Fatmir Terziu
Mu deshën pak kohë që të lexoja poetin Arqile Gjata. E pashë poezinë e tij në vite. Pashë edhe energjinë e tij të veçantë. Por ngula në mendje poetikën e tij të mprehtë e të veçantë. Është një poetikë që del nga shpirti, nga ndjenja, nga të gjitha anët e komponentit përbërës të shpirtit të tij të dhimbshëm, përvuajtës. Më së fundi rilexova ciklin më të ri të tij, „Nata e Dhimbjes“ dhe fiksova sërrish këtë poet që flet qartë, që ka stilin, gjuhën dhe vargun e tij. Është një poet që krijon dhe lëvron vargjet e lira, sepse ato janë të çliruara nga metri, dhe se natyra e çiltër e tij është e tillë, e lirë, e çliruar nga gjetja dhe humbja e kohës. Vargu i poezisë së tij në të shumtën e rasteve është i çliruar nga ritmi i rregullt, por ka në thelb ritmin fjalëmesazhier, është i çliruar nga rima, por ka sensin e një të lexuari rrjedhshëm, me nge, kuptueshëm. Në poezinë e Gjatës, gjejmë muzikalitetin e një poezie me varg të ndërlikuar që mbështetet në organizimin e njësive ritmike të rëndësishme dhe në ritmin që organizon njësitë kuptimore dhe tingëllore. Mjafton të lexosh ciklin e tij të fundit dhe të kuptosh këtë. Tek poezia „Fjalët“ e gjejmë atë dukshëm. Tercina (strofa treshe) e tij flet qartë:
„Kur fjalët bëhen re të zeza,
e vijnë me pickama mbi dritaret e shpirtit,
ato bëhen gra të përdala....“
Dhe po ta shohësh këtë poezi se është realizuar në Athinë më 8-11-2008 ora 20:40, natyrshëm e kupton edhe shpirtin e përdhimbur të poetit, shpirtin e një krijuesi që tashmë flet qartë dhe ka gjuhën e tij të vërtetë, tipike. Me ndjenjën e leximit të poezisë së tij dhe me ndjenjën e një poezie që më ndjeu pashë se vargjet e tij janë një peshë e rëndësishme fjalësh që ashtu si atëherë kur u shfaqën në poezinë evropiane me emërtimin në gjuhën franceze (ku dhe ka lindur) vers libre – varg i lirë. Këto vargje lindën atëherë si shprehje e nevojshme e nevojës së brendshme të poetit si një domosdoshmëri e strukturimit të përmbajtes, dhe tashmë në ciklin e Gjatës kanë një arsye më shumë të lindin e fiksohen si të tilla, pasi ato pasqyrojnë botën e tij të brendshme e të ndjeshme. Ky strukturim i tij në poezi lidhet me poezinë moderne, që ushqehet pikërisht nga rrethana të tilla.
Por këto shenja të tilla poetike, që shmangen nga tradita e vargëzimit i gjejmë edhe në poezi të tjera të këtij cikli dhe të krijimtarisë së tij. Madje ato kanë lidhje edhe me krijimtarinë e hershme poetike shqiptare që tentoi këtë shmangje nga tradita e vargëzimit. Asdreni tek „Psallme murgu“ (1930) krijoi dhe strukturoi në këtë mënyrë. Kadare krijoi „Llora“ dhe në mënyrë perfekte realizoi një dukuri që tashmë duket e zakonshme në poezinë e Gjatës. Poezia „Llora e Kadaresë ka një ngjashmëri në strukturë dhe në filozofinë e shprehjes me poezinë e Gjatës, „Poetët e Harlisur“.
„Poetët e Harlisur
brigjeve të fjalës,
dhëndurë të poezisë syshkruar,
mos ma prishni buzëqeshjen e varrit të nënës.
Nga cepat e vargjeve rrëshqasin lot dhe shpresë,
Jo copra litari për fjalën e lirë...... »
Duke parë poezinë e Gjatës në kënd më të ngushtë, shikon edhe fuqinë e personifimit të tij poetik, që krijohen në lidhje të ngushta me shpirtin e tij, me ndjeshmërinë e tij. Janë ‘dhëndurë të poezisë syshkruar’ që poeti u vesh poezive syshkruara, këtyre gjërave pa shpirt, sikur ndjejnë dhe janë tamam ajo plotësja e shpirtit dhe ndjenjës së poetit.
Një tipar tjetër dallues në këtë cikël poetik të krijuar nën peshë emocionale është edhe elokucioni, që ka të bëjë me zgjedhjen e fjalëve dhe vendosjen e tyre në varg, në mënyrë të tillë që të ushtrojnë ndikim sa më të madh. Dhe këtu shihen qartë, sidomos tek poezitë « Pagjumësia. », « Rrugëve të Fjalës », « E shkriva moshën » siç janë shprehësia, qartësia, veçantia, pastërtia gjuhësore, eleganca, veçantia ideale, harmonia etj.
Stilistika letrare e poezisë së Gjatës është një funksion i qartë dhe një harmoni e nevojshme në lidhje me gjithë detajet e poetikës. Këtu mer jetë poezia e tij dhe mbetet si një krijim ritmik i botës së tij të brendshme e të ndjeshme. Edgar Allan Poe thotë : « Poezia është krijimtari ritmike e së bukurës në fjalë ». Dhe këtë e kryen edhe poezia e këtij poeti në shpirtdhimbje.
Nuk ka komente:
Posto një koment