e mërkurë, tetor 22, 2008

Shqiperia, Plutoni i “përjashtuar” nga sistemi diellor


Faruk Myrtaj

Pak kohë më parë, poeti Arian Leka realizoi performancën me titull “Na ishte një herë e një kohë... përpara Plutonit“. Kjo performancë, me moderim të dr. Lindita Arapit dhe nën vëmendjen e medias vendase, u krye në muzeun Leopold Hoesch në qytetin Dyren, Gjermani.
Në qendër të kësaj metofore qe vendosur ish planeti Pluton, i cili, sipas shkencëtarëve, pak muaj më parë, u “përjashtua” nga sistemi ynë diellor, pasi nuk plotësonte standartet, se ishte më i largëti, më i errëti, më i panjohuri e kështu me radhë. Të gjitha analogjitë shkonin e i bashkëngjiteshin Shqipërisë, më të largtës, më të panjohurës, që njëlloj si Plutoni, nuk i plotëson standardet.
Metafora e tejqyrës, përdorur nga Arian Leka, iu propozua publikut si një nga mënyrat për ta vështruar Shqipërinë dhe njerëzit e saj, për të zvogëluar distancën midis. Por bashkë me rekomadimin teksti i Lekës mbante edhe këshillën: CAUTION - përdoreni tejqyrën në anën e duhur të tejqyrës. “Ka shumë mënyra për ta vështruar Shqipërinë”, shkruante Leka në tekstin introduksion. “Mund të fillohet me një mjet të thjeshtë si tejqyra. Por këtu duhet të bëjmë pak kujdes sepse, si për çdo instrument, edhe për dylbinë jepet një këshillë si ato ku të thonë: mbajeni larg fëmijëve dhe zjarrit. Kështu pra, fillimisht duhet zgjedhur me kujdes ana e duhur e lentes. Nëse syri vendoset mbi lenten që zmadhon, Shqipëria afrohet aq sa mund ta prekësh edhe me dorë. Nëse e kthen nga ana e kundërt, lentja ia largon syrit pamjet dhe ky vend degdiset larg, shumë larg, edhe më larg nga ç’është në të vërtetë, madje edhe më larg se Plutoni...”
Deklamimi i tekstit si edhe i poezive u krye nga aktori i teatrit të Neusit-Këln, Holger Stolz. Leximet kulmuan me poezinë “In memoriam“ ku një varg u lexua në gjermanisht nga Stolz dhe tjetri në shqip nga Arian Leka. Tekstet poetike qenë përkthyer mjeshtërisht nga Hans Joachim Lanksch.
Veprimtaria u organizua me iniciativën e Asociacionit Heinrich Boell Haus, Bashkisë së Qytetit Dyren si dhe nën kujdesin e veçantë zonjës Dr. Dorothea Eimert, njëkohësisht dhe bija e kompozitorit të shquar gjerman dhe themeluesit të muzikës elektronike Herbert.
*************************************************


Introduktë

Në krye të herës ishte..., përpara Plutonit

Arian Leka


Të nderuar Zonja dhe Zotërinj, po japim lajmet më të fundit.

Shqipëria ndodhet në 39 gradë e 38 minuta dhe 42 gradë e 39 minuta të gjerësisë Veri. 19 gradë e 16 minuta dhe 21 gradë e 4 minuta gjatësisë Lindje. Aty gjenden të katër elementët jetëdhënës: Ajri. Zjarri. Uji. Dheu. Që nga koha e paleolitit të hershëm besohet se aty ka jetë. Por ajo është e vogël, aq e vogël, sa shpesh, po të sillesh si Guliveri, duke dashur ta tregosh në hartë, e mbulon me gisht dhe, në vend ta bësh të njohur, e fsheh edhe më shumë nga syri. Aty ka 2731 orë ndriçim diellor në vit dhe rreth 1430 mm. reshje vjetore. Kjo gjë krijoi kushte që në Shqipëri, përveç mbi 3 milion njerëzve me tipare adriatike, të ketë pasuri mbitokësore, lule, drurë, shpezë, shtazë, dete, liqene, lumenj, fusha e male. Jo vetëm Toka Mëmë, por edhe Plutoni, perëndia e errët pagane, ndihet i kënaqur nga dhuratat e nëndheut të saj, pasi aty ka qymyr të zi guri, bitum të zi, naftë të zezë, krom, hekur-nikel e bakër të kuq. Ata që e kanë vizituar këtë vend janë pak. Ata që kanë shkruar për të- ndonëse mes tyre edhe Ptoleme gjeografi dhe Herodoti - janë edhe më pak. Por mes tyre është edhe një gjerman, i cili, teksa kthehej nga Kryqëzata e fundit, diku mes viteve 1498-1499, u ndal në Durrës-Epidamnus sipas korkyrasve dhe Dyrrachium sipas latinëve, dhe teksa çlodhej në mol, mblodhi gjithsej 26 fjalë, duke krijuar rreth 500 vjet më parë, të parin fjalorth shqip-gjermanisht. Mes fjalëve të tij shquajnë dy që edhe sot e kësaj dite janë fillimi dhe fundi i çdo etike, estetike dhe morali të shoqërisë njerëzore: fjalën Mirë (myr) dhe fjalën Keq (kyecke). Ky ishte Arnold fon Harf, i lindur këtu pranë, rrethinave të Këlnit, jo më shumë se 20 minuta tokësore nga kjo sallë. Johannes Kepler, të cilin e përkujtojmë me nderim këtë dimër, në 435 vjetorin e lindjes, nuk kishte si ta dinte këtë, pasi nuk kishte lindur ende.

Pas Harfit, përsëri një tjetër gjerman; Gottfried Wilhelm Leibniz. Ky qe i pari që tha se gjuha e këtij vendi, e Shqipërisë pra, ishte gjuhë e shtëpisë, e familjes indeoeuropiane. Johannes Kepler, nuk kishte si ta dallonte, pasi shihte yjet, sferat, maste largësinë dhe elipset e atyre gjërave të përsosura që mund t’i shohësh vetëm duke ngritur kryet lart dhe që ndodhen aq larg nga vendi për të cilin bëjmë fjalë sot.

Ka shumë mënyra për ta parë Shqipërinë. Mund të fillohet me një mjet të thjeshtë si tejqyra. Por këtu duhet të bëjmë pak kujdes sepse, si për çdo instrument, edhe për dylbinë kur e blen të re, jepet një këshillë si ato ku të thonë: mbajeni larg fëmijëve dhe zjarrit. Kështu pra, fillimisht duhet zgjedhur me kujdes ana e duhur e tejqyrës. Nëse syri vendoset mbi lenten që zmadhon, ky vend afrohet aq sa mund ta prekësh edhe me dorë. Nëse e kthen nga ana e kundërt, lentja ia largon pamjet syrit dhe ky vend degdiset larg, shumë larg, edhe më larg se ç’është në të vërtetë, madje edhe më larg se Plutoni...

Përsëri Plutoni... Ju kujtohet Plutoni? Ju kujtohet rebeli që ndryshon format, që nuk plotëson kushtet dhe standardet për t’u quajtur planet? Të gjithë jemi zhgënjyer shumë prej tij. Plutoni i largët: më i vogli, më i errëti, më i panjohur, më shpresëpaku për shenja jete. Nuk ju kujtohet? Po mirë. Plutoni nuk vendos dot për veten. Pikërisht për këtë shkak, një komision i nderuar ekspertësh u detyrua të mblidhet dhe ta zhgradojë, ta quajë trup të thjeshtë e të shkretë qiellor, që vërtitet në hapësirë, sigurisht thjesht jo dhe aq për qejf të vet. Nuk ju kujtohet ky rast? Ka veçse pak muaj që ka ndodhur!?

Por ka edhe një Pluton në Tokë. Plutoni në Tokë është Shqipëria: e panjohur, e largët, e errët, shpresëpakë për shenja të mundshme jete ndonëse i ka të katër elementët. Thjesht një outsider. Diku aty. As Lindje, as Perëndim. As e krishterë dhe as myslimane... Që kaloi nga udhëtimi me kuaj drejt e në epokën me kuaj fuqi... Një As... As... Askush nuk e di gjithë të vërtetën kur flitet për përralla. Mbase tek antenat diçka nuk shkon... në marrjen a në dhënien e sinjalit. Njëlloj si Plutoni, ajo nuk i plotëson standardet dhe shqetëson herë pas herë të tjerët që mblidhen e vendosin si të sillen e çfarë të bëjnë me të. E di, ata, shkencëtarët, ata, kanë gjithmonë të drejtë. Por fantazia e mësuar dhe e rritur qysh fëmijë me 9 planetë, ndihet më e varfëruar pa Plutonin. Sistemi ynë diellor vërtitet si në një baladë me një kokë të prerë planeti në dorë. Ndërsa për Plutonin nuk më vjen keq fare. Atë fat paskësh pasur që në ngjizje. Për të paskësh qenë e shkruar dhe kësmet të jetë herë ish perëndi në jetën e mitologjisë nëntokësore dhe herë një ish planet në jetën e epërme qiellore. Do kishim arritur të jetonim mirë edhe pa këtë dituri të pa kundërshtueshme. Madje, edhe pa Pluton jetohet, ndonëse ka zëra që thonë se të këqijat e kësaj bote vijnë ose nga largësia e Plutonit ose nga idealizmi i Platonit. Por këtu ndodhemi jo të gjykojmë, por për të dëgjuar në gjuhën shqipe, në gjuhën e familjes pra, një poet shqiptar, aq të ngjashëm me vendin e tij.

Nuk ka komente: