e diel, nëntor 16, 2008

NJË ROMAN I DENJË RRETH VDEKJES SË DIKTATORIT

Agim Shehu
Gjenevë


Diktatura dhe diktatori që Shqipëria përjetoi 50 vjet do kujtohet gjatë në breza. Kjo ndodh jo vetëm se kujtesa për këtë kohë aq rënqethëse është vetiu e trashëgueshme në breza, por dhe ngaqë gjurmët i lë pas në breza, mesa duket kushedi për sa kohë ! Një diktator i tillë ndoshta nga historia do kalojë dhe në legjenda duke iu bashkuar bajlozëve, katalanëve, krajleviçëve gjer gjarpërinjve-njerëz, që me lëkurën e bukur në pamje mashtruan viktimat.
Hija e tij shqiptarëve do t’u qaset pranë pasi dosjeve të historisë, duke mos e mbajtur dot të tërin me gjëmat pa fund, do t’u derdhet nga fletët. Gjithmonë më saktë e më bukur, letërsia do krijojë veprat e saj mbi figurën dhe kohën e tij.
Pranohet siç thuhet, se Enveri është pjesë e historisë sonë; por ai në të vërtetë është pjesa e të keqes në veten tonë, apo më saktë, është bashkëjetesa me të e pjesës së shprishur në qënien tonë (gjithkush në masën e vet e në spjegimet e veta). Këtë të vërtetë letërsia do ta thotë më qartë e më besueshëm sa më shumë kohë të kalojë.
Mendoj se shkrimtari Pëllumb Kulla thua vjen nga e ardhmja me veprën e posadalë «Vdekja e Enver Hoxhës», duke e dhënë i pari të tillë në veprën dinjitoze të tij. Në leximin e parë - vdekja e Diktatorit - shumëkush do mendonte se shkrimtari, aq më tepër i dënuar nga diktatura, gjeti rastin të shprehë dufe të mbledhura me zërin e shtresës së tij apo bashkatdhetarëve të mënçur të tij. E kundërta. Meritë e parë – shkrimtari i ka shpëtuar këtij «kurthi» që jep shpesh vala e pasioneve. Fryrja e sharjes, anës tjetër i ushqen mbrojtjen, kur dihet se çdo mashtrim (dhe i diktatorëve) bëhet disi i besueshëm kur vihet në rrethin e ndonjë të vërtete. Pëllumb Kulla këtë e di me intuitë. Pasioni i tepëruar në kundërvënie ka brënda të papëlqyeshmen siç ka flaka e harbuar tymin.
Pas mëse një çerek shekulli të ngjarjes autori, me pjekuri shkrimtari e me fisnikëri zotnie, në roman ka zënë një pozicion të vetin shikimi për të treguar kryesoren e asaj që ka ndodhur mbi popullin e tij. Nuk merret, pra me virusin - Diktatorin - por me shpërbërjen prej tij të organizmit (popullit). Kjo është drama më e madhe, aq më tepër kur «tumori» e bëri punën e vet, e të paktën një pjesë populli sadopak vazhdon ecën në histori ngarkuar me gjymtimin prej tij! Për veprën shkrimtari ka kapur me zgjuarësi një ngjarje disi anësore: grimiori i Kinostudios, Betimi, njeri i thjeshtë e i huaj për kupolën shtetërore, thirret befas për të rregulluar fytyrën e shfytyruar nga sëmundja dhe vdekja të Udhëheqësit në morg. Pa e ditur ende mynxyrën «lart», diku poshtë në gëzime të tyre këndohet: «kush më merr mua, merr yll jo grua…»! Diktatori pa jetë në bodrum pret që populi të marrë me kuje kufomën e tij. Romani fillon me lëvizje dritëhijesh. Grimiori vetë do festonte përvjetorin e martesës, e në mes të gëzimit i hyn gjëma e të Parit të vëndit! Mbuluar me çarçaf të bardhë diku fshehur, për të Udhëheqësi është më i frikshëm i vdekur se i gjallë. Me buzë të mbyllura e duar të palëvizura, hija e Tij vazhdon vë në lëvizje organizimin e zisë kombëtare(!) ndërsa grimiori nis t’i rregullojë pamjen e shprishur keq. Zëdhënësi i brendshëm i kupolës, Teloja, grimiorin e drejton në çdo gjë. Heshtja për atë që s’rron më është dyfish e frikëshme: vdes Kreu e njerëzit lidhur me shtetin, nga maja në bazë, dridhen se kë do marrë me vete, qoftë dhe nga një lëvizje e gabuar në të qarë a në të folur! Kurrizulja (servilizmi) do marrë kulmin e shëmtisë kolektive. Tek të gjithë, sidomos te grimiori, rri psikologjia e nikoqirëve egjiptianë që ballsamosnin Faraonin: e ndërtonin Piramidën, po do mbylleshin dhe vetë brënda! Njerëzit i ngulin sytë njeri tjetrit e secili është mbuluar nga temperatura e mendimit të tij. Më i ftohtë nga të gjithë përballë tyre rri shkrimtari.
Për ta bërë sa më të bukur zinë, panë dhe një herë ceremoninë e vdekjes së Stalinit. Diktatori sovjetik do t’i ushqente si me jetën e tij dhe me vdekjen e tij. Enver Hoxha, si i gjallë dhe i vdekur, me asnjë nuk mund të merrej vesh më mirë se me Stalinin. Jo rastësisht, Shqipëria nën komunizëm që kish vuajtur më shumë prej tij qe e fundit që e hoqi atë nga nderimi zyrtar. Jo rastësisht, vetëm në dy vënde të Bllokut socialist, Rusia dhe Shqipëria, edhe në «demokraci» udhëhoqën dy krerë të Sigurimit famëkeq: Putin, ish shef i KGB-së, dhe Ramiz Alia, ish kreu politik i Sigurimit të Shtetit, caktuar këtu nga udhëheqja më e lartë.
Vepra ka vetëm dy personazhe të njohur, Enver Hoxhën dhe të Shoqen. Autori e thotë çiltër, se këtyre të dyve nuk u shmangej dot me mbulim të emrit. Dhe po ta bënte këtë, do qe e kotë; ata të dy dalin jashtë çdo siemri (pseudonimi) që mund t’u vihet. «Litarin» që mesa duket diktatori e la jashtë edhe pas vdekjes, e shoqja ende do t’ia tundë frikshëm popullit. Në organizimin e mortit prania e saj ndjehet edhe atje ku ajo nuk ndodhet. Romani e jep mrekullisht mekanizmin e atij ceremoniali, me përshkrimin e saktë e të besueshëm të ngjarjeve -zinxhir, duke ua lënë lexuesve gjykimin.
Për këtë autori ka pikëzuar tre mjedise si përfaqësueset më tipike të shoqërisë: kupolën lart; popullin poshtë dhe burgun mënjanë. Tri shtylla ku qarkullon cikli i një stuhie të zezë, e brënda kësaj vorbulle jemi disi të gjithë. Autori shkruan qetë mbi fletë si të skaliste mbi gur, pa asnjë xixë emocionesh. Ata lart që e dinë vdekjen janë të ngrysur si muzgu. Lajmi i zi do të përcillet poshtë siç përcjell muzgu natën pas tij. Hija e saj do vërë në lëvizje tërë kapilarët e shoqërisë, secilën sipas vëndit dhe natyrës së vet. Drama do shfaqë kështu dukuritë më groteske të komedisë.
Në hapsirën e krijimtarisë Pëllumb Kulla ka dhe «lagjen» e vet të humorit që nga diktatura kur brënda të qeshurës do fshihte dhe dramën, sidomos me gurët e dënimit në shpinë. Megjithatë atë humor të shfytyruar në popull autori e mban të disiplinuar në vepër. Diktatura shqiptarëve u vuri dramën në shpinë; shkrimtari u vë komedinë e kësaj drame si pasqyrë para syve, të shohin veten e pastaj le të ecin si të duan në jetën e tyre. Asnjë retorikë apo thirrje teatri! Fletët e romanit përcjellin heshtur një murmurimë lemerie si nga përrallat që nis nga kufoma e rëndë nën dhè, e që bëhet gati të dalë prapë mbi dhè. Kësaj here me hijen e tij, por më i plotfuqishëm, thua për vdekjen e tij do merrte hak mbi popullin e vet. Do ta gjunjëzonte para vetes siç e gjunjëzoi para Stalinit në vdekje. Shokët në udhëheqje kanë filluar të dridhen, thua ai i kontrollon ende me bisht syri se sa besnik është secili, sidomos tani që u largua! Pa ditur ende gjë, rinia në kryeqytet vazhdon përgatitjet e një festimi radhe ku do të jetë dhe udhëheqësi! Sozia, rregulluar gjithashtu tërë ankth i ngjashëm me të, bëhet gati të dalë në vënd të Tij (të kujton Dhimitrin e Rremë te drama Boris Godunov e Pushkinit). Ankthi po pushton gjëndjet shpirtërore të të gjithëve . Ky ankth afër magjive në Byronë tonë politike të përfytyron labirintet e intrigave në Pallatin e Perandorëve Bizantinë.
Lajmi po bëhet gati të vejë poshtë përmes më të besuarve të komiteteve, e atje do bëhet gjëma më e madhe (kur vdes njeriu, gjymtyrët dridhen më shumë). Njerëzit e dinë se dëshmia e vajtimit për një të vdekur të tillë është ‘çek banke’ për të gjallët sidomos në jetën e varfër e pa mbrojtje të tyre. Janë të paharrueshme skenat diku në rreth, ku vdekja e udhëheqësit vete dhe si vdekje e tyre! Gati nuk kuptohet, ku njerëzit janë të droguar me ideologji, e ku janë të dyzuar në shtirje ! Pjesën e vet njerëzore ata e kanë lënë diku në vëndin e sigurt të shtëpisë, e jashtë me njeri tjetrin këmbehen secili me pjesën e prishur të tij. Mes tyre kufiri i tragjedisë me komedinë ka humbur. Sekretari i komitetit thërret më të besuarit, të parapërgatitë dhënien e lajmit. Poeti popullor i thirrur për të përgatitur elegjinë e radhës gati ulëret i pikëlluar: «E thyej penën e për vdekjen e Komandantit nuk shkruaj kurrë»! Pastaj venë spiunojnë në Degën e Brendëshme edhe Sekretarin e parë që kish guxuar ta zërë në gojë atë që as duhej menduar! Veterani Demo, i besuar i partisë, bisedon më pas me tregtarin e deklasuar Dhimitër e i thotë çiltër, që dasmën e djalit ta bënte me saze, se pas kaq kohe zije qe marrë leja nga lart! I deklasuari ngul këmbë për vazhdim zije, betohet për dashuri tej fëmijëve ndaj partisë…e të nesërmen shikohet te sporteli i Degës ku do njoftonte dyshimin ndaj veteranit! Gjithëçka e kthyer së prapthi ! Njerëzit venë e vinë të përvuajtur te njeri tjetri, pa ndjenjë turpi se vetëvishen me xhaketat e kthyera. Po të vazhdonte dhe ca shteti komunist, tha Sollzhenicini, do qemë kthyer në majmunë. Flitet për një shtet i cili në strukturën e tij armik më të madh kish drejtësinë, dhe si asnjë shtet në botë Ministrinë e saj e çduku me rrënjë e degë. Industria e propagandës komuniste punoi që te çdo shqiptar, brënda qënies së tij të kish dhe një çikë «diktator» - siguri jete, kur ajo «çikë» në të vërtetë qe virus antinjerëzor. Midis njerëzve edhe të afërt shtrihej hija e Diktatorit e frika prej shtetit niste te frika prej shokut.
Është unikale strofa e poetit popullor në roman (që s’guxoi ta jepte me të tërën se iu duk me zarar): «E qysh bëre sa e shpike/ këtë soj - Njeri i Ri - : të të qajë tani që ike/ dhe ai që qau nga Ti…»!? Mund të jenë vargje të çiltra, mund të jenë dhe përdredhje, megjithatë ato shprehin thelbin e një psikologjie të tërë që popullit iu mboll gjatë në tru! Si te sendet në fizikë, dhe te njerëzit në shoqëri shtypja krijon shtrembërimin. Masa e shtrëmbërimit varet nga lënda te sendet dhe karakteri te njerëzit (e karakteret e forta kryesisht qenë pas telave e brënda qelive). Këtë karakter të pathyeshëm shqiptari autori e tregon te Kujtimi në burg, dinjiteti i të cilit përbuzte vdekjen në çdo formë që ia afronin ; ashtu si intelektuali Blestar ballë tij zuri të thyhej edhe për një gotë çaji më shumë! «Kur Atdheu është keq, vëndi i intelektualit është në burg» thoshte shkrimtari francez Andre Shenie. Sigurisht burgun dhe torturat e shtetit komunist shqiptar nuk i përfshin asnjë kod drejtësie në botë. Para këtij llahtari gati të papërballueshëm shqiptarët pa mbrojtje nga asnjë anë bënë secili llogarinë e vet e përshtatja me regjimin nga nevoja e natyrëshme për mbijetesë kaloi tej përmasave të pranueshme. Aty, sidomos me vdekjen e Diktatorit shqiptar gjen miratimin gjykimi i pamëshirshgëm i Albert Kamy se «te nazizmi xhelati duartroket xhelatin, ndërsa në komunizëm xhelatin e duartroket viktima».
Në romanin e Pëllumb Kullës ky grotesk gjer tej logjikës është dhënë me art të veçantë e në masën e të vërtetës; brënda kësaj zije që u zuri derën, njerëzit me qarjehallet e tyre nër biseda ndër më të çudiçmet në botë të kujtojnë dialogjet e teatrit absurd. Pikëllimi « ushtarak » parë nga komiteti është dhe pikëllim komik parë asnjanës nga shkrimtari.
Për këto që ndodhin mbi dhè, diktatori s’di më gjë. Gjatë tërë kohës në roman shkrimtari atë e lë shtrirë te një shtrat tuneli, si t’i thoshte «na ler njëherë, të tregojmë diçka dhe pa dijeninë tënde!» Dhe ai thua e dëgjon autorin: rri i heshtur nën çarçafin e bardhë mortor. Ende i mistershëm nën bodrum, si ahere kur fshihej ilegal në Kafe Flora. Ahere u fshihej fashistëve, siç thonë. Tani po i fshihet popullit i cili s’ia di ende hallin! Kirurgu dalë si nga skena Shekspiri vjen t’i zbrazë të brendëshmet e nuk e di se kë po çan me thikë! Atij i zbulohet vetëm pjesa e caktuar e trupit, asgjë më shumë. E Shoqja vdekjen e të shoqit-Zeus e merr dhe si një rast ku do shfaqë më bindshëm pushtetin e saj. Në atmosferën e zisë që përgatitet ajo endet e dukëshme dhe e padukëshme si erë shkretëtire.
Mbaron romanin (më saktë mozaikë të një romani ku çdo pjesë mund të rrinte më vete) dhe njeriu i moshës sonë rri mendon qetësisht atë kohë, e besueshme që e ka jetuar dhe e pabesueshme se si e ka përballuar. Me leximin e veprës kemi dalë nga dy vajtime: ai që bën populli për Komandantin dhe vajtimi i mbuluar i autorit për atë pjesë populli që derdh lotë mbi shtypësin e tij. Të afrohet dhimbshëm gjykimi i Hitlerit në veprën «Lufta Ime», se shpesh njerëzit e duan sunduesin që i shtyp siç duan gratë bashkëshortin me fuqi burri, edhe pse ai i rreh.
Vepra e re e Pëllumb Kullës bashkon mrekullisht humanizmin, artin dhe mënçurinë. Autori, pra nuk është marrë me Diktatorin, si të thoshnim nuk merret me detin në stuhi që shkatërron po me anijen që shkatërrohet prej tij. Lesingu te «Laokoonti» gjykon se plotfuqia e detit, më tepër se te dallgët e egëra përmbytëse lexohet te dërrasat e anijes së shkatërruar që lundrojnë qetë sipër ujrave të çlodhura pas stuhisë.
Në roman autori ka dhënë një skicë të diktaturës, prej nga njerëzit mund të zgjatin vijat në gjykimin më tej të tyre. Aq më tepër kur Pasardhësi, zëvëndësi besnik i diktatorit zgjedhur prej Tij, bashkë me të Shoqen japin dhe në «demokraci» të njëjtat leksione marksizmi e diktature, gjersa intervistuesit i goditin me pyetje si me fletë trandafili. Vazhdojnë ende me «sukseset» e asaj kohe: se «populli trajtohej me të mira » (njëlloj si të lavdërohesh për ushqimin dhe zbukurimin e gjeldetit, caktuar për t’u therur më i majmë në vit të Ri) ; se «dritat vanë gjer në thellësi fshatrash » (njëlloj si t’i gëzohesh dritës së qiririt sipër arkivolit nënjë mjedis varfërie pa skaj»; se «kujdesohej për shëndetin e popullit » (që populli të mos vdiste i tëri menjëherë, se duhej ushqyer gjatë kupola lart, dhe Lenini porosiste, që armiqtë të mos vriten në një ditë, se duhej mbajtur gjallë lufta e klasave dhe ankthi i nënshtrimit); «që kishte rend e qetësi» (njëlloj si t’i gëzohesh qetësisë në varreza»; «se shkollat edukonin Njeriun e Ri» (që sot ai «njeri i ri» arratisur lypës nëpër botë, nga edukimi i diktaturës emblemën e shenjtë të Rilindjes e citon «Ti, Shqipëri, më ep…turp» (!), dhe Atdheun e shet si lodër; se «hapi kanale e thau toka…» (kur nën tokë rrinë ende të pagjetur nga familjet mbi 4500 eshtra kufomash të të pushkatuarve antikomunistë)…
Shteti komunist (udhëhequr nga Ai që në roman tani rri shtrirë pa jetë) bëri atë që në dhjetra shekuj s’e kish bërë dot asnjë pushtues a sundimtar tjetër, prishjen e genit shqiptar. Shtypjet e të prerat me gjakderdhje të Shqipërisë qenë bërë nga jashtë. Por siç thuhet, nuk ka asgjë që ta riprodhojë vetveten si gjaku. Komunizmi gjeti vrasjen më të sofistikuar - prishjen e gjakut shqiptar nga brënda. Organizmi shkatërrohet kur i tjetërsohet (kancerizohet) qeliza. Shoqëria - kur i prishet qeliza e saj, familja. Luftën e klasave e cila çvlerësoi dashurinë dhe besën mes njerëzve, e futi dhe brënda një shtëpie. Vlerësimi i njeriut nga karakteri dhe atdhetarizmi u zëvendëdsua nga vlerësimi në pabesi dhe ideologji. Tregues kryesor është dëshmia e hidhur, që dy shtresat kryesore të cilat do ripërtërinin shoqërinë shqiptare e kombin në tërësi, të persekutuarit dhe pronarët e ligjshëm, mbetën sërish të braktisur edhe pse bënë fajin tragjik, u besuan bijve të diktaturës e i ndihmuan të rifuqizoheshin. Lufta e klasave në diktaturë i kaloi korrupsion demokracisë e ndërsa tek e para njeriu hahej me shtetin, tek e dyta, korrupsioni, shqiptarët si në epidemi-zinxhir po bëhen armiq me njeri tjetrin. Romani rezaton të vërtetën se te administrimi i vdekjes së diktatorit që i bëri e Shoqja, ajo synonte mbajtjen gjallë të frymës së diktaturës së amortizuar, dhe mesa duket doli e zonja ta arrinte me më besnikun e saj në krye. Përpjekja i ka larg rrënjët.
Ishim nxënës të rinj shkolle, kur drejtori E. K. (një ish fashist i sjellshëm kthyer në komunist të zellshëm) na përmendëte vazhdimisht rastin botuar në gazetën Bashkimi: i riu Xhevdet M. nga Kukësi spiunon të atin se për të ushqyer familjen në dimër kish fshehur ca grurë, e u dënua 10 vjet burg. Më tej drejtori na këshillonte, që me këtë sy duhet t’i vëzhgonim dhe ne prindërit ! Shkuam në shtëpira dhe po i shihnim fshehur etërit, mos u dallonim ndonjë mëndje kundër shtetit, pavarësisht se ç’do bënte secili me zbulimin e tij! Pastaj na erdhi përkthimi nga Rusia i «Pavlik Morozov», ku i biri rrëfen të atin si armik, pastaj Lej Feni kinez me trurin e shpëlarë nga çdo shenjë njeriu të natyrshëm.
Nuk qe i rastit pohimi me kohë i Mit’hat Frashërit se komunizmi është një epidemi si tërbimi i qënve që prek jo vetëm trupin po dhe shpirtin e njerëzve. Nuk është po ashtu i rastit që këtë gjeni në lartësinë e Tre Frashërllinjve të mëdhenj të familjes së Tij, Presidenti i Republikës sot e dekoron, ndërsa diktatori komunist - Pasardhësi, ende në qoshè të «demokracisë» duke përshëndetur 100 vjetorin e të Parit të tij, guxon lëshon përsëri vrer kundër Mit’hat Frashërit!
Romani dinjitoz i Pëllumb Kullës të rezaton mendime në vazhdimësi për kohën që iku dhe për atë që vjen. Mbetesh me adhurim për penën e autorit që ruan kaq vetpërmbajtje në të rrëfyer. E shumta, në kulmet e ndodhive shfaq një ironi të hollë inteligjente me pikëllim gjithësesi të fshehur (kujtojmë zyrtarët e kulturës që venë te vajtorja e njohur, për ta marë në grupin e grave vajtuese të rrethit, e ajo u kthehet me kërcënim që zënë në gojë vdekjen e Komandantit, ndërsa i shoqi u hakërrehet më keq : «Ikni sa s’kam marrë çiftenë»! Mblidhen më tej të afërmit e zënë i rrahin». Por dhe këtë humor, autori sa e zbulon ua lë në «ngarkim» atyre që e krijojnë, ashtu si projektori i filmit shfaqjen ia lë ekranit ta tregojë. Rrëfimi i qetë i romanit - fjala e zgjedhur te vëndi i zgjedhur - të kujton bisedat brënda shtëpisë ku sa më qetë të thuhet një ngjarje drame, aq më tepër të trondit.
Më plotësisht e më saktë flet secili lexues.

Nuk ka komente: