e martë, dhjetor 23, 2008

« Dimrat » e Nase Janit


Iliriana Sulkuqi


« Hë, o dimër,
ç'do bëjmë këtë dimër?!”....

.................................

« E, o dimër-dimërak,
ç'do bëjmë nesër?!”...

............................’

“Hë, o dimër!
ç'do bëjmë këtë dimër?!”



Eh, o Nase Jani, nga katër stinë – tre femra dhe një mashkull, na i kthen në tre meshkuj...dhe na fsheh stinën e katërt.
Po si kështu , o poet? Dimër, dimër, dimër... Tri herë dimër(!!???) A nuk e di që me tre “dëshmitarë” të rremë “varesh” ose “pushkatohesh”, pa gjyq kombëtar e ndërkombëtar?Po, si kështu, o Nase, na i dhe “kurorë intime” “ Dimrit”. Lojë e bukur me fjalë magjike prej poeti, edhe pse e trishtueshme, mik i dashur. Ta kam zili metaforën e ndërthurur vizive-ndjesi. Eh, ç’na bëre ne të tjerëve , o Nase, që stinë e muaj,ditë e sekonda....i veshëm me “paruke” Pranvere! Janë po ato paruke si të “Babagjyshit të Vitit të Ri”... Po pse o vëllaçko, rrëfen të vërtetën?(“ Unë mbledh borën e viteve me thinja, /me gjak-zemre mundohem ta shkrij”...)

A nuk e di se e vërteta “dënohet” kur është vërtetë e vërtetë?

E pra, Nasja, o miq të leximit, meqenëse u bëhet udhëtar pelegrinëve, për t’i sjellë në “Pelegrin”, udhë pas udhe, na u dimërua.... Uaaa! Edhe Dimri vetë, nuk mbërdhiu kaq shumë...!
Të kisha thënë, o mik i kripës dhe i bukës, të kisha thënë, ç’të(ç’na) duhet me “pelegrinët”, ato udhëtojnë vetëm, flasin me vete, duan më shumë botën, jo ty e mua, as miqtë e pagjumësisë sonë, madje, as edhe veten...

Jo, - këmbëngulje ti, deri në "grindje" me mua... Çfarë koke paske, o Nase, tamam kokë poeti! Po, kjo koka ime nuk mbush mirë, akoma nuk po e beson se “dimrat “ e tu janë dimrat tanë dhe pranverë e buisur, për ata që do të vijnë pas nesh...

Pranverë e Bekuar qoftë!

Përjetësi ëndrrave të shkruara dhe të pa shkruara të poetëve!

“Hë, o dimër!
ç'do bëjmë këtë dimër?!.....

...............................

ti ngre erë, bën akull e breshër...
Unë bëj vjersha e dridhem në vjershë...


Si lexuese e dashuruar pas poezisë, uroj “të dridhesh” sa më shumë nëpër vjersha ti dhe të gjithë poetët. Po nuk u “drodhët” brenda vjershave, si do të “ngrohen” ata që i lexojnë?
Duke ururuar mikun tonë, lirikun poet Nase Jani, e përfundoj frazë time me pyetjen drejt jush:

“Hë, o njerëz, ç’do bëjmë me poetin,
t’ia rrëmbejmë “Dimrit”

dhe t’ia dhurojmë “Pranverës”? (???...)

Të lumtë, Nase, të lumtë!

Më bëre ta shoh me sy dashurie “Dimrin” tënd e “Dimrin” tim, “dimrin” e poetëve dhe të lexuesit të poezisë!


Me përkushtim për poetët -Iliriana

Nuk ka komente: