e mërkurë, tetor 22, 2008

Fenomeni Arian Leka



Andi Meçaj


Mendime për librat e tij poetikë “Anija e Gjumit” dhe “Strabizëm”
Poezia e Arian Lekës është tingull i bukur si dallgë, ajo shushurinë gjethnajë, të flet me zërin stërgjyshor dhe të futet thellë, në skutat më të fshehta të shpirtit.
Duke lexuar librin: “Anija e Gjumit”, hyn në një botë të lëngshme, ku anijet, dallgët, vjeshta, pema, gjethet, ndjenjat, dëshirat, ëndërrat, iluzionet, Durrësi, fëmijëria, adoleshenca, dashuria, malli, lamtumira, ankthi, të derdhen para syve veshur me petk muzikor, aq sa lexim përftohet më mirë si këngë, një këngë e brendshme, që të ngjitet në mendje e nuk të shqitet, siç zakonisht na ndodh, me melodi të preferuara e të arshivuara në kujtesë.
Me detin poeti Leka, ka lidhje të forta, aq sa mund ta quaj apo edhe ta “pagëzoj”:

“Poet i Detit”.
Nga libri “Anija e Gjumit” veçoj këto poezi:
“Murale”, “Babai Sheh Ëndërra” .../dhe mua..., /më duhet të vras gjithë kuajt, /që vijnë e më trembin babanë, /kur është duke ëndërruar.../
“Tetor”, “Ti dhe Unë”, “Kapedan” /Lundro nëpër venat e mia /kapedan ulqinak, /s’do e shohësh dajlanin në Bunë, /direku bashit /të mbiu në dorë - gisht i gjashtë; /...
“Në Valbonë”, Rënia e Engjëllit Nga Qiejt” /Gjethet bien.., /nuk janë pendët e mia, /mos i gënjeni me stinë fëmijët, /janë krahë të këputur perëndie /...
Është libër që të detyron ta veçosh nga moria e botimeve të sotme, ta lexosh hera herës dhe autorin e tij t’ua rekomandosh edhe të tjerëve.
Libri poetik “Strabizëm” është një shikim ndryshe i lëndës poetike. Lënda poetike është futur në laboratorin e tij krijues me të gjithë diapazonin, ngjyrimet dhe dimensionet e saja, nga ku përvetësohet, ringjizet dhe del prej andej një amalgamë kryekëput tjetër, diçka “strabike” apo siç shqiptohet kjo fjalë në origjinën e saj “Stravike”, e shtrembëruar, që unë do ta quaja më saktë e thyer apo e përthyer.
Libri ka një gjuhë poetike që të kujton atë të përrallave.
Ka rikrijime legjendash.
Ka rikrijime legjendash moderne.
Ka ritëm muzikor që nuk të lë ta ndash secilën poezi apo ta veçosh nga të tjerat, kjo e ben leximin në kontinuitet të domosdoshëm si një simfoni ku të gjithë instrumentet bashkohen aq mrekullisht dhe të duket se dëgjon vetëm një.
Poezia e Lekes ka një mallëngjim të fortë për traditën, për të krijuar një traditë të re të tijën.
Leka është një poet mesdhetar i lidhur me ujin, me udhëtimet me anije, me eksplorimin, të cilat shfaqen jo vetëm në formë por edhe në gjuhë.
Gjuha e librit nuk është kozmike, por tokësore, përfshin një rajon gjeografik të përcaktuar mirë, gjë që përbën dhe pasaportën e saj.
Edhe format e vjetra përshembull soneti, rondoja, e të tjera, duke u trajtuar në këtë kontekst nuk janë më një nostalgji forme të ngurosur por marrin një tjetër ngjyrim.
Sa më shumë ta lexosh dhe ta studiosh këtë libër, aq më shumë probleme nxjerr të cilat duhen shtruar në tavolinë.

Nuk ka komente: