Burri, makina dhe gjobat
Suzana Kuqi
Sa inat të vjen kur nuk t'a dëgjojnë fjalën në shtëpi. Sidomos kur ai që nuk t'a dëgjon është burri yt i dashur. Thuaji sa të duash “mos e bëj kështu “, “mos e bëj ashtu” , e kotë nuk ta fërshëllen fare. Gjithmonë në kokë të tij. Dhe pasojat… jo se gjithnjë dalin fjalët e mia, por në të shumtën e rasteve ,po. Sigurisht për anën praktike të problemeve. E kam fjalën tek paratë. Na ka gjetur belaja me gjobat e makinës. Thuaji sa të duash mos e parko këtu, por gjej vend tjetër. E kotë. Burri është në timon e ti ulur në sediljen pranë tij. Pasi kemi bërë pazar në supermarket kthehemi me makinë të ngarkuar e xhepa të lehtësuara. Ai i kënaqur se unë do te kem material për të gatuar dhe unë që trishtohem se nuk mund të vë mënjane dy lekë siç i thonë për ditë të bardhë a të zezë. Mbërrijmë poshtë pallatit e nuk gjejmë vend. Ditët e javës me përjashtim të ditës së mërkurë mbrëma nuk ka problem . Aty afër është një parkexh i madh pa pagesë e vend ka sa të duash. Por problemi është të mërkurën në darkë pasi të enjten si për dreq, sikur nuk kanë gjetur vend tjetër, aty në fushën e parkexhit bëhet tregu i zonës . E nëse nuk gjen vend para se të bjere muzgu , të bjen të xhirosh disa herë lagjen e je me fat në se gjen një vend për të parkuar makinën. Që të mos zgjatem, u kthyem vonë nga pazari një të mërkurë e burri im i dashur po përtonte të bënte xhiron e lagjes. E parkoi aty pranë, në një cep të parkexhit . Unë thuaj mos e mos , po ku donte t’ja dinte ai. Pa më kthyer përgjigje ndaloi makinën, ngriti frenin e dorës dhe e gozhdoi aty. Që nga momenti që zbrita nga makina e dy orë më pas une nuk pushoja së llomotituri duke i thënë që të dilte e të shikonte se mos kushedi ishte lëruar ndonjë vend. Por ai e bëri veshin të shurdhër e shkoi e ra në gjumë. Desha s’desha rashë dhe unë për të fjetur, sigurisht me merak por gjumi më zuri top. Kur u zgjova në mengjes e kisha harruar fare atë punën e makinës. I përgatis kafenë tim shoqi , ja çoj në dhomën e gjumit e ja servir në krevat. Pastaj fillova të bëj ndonjë punë dhe hapa dritaren për të parë nëse ishin tharë rrobat, që ashtu e xhindosur siç isha një natë më parë i kisha lënë jashtë tërë natës. Atë çast në rrugën poshtë dritares sime po kalonte karroatreci me një makinë sipër.Pak më tej ishte makina e policisë rrugore. Nuk i dhashë rëndësi, në qytet të takon shpesh të shohësh një gjë të tillë. Vazhdova të grumbulloja rrobat e ndera e kur karroatreci u gjend tamam poshtë dritares ,më tërhoqi vëmendjen fakti se seç ishte diçka si shumë familjare mbi të ,ndaj lashë rrobat e po e vështroja me kujdes . Mezi më hyri në tru se ajo gjëja familjare ishte makina jonë që po e merrnin e po e shpinin tutje.
-Cohu o burrë se të ka ngritur makinën komuna me karroatrec!- i bërtas.
Nuk e kisha mbaruar fjalën kur ai kërceu nga krevati e u zhduk nga dhoma. Pas dy sekondave e pashë në rrugë që ndiqte karroatrecin me vrap derisa e kapi tek kthesa dhe e ndaloi. Nuk më bëri përshtypje dhe as më çuditi gjoba e majme që pagoi,kemi paguar shumë të tilla, por unë akoma dhe sot nuk e kam kuptuar , se si arriti t’i vishte pantallonat në aq pak kohë para se të dilte në rrugë…

Nuk ka komente:
Posto një koment