e diel, nëntor 09, 2008

Të lexosh Primo Shllakun … ndryshe




Fatmir Terziu

Të lexosh Primo Shllakun në poezi është krejt ndryshe, është në fakt një kualitet bukurie. Në gjuhën e Benjamin ‘ky kualitet i bukurisë, është kategoria bazë e traditës specifike të aestetikës, një kualitet që ndryshon konceptin e aestetikës në vetvete nga doktrinë të perceptimit në filozofi të së bukurës, që gjendet këtu si një platformë e bazës poetike”. Është ndryshe, pra e tillë si një kualitet që ndryshon pasqyrimin e fjalës shumëkuptimëshe në një kompleks filozofik, se poezia e tij vjen e kthjellët si vetë muza e saj, si vetë ushqimi i saj në një zonë tipike të kulturës shqiptare. Ky në se do të vazhdonim me Benjamin, nënkupton rëndësinë e një momenti historic që ushqen krijimtarinë që trajton disa tema. Meqënëse pasuria e poezisë së tij ka dëshmuar se ajo trajton disa tema shumë më shpesh se të tjerat, klasifikimi i leximit të Shllakut bazohet në kriterin tematik të saj, sipas të cilit dallohen poezitë që flasin e shpotojnë ndjeshëm, poezitë me ndjenjën e përditësisë, poezitë gjeografike, e ato mendimtare ose filozofike etj. Të paktën kështu e përzgjedh këtë poet albanologu i shquar i letrave shqipe Robert Elsie, që e rradhit Shllakun në piedestalin e poezisë kontemporane. Duke ndjekur poezinë e tij në vite shihet qartë se kjo poezi e realizon temën e vet (edhe për shkak të gjuhës dhe fjalës në të) me anë të lidhjes së motiveve të caktuara. Tek poezia e Shllakut vihen re më shpesh mbizotërime të motiveve të qëndrueshme (statike) që vendosen pranë njëri-tjetrit dhe krijojnë raportin poetik. Në poezinë “Peshku i vogël” këto mbizotërime statike i japin një pasqyrim të domosdoshëm mendimit. Vargjet janë në lidhje tërësore dhe krijojnë raportin poetik duke krijuar një ndërlidhje fine. Në vargjet e kësaj poezie ka filozofi që buron nga thesari tipik pasuror shkodran: “Atë ditë lumi po shterrte./Mbeti pa gropë/peshku/dhe përherë e ma i vogël/bahej rrethi/i rrugës së tij…” apo edhe më tutje kur autori gjen mizat si pretekst për të shprehur qëllimin e tij ndërlidhës: “Të vinte atëherë kur u dukën të parat miza./Atëherë të kishte ardhë .../Mizat prej çeliku u dukën prapë./Kësaj here peshku ishte i tyne ...”
Kështu për Primo Shllakun “Edhe fjalët shkojnë në ferr” është vetëm titull në vëllimin poetik të tij, por në thelb “Edhe fjalët shkojnë në ferr” është mushti i tërë poezive që ushqehen nga shumëkuptimësia e tyre.

Po kush është Primo Shllaku?

Primo Shllaku u lind në Shkodër më 16 dhjetor të vitit 1947. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes. Pasi mbaron studimet në Universitetin e Tiranës për Gjuhë-Letërsi shqipe, me propozim të Pr. Dr. Eqerem Çabej, emërohet pedagog pranë këtij universiteti, por më pas emërimi anullohet. I propozohet një vend në Institutin e Lartë Pedagogjik të Elbasanit-sot Universiteti A. Xhuvani, por ai detyrohet të refuzojë për arsye se familja e tij transferohet në Shkodër. Punon si mësues në zonën e Shllakut -Shkodër, prej aty në shkollën pyjore e më pas në atë industriale. Bir i regjisorit, Artistit të Popullit Lec Shllaku, dhe nip i helenistit dhe përkthyesit të famshëm Gjon Shllaku, që prej fillimviteve '90, Primo jeton dhe punon si mësues frëngjishteje në Greqi. Veprat më të rëndësishme të tij janë vëllimet poetike “Lule nate” dhe “Hana e njelmët e ditës”. Poezitë e përzgjedhura në analizën tonë janë nga vëllimi i tij poetik i botuar nga shtëpia e librit “OMBRA GVG”.

Toni emocional

Në poezinë e Shllakut toni emocional është i qëndrueshëm. Ky ton nuk ndryshon as edhe në raportin poetik të lidhjeve të krijuara nga motivet e caktuara. Edhe kur poezia e tij flet për ngjarje, ndodhi, personazh, apo diçka tjetër, tema e poezisë së krijuara prej poetit shqiptar, Primo Shllaku nuk është e kushtëzuar nga faktori shkak-kohë dhe as nuk jepet nëpërmjet konfliktit. Janë motivet ato që e bëjnë poezinë e Shllakut të hyjë në raporte të caktuara përmes lidhjeve me njëri-tjetrin gjë që fare lehtë mund të shihet tek poezia “Aleksandra”: “Shkojnë autobusat nëpër natë./Zhurma e njenit duket si gjellë/që heshtaz valon./ai të zbret te pragu i derës sime./Ti sjell me vete mollë,/shkrepse/dhe trokitje padurim”.
Kur e zbërthejmë poezinë e Shllakut ne gjemë motive përbërëse në të. Ajo nuk lexohet, pra thjesht ndryshe, por vjen si një kompleks motivesh që detajojnë, përcjedhin dhe konvergojnë një hapësirë mendimesh. Në fakt tek poezia “Aleksandra”, më saktë tek tema e kësaj poezie, shihet se ajo përbëhet prej disa motive: nëpër natë; zhurma e njenit; ai të zbret tek pragu i derës sime; ti sjell me vete mollë; shkrepse; trokitje padurim. Në këtë labirinth motivesh shohim qartë se tema zhvillohet përmes futjes së motiveve të lartpërmendura, të cilat radhiten me shkallëzim ose siç ndodh tek poezia “Dyshi” të shfaqen me lloje të të njëjtit motiv. Në poezinë e Shllakut shfaqene dhe motive kundërshtuese, sin ë poezitë “Nji plagë”; “Gostia” apo tek “Reja, mali dhe ti”.
Por në poezinë e Shllakut më së shumti dallojmë motivin që e paraqet, e zhvillon dhe e përfundon temën. “Këpucët” dhe “Kryet e gjelit” janë një shembull i mirë për këtë pikë. “Këpucët”: Më vrisnin kur ishin te reja/Tashti/që kamba i ka ba për vete,/janë vjetrue./Ishte një çast veç,/kur s'më vrisnin fort/e s'ishin te vjetra fort.” “Kryet e gjelit”: Në livadh kryet e një gjeli që këndonte./Syni i poshtem/mbi bar te ashper/qe ther si fjale./Syni i siperm/drejt nje qielli te gjane/si heshjte./Shikimi i tij si pyetje retorike./Qielli, e vetmja liri./Heshtja e vetmja shkence./Dashunia i vetmi dimension.”
Por nga krijimtaria e Shllakut lexohen ndryshe edhe kjo poezi e mrekullueshme “Krim i persosun”: Nje diktatori/E mbolli aren e Buzeqeshjes me miser te verdhe gjeorgjian/Nxorri jashte ligji Pasten e Brushen e dhambëve.”

Nuk ka komente: