e mërkurë, tetor 22, 2008

Tani që edhe minjtë janë bërë krijesa të dashura dhe inteligjente



Nga Blerta Alikaj

Tani që edhe minjtë janë bërë krijesa të dashura dhe inteligjente (shihni Ratatouille), filmat kanë mbetur keq për personazhe negative, bile tamam tamam, për kriminelë. Krimineli ka tepër rëndësi në një film se sa më negativ është, aq më i mirë del heroi. Dhe ja ku dalin në skenë shqiptarët dhe bota e tyre e prerë për celuloidin.

Përse shqiptarët janë kandidatura më perfekte për kriminelë filmash? Ju rrëfej arsyet:
1. Shqipëria është dhuratë nga zoti për skenaristin e stresuar që ka nevojë për zgjidhje immediate. Askush nuk e di tamam ku ndodhet, as shqiptarët vetë. Kufijtë i ndryshojnë çdo pesë minuta, këtej i bien, andej i ngjiten copa, dhe klimën mund t’ia përshtatësh sipas qejfit. Kush do ta verë re nëse skenaristi i shton shkretëtirën e Kalaharit, ose e vë në kufi me Irakun?

2. Saktësia gjuhësore dhe historike. Ik mos na bëj për të qeshur tani.

3. Kriminaliteti. Tani që lufta e ftohtë ka mbaruar, rusët i kemi miq, jakuzza dhe mafia janë stërpërsëritur në pafundësi, njerëzve u kanë ardhur në majë të hundës policët e dhe agjentët e CIA-s të dalë nga binarët, terroristët mund të të hedhin në gjygj për njollosje karakteri, dhe francezët kanë Kanën, shyqyr Zotit që kanë dalë shqiptarët dhe bëmat e tyre në pah. Sipas burimeve të sigurta informative, megjithëse shqiptarët numërojnë vetem 3-6 milionë njerëz, ata të tërë mbajnë armë dhe trafikojnë femra në Francë. Dhe përdhunojnë plakat greke nëpër shtratet e tyre. Pa përjashtim. (Nuk e di nëse plakat i shpërndajnë me tollon. Pyesni skenaristët, jo ambasadat se ato do t’ju kërkojnë para. Po s’më besuat, shihni Inside Man.)

4. Paraqitja. Të gjithë e dimë se nuk ka paraqitje më të përshtatshme për kriminelat që shesin virgjëreshat amerikane në Evropë, sesa kaçurrelat e lyrosura bisht pëllumbi, mjekra e parruajtur, sytë e futur, balli me gunga dhe nofullat katrore. Si the, ku e njeh skenaristi kushëririn tënd? Po të tërë shqiptarët njësoj janë. (Se nga kemi dalë ne të tjerët, një Zot e di.) Një plus më shumë, tërë shqiptarët janë të shkurtër, prandaj nuk ka nevojë që heroi kryesor të veshë këpucë me taka.

5. Raca. Meqë ne jemi teorikisht të bardhë, regjizorët shpëtojnë nga akuzat e stereotipizimit dhe racizmit, bile quhen të guximshëm edhe realistë. Dhe meqë jemi praktikisht qytetarë të shkallës së dytë, spektatorët nuk identifikohen me ne dhe nuk zemërohen me regjizorët.

1. Çmimi i lirë. Bile çfarë çmimi, as mos më paguaj hiç, vetëm më jep një pjesë në film. Unë e kam për nder kur më marrin në punë të jashtmit dhe e bëj akademinë e arteve të plasë nga zilia. E shef profesoro si e bëj kriminelin! Edhe francezin bile! Pa duar!

2. Zakonshmëria. Njëkohësisht me veçoritë tipike kriminale që na dallojnë, jemi kaq të padallueshëm saqë mund të interpretohemi kollaj fare nga çfarëdolloj aktori relativisht i bardhë me aksent si; grekë, sllavë, meksikanë dhe Antonio Banderas. (Megjithëse Antonios hallall)

3. Diktatori. Dihet që ne kemi pasur një diktator për 50 vjet. Kjo na bën tërheqës në depresionin dhe zymtësinë tonë, si edhe shpjegon psikologjikisht tendencat sadiste, fiksimet dhe natyrën tonë kriminale. Për më tepër, diktatori është kaq ekzotik, sa e fusin kudo ku kanë nevojë të a) venë në dukje njohuritë e heroit b) bëjnë ngjarjen më interesante. (shih The Simpsons)


4. Koncepti i kanunit. Ky i ka ushqyer një sezon të tërë punonjësit dhe aktorët e Law and Order. Plus që i bën të duken të zgjuar në biseda intelektuale.


5. Feja. Dihet që ne kemi tre fe. Dihet që katolicizmi nuk preket, dhe ortodoksia shërben vetëm për ngjarje ekzotike nëpër filma. Terroristët janë gjithmonë myslymanë. Paçka se shumica e myslymanëve shqiptarë hanë e pinë me vëllezerit e tyre të krishterë, çifutë, dëshmitarë të Jehovait, mormonë etj. Ama emrin e kanë myslymanë prandaj janë fiks për terrorista.
Prandaj flini të qetë. Edhe njëherë, me dashje a pa dashje, shqiptarët shpëtuan civilizimin perëndimor. Për ata që kanë dyshime, imagjinoni një botë pa kinema dhe do ta shihni që nuk ekzagjeroj.
Shënim: Edhe pse jo analiste e mirëfilltë, autorja ka konkluduar studime ekstensive në fushën e kinematografisë botërore, brenda një periudhe relativisht të shkurtër. Të tëra gabimet drejtshkrimore, stilistike dhe në informacion janë faji i botuesve dhe i lexuesve, kurrësesi i saj.
Bibliografia:

* Taken
* My mom’s new boyfriend
* Inside man
* The silences of Lorna
* Një ndër tre episode nga Law and Order
* The Simpsons
* Wag the dog

Nuk ka komente: