek Zoti. Ish ngatërruar edhe më keq. Dogma.Nënshtrim dhe vetëm nënshtrim, e shpirti i saj refuzonte. Dhe diku ...
-“Nuk të kam shëruar unë, por besimi yt ,“-kish thënë Ai. Dhe me besimin kishte parasysh mendjen. Asnjë ndërhyrje magjike, asnjë mrekulli, ngulmonte ai. Besimi, mendja jonë mund të lëvizë malet. As ritet, as sakrificat, madje... por vetëm besimi, thellësia e qëllimit të mendjes sonë... ”Mbretëria e Zotit është brenda jush “. Shpëtimi nuk duhet kërkuar në gjëra të jashtme, në ceremoni fetare, por në brendësi, shpëtimi nuk duhet kërkuar në fuqitë e fesë e bindjet kundrejt saj... Kur të lutesh, mbyllu në dhomën tënde, mundësisht edhe me çelës, është diçka që e ke vetëm për vetëm me Zotin...
Mbretëria e Zotit brenda meje, kish menduar ajo,në shpirtin tim, ku e kam ndërtuar tempullin e tij? E kam mbushur me aq helm e dhimbje sa nuk kam lënë vend për të...e kam pasur që kur kam lindur e pastaj e kam dëbuar... Jemi ndërtuar në atë mënyrë, në të cilën ndryshojmë çdo ditë, asnjë prej nesh nuk është krijuar një herë e përgjithmonë, ndryshojmë përditë, miliona qeliza vdesin e po aq të tjera lindin, në mbrëmje nuk jemi ata që kemi qenë në mëngjes... Mendja na gënjen, na mban lidhur pas atij unit tonë, nuk na lë të shohim atë që kemi brenda, nuk i len vend asaj pjese të shpirtit që duhet të jetë tempulli i Zotit. ... Dua ta filloj nga e para, nga hiçi, do te filloj nga tempulli i Zotit e besimi ...
Mendja e shpirti im, tani e tutje kanë vetëm një funksion, të më shërojnë mua...besimi im sot e tutje... do të shërohem... mjeku me mjetet e veta unë me të miat... me vullnetin e Zotit..
Kish qenë vetëm fillimi i besimit ndryshe... në Zotin, në mendjen dhe në shpirtin...
&
Pasdite doli. Koha ishte e bukur. Këmbët e çuan në parkun e madh të qytetit. Mes pemëve, si pemët, pa u menduar, duke dëgjuar tingujt e heshtur të jetës, rrjedhjen e gjakut ndër deje e atë të linfës ndër gjethe. Ato nuk lodheshin për të menduar, atyre çdo gjë u ishte dhënë në një kod të gatshëm, të shkruar që në bërthamë... pema ndiqte pikë për pikë atë... dhe ja mrekullia, nga një bërthamë e vogël, një lis i madh, një pishë, një dafinë që arrinte deri në katër kate... Mbajti këmbët, në një stol, një djalë po lexonte gazetën. Fytyrë e parë, mos vallë ishte ai që kish parë në Alpet e Zvicrës disa ditë më parë, apo atje ku kish këputur lulen? Nuk ishte e mundur. As që mund të ndodhte, fakti ishte se këto eskursione siç i pëlqente t'i quante ajo, i kish shpeshtuar, e tani fillonte të ngatërronte fytyrat. Pa me kujdes edhe një herë nga ana e tij. Ishte simpatik. Po sikur të afrohej e të hynte në bisedë me të, ndofta e ftonte për një kafe. Kish kohë që nuk dilte me një djalë, që kur Taulanti... Jo, një herë tjetër po t'a shoh përsëri, sot jo. Sot nuk do të bëj asgjë, do të bëj edhe një xhiro e pastaj do të shkoj në shtëpi . As eskursion. Do të fle herët të kompensoj orët e humbura të gjumit. Një grua, siç dukej puntore e pastrim gjelbërimit po fshinte rrugën në hyrje të parkut. Desh u përplas me të. Nuk e dija që pastrojnë edhe në këtë orë, mendoi Kristi tek mori rrugën më të gjatë për në shtëpi. Muzgu po binte, ajri ish i pastër e ja kish ënda t'a zgjaste edhe pak shëtitjen e saj. Makina të parkuara në parkexhin afër parkut. Sot ka shumë njerëz që shëtisin, por është e djelë e njerëzit ja lejojnë vetes pak çlodhje. Pastaj kanë filluar edhe turistët e plazhit, ja përse shumë fytyra më duken të reja.Arriti deri në fund të rrugës, tani i duhej të merrte kthesën drejt shtëpisë. Dëgjoi këmbanat e kishës, kish mbaruar mesha. Më parë shkonte ndonjëherë edhe ajo, i pëlqente ai ambjent derisa... Dy makina me xhama të errët, dukeshin binjake por ishin në drejtime dhe anë të kundërta të rrugës, i krijuan një ndjesi të pakëndëshme. Shumë gjëra nuk po i pëlqenin, prania e atij djali simpatik, ajo pastruesja, ata burra që ishin pështetur në bordurën që binte nga ana detit që lexonin gazeta, a thua njerëzia ishte zhytur në leximin e gazetave... Të ishte errësirë do t'ja kishte mbathur në shtëpi në mënyrë ndryshe... Makinat u larguan ngadalë në drejtime të kundërta e ajo e hoqi mendjen prej tyre. Nuk rrinte vonë rrugëve të qytetit pas atij incidenti me ata burra të dehur. Megjithëse ... falë atij incidenti kish filluar të teletransportohej ...E ajo që ish munduar të praktikonte lëvizjen e sendeve me anë të mendimit e i ishte dukur e parealizueshme. Muzgu po zbriste e në qiell u dukën disa yje të zbehtë të cilët ajo i përshëndeti me një buzëqeshje të fshehtë. Përshëndetje Kapiten Xhejms.T.Clark, heroi im i Star Trekut. E kish parë në atë film për herë të parë idenë e teletransportit. Njerëzit e kërkonin tek shkenca e teknologjia e nuk e dinin ...
- Më falni...
Kristi nuk arriti të kthente kokën. Diçka e preku midis shpatullave. Një rrymë elektrike që erdhi duke u shtuar i përshkoi gjithë trupin, e tek rrëzohej ndjeu dy krahë të fuqishëm që e pritën dhe e ngritën peshë teksa njëra nga ato makina me xhama të zinj u afrua, e u hap dera e saj që ju duk si një gojë e zezë...
&
Katër burra dolën nga dhoma. Mbetën dy më të moshuarit. Njëri u ngrit e qëndroi pranë dritares. Pas saj shtrihej një kopësht me bar të njomë e të fresket e me lisa të mëdhenj, gjethet e të cilëve shndrisnin në atë mëngjes fundpranvere të ngrohtë. Stolat e vendosur aty ishin të zënë nga pacientë të veshur me pizhama me vija të bardha e të kaltra, e tek tuk dukej ndonjë infermier me bluzë të bardhë.
- Nuk e kam kuptuar ende përse e mban në jetë atë vajzë. Duhej të kishe zbatuar procedurën.
- As vetë nuk e di miku im. Ndoshta më vjen keq për moshën e saj të re.Ti përse nuk e vrave atë natë, për ata tre të dehurit nuk u mendove gjatë.
- Mbase sepse m'u duk tepër e re ose sepse më pëlqeu shpirti luftarak i saj. Mendja më gënjeu se nuk do të arrinte t'a ribënte. Gjithsesi kemi gabuar të dy, e pranoj. Por nuk të duket sikur po e thellojmë gabimin? Rregullat nuk mund të diskutohen.
- As unë nuk e di... Por duhet të marrë fund diku, apo jo?
- Nuk ka për të marrë fund kurrë. Nuk e shikon se ç'bëjnë? Sapo ndërgjegjësohen se dalin mbi nivelin e njerëzve të zakonshëm, i shfrytëzojne fuqitë në favor të interesave të tyre e në dëm të të tjerëve.
- Ndërsa vajza jo. Duket sikur ndërgjegjësimi për fuqitë e fituara e ka bërë më të kujdesëshme, të urtë e më njerëzore. Ndoshta ka ende shpresë.
- Shpresë? As që e çoj nëpër mend. Gjithsesi po e mbajmë të trullosur në limit, e në gjendje të tillë nuk ikën dot. E po të provojë, do të jetë veprimi i saj i fundit. Në këtë rast nuk do të marr parasysh moshën e saj të re,- e mbylli burri duke dalë nga dhoma.
&
Kristi ishte ulur mbi një stol e me sytë mbyllur i gëzohej ngrohtësisë së rrezeve të diellit. Eshtë bukur sot, mendoi. Kish një pështjellim brenda, mendimesh kujtimesh, mbresash, të gjitha të ngatërruara keq me njera tjetrën. Atje jashtë përveç se ishte bukur e ngrohtë , nuk i interesonte gjë tjetër. E dinte se ishte faji i atyre gjilpërave që ja bënin në orare të caktuara. Pak nga pak po i pëlqente ajo gjendje. Ajo mjegullnajë në mendje e në shpirt, edhe tempulli ishte zhytur në mjegull të dendur. E kish lënë në paqe atë. Nuk ishte faji i tij, ishte i atyre njerëzve me bluza të bardha. Por Zoti ishte aty me të, brenda saj, jashtë saj, në çdo qelizë jete që lëvronte përreth, në çdo fije bari e gjethe.Vetëm ai e ndihmonte të kuptonte, tani e kish kapur kuptimin e atyre fjalëve të Atij .” Zoti është ai që të ndihmon për të kuptuar, menduar, jo një doktrinë për t'u
mësuar e besuar”. Edhe ai djali me flokë e sy të zinj e me lëkurë të bardhë ... edhe atë e shpojnë... Teletrasportohet apo ka ndonjë dhunti tjetër? Djali i ulur në stolin përballë i buzëqeshi. Eshtë aq i ëmbël. Ndoshta nuk është veç se një pacient si shumë të tjerë. Kristi e dinte tashmë që ajo ishte një lloj çmendine, dëgjonte të qara natën, ulërima, nganjëherë i dukeshin si ulërima ujqërish kur hëna ishte e plotë. Mund të jenë njerëz ujqër, si ata nëpër filma. Idiote, i tha vetes, si mund të të shkojë ndër mend një gjë e tillë? A nuk ishte dhe ajo e tillë? E po t'a mendoje ishin ndërtuar të gjithë po nga të njëjtët elementë, si universi, si yjet ...
- Mund të ulem?
- Uluni,- Kristi u zhvendos duke i bërë vend në stol.
Përpos druajtjes, ai vështrim i kujtoi të dashurit që kish patur para Taulantit, ata i kujtonte më mirë, fytyrat e tyre tashmë nuk e bënin t'i turbullohej zemra.
- Cfare dhuntie keni?- e pyeti papritmas ajo.
Djali e vështroi një hop i habitur .
- Përveç se jam pak skizofren, asnjë tjetër. Jam shumë i ndruajtur dhe i mirë si fillim,- tha i pezmatuar djali.
- Nuk e dija që është mëkat të jesh i mirë,- ajo e shikoi me mosbesim e djali u skuq pakëz.
- Në fillim, pastaj bëhem agresiv, i keq. Nëse dikush ngulmon të hyjë në bisedë me mua e kap me grushte... e keqja është se kur filloj nuk mjaftohem me një, nuk kam të pushuar derisa me gjakosen duart...- djali filloi të gërricte pëllembët e duarve e të kërciste gishtërinjtë. Kristi e pa e shqetësuar.
- Mos ki frikë, nuk erdhe ti për të më prishur qetësinë, erdha unë ... por duart po më hanë. Bëj mirë të ngrihem e të iki sa nuk...- djali nuk e mbaroi fjalën dhe u largua tek stoli i tij. Tre burra me bluza të bardha ju afruan. Njëri nxorri një shiringë. Djali zgjati krahun gjithë pa ja ndarë sytë asaj duke i buzëqeshur. Ndërsa njëri i shponte krahun, dy të tjerët i rrinin anash në gadishmëri se mos bënte ndonjë lëvizje. Kristi e ndoqi skenën gjithë ankth. Po sikur, papritur ... Gjithshka shkoi mirë. Infermierët u larguan e ajo mori frymë e lehtësuar.
&
Java mbajti kohë të bukur, e megjithëse e trullosur nga psikofarmakët, Kristi lidhi miqësi me djaloshin. Mësoi se e quanin Maks, e kishte hobi botanikën. Nuk e besoi në fillim, por kur filloi t'i spjegonte e t'i thonte në latinisht emrat e të gjitha bimëve e të barit në kopësht, e jo vetëm kaq por edhe vetitë e tyre. Mësoi se disa nga ato gjethe që i shkelnin me këmbë ishin të dëmshme e helmuese për organizmin, se disa të tjera mund të përdoreshin në mjekësinë popullore si qetësues, se gjethet e manaferrave ishin shumë të mira kundër diarresë po te ziheshin e të piheshin si çaj, se dafinat ...se... truri i saj në gjendje të fjetur nuk i rregjistronte dot edhe se në dukje mundohej të tregohej e vëmëndshme teksa ai fliste. Dalëngadalë ndruajtja sikur po shtrohej, ai fliste lirshëm me të, shpërthime inati e zemërimi nuk kish, ndaj ajo i gëzohej përmirësimit të tij.
Nga cepi i mendjes së mjegulluar i erdhi diçka që kish lexuar diku, asgjë nuk ndodh rastësisht në këtë botë. Ajo nuk e dinte se pse e mbanin aty, kjo nuk ishte rastësi, njohja me këtë djalë po, ishte thjesht rastësi . Përmirësimi i tij, jo . Ajo ishte aty tamam për këtë, për t'a ndihmuar të shërohej. Djali filloi të fliste edhe me pacientë të tjerë, bënte shaka edhe me infermierin që i bënte gjilpërën. Ngrysej vetëm kur vinte ora e gjilpërës së saj. Shihej qartë se i vinte keq për të. Ishin bërë miq, të paktën kështu e mendoi, deri ditën e hënë të javës tjetër. Maksi ishte hundë e buzë, ishte me shumë një hungërimë se sa një përshëndetje ajo që i dha dhe u ul në stolin e tij. Diku ju afruan dy burra me kostume të errëta e filluan t'i flisnin. Kristi nuk i dëgjonte fjalët që i thanë por pa se djali kundërshtoi e gjakrat po ndizeshin. U çua nga stoli me këmbët që i merreshin nën efektin e ilaçeve, u afrua e u fut mes tyre. Nuk mund të lejonte që ata t'a zemëronin, mund të shpërthente. Njëri prej burrave me kostum të errët e shtyu dhe ajo desh ra. Si në një ëndërr të keqe shqoi grushtin e Maksit tek godiste mjekrrën e burrit që kishte shtyrë atë, e pastaj të dy burrat që ju sulën atij. Tek pa mikun e vet të sulmohej i hipi gjaku në kokë, filloi të ulërinte dhe ju sul njërit prej tyre nga prapa duke e kapur e tërhequr për flokësh. Ata lëshuan Maksin e ju kthyen asaj duke e kapur për krahësh ndërsa ajo ulërinte pa pushim. Nga ndërtesa dolën dy infermierë me bluza të bardha, njëri mbante një shiringë të madhe në dorë. Kur i pa, Maksi u sul drejt saj me aq forcë sa ua shkëputi të dy burrave nga duart dhe e rrëzoi përtokë duke i rënë sipër. Kristi dëgjoi zhurmën e mbytur të përplasjes së kokës së saj mbi lëndinë e fill pas kësaj, zërin e tij të ulët por urdhërues :”Pusho! Në të dhimbet ai pak tru që të ka mbetur, mbyll gojën !” Pastaj u çua pa ja hedhur sytë asaj që e shikonte me sy të çapëlyer. Duke ngritur duart lart u drejtua nga ndërtesa i pasuar nga dy burrat me kostume të errëta dhe një infermier. Infermieri tjetër mbeti ulur në gjunjë pranë Kristit, e i maste pulsin dhe tensionin.
&
- Mos e ke Kristina emrin e plotë? - Maksi i buzëqeshte, ishte krejt tjetër, asgjë në pamjen e tij nuk të kujtonte atë të djeshmin, vetëm mjekrra e zezë kish filluar t'i rritej, por kjo sikur e bënte më simpatik. Kristiana, tha me vete ajo, por nuk nxorri zë.
- Përse nuk flet, macja të ka ngrënë gjuhën?- ngulmoi Maksi. Ajo nuk foli. Ishte e pezmatuar. E pezmatuar pasi nuk po kuptonte gjë, e pezmatuar se ishte zhgënjyer për përmirësimin e tij, e vetmja gjë që i kish dhënë sadopak kuptim ekzistencës së saj aty. Ai nuk shërohej, ishte vërtet i sëmurë. Nga trutë. Përfytyroi veten e saj tek kalonte vitet më të bukura të jetës e mbyllur në një çmendinë. Se mos vetëm këto vite, mund ta mbanin për tërë jetën e ajo nuk e merrte vesh përse. - - Më mban inat për dje?- zëri i tij ishte serioz. Por ajo kish vendosur të mos fliste.
- Nuk do të më pyesësh përse t'i thashë ato fjalë?-Ai e shikoi ngultas por hasi në një shikim të zbrazët.
-Edhe unë që flas me një zbrazëtirë,- ai u çua dhe u largua ngadalë drejt stolit te tij. Tek shihte hapat e tij të lehtë e të ndruajtur mbi bar, Kristit ju mblodh një lëmsh në grykë.I erdhi keq që e kishte trajtuar ashtu, buzëqeshja ishte fshirë nga fytyra e tij e bukur. Sytë e errët ishin të menduar dhe e shikonin me shqetësim. Nuk ishte thjesht shqetësim ... U çua e shkoi e u ul pranë tij. Ngriti me ndruatje dorën dhe i përkedheli faqen. Qimet e mjekrrës së tij i gudulisën pëllëmbën e dorës. E përshkoi një drithërimë e lehtë, feminiliteti i saj filloi të zgjohej nga skutat e fshehura. Ngriti dhe dorën tjetër dhe e afroi drejt fytyrës së tij duke mos ja shqitur shikimin atyre buzëve të plota e u drejtua drejt tyre...E pushtoi një dëshirë e çmendur, e egër. Të bëhej çtë bëhej, e dëshëronte...Maksi ju shmang puthjes së saj por ajo ju ngjesh dhe e puthi në qafë. Ndjeu
krahët e tij t'a shtërngonin një çast teksa ndjente aromën e tij mashkullore. Me lëvizje të ethëshme desh t'i hiqte bluzën, por Maksi ja kapi duart dhe e largoi me forcë.
- Më fal, - pëshpëriti ajo duke ulur kokën e skuqur nga turpi. Ai u ngrit e u largua dhe ajo nuk e pa më atë ditë duke e lënë veten të brehej nga ndergjegja. Mblidh mendjen, i tha vetes, nuk përfitohet nga të sëmurë.
-Më fal!- i tha edhe të nesërmen tek e gjeti të ulur mbi stol.
-Ulu, - e ftoi ftohtë ai.
Kristi u ul duke hedhur shikimin përtej. Nuk guxonte ta shihte në sy.
-Mos më kërko falje. Eshtë efekti i gjilpërave që të bëjnë. E di se ç'mendon, por mos e vrit mendjen për mua. Unë nuk jam i sëmurë.
- Cfarë?!- desh klithi ajo.
- Nuk jam i sëmurë. Bëj të sëmurin, e mos bërtit se nuk kam qejf të dëgjojnë të gjithë ,- qeshi ai.
Ajo e pa me dyshim. Kështu thonë nganjëherë, mendoi, megjithëse ju kujtua se diku kish dëgjuar ... çfarë kish dëgjuar... ah, se një i sëmurë nga trutë nuk e pranon kurrë se është i tillë, e ai deri dje e pranonte...kush ishte i sëmuri ai i djeshmi apo ky i sotmi.
- Përse të mbajnë këtu brenda?- timbri i zërit të tij ishte i vendosur, donte patjetër një përgjigje.
- Nuk e di. Po ta dija do të ta kisha thënë.
- Ti nuk je e sëmurë, të paktën nga trutë, këtë e kam kuptuar që në fillim. Mendova se doje të bëje të sëmurën, por ai veprim i pamatur i asaj dite... kush don të hiqet si i tillë shkon deri në një farë caku, ndryshe e presin ato injeksione që i djegin trurin, e shndërrojnë ... është si të kesh një lakër në vend të kaptinës. Thuamë, çfarë ke bërë që të kanë mbyllur këtu?
- Nuk e di. Po ti?
- Unë? Unë kam adhur të mbyllem vetë këtu brenda, po të dal më mbyllin në burg. Përpara tij, jo faleminderit, preferoj të rri këtu. Pastaj nuk është dhe aq keq, aq më tepër kur gjen një vajzë të e të bukur që të hidhet sipër,- shikimi i tij ishte qesëndisës, - nuk është se më vjen keq veçse kam frikë se mos ndoshta ata dhëmbët e mprehtë...-Maksi ja plasi gazit dhe u largua.
&
Kristi mbeti vetëm. Zbriti nga stoli dhe u ul mbi bar. Ishte e trishtuar, edhe një mik që kishte po e humbte ngadalë. Kushedi se ç'kish bërë që fshihej aty. Ja ish larguar në stolin tjetër dhe e vështronte me ata sy... E ajo nuk kish fuqi t'i shkonte pas, ndjehej gjithnjë e më e deboluar. Nuk kalonte efekti i injeksionit të parë e i bënin tjetrin. Nuk kish fuqi as të mendonte. Në djall edhe Maksi... ajo zbrazëtire aty brenda me pjesëzën e Zotit të saj të droguar. Me atë ndjehej mirë. Jo, nuk ndjehem mir, nuk duhej të thoshte Zoti i saj, nuk është vetëm i saj, është i të gjithëve, më mirë pjesëzën e saj të Zotit. Ai insntinkti për të vënë ato përemra, ai nuk fashitet edhe kur je e mbushur me...Ku kishte gabuar, kur...ishte ndjerë një larvë, sa mezi i kish vënë krahët përsëri...C'mendoj dhe unë, është kjo flutura që më vjen këtu pranë që më zgjon kujtime...Flutur...Efekti
flutur, kish parë një film, ishte ajo dukuria e të kthyerit në kohë...ai djali kthehej të korrigjonte gabimet e veta, sa herë u kthye... Nuk e mbante mend, madje as se si përfundonte filmi. Ndoshta edhe ajo dukuri nuk ishte vetëm fantazi. Kështu ndodhte, fillonte me fantazi...sa gjëra që në shekullin e kaluar ishin fantazi të pastra, ishin bërë realitet? Mjaft të kujtoje Zhyl Vernin apo...Star Trekun...fillonte përherë kështu, ëndërr e parealizuar dukej, e pastaj...punë, punë, punë... Edhe pas aksidentit ishte ndjerë larvë, por krahët i kish vënë sërish e ish transformuar në një flutur të bukur. Edhe atë natë, ajo ndjenjë pafuqie ndaj atyre agresorëve, ndaj së keqes, e kish bërë të ndihej kështu...E ish bërë sërish flutur, ajo pjesë e saj e Zotit e kish ndihmuar të kuptonte forcën e mendjes e të shpirtit. Befas e mori malli për lirinë e saj e sytë ju mbushën me lot. Kish qenë aq e lirë dhe aq
e lumtur në ato... ja përse e mbanin mbyllur, dikujt nuk i kish pëlqyer liria e saj. Pikat në krahët e fluturës u shkrinë me ngjyrat e trupit dhe përmes lotëve ju dukën si ngjyrat e ylberit. Ju kujtua kolibri, kur ishte e vogël kish lexuar legjendën e tij në gjuhë të huaj. Jo, kolibri nuk kish ngjyrat e ylberit, ata i morën zogjtë që u nisën fluturim qiellit, drejt diellit, t'i luteshin t'u jepte edhe atyre ngjyra siç u jipte luleve... Rruga kish qenë e gjatë dhe e lodhëshme e kur i ishin afruar diellit kishin rrezikuar të digjeshin. Të trishtuar kishin marrë rrugën e kthimit, pa ngjyra, të përhimtë. Diellit i ish ardhur keq, kish mbledhur retë, kish bërë të binte shi e pastaj kish bërë ... një ylber. Zogjtë ishin zhytur në të, e kishin përshkuar e kishin dalë nga ana tjetër të ngjyrosur me ngjyrat e tij...E kolibri i vogël që nuk mund të ndërmerrte atë udhëtim, tek i shihte i pezmatuar i fshehur mes luleve. Luleve u kishte ardhur keq e i kishin dhuruar nga ngjyrat e tyre. Kolibri i vogël sa një flutur kish ngjyrat më të bukura...Kristi ngriti sytë drejt qiellit. Dielli shkëlqente, tek tuk ndonjë re e pambuktë. Kështu e kërkojme Zotin, mendoi, në qiell, e i kërkojmë ndihmë, kërkojmë të ndriçohemi prej tij, e nganjëherë shohim lart aq gjatë, sa verbohemi nga drita e tij e nuk shohim pjesëzën tonë të tij që e kemi brenda. Prandaj ai nuk merret më me ne, se na e ka dhuruar atë që na takon, ndërsa ne vetëm i lutemi e i ngarkojmë faje për gjëra që nuk shkojnë mirë. Prandaj Ai thotë se nuk duhet të kërkojmë ndërhyrje hyjnore, se nuk mund të pretendojmë në një mbrojtje komode hyjnore, secili duhet të marrë përgjegjësitë e veta, të vlerësojë mundësitë e veta e mbi të gjitha të dijë të vlerësojë veprimet që kryen. Po unë, ku kam gabuar me veprimet e mia? Nuk kam bërë asgjë të rëndë që të meritoj të mbyllem në një çmendinë e të më çmendin pak nga pak. Zoti gjithsesi është shumë bujar. Na i ka dhënë mjetet që të plotësojmë nevojat tona, të shërojmë sëmundjet, mendjen që ta vrasim për t'i gjetur e na ka dhënë shpirtin për të gjykuar. Zgjidhja ime është këtu, sepse jam krijesë toke dhe unë, si kolibri... U çua dhe me këmbët që i merreshin nga debulesa dhe ankthi ju afrua Maksit.
- Maks,- ndjeu se po i merrej fryma,- më thuaj ka ndonjë bimë, bar, gjethe këtu rrotull që të ulë efektin e gjilpërave...
&
E gjeti në gjumë. Zgjati dorën e i preku lehtë ballin. Nuk donte t'a zgjonte. Kish funksionuar, ajo pëzierje gjethesh që Maksi kish mbledhur fshehtas për të, kish funksionuar. Që prej një muaji ndjehej esëll dhe ja... tani ishte zhvendosur në dhomën e tij. Vetëm dy minuta, mendoi, dy minuta e do të iki, do të jem sërish e lirë. Por nuk ju përmbajt dëshirës, vendosi buzët mbi buzët e tij dhe e puthi. Maksi hapi sytë, në fillim i habitur e pastaj i buzëqeshi.
- Ja dole më në fund!- pëshpëriti.
Ajo nuk u përgjigj. Një nyje i ishte mbledhur në grykë, nuk do ta shihte më.
- Do të ikësh?
Ajo tundi kokën lehtë. Ai u zhvendos mbi shtrat dhe i zuri dorën.
- Eja këtu, vetëm për pak. Rri pak me mua.
Dy pika loti rrodhën faqeve të saj. Buzëqeshi dhe e tërhoqi dorën ngadalë. Pikat e lotit u shkëputën , ajo nuk ish më aty kur prekën shtratin e tij.
&
Maksi hyri pa trokitur. Shefi i moshuar e priste më këmbë pranë dritares duke kundruar lodërzat e dritës së agimit. As nuk e ktheu kokën nga ai kur foli .
- Pra e le të ikte.
- Sikur vetëm unë. Të gjithë e lamë të ikte.
- Ke të drejtë. Të gjithë.Të gjithë ne këtu. Po të tjerët?
- Do të japësh alarmin?
-Jam i detyruar. Procedura është e rreptë.Vetëm nëse kanë ndryshuar mendim edhe ata.
- Mendim mbi çfarë?
- Se mbase kohët kanë filluar të ndryshojnë. Njerëzit po bëhen të ndërgjegjshëm për potencialin që zotërojnë. Më duket se kanë pritur mjaft. Rregullat janë të rrepta sepse deri tani kush zbulonte këtë potencial e shfrytëzonte vetëm për qëllime personale përfitimi e sundimi. Kohët e fundit kemi patur mjaft raste si kjo e kësaj vajze, ku ndërgjegjësimi ka ndikuar në rritjen shpirtërore të tyre.
- Ka shpresa Kristi?
- Kristi? Kristiana. Tani u thërrasim në emër të përveçëm. Nuk të vë faj, është vajzë simpatike, të pata paralajmëruar të bëje kujdes. Apo doje të thoje njerëzimi?
- Merre si të duash.
- Njerëzimit ju pat dhënë një herë shansi, i gëzonte plotësisht këto njohuri, por degjeneroi, shkatërroi veten. Ti e njeh historinë. Ky është shansi i dytë, i zhvillimit në bazë të punës e të kërkimeve, duke injoruar potencialin shpirtëror e mendor të tij. Komplimente këtij brezi, ka punuar, ka studjuar, ka luftuar ...por i mbetet shumë për të ardhur atje ku duhet. Ka filluar nga hiçi, krijoi besimin, fetë. Fetë luajtën një rol të dorës së parë në fillim, tashmë janë dogma të vjetëruara më shumë e pengojnë se e lehtësojnë të gjejnë Zotin. Edhe këtë po e kuptojnë. Jam kurioz të di se ç'dogmë e ndihmoi atë vajzë të arrinte të krijonte atë besim e t'ja arrinte qëllimit?
- Fjalët e Jezu Krishtit , ato që nuk janë përfshirë biblën e re
- Kuptoj. Më vjen keq për të, nuk do ta ketë të gjatë. Nëse e zënë, e me siguri do t'a zënë, nuk do të mendohen dy herë.
- Do t'a gjej unë i pari, do ta shpëtoj!
- Shpresoja ta dëgjoja këtë . Sa kohë të duhet para se të jap alarmin?
Maksi u mendua një hop.
- Dymbedhjetë orë.
- Të jap njëzetekatër .Rrugë të mbarë Maks. E paç fat!

Nuk ka komente:
Posto një koment