e mërkurë, tetor 22, 2008

POETI HAXHSAJ PERKTHEHET NE RUMANISHT






Dr. Luan TOPÇIU
Poeti kosovar Halil Haxhosaj po përkthehet për herë të parë në gjuhën rumune. Bashkë me poezinë e tij, lexuesi rumun do të krijojë dhe një përshtypje më të qartë të poezisë shqiptare të Kosovës. Sepse kjo poezi, mbart në vetvete elementë tipologjikë të gjithë poezisë shqiptare, posaçërisht të asaj që është shkruar në Kosovë, dhe padyshim tipare të poezisë moderne europiane.
Ajo që të bie në sy menjëherë, kur ke kontaktin e parë me të, mund të konstatosh lirisht, se kemi të bëjmë me një poezi të kondensuar. Poeti na ofron një lëndë gjuhësore të ngjeshur, me sa më shumë ide, me sa më shumë sugjerime lirike, në sa më pak shenja gjuhësore.
Ky proçes është i mundshëm në çdo gjuhë natyrale, aq më tepër kur fjala është për gjuhën shqipe, një nga gjuhët më të vjetra të kontinentit, me shumë mundësi ekspresiviteti dhe tejet e pasur me mjete leksikore dhe sintaksore. Poezia e Haxhosajt të kujton më së shumti tablo nga piktura minimaliste, ku thelbi i pasqyrimit të botës reduktohet në sa më pak objekte, në sa më pak ngjyra, në sa më pak mjete artistike, për të mbërritur sa më shpejt tek thelbi i gjërave - në kuintesencën e tyre.
Hoxhosaj dëshmon se është një poet i thellë dhe i rafinuar, me aftësi vëzhguese dhe përzgjedhëse, një artist që di të ndalet në momentin e përshtatshëm, të marrë në konsideratë detajet më domethënëse për poezinë e tij. Përzgjedhja me sqimë i detajeve dhe kapja e momenteve të përshtatshme poetike kryet, sepse poeti mbetet i interesuar për mesazhin lirik, dhe mesazhet e tij nuk tejkalojnë kurrë kufijtë e poezisë, teksti dhe ligjërimi poetik mbeten esencialisht lirikë.
Poeti mendon me figurë, ai artikulon mendimet e tij përmes fjalës të ngarkuar me imazh, përmes asosacinesh, përsiatjet mbi botën, mbi realitetin historik, mbi dashurinë, miqësinë, tradhëtinë, mbi njeriun në përgjithësi në këtë vëllim poetik-autori përpiqet të japë disa përgjigje me nota tejet vetanake.
Poezia e Haxhosajt është një poezi e përpunuar gjuhësisht, poezi që të fton për të zbuluar mesazhe të fshehura nër vargje, në nëntekst, në kuptimin vertikal të tekstit, ai na ofron vetëm një pjesë të botës së tij, pjesën tjetër na i le ne si lëçitës ta zbulojmë, ta ndërtojmë, ta krijojmë. Kjo lloj poezie implikon dhe një shkallë të lartë pjesëmarrjeje dhe bashkëpunimi të lexuesit me tekstin poetik.
Akti i përjetimit të kësaj poezie përfundon me marrëdhëniet me receptorin, sepse nga vetë natyra e tij, teksti poetik është një objekt polisemik, hipostazë që presupozon një hapje të pafundme në marrëdhënie me receptorin (si funksion transgjuhësor dhe transenunciativ). Poeti kupton, si rrallë poet tjetër, sensin e masës.
Atë që do të thoshte dikur Michelangelo, se skulptura është art i të hequrit dhe jo i të shtuarit. Ashtu dhe Haxhosaj, heq gjithçka të tepërt, poezia mbetet me atë që konsiderohet prej tij si tejet e domosdoshme, pa teprica, pa proliksitet, shpjegime të panevojshme, fjalë, shenja që do ta ngarkonin pa nevojë poezinë.
Kryesisht, poezia e tij është e shkurtër. Më shumë duket si rezultat i një reduktimi gjuhësor i më shumë ideve, imazheve, asosacioneve, meditimeve, se sa një poezi e konceptuar si e tillë. Kështusoj mund të themi se poezia fiton përmes kondensimit thellësi, hermetizëm poetik, magji, ekspresivitet, etj.
Në lëndën poetike që mbetet pas kaq e kaq operacionesh heqjeje dhe reduktimi, poeti ka kujdes për kombinacionet e mundshme të fjalëve, ideve, imazheve, për kombinimet gjuhësore për të krijuar një poezi që gjeneron ide e mendime poetike.
Poeti filozofon përmes fjalës dhe përmes ligjërimit lirik. Haxhosaj ka zgjedhur mjetet adekuate për të filozofuar, për të medituar, poezia mbetet thelbësisht e mbështetur mbi mjetet specifike të artit.
Sa herë kam dashur të shëtis kotësive
Të gjitha rrugët janë lidhur nyjë
Sa herë kam dashur të rri i vetmuar
Mendimeve u ka ardhur era myk
Sa herë kam dashur të çlodhem
Koha është vonuar për të ardhur
Sa herë kam bredhur pakuptimësive
Tym m’i ka dalë kokës
(Rrugët janë lidhur nyje)
Teksti poetik i mësipërm na sjell qëndrime ekzistenciale mbi vetminë, përsjatje mbi ontologjinë e qenies, mbi kohën dhe rrjedhjen e saj, mbi kuptimin e botës dhe mbi pakuptimësitë e saj. Haxhosaj në kërkimin e rrugëve të tij, në përçapjet e heroit lirik për të na dëshmuar përvoja ekzistenciale, na ofron rezultate dështimesh, trishtimesh, mosrealizimesh. Poeti është një mendimtar lirik, ai filozofon në mënyrë të figurshme, na jep sinteza të një vetëpërcaktimi ekzistencialist, na përcjell, njëherazi, një përvojë ekzistenciale që merr forma përgjithësuese. Poeti është transmetues i një shorti vetanak, i një dëshpërimi personal, i një zëri që kërkon të përçojë tek të tjerët: një mesazh lirik.
Halil Haxhosaj zotëron një timbër të veçantë në poezinë shqipe, një timbër tejet personal, tejet të përpunuar dhe tejet të pjekur, të kalkuluar, të matur, njëherazi të ngrohtë dhe plot ngjyrë. I botuar dhe i njohur në shtypin e specializuar, debuton në vitin 1964, e dorëzon librin e parë për botim në vitin 1979, fiton çmim në vitet 1980, vepra e parë poetike del në vitin 1992, për të arritur përgjatë këtij viti, në vëllimin e tij të shtatë.
Poeti ruan koloraturën lokale dhe kombëtare përmes artikulimit të shenjave poetike autoktone si: Dukagjini, Shtjefën Gjeçovi, Hasi e Gjakova, Drenica e Tetova, Tropoja, Tepelena, Kalabria, Manastiri, Janina e Çamëria. Autori ka kryer studimet albanistike në Prishtinë. Është kryetar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës në Gjakovë, profesor i gjuhës shqipe dhe autor i disa vëllimeve poetike, Damarë të ringjallur, Në kafaz me pantera, Këngë të ngrira, Zëra të grisur, Hija e orëligës. Librit të zotit Haxhosaj ia shtojnë vlerën edhe qëndrime dhe regjistra shumë të pasura me ndjenja, si një poezi autorefleksive ku heroi lirik i drejtohet mëkatit, mallkimit, faljes, pendimit, mallit, mëshirës.
Ardhja e poetit në gjuhën rumune është një ngjarje, një ogur i mbarë, që lajmëron ardhjen e poezisë kosovare tek lëçitësit rumunë, në këtë vend ku kanë parë dritën e botimit veprat e Naim Frashërit, Asdrenit, Lasgush Poradecit...

Ky është libri i parë, i një autori kosovar, që doli për herë të parë në gjuhën rumune: Halil Haxhosaj "Umbra viselor / Hija e ëndrrave", botim i Bashkëisë Kulturore të Shqiptarëve t Rumanisë, në përkthim te Baki Ymerit, me një parathënie të shkëlqyer, të dr. Luan Topçiut.

Nuk ka komente: