Tregim nga Suzana Kuqi
U çua nga shtrati duke mallkuar zilen e orës që nuk kish rënë. Ora kish mbetur sërish në mesnatë, e ajo priste që zilja t'i binte në gjashtë të mëngjesit. Nuk dinte as se si të justifikohej për vonesën në punë. Kish më shumë se dy javë që i ndodhte e njëjta gjë dhe po të mos ishte se gjumi i dilte vetë në mëngjes, apo që bënte gjumë të shqetësuar... kushedi se kur do të zgjohej. U la dhe u vesh me shpejtësi. Pongo, qenushi i saj edhe këtë mëngjes nuk do të dilte jashtë. Rrudhi fytyrën kur mendoi se në ç'gjëndje do t'a gjente shtëpinë. La hapur derën e ballkonit me shpresë se qenushi do t'i bënte aty nevojat e tij ,e doli me vrap nga shtëpia...
Shefi nuk ja hodhi sytë kur hyri në agjensi dhe kjo ishte shnjë se ai ishte i zemëruar me të.E kish toleruar mjaft , ish munduar t'i qendronte pranë e t'a ndihmonte në periudhën e vështirë të ndarjes...por tani... Daniela i kish hedhur pas krahëve ato strese, apo të paktën ashtu dukej. Dukej... jo, nuk ishte më i shoqi që zinte mendimet e saj, e kish zëvëndësuar me një tjetër , shumë më të mirë, veç se kishte një të metë të vockël... nuk ishte real...Një çift erdhi për t'u konsultuar për udhëtimin e pushimet që donin të kalonin jashtë shtetit. Daniela u dha gjithë informacionin që kërkuan, u bëri reklame hoteleve e restoranteve të atij qyteti të famshëm të cilin nuk e kish parë kurrë. E pastaj, ajo i buzëqeshi vetes, ajo nuk kishte nevojë të shkonte e t'i shikonte, mjaft të mbyllte sytë dhe... ja valët e detit që e përkëdhelnin, fëshfërima e gjetheve të pyllit dhe era e freskët që lozte me flokët e saj , ledhatimi i mëndafshtë i çarçafëve plot aromë ... ndjente edhe gishtat e shkathët të masazhistes së hotelit mbi qafë e shpatulla e përgjate kurrizit... U foli për këto në mënyrë aq bindëse , sa çifti nuk e zgjati e pagoi biletat.I ndoqi me sy kur dolën e ecnin të gëzuar e entuziastë në trotuarin pas xhamit të zyrës. Ah, edhe pak, mbylli sytë e gishtat e masazhistes i shkrythën dejet e qafës...oh, ç'kënaqësi. Ky po që është bekim. Që kur kish filluar të vinte në punë imagjinatën e ndjente veten më mirë, edhe kurrizi nuk i dhimbte më dhe ajo artroza e vjetër nuk ishte bërë më e gjallë. Hapi çantën, nxorri një kuti të vogël e prej saj mori një pilulë të cilën e gëlltiti duke e shoqëruar me pak ujë. Ishte qetësuesi që i kish dhënë mjeku kur ishte në krizë nervash për atë të flamosur divorc e tani ... nuk hiqte dot dorë prej tyre. Mjeku nuk kish patur kundërshtim. Fundja keq nuk të bejne, i kish thënë , mund t'i marrësh qetësisht. Atëherë kish filluar edhe të imagjinonte ... edhe atë ... Buzët ju hapën pak e i zbuluan dhëmbët e bukur e të bardhë duke e çelur fytyrën e saj , ndërsa sytë ju mbushën me lot. Befas ndjeu mall. Mall të largët por therrës. U alarmua. Jo, të lutem jo, nuk dua të vuaj ...U qetësua shpejt. Therrja i kaloi dhe i mbeti ajo ndjesi e ëmbël , pasojë e një kujtimi të bukur. Pas pak filloi të qeshte me veten e saj. Mall!? Për kë ?! As nuk e njihte, as nuk e dinte se ku jetonte, ishte thjesht një fytyrë e parë kalimthi në internet, as emrin nuk ja kish lexuar, ishte e ngjashme me atë të të shoqit , por shikimi dhe buzëqeshja ishin ndryshe...Ish kjo ngjashmëri dhe ky ndryshim që i kish bërë përshtypje dhe e kish fiksuar . As vetë nuk edinte se si e kish zgjedhur atë fytyrë në kujtesë për t'a mbartur me netëve pa gjumë. E kur e kish bërë pjesë të pandarë të ëndrrave të saj , e kish kërkuar përsëri në internet , por nuk e kish gjetur. Asnjë gjurmë ne sitet e preferuara të saj . Cdo gjë kish nisur kur kish filluar të merrte ato pilula dhe kur kish lexuar atë libër për shpirtin binjak . Pas kësaj kish filluar të kërkonte libra të tjerë të kësaj natyre. Diku e quanin pjesa tjetër e shpirtit e diku kish hasur edhe telepatinë. Netë të tëra pa gjumë duke praktikuar telepatinë e për të hyrë në kontakt me atë buzëqeshje të bukur. Kish filluar si lojë, për ti hequr mendjen vetes nga i shoqi që e kish lënë për një tjetër. E tani ... sytë ju mbushën sërish me lot malli, tani nuk bënte dot pa të. Nesër, mendoi duhet të shkoj tek doktori , t'ja spjegoj e të më kurojë, ndryshe do të më mbyllin në psikiatri.
Daniela as nuk trokiti në atë derë. Sapo filloi të ngjiste shkallët dëgjoi një zë brenda vetes “mos”. Mbajti këmbët. Kush i foli kështu, i kujt ishte ai zë. Tani kam filluar të dëgjoj edhe zera. “do t'a humbësh “ vazhdoi i njëjti zë, do t'a humbësh e nuk do t'a gjesh më “Zuri kokën me duar. Koka ju kthye në një fushëbetejë midis zërit të saj dhe atij zëri mik të paftuar. Si përfundim zbriti shkallët e vendosur. Aq i bënte se ai që i mbushte mendimet e ditës e të natës ishte real apo jo, dinte vetëm se ajo ndjenjë që kish për atë burrë ishte reale, më e bukur se ajo që kish patur për të shoqin. Daniela nuk donte t'a humbte.
Ndenji zgjuar atë natë duke parë një film në televizor deri sa u afrua mesnata dhe vuri zilen për në orën gjashtë. E kish dyfishuar dozën e pilulave, për një ditë nuk bëhet kiameti . Ajo ishte e shqetësuar, kish sharë veten që ish treguar aq e dobët e nuk kish shkuar tek doktori. Ishte munduar të përqëndrohej tek filmi për të mos menduar për atë, e kish larguar me hir e me pahir nga mendimet e saj .Sytë nuk ja shqiste orës, edhe një minutë e trokiste mesnata. Ja shifra e minutave nga 59 u bë 0. 24 00. Mesnatë. Priste të dilte 1.Befas , pati ndejsinë se një dorë e lehtë u zgjat nga ana tjetër e shtratit , nga jastëku tjetër dhe e preku.Mbeti e ngrirë. Një krah e rrethoi për beli e ajo desh ulëriti nga tmerri , por dy buzë u pështetën mbi të sajat duke i mbytur ulërimën e cila dalëngadalë u shndërrua në një psherëtimë të lehtë e të ëmbël. Daniela i mbante sytë mbyllur, nuk donte të shikonte se ai burrë që po e përkëdhelte e puthte ishte i padukshëm, nuk donte të mendonte se ishte pjellë e fantazisë së saj, ndijimet ishin të këndëshme e ajo ndjeu se po shkrihej e tëra derisa e zuri gjumi në krahët e tij. Në mëngjes , zilja nuk ra e ora kish mbetur 24 00. Mirëserdhe në botën e të çmendurve, i buzëqeshi fytyrës së saj në pasqyrë.E bukur çmenduri, më pëlqen.
Dhe ja , një mëngjes, ora nuk mbeti më.E pas kësaj edhe mengjeset që pasuan. Netët u bënë më të qeta, asnjë vizitë. Nga një anë e ndjeu veten të lehtësuar, mendimi se po shërohej e nuk do të përfundonte në çmendine e gëzonte. E kish kaluar edhe këtë furtunë të mendjes , e ç'furtunë se. Por kur kaloi java e dytë e ndjeu veten keq.I mungonte. I mungonte ai vizitor i ëmbël natës, jo për kënaqësitë imagjinare fizike që i falte , ndjente një shtërngim në krahëror sa herë që mendonte për të. E nëse këto nuk ishin vuajtje dashurie , çfarë emri t'u vinte ? U mbyll në vetvete , nuk e kërkonte më , nuk e thërriste, e kish braktisur dhe ai... Si ai tjetri, i shoqi ... megjithëse ai tjetri kish filluar të dukej nga pak e ndërronte dy fjalë me të. Kish trishtim e pendim në zërin e tij, punët siç dukej , nuk po i ecnin mirë me gruan e dytë , por fundja asaj aq i bënte për të. Edhe aludimeve të shefit , se mbase ai donte të kthehej tek ajo , nuk jua varte . Ai thjesht nuk i interesonte më dhe pikë. Tjetër gjë kërkonte zemra e saj, atë të pa arritëshmen , të parealizueshmen, ëndrrën dhe çmendurinë bashkë.Filloi sërish me ato libra të shpifur mbi magjinë e telepatinë : Kthehu tek unë !
- Një biletë për Amerikë ju lutem, e dua për nesër para...
Daniela nuk po e dëgjonte më, ishin ato buzë, ai dhëmb fare pak pak stërdhëmbësh , ata sy që pak nga pak tek e shihnin materializuan atë shikim.Zemra filloi t'i rrihte me forcë.
- Më falni , mund t'a përsërisni ju lutem- buzëqeshi ajo si e zënë në faj .
- Lëre fare ... nuk kam ndonjë punë të ngutëshme e mund të rri edhe ca ditë.Do të vij nesër .
Djali mori për nga dera. Daniela shikonte me ankth dorën e tij tek kapi dorezën .
- Kthehu tek unë !-pëshpëriti pa dashje me lotë në sy.Djali lëshoi dorezën e u kthye nga ajo.
- Njihemi gjë ? - sytë ishin të ethshëm e zëri dridhës.
- Jo , nuk besoj ,– u mundua të fliste qetë Daniela , ndërsa do të donte me gjithë shpirt t'i thonte se kish gati një vit që e njihte, se njihte deri erën e lëkurës së tij,se e dinte se ç'shije kishin buzët e tij dhe ç'ngjyrë i merrnin sytë në kohë të vrërët e në kohë me diell ...por si mund t'ja thoshte këto...
- Si thua , a vjen të hamë drekë bashkë ? Të pres pas punës.Ndoshta ...Nuk e di , kam nevojë të flas me dikë. Kam marrë gjithë këtë rrugë në Europë sepse...- ai filloi të qeshë,- dikush mund të më thotë se jam i çmendur, por nuk mendoj se këtë do të ma thonin sytë e tu.
- Cfarë nuk mund të të thonë sytë e mij ?
- Se jam i marrë , se ora më marroset me gjashtë orë, e se...po gjëmoj orën me shpresë se...
- Do të vij !
-......
- Do të vij t'a hamë atë drekë bashkë !- qeshi e gëzuar Daniela.
Imperia 1 Nentor 2008
Nuk ka komente:
Posto një koment