e diel, dhjetor 21, 2008

Ndikimi i një fotografie



Astrit Lulushi

Rivaliteti është një shprehje me burim nga kohët kur njerëz që jetonin në brigjet e kundërta të të njëjtit lum, përpiqeshin, grindeshin a luftonin se kush prej tyre të gëzonte a të përfitonte më shumë nga të mirat e rrjedhës. Prandaj edhe rivaliteti i brendshëm a pjestarëve të së njëjtës rryme, pavarësisht se në cfarë fushe, e më shumë inë art, është i mirëfilltë duke gjykuar të paktën edhe nga përcarjet a rrymat e shumta që ndeshen në botën artistike. Por rrymat e shumta tregojnë edhe përsosmëri, që për artistin do të thotë kufi, amulli, plogështi, që bien ndesh me natyrën e tij. Sepse artisti nuk pushon së qeni i tillë; ai gjen rrugë a krijon rryma të reja, të cilat fillimisht quhen jashtëqendre a eksentrike dhe pranohen vetëm kur qendra humbet ndikimin a autoritetin e vet, por edhe kur njerëzit arrijnë t’a kuptojnë atë që artisti e kishte shprehur prej kohësh me veprën e tij.

Jackson Pollock është cilësuar për së gjalli si piktori më i madh bashkëkohor amerikan, si përfaqësues i ekspresionizmit abstrakt. Kur vdiq më 1956, thonë biografët, ai la pas një jetë plot ambicje, sepse gjithmonë dyshonte në madhështinë e vet. Kritikët thonë se, Pollok fillimisht kishte qenë një piktor i paaftë dhe se pikturat e herëshme të tij tregojnë një sforcim artistik. Kjo ndoshta sepse ato nuk ngjanin aspak me pikturat tradicionale, por edhe për stilin, sepse dyshemeja ishte kavaleca e tij. I mësuar duke parë indianët në shtetin Uajomi, ku u lind e u rrit, që vizatonin në rëre, Pollok përdori dhe perfeksionoi këtë mënyrë, duke e kthyer kanvasin në arenë, dhe veten në gladiator që ndeshej me bojrat

Në fotografinë e njohur “Pollok duke pikturuar” ekspozuar në muzeun e artit modern në Nju Jorkut, ai shihet duke punuar i përkulur mbi një sipërfaqe të gjere kanvasi në dysheme. Dhe kjo fotografii është e vecantë, jo për faktin se zë vend në një muze të njohur dhe jo thjesht se shënoi një pikëkthesë në karrierën e piktorit, por sepse u ndikua tërthorazi nga një tjetër fotografi.

Më 1950, duke shfletuar një revistë periodike, Xhakson Pollok u shtang para një fotografie tepër të pazakontë ku rivali i tij evropian, piktor i së njëjtës rrymë, por në bregun e kundërt, kishte dalë gjysmë lakuriq. Kjo sikur e kënaqi atë, por ajo që e bëri të shfrynte ishte se fotografia e tregonte rivalin duke pikturuar me një mjet të paparë ndonjëherë – “I mallkuar, i bërë të gjitha zbulimet, nuk le gjë për mua” - citohet të ketë thënë Pollok.

Pas kësaj ai thirri me telefon fotografin Hans Namuth, emigrant gjerman nga East Hampton, Nju Jork i njohur për fotografitë e tij në botën e artit. Pollok i tha se donte një fotografi të ngjashme, ku ai te shihej duke pikturuar sipas stilit të tij, dhe stili i të pikturuarit të tij ishte hedhja e bojës lart, majtas e djathtas e cila kur binte mbi kanvasin e shtruar krijonte efekte spontane. Për këtë mënyrë të pikturuari, Pollok cilësohej piktor ekspresionist abstrakt, ndërsa kritikët i kishin ngjitur edhe nofkën “derdhësi i bojrave”.

Pas pak orësh, kur Namuth mbërriti në studio, Pollok e kishte përfunduar pikturën e tij. Ai kishte punuar i papërmbajtur, i dehur a i pushtuar nga zemërimi i ndezur nga fotografia që sapo kishte parë në revistë. Kështu, Namuthit s’i mbeti gjë tjetër vecse të bënte një seri fotosh nga kënde të ndryshme të kanvasit të ngjyrosur në dysheme, ku Pollock ecte i përkulur duke i dhënë veprës dorën a këmbën e fundit. Pra për fotografin nuk ishte e mundur të fiksonte as rrjedhjen e bojrave që “fluturonin” e as piktorin që “ndeshej” me to në "arenë". Por kritikët thonë se kur fotografitë e Namuthit u botuan më 1950, ato bënë që opinioni rreth Pollok-ut të ndryshonte; pikturat e tij të shikoheshin me më shumë vemëndje a interes. Shumë shpejt Xhakson Pollok u bë një nga përfaqësuesit kryesorë amerikanë të ekspresionizmit abstrak. Vlera e veprave dhe fama e tij u shtuan, fatkeqësisht, më 1956. kur Pollok vdiq si pasojë e një aksidenti automobilistik. Ai ishte 44 vjec.

Por cfarë fotografie ishte ajo që Pollok pa në revistë më 1949? Kush ishte piktori evropian? E mbi të gjitha, kush autori i fotografisë? Fotografia e botuar në revistën amerikane Time mbante diciturën; “Një Centaur i pikturuar me dritë”. Piktori nee fotografi ishte Pablo Pikaso, i rrymës së kubizmit dhe ekspresionizmit abstrakt. Sa për autorsinë, ajo ishte nëshkruar thjeshtë – “Photo by Gjon Mili”

Në albumin e tij “Photografs & Recollections” Gjon Mili tregon se më 1949, revista Time e ngarkoi atë me detyrën për të realizuar një seri fotografish me personalitete të njohur në Evropë. Fotoja e parë në këtë kuadër ishte piktori francez Raul Dufy ku ai kishte dalë duke pikturuar ndërsa peneli mes gishtave të deformuara nga arthriti gati sa nuk binte i binte nga dora. Këtë fotografi e pa një mjek i njohur në Boston, i cili u interesua që Dufy të vinte për trajtim në Amerikë ku atëherë sapo kishte dalë ilaci i ri Kortizon, në atë kohë i provuar i sukseshëm kunder arthritit. Pas kurës, Dufy u përmirësua si fizikisht edhe shpirtërisht, “ndërsa une bëra një mik të mirë” tregon Mili. Atë vit, gjatë shërbimit të tij në Evropë, Gjon Mili u njoh e fotografoi edhe me shume artistë të tjerë të shquar , përfshi piktorin Henri Matis, violincelistin Pablo Kasal, i cili ashtu si spanjolli tjetër, Pikaso, jetonte në atë kohë në mërgim në Francë, në shenjë proteste ndaj regjimit të Frankos.

Nuk ka komente: