e mërkurë, tetor 22, 2008

Sfida me shqipen



Prof. Papas Gaetano Petrota

Dy kapitujt e parë dhe pjesa e parë e kapitullit të tretë të këtij libri ishin shtypur kohë më parë si hyrje e një studimi mbi gramatikën e krahasuar që kisha ndërmend të botoja. Por, duke mos mundur të përballoj shpenzimet e mëdha që nevojiteshin për këtë, u detyrova të ndryshoj planin e veprës.

Rendita edhe njëherë, pra, lëndën e bollshme bibliografike të mbledhur prej meje përgjatë shumë vite hulumtimesh të kujdesshme, dhe kështu ka ardhur në dritë ky libër, i cili në tërësinë e tij, përmbledh të gjithë ato njoftime rreth popullit, gjuhës, letërsisë dhe studimeve shqiptare, që deri më tash kërkoheshin më kot në çfarëdo manuali.

Unë shpresoj se kjo meritë, edhe nëse e vetmja meritë, e punimit tim, do të bëjë që të më falen të metat jo të pakta dhe as të lehta që gjithsecili do të arrijë të vërejë me lehtësi në të: - mungesa e një përzgjedhjeje mes veprave me një farë vlere artistike dhe e shkrimeve edhe më pak se mediokre që janë përmendur në këtë vëllim, ku mbizotëron shqetësimi, që mund të duket i tepruar, për të shënuar libra, broshura dhe periodikë si burime gjuhësore për Fjalorin Shqiptar, të cilin e mendoj mes gjërave më të ngutshme për të cilën duhet të marrë masa Ministria e Arsimit në Shqipëri; - ndonjë përsëritje dhe ndonjë palidhshmëri, që i detyrohen ndërprerjeve të zgjatura e të shumta të shtypit (prej nga rrjedh edhe cilësia e ndryshme e letrës me disa fletë të zbehta dhe të keqpërdorura), për shkak të ndryshimeve të detyruara të vendqëndrimit dhe të punëzënieve shkollore që më kanë shkëputur nga studimet shqiptare; - ndonjë tregues i pasaktë bibliografik, që i detyrohet pamundësisë për të pasur përherë para syve shtypin dhe librat që janë bërë të rrallë ose deri të pagjendshëm; - heshtja, që askush nuk do të duhet ta besojë si të vullnetshme, rreth veprave që ndoshta do të kishin merituar të përmendeshin me përparësi ndaj shumë të tjerave, por që nuk kam arritur t'i njoh as drejtpërdrejtë e as tërthorazi.

Dhe në lidhje me këtë, ndërsa falënderoj të gjithë ata që më kanë dhënë njoftime biografike dhe bibliografike, si dhe autorët që më kanë dërguar botimet e tyre dhe në mënyrë të veçantë Sh.T. Imzot Pal Skiroin, i cili ka vënë në dispozicionin tim bibliotekën e tij mjaft të pasur me libra dhe periodikë shqiptarë, ju lutem fort të gjithë atyre që do të vërejnë gabime dhe pasaktësi në librin tim të kenë dëshirën të më vënë në dijeni për të ndrequr gabimet që atyre iu rezultojnë nga njohja e sigurt dhe e drejtpërdrejtë e veprave.

Për sa më përket mua, nuk kam kursyer as kohë, as mund duke hulumtuar me kujdesin më të madh të mundshëm, deri dhe duke ndërprerë ndonjëherë edhe për shumë muaj hartimin e këtij punimi në pritje të të dhënave dhe njoftimeve që u ishin kërkuar vetë autorëve apo bibliotekave ku gjendej ndonjë kopje e librave më të rrallë shqip.

Mund të pohoj se pjesa më e madhe e librave, broshurave dhe periodikëve, të cilët i përmend përgjatë rrjedhës së veprës, janë lexuar dhe studiuar prej meje.

Prandaj e pranoj dhe po e riprodhoj, edhe me çmimin për të qenë i patakt, gjykimin e Sh. T. Prof. At E. Pavolinit, njëri prej të paktëve kompetentë të njëmendtë të studimeve shqiptare, i cili me pak fjalë vë në spikamë të metat dhe vlerat e këtij punimi. “Libri juaj, - ka shkruar Prof. Pavolini, - është hartuar, sa gjykoj unë, me shumë kujdes dhe ndërgjegje; lënda është tepër e bollshme, ndonjëherë ndoshta e tepërt: ndoshta disa gjëra me vlerë të paktë mund të ishin lënë mënjanë ... por ju keni synuar të jetë i plotë, dhe libri juaj, në këtë këndvështrim, do të përbëjë një lloj enciklopedie të Shqipërisë letrare: vepër për të cilën vërtet ndihej nevoja”.

Sigurisht çmimi i inkurajimit që më është dhënë nga Akademia Mbretërore e Italisë përbën për mua një shpërblim të çmuar moral për mundimet e gjata dhe të rënda që kam hequr për të çuar në fund këtë vepër që, për herë të parë, bashkë me historikun e studimeve etnografike, gjuhësore dhe folklorike, u paraqet studiuesve një tablo pothuaj të plotë të letërsisë shqipe deri në vitin 1930.

Çmim më i lakmuar për mua do të ishte gjithashtu nëse ky libër, me gjithë të metat e tij, do të arrijë, siç jam i sigurt për këtë, të jetë i dobishëm për studimet dhe për studiuesit e albanologjisë, dhe nëse do të ndikojë për të davaritur paragjykimet që ende sot e kësaj dite qarkullojnë rreth popullit dhe gjuhës shqipe.

Çmim më i dëshiruar, më tej, do të ishte nëse do të arrija që me punën time të jepja edhe ndihmesën më modeste në marrëdhëniet e miqësisë mes Italisë dhe Shqipërisë, pasi në Itali janë lëvruar studimet shqiptare dhe një pjesë e rëndësishme, dhe jo padyshim më pak e vlershmja, e krijimtarisë letrare ka lulëzuar mes italo-shqiptarëve, të cilët me lidhje ngulmuese në traditat stërgjyshërore dhe me ruajtjen e mrekullueshme të gjuhës, edhe duke qenë ata qytetarë italianë, kanë mbajtur në çdo kohë të gjallë idenë e një Shqipërie të pavarur, zonjë të fateve të saj dhe të lirë për të rinisur rrugën e përparimit fetar, moral, qytetar dhe ekonomik në bashkëpunim vëllazëror me Italinë.

Palermo, Seminari italo-shqiptar, 24 qershor 1931

Nuk ka komente: