e diel, dhjetor 21, 2008

GEZHOJA

Roland Gjoza
(Ese per Xh.Spahiun )
Duan te vrasin Xhevon.E ndjekin kemba kembes per ta vrare.Ishte nje trill,padyshim nje fiction,se nuk ta priste mendja te vrisnin nje poet.Ishte 97 -- ta.C'do gje mund te ndodhte.Xhevo eshte zhdukur.Ndoshta e kane vrare.C'kane me Xhevon? pyeta,po s'mora pergjigje.Ate kohe ishte ne mode Beketi.Pritej nje Godo te ndante parate e humbura ne piramida.Po Godo qelloi trafikant,horr,xhelat,ai nuk erdhi dhe nuk ndau asgje.Parate u vodhen.Xhevo ishte atje ne sheshe,mbronte turmen.Ishte me turmen.Me te vjedhurit.Keshtu ka bere gjithmone ai kokekrisur.
Ecte si i handakosur sikur t'i kishin borxhe,po me fort ai te kishte borxhe,qe ia ngrinin leshrat perpjete.Ndalonte te kiosku ngjitur me shkallet e pallatit te kultures dhe shfletonte me rrembim gazetat.Pastaj shkonte te pinte kafe te Europa.Fliste,brockulliste,pa fre ajo e shkrete gjuhe.C'thoshte?Vargje.Po s'ishin ato te parat,krejt ndryshe keto te dytat,tere malet e Shqiperise nga Tomorri deri te Pikellima gremiseshin gjemshem ne gjoksin e Xhevahir Spahiut.Ai s'kishte me gjoks.Ia kishin prere,ne zgavren qe i dukej menxyrshem grindeshin ererat e maleve me bore.Keni pare njeri pa gjoks? Ai eshte Xhevo.Ia kane marre ne vend te borxheve qe ka.
Me besoni per kete qe ju them.Ja si ndodhi.Po shkruaja nje skenar per nje koncert me kenge te Ardit Gjebrese.Tekstet e kengeve i kishte shkruar Xhevo.I kishte qare.S'beheshin me te bukura.Aranxhimet ishin te Gaxibos,kengetarit dhe kompozitorit te njohur italian.Ne skenen e pallatit te kongreseve ishin vene dy shandanet e medhenj te katedrales se re perplot me qirinj te ngulur ne hi.Ishte si nje requiem.Xhevoja nuk dukej gjekundi.E ndiqnin.Po c'kane me Xhevon,xhanem.Pas shume perpjekjesh arrita ta takoj.Ne shtepine e Arditit.Nje klandestin.Per te kishte filluar qekur koprifuoko.Sa binte muzgu i pare, ne 4 pasdite.Rrinte ne kembe prane pianos me nje fytyre te mprehte nga rreziku.Ishte vertet ne rrezik.Me tregoi gezhojen.Ja,ketu, m'u prane shtepise se Arditit me qelluan.Donin te me vrisnin.Une nuk di c'u kam bere.Thashe te verteten.Gjysma me quajti hero,gjysma tjeter tradhtar.Ata budallenjte kujtojne se do te me thyejne.Une jam regjur me ndeshkimet.
Zgjimi i thellesive,libri me poezi iu be karton.Me duket se ishte viti 76.Une isha ne Puke.E bleva librin ne librari.Te nesermen erdhi urdheri te futej libri ne thes dhe te dyllosej.E kishte kritikuar Enver Hoxha.Qe atehere Xhevos nuk iu besua si me pare.E kishte marre goditjen ne gjoks.Ia kishin hequr nje pjese.Nga Zeri i Popullit ne Lidhjen e Shkrimtareve e prej andej ne prodhim.Po kush mund t'i rezistonte poezise se Xhevahirit?Ai edhe Kaligulen do ta kishte bere nje cast njeri.Njeri me dobesi delikate.Madje dhe kalin e tij.Poeteve te medhenj koha u bie nder gjunje.
Ai brenda ne ate gezhoje kishte futur nje poezi.Pak a shume ishte kjo qe kur vritet populli bashke me te vriten dhe poetet e tij.E nxorri fletushken,ma lexoi me tronditje dhe emocion te ankthet dhe serish e futi ne gezhoje.
Eh,Xhevo,a harrohet ai djaloshi i gjate i hajthem,shtrire gjate e gjere ne vagonin e trenit Tirane- Durres,aspak i ndrojtur,tejet provokativ;O djema,shkruani perdite? C'pyetje! Natyrisht qe shkruanim perdite.Une,tha ai,kam nente muaj pa shkruar poezi.S'vjen frymezimi.C'poet eshte ky,thame ne.Dhe qysh prej asaj kohe e mora zet,me dukej poet i zakonshem.Nuk i kushtova vemendje.Une isha per lemimin e fjales,estetiken e saj.Po libri qe iu be karton,ai i anatemuari Zgjimi i thellesive,krijoi trysni tek une,me beri te nderroje mendim.Ciklet e tij neper gazeta ishin gati ngjarje si poezite e Kadarese.Ai njohu vetem ngritje,me nje jete tejet te trazuar,qe e ngacmonte vete,e ndillte si demin ne korride.
Ai mbante ne dore gezhojen.Ne pellemben e tij me vija fati te prera kryq e terthor.Patjeter do te flas,tha,eshte koha te flas per plumbin qe s'me mori,nuk kam frike te vije atje.
I kishte kthyer dy tre gota,se Arditi te priste shume mire.I shkelqenin syte, jo me urrejtje,po me dashuri te krisur poeti qe harron, ngaqe e mund furia magjepsese e frymezimit ngadhnjyes.Ajo raki e skraparit ishte ilaci.Arditi qeshte,i vinte shishen ne dore,Xhevo deklamonte vargje,i papermbajtshem,rebel i pandreqshem,gati per flijen e turmes.O zot,fatet ishin te paracaktuara.
Ishte vjeshte,era merrte plehrat e rruges dhe i perplaste kuturu,pluhur,duhme shishqebapi,berxolle,thartire,vetmi,ankth,kotesi,ecja pa qellim ku te me conin kembet,doli Xhevo nga nje klub dhe ma beri me dore.Hyra brenda.Nje djalosh province me torbe ne krah,krejt i hutuar,e shikonte me pervujteni si murgu i ri Dalai Laman.Ne tavoline ishte nje shishe dylitershe me raki te nisur,nje kokerr qepe e madhe e qeruar dhe e shtypur me grusht.Ca kripe,ca piper i kuq.E shikon mo Roland,vjen nga larg per te takuar Xhevon,i ati e ka cuar,i ka dhene kete rakine balle kazani per Xhevon dhe ky djalosh,nje mesues i ri c'nuk me thote,me quan poet kombetar..nuk e njoh as babane as kete,.. Ishte krejt ne dalldi.Pinte si i shkalluar nga mirenjohja,i prekur tronditshem ne damarin e cmendur te poetit,qe e bejne foshnje fjalet e mira.E pyeta djaloshin;c'pune ben babai?Mjeshter hardhish,ben rakine me te mire ne bote.Me tha;coja Xhevahir Spahiut dhe thuaji qe eshte poet kombetar si Dritero Agolli.Nuk e kisha zili Xhevon,sepse per mua ai ishte vertet i tille,po nuk e kuptoja c'kishte pushteti me te.Ata ia bene karton librin,keta e kercenonin me vdekje.Kur dolem jashte,rakine qe mbeti ne shishe Xhevo ma la mua.Ta shikonit si me pa djaloshi pastaj si pa Xhevon me zhgenjimin e murgut te ri per nje idhull te rreme.Une isha nje perfitues i pa denje dhe kjo s'duhej te ndodhte kurrsesi,se prishej amaneti i babait.Ma mori nga dora shishen dhe ia dha Xhevos;eshte vetem per ty,i tha.Xhevo e kuptoi,e mori shishen dhe e ftoi djaloshin ne shtepi.
Tani ai rrinte i mbeshtetur te pianoja e Arditit dhe degjonte vetveten.Shpikte vargje,krijonte nje poezi te re,me ca qirinj te tkurrur,me nje nate plot rreziqe, trokiste porte me porte dhe si hapeshin,trokiste ne hene dhe brofte agullimi,nje nate me shume agime,qe vinin vec per te zbardhur detin e zi,qe s'zbardhej gjithsesi.Nje nate me ullishta qe kalonin detin bashke me te ikurit,nje nate.. A e mban mend Xhevo kete poezi?
E shikoja shpesh te vetmuar,po jo melankolik,shperfilles,shperthyes,asnjehere ankues,perhere revoltues,opozitar i pakorigjueshem,s'hante pyke,se mbante,po e nxirrte fjalen,fjalen e lire,mjerisht te pergjakur,sepse liria ende s'ka ardhur.Ai eshte opozitar i perjetshem.Edhe vete Krishti te vije e te vendose drejtesi,ai do te kundershtoje dhe Krishtin.Ate e keqkuptojne gjithmone.Dhe gjithmone kane per ta keqkuptuar.Pse?pyes veten,ai nuk eshte konformist,as komunist fanatik,qe te beje keq,sic duan t'ia sajojne ca partipoet,qe iu ka marre koka ere,ai mund te jete i majte sic jane pergjithesisht artistet, se iu dhimbset i dobeti dhe vuajne nga padrejtesite..Xhevo eshte i bezditshem,aspak komod,mban nje kostum me te njejten ngjyre gri me qiell perziere bashke,behet cope per tjetrin,i qan zemra per Tomorrin,fshatrat e humbetirave varur ne brinje e bokerrima,eshte me ate qe s'eshte trilluar ende,me partine e poeteve,qe s'vjedh,po jep,qe s'genjen, po thote te verteten,qe s'fshihet, po del ne shesh me turmat dhe ne qofte se populli vdes,vdes dhe ai dhe mbetet.Se poeti mbetet.Po sot poeti eshte i perjashtuar,ai nuk i duhet kurrkujt,me mire te zere vend te qiejt e Darkes se Fundit te Mikelanxhelos. Ai i takon perjetesise.T'i lere vdeketaret te hane si krimba binane e pushtetit dhe te kombit,c'te bejne tjeter ata te gjore,te perkohshmit, pa ate shenjen blu,qe i pret balta,po jo memorja e popullit.Kjo eshte lufta.
Fillon koncerti,digjen qirinjte si ne nje requiem,kendon kengetari vargjet e poetit qe mban ne dore gezhojen e plumbit,te atij plumbi kobzi qe donte ta vriste.I vjen radha poetit te tregoje historine.C'do te thote ai?A i ka poetet me vete sonte?Po njerezit e thjeshte qe e kujtojne me ndonje peshqesh fshati?
Sot behet c'eshte e mundur qe te harrohen poetet.Ata lihen te vuajne per buken e gojes.Cironka proverbiale e De Rades llapashitet ne goten e pijetoreve te pista.Bej nje pyetje te thjeshte;Ku do te botoje sot Xhevahir Spahiu,ne cilen gazete mund te dalin ciklet e tij?Kush me pergjigjet?
Koha me e keqe per poetin.Koha me e cmendur.
Te jesh poet i madh dhe te ndjehesh i perjashtuar.Edhe kur te bejne akademik.Nje titull bosh.A eshte ne gjendje ky titull t'i riktheje poetit autoritetin e vjedhur?Te mos jesh ne gjendje te besh nje jete normale,pa privacione vulgare ekzistenciale.Te mos jesh ne gjendje per asgje.Edhe kur pi nje kafe a nje gote raki te te dridhet dora,megjithse je akademik.Poetit te gjore nuk i shkon mendja si te behet i pasur,po si ta beje vargun sa me te bukur,sa me te ndjere, sa me te vertete.A hahet sot kjo logjike e krisur?Po, kjo eshte logjika e kostumit gri me qiell perziere bashke.
I vjen radha poetit.Nxjerr gezhojen dhe e mban lart me dy gishterinj.Tani do te terheqe fletushken me poezi qe eshte aty brenda,mendova,do te lexoje vargjet e mrekullueshme.Ai tha;
Perballe kenges ky plumb nuk vret me.A i shkon mendja njeriu te vrase sonte?Jo,nuk te le Arditi,Gaxibo,grupi popullor,ky publik.E flak kete gezhoje,qe s'vrau dot,se e vrau me pare poeti.
Nuk e harroj ate nate.Vertet ai plumb nuk e vrau Xhevahir Spahiun,po ciflat e tij e perzhiten.
Me ciflat e tij ka pune ai,kemi dhe ne.

Nuk ka komente: