e martë, tetor 21, 2008

Romani "Vdekja e Enver Hoxhes"

Kreu i dytë

VARGJE PËR GRA QË DINË TË VAJTOJNË
Kujtime të një studiuesi të ri në provincë


Sekretari i Parë i partisë së rrethit, i thirri të katër burrat në zyrën e tij të dielën në mëngjes. Fatosi hyri i fundit e, megjithatë, ishte dhjetë minuta para orës që kishin caktuar . Aty, veç, Namikut, drejtorit të Pallatit të Kulturës, që pat përcjellë lajmërimet ndodhej Thoma Miloja, që ish në ato vite, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve për rrethin, regjisori i amatorëve, Ulvi Çiço dhe Moisi Dhëmblani, poeti më i njohur i atyre anëve. Fatosi u habit kur pa Moisiun. E paskëshin thirrur nga Shtëpia e Pushimit ku kish vajtur tok me të shoqen.
Nga të partisë, veç të parit, ish edhe sekretari që mbulonte kulturën dhe artin në rreth, Ligoraq Belica. Ky bëri prezantimin e secilit, megjithëse Sekretari i Parë dukej se i njihte mirë të gjithë. Fatosit i hodhi një sy më të vëmendshëm, kur Ligoraqi i tha, që në Pallatin e Kulturës, Fatosi mbulonte sektorin e folklorit dhe kur pa që djali u ngrit, për respekt, në këmbë.
- Ti, do të të kemi caktuar tani vonë, - i tha i pari, të cilit dialekti
krahinës i dallohej më shumë se të gjithë të tjerëve që ishin aty.
- Si urdhëron! Dy muaj më parë – iu përgjigj Fatosi dhe u ul në
kulltuk.
- Këteja të kemi, apo je i ardhur?
- Këteja, si urdhëron! – tha Fatosi duke u ngritur prapë.
- Unju, mo, unju, se mbledhje solemne nuk e kemi. I kuja je ti?
T’i thosh emrin e babait, Fatosi ish i bindur që shoku Aziz nuk do ta
njihte. I tha të dajkos, vëllait të nënës. Me atë bëhej i njohur tërë fisi.
- Si, mo, qënke nipi i Pashos, Heroit të Punës?!! Bravo. Të vaftë
mbarë puna me folklorin e na dalç faqebardhë!
E ndjeu që kish qëndruar shumë me studiuesin e folklorit dhe nxitoi të
hapte temën e thirrjes.
- E dielë sot, ëh? Ju hoqa na gratë e fëmijët. Po do t’ju lëshoj shpejt.
Se, në fakt, ju kam thirrur… Ja, që kafenë e së dielës ta pimë tok!
Si me komandë, që të katër të thirrurit, nxorën blloqet e shënimeve.
- Jo, or jo! Ohua! Vrap shënimet, ju! – ia dha të qeshurës Sekretari i Parë. - Lerini ato! As protokoll e as procesverbal nuk do të kemi këtu. Kur ndonjë mik ju thërret për kafe, i nxirrni blloqet, ju?!
Duket që ai i paskësh rënë më parë ndonjë zileje të fshehtë, se aty u shfaq menjëherë Nora, kafexheshka e Komitetit të Partisë, që mesa dukej qe thirrur dhe ajo në ditën që bënte pushim. Nora u uroi një mëngjes të mirë, i pyeti me radhë se qysh e pëlqente secili kafenë dhe iku t’i piqte.
- Mbase Moisiu do edhe ndonjë fërnet, shoku Aziz, se ia ka qefi
këtij, - nxitoi të thosh Ligoraqi. - E kemi më mysafir se këta të tjerët, poetin. Dërgova veturën dhe e mora nga Shtëpia e Pushimit.
Të dy sekretarët nuk e bindën dot poetin që të merrte nga rafti i zyrës shishen e fërnetit. Të tërë ishin të bindur që Moisiu priste t’i thoshin edhe një herë më shumë. Por sekretarët nuk e nganë më.
- Ore djema, - e hapi më tej grykën e thesit i pari, - mua më doli
gjumi natën që shkoi e thashë t’ju thërres. E bëra me dije dhe Ligoraqin, ki ma pëlqeu mendimin. I thërresim, tha dhe ki! Apo jo, mo Ligoraq?
- Ashtu tamam, shoku Aziz.
Aty ra një heshtje, nga ato të rrallat fare. Ai i qe afruar thelbit.
- E hidhur është sa nuk bëhet, po, a keni menduar ndonjëherë,
se Komandanti një ditë do të na lerë?
Heshtje, po heshtje kjo e dyta! Heshtja e parë ish lule, para kësaj! Ish
nga ato që bëjnë të të buçasin veshët nga shurdhëria. Si arriti t’ia thotë goja atë gjëmë!
- Hë mo, po ju pies: e keni menduar, që shoku Enver, një ditë, do të
na ikë?
Kush t’i përgjigjej kësaj pyetjeje?! Le që ajo nuk ish pyetje. Ish
bubullimë!
Të ftuarve ua hoqi litarin Nora, që erdh’ e solli kafetë. I ndau ajo
dhe kushedi sa do jetë habitur që ata, shtatë burra aty, nuk lëshonin asnjë pipëtimë! Tamam sikur burrat të paskëshin prerë në mes një muhabet femrash. Veç, tek tuk, dëgjohej ndonjë përplasje luge, pas filxhanëve të kafesë. Nora mbaroi punë dhe i la. Kjo kohë qe mjaft për Namikun, drejtorin e Pallatit të Kulturës, për t’ia gjetur një përgjigje të parit të partisë. E ndjente drejtori i Pallatit të Kulturës, se atij i binte barra, si më i vjetër. Kështu, që kur Aziz Dejazi e bëri pyetjen për të tretën herë, drejtori nuk priti që i zoti i zyrës, t’i vinte pikë pyetjes.
- Vetëm ai nuk vdes! – i a ktheu Namiku me zë shpelle.
- Nuk ka vdekje për Enver Hoxhën, shoku Aziz! – kish menduar një
përgjigje edhe poeti, Moisi Dhëmblani. – Për ne, ka. Për të, jo!
Sekretari i Parë pa të dytin. I dyti qeshi dhe ia mori fjalën.
- Hë, mo, lerini folklorizmat, tani! – Ligoraqi i ftoi të qetësoheshin. –
Le që ju të tërë të zanatit të folklorit jeni. Mirë e ka pyetjen shoku Aziz. Ja, i mbylli sytë! Me folklore do të mburemi?! Të papërgatitur do të na zerë gjëma?! Kurrë mos vdektë, me ju jam dhe unë! Po ja, ta zemë, vdiq?!
Asnjeri nga punonjësit e kulturës nuk e ndjente veten mirë. Lloj lloj biseda, mbledhje e konsulta patën bërë ata, po asnjë si kjo! Mendohet vdekja e njeriut, merr masa familja për babanë e për nënën, sado të dashur t’i kenë. Po për Enver Hoxhën, kjo ish si e pa ngjarë. As në shtëpi e as në pazar nuk e zinte në gojë njeri atë ndodhi. Të gjithë ia vinin re atij tatëpjetën, keqësimin e shëndetit, plakjen. Qenë mësuar për vite me radhë me këtë, pasi e shihnin në ekrane, të nesërmen të gjithë i thoshin njëri-tjetrit:
- M’u duk mirë, këtë herë, ëh?
Me demek, ndryshe nga hera më parë, këtë herë ishte mirë. Mirë, patën
thënë ata, edhe atë herën më parë! Kjo lloj gjuhe vinte nga lart. Njerëzve u urdhërohej gjuha e nuk e shpiknin dot si ua desh qejfi. E flisnin shefat dhe vartësit ishin aq të mentshëm, sa ta kuptonin, që edhe shefat diku e kishin mësuar nga shefat e tyre më sipër. Po ama, nuk dëgjohej ndonjëherë, as prej shefave dhe as prej ndonjë veterani të luftës, të shprehej ndonjë dyshim, daç që të ish pozitiv, ngaqë dëshmonte dashuri, të llojit “sa ia kam merakun, mos i ndodhë gjë!” apo “le ta shtrëngojnë, mo, të mos punojë aq shumë, se edhe mosha ia kërkon çlodhjen, tani!” Pa për vdekje, jo or jo, as që bëhej fjalë! Mbase armiqtë ia deshin fundin Enver Hoxhës, por atyre nuk u a këndoje dot këtë dëshirë, se e mbanin mbyllur me nëntë kyçe! Kështu erdhi puna, që, as ata që e donin, as ata që nuk e donin, nuk e zinin në gojë atë vdekje.
Vjen dita dhe e dëgjon këtë në zyrën e Sekretarit të Parë të rrethit!
Fatosi, falenderoi fatin, që aty u përmend se ishte i ri në detyrë dhe me një të qepur të gojës, e shtyu tërë atë kafe të hidhur të së dielës. Të mëdhenjtë e partisë i polli belaja me Moisi Dhëmblanin, që nuk desh, jo vetëm përgatitjet për vdekje, por nuk lejonte njeri as ta shkonte nëpërmend atë.
- Do më falësh shoku Aziz, po pse ma bën kaq të hidhur këtë kafe që po
ma jep në zyrën tënde? Zotrote e di se sa të do populli i këtyre anëve. Njerëzit të shohin në dritë të syrit, e llafet t’i përpijnë, por vdekjen e Komandantit, nga goja jote, nuk duan ta dëgjojnë.
- E di mo që më shohin në dritë të sirit, e di! Po unë po hedh në kuvend
një ligj të natirës. Vdekja është…
- Nuk ka vdekje për Enver Hoxhën! – ia preu në mes, poeti. - Më fal që
të preva llafin, shoku Sekretari Parë! I ka thyer Enver Hoxha tërë ligjet e natyrës! Ku mund të qëndronte dot një njeri në krye të një vendi të vogël, kundër tërë botës së armatosur gjer në dhëmbë?! Ja të shohë bota, po nuk i theu ai, edhe ligjet e tjerë që ka natyra dhe të rrojë nëntëqind vjet! Nuk na takon ne të mendojmë, se si do ta përcjellim Komandantin tonë legjendar. Le të mendojnë ata, që vinë, tetëmbëdhjetë breza pas nesh, ata të cilëve nuk u ka ardhur sëra t’u lindin stërgjyshët, akoma!
Shokët e lanë Moisiun të fliste, po të gjithë mendonin si ai. Veshët e
sytë katër, ata! Ndiqnin, sa Moisi Dhëmblanin, aq dy sekretarët, që nuk dinin ç’të bënin. Moisiu ish për vete komunist dhe poet i njohur. Festivalet folklorikë e kishin jetën nga vargjet e tij. Në Pallatin e Kulturës vetëm u vishnin vargjeve të Moisiut meloditë popullore, siç u vishen mintanët e larë dhe të hekurosur mijëra here, trupave të rinj e të shëndetshëm të amatorëve të Pallatit. E këta trupa ishin vargjet e Moisiut. Vargje me peshë, jo shaka. Azizi me Ligoraqin, prandaj dhe e kishin thirrur, se ia deshën vargun e vajit, atë varg, që ta shkul lotin nga fundi i shpirtit. Po nuk kishin gjë në vijë me mirëkuptimin. Ai nuk u a pranonte mundësinë e vdekjes së Komandantit dhe i vinte në pozitë me fjalët, që ata vetë ia patën mëkuar dyzet vjet. Dyzet vjet atë gjuhë patnë dëgjuar njerzit prej tyre. Tani ata i luteshin Moisiut, hajd’ ta ndërrojmë gjuhën e të flasim, siç e do natyra! Ç’do t’i bënin? Do ta përjashtonin nga partia?! Pa ec e përjashto nga partia një komunist, që digjet nga dëshira që Enver Hoxha të mos vdesë kurrë!
I madhi lëshoi filxhanin dhe e shtyu tutje. Edhe të tjerët i patën pirë kafetë duke dëgjuar poetin fjalëstrall. Dukej se me kaq edhe do mbyllej.
- Edhe ju të tjerët kështu mendoni, si Moisiu? – pyeti Azizi tërë
grupin.
Ata ishin bllok. Sekretarët nuk i çanin dot. Ata tundën vetëm
kokat, po mjaft ishte edhe kjo.
- Është prekëse, për ideal!…. – ia bënte Sekretari i Parë, më shumë për
vete se për ata që kish përpara. E këto i thosh mes pauzash të gjata, duke ndjellë hundët. - Është mjaft prekëse, kur sheh njerëz që janë gati të të hidhen në fyt, po t’u flasësh për ndarjen me shokun Enver. Do t’ia raportoj Tiranës, këtë!
- Faleminderit për kafenë, shoku Aziz, - e mori fjalën drejtori i Pallatit.
– Edhe në emër të Pallatit të Kulturës, ju sigurojmë, se do ta bëjmë natën ditë për të realizuar detyrat që kemi vënë në plan. Por vetëm për këtë që na kërkuat, mos na kërkoni e mos na thërrisni më!
Këtë radhë Sekretarit të Parë i kërceu damari i ballit, por në vend të tij, të ftuarve iu shkreh Ligoraqi.
- Ka një kufi durimi, shokë! Ne na pëlqen dashuria juaj, por do
kapërcejmë mbi këtë, se ne, unë dhe shoku Aziz, e duam më shumë nga ju shokun Enver. Në fund të fundit, e mbyllim mbledhjen me ju dhe thërresim ca të tjerë. Punonjës të tjerë të kulturës, ne kemi plot.
Këtë nuk e patën menduar të ftuarit e atjeshëm. Se dhe të thërrisnin të tjerë, që t’i zëvendësonin, edhe kjo nuk u pëlqente. Lexohej qartë në fytyrën e Thoma Milos pakënaqësia për një zgjidhje të tillë. Edhe drejtori po kërkonte rrugëdaljen. Vetëm Moisiu nuk jepte shenja kthese. Ligoraqi vazhdoi:
- Nuk do Moisiu, që e kemi thirrur të na bëjë vargjet për një këngë vaji,
që ta kemi atë këngë gati, për vitet që vijnë!
- Kurrë! - ia preu Moisiu. - Unë e thyej penën!
Ligoraqi vazhdoi njësoj sikur të mos e kish dëgjuar kundërshtimin:
- Nuk do që ta lerë këngën e vajit gati, edhe makari për nëntëqind
vjetët, që thotë ai! Nuk do Moisiu, që ne t’ua lemë brezave që vijnë edhe dhimbjen tonë, dhimbjen e ne, njerëzve, që Enver Hoxha i udhëhoqi në këtë epokë heroike. Dashurinë për Komandantin, Moisiu mund ta shfaqë, jo duke mos na lejuar ta mendojmë ditën e zezë, që mund të vijë ndonjëherë. Ai mund ta shfaqë atë dashuri edhe ndryshe: duke bërë ca vargje që të qajnë gurët, që të rënkojnë nga dhimbja edhe malet. Nuk pranon Moisiu, ne do kërkojmë një poet tjetër! Jo aq të mirë sa Moisiu, por…
Poeti shkundi kokën e rëndë dhe me trimëri ia preu edhe njëherë
fjalën të dytit:
- Ngarkojani njeriu tjetër, por unë, po e mora vesh kush është ai njeri,
do vete ta vras e t’i them burgut: hapu!.
- Po mirë more, se po na ha kohë! Bëji ti ato vargje!.- iu bashkua
Ligoraqit, i pari.
- Kurrë! – i ra shkurt e fort Moisiu.
- Edhe kur këtë ta kërkon partia?
- Unë them, - mori fjalën me urtësi më në fund Thoma Miloja, që nuk e pat shqepur gojën hiç deri ato çaste, - them, se duhet të bëhemi më të urtë. Partia duket që një hall e ka. Nuk erdhëm ne që ta kujtojmë Sekretarin e Parë, për këtë ngjarje që mund të pllakosë vendin. Po na thërret ky. Pra, na e kërkon partia. Ti, Moisi, si do përgjigjesh kur ta kërkon partia?
- E bëj në vend! – tha poeti rëndë e rëndë.
Sikur nuk ish ai, që pat thënë do vras e do pres dynjanë! O, po, kjo
botë është bërë shkollë. Për ditë i mëson burrat se si ta ndërrojnë gjuhën e të mbeten prapë burra!
Aty u zbutën gjakrat, u shtrua muhabeti e u ndanë detyrat. Poeti mori përsipër të bënte vargjet për një këngë vaji, siç këndohej nga ato anë. U kërkohej të ruanin frymën popullore, vendase. Duheshin kërkuar e gjetur ca gra, nga ato, që ruanin traditat, që dinin se si shfaqet dhimbja me këngën e vajit. Nga ato vise i thonë të qarë me bot. Njëra thotë fjalët e të tjerat në fund të vargut i përgjigjen në kor, me oi-oi-oi-oi! Traditat qenë zbehur dhe ky lloj i qari, me bot, ish i rrallë e më i rrallë, se përdorej veç në ndonjë vdekje të madhe, kur ndahej ndonjë i ri i martuar një ditë më parë, apo ndonjë bir i vetëm i një fisi të tërë. Këto ngjarje ishin shumë të rralla e traditat treteshin avash avash. Po tani aty duhej. Kur të ndodhte humbja e atij njeriu të madh, ajo do të ish një nga ato gjëmat që vijnë një në njëmijë vjet - e pse të mos thuhej, - që populli do ta quante vdekjen më të hidhur, që mund të godiste kombin e shqiptarëve në historinë shekullore të tij.

Atë ditë, në zyrën e Sekretarit të Parë, njerëzit e kishin mendjen top, se po përgatisnim ksollin e zi për një të ardhme kushedi se kur. Ata do t’i bënin gjërat gati, me vargje, me kantilenë vaji, me zëra të zgjedhur, por ishin të sigurtë, që ky spektakël nuk do t’u duhej. E shumta, ata do ta përgatisnin vajin, do ta regjistronim për ruajtje në magnetofon, që të mbetej si trashëgim, por jo, nuk ua merrte kurrsesi mendja, që do kalonin ca ditë dhe kjo shfaqje e përzishme do të merrte jetë, do ta ekzekutonin dhe ajo do të rrëqethte të madh e të vogël! Kur, pas pesë ditësh, gratë që u zgjodhën, rrethuan arkivolin e Enver Hoxhës, që ish vendosur në sallën e Presidencës së vendit, Fatosi me shokë e kuptuan ngutin e sekretarëve të komitetit të partisë dhe rëndësinë e asaj kafeje të së dielës. Kur panë pastaj atë gruan, nga Malësitë e Veriut, që i ligjëronte ato vargje epike të dhimbshme mbi udhëheqësin e shtrirë, panë dhe burrat e Bregut, që shkundnin kokat përmbi të ndjerin Komandant, aq sa të ngrinin mornicat përmbi rrobat e trupit, atëherë e kuptuan, se atë të dielë, jo vetëm tek ata, por edhe në tërë zyrat e Sekretarëve të Parë të rretheve të Shqipërisë, po shpluhurosnin traditat e vajit. Të parëve të partisë u kishte dalë gjumi natën e u kishin marrë mendjen Sekretarëve të Dytë e ata kishin ftuar drejtorë, poetë dhe specialistë folklori. Kishin shkulur nga shtëpitë edhe kafexheshat e Komitetit, për t’u dhënë nga një kafe këtyre punonjësve të kulturës. E, me siguri, as në njërin nga rrethet nuk kishte vajtur e fshehta, por është thënë, se atë ditë të zezë nuk do ta arrijmë, por le të mos e lemë kobin të na gjejë të papërgatitur. Gratë që vajtonin do të mbyllnin sytë më parë, burrave të Bregut do u kish mbirë bari e të tërë këtyre do t’u thuhej faleminderit për atë dhimbje të gatshme, si zahiretë, që bëhen e kyçen në verë, ngaqë do të duhen për dimër.
Shokët e partisë shfaqën ndonjë mendim, se si do të duheshin vargjet, që mori përsipër Moisi Dhëmblani. Por ky ua preu:
- Mos më ngani! E di vetë! Se më ther zemra, vetëm kur e mendoj!
E ata nuk e nganë Moisiun. Në atë qytet, Moisiun e trajtonin ca si
monument, kështu që e lanë mënjanë atë dhe u morën me dy të tjerë që nuk ia thoshin për monumente. Atyre iu vu detyrë urgjente të gjenin gratë që do të qanin me bot. Zgjedhja duhej bërë me kujdes, në ato të pakta, që mund të kishin mbetur, se në ato kohëra, nuk i gjeje dot kollaj. Ato duhet të ishin të përkryera, daç nga përbërja politike, daç nga aftësitë profesionale. Atë që do të thosh fjalët, e që me gjuhën e zanatit, i thonë soliste, e paskej zgjedhur Ligoraq Belica, i cili, me sa dukej, e kish menduar këtë punë edhe më parë se t’i dilte gjumi shokut Aziz. Ai u zgjati emrin dhe adresën e saj në një copë letër. U tha, se Mukades Ricua ish sojlie, e shoshitur denbabaden. Vetëm në trungun e saj ajo kish gjashtëmbëdhjetë komunistë: burrin, djalin, tri vasha të martuara e dymbëdhjetë nipër e mbesa!
- Merruni me zgjedhjen e të tjerave juve, - porositi Ligoraqi, Ulvi
Çiçon. Kjo që po u jap unë për të udhëhequr vajtimin, në fund të javës marton djalin, prandaj merreni me të mirë. Trokisni nesër tek ajo. Që t’i ketë bërë llafet Moisiu e t’u kemi hedhur atyre një sy edhe ne.
Kështu kuptohej se te të tjerat, duhej trokitur që atë ditë! Drejt e pas
kafesë! E dukshme binte kambana edhe për Moisi poetin, të cilit, gjithashtu, ia deshin vargjet me të dalë që andej

Fatosi me Ulviun dolën nga Komiteti i Partisë dhe e mbajtën frymën në Pallatin e Kulturës. Hapën listat e grave që kishim shpënë në Gjirokastër, në Festivalin e Folklorit edhe u munduam të nxirrnim një listë tjetër me ato që u duheshin. U fjeti mendja te një grua që i afrohej të gjashtëdhjetave dhe e pleqësuan që ajo duhej vënë në krye të grupit. Kështu ajo do të ndihmonte për listën përfundimtare, që detyrimisht do ta shqyrtonin dhe në Komitet, se mos u dilte ndonjëra me biografi të papërshtatshme dhe të fshehur. Vitoria që zgjodhën në regjistrat e Pallatit, nuk kish nga këta lloj problemesh, ish e qëruar se pat marrë pjesë në tri festivale radhazi.
E gjetën shtëpinë e Vitorisë. Ajo banonte në një lagje të qetë, ku sokakët nuk e njihnin asfaltin dhe kalldrëmin e kishin të punuar nga ustallarë të vjetër. I trokitën në portën e oborrit. E gjetën në shtëpi. Ajo i priti njerëzit e Pallatit të Kulturës tok me burrin dhe i futi ata në dhomën më të mirë, aty ku prisnin miqtë. Ulviu u tregoi arsyen e ardhjes së tyre. U kërkoi ndjesë që po ua zinin shtëpinë ditën e djelë. Pastaj e vërtiti muhabetin edhe më mirë se ç’e kishin bërë sekretarët me ta. Burrë e grua dëgjuan se çfarë kërkonin ata nga Vitoria dhe nuk nxorën asnjë fjalë, sikur patën përpirë gjuhët. Zonja e shtëpisë, pa dhënë përgjigje fare, doli të merrte diçka që të qeraste mysafirët, kurse burri kyçi gojën dhe nuk dinte ku t’i shpinte sytë. Pas pak vajti dhe ai, bashkoi të shoqen dhe, nuk kishin kaluar as pesë minuta, kur burrë e grua u shfaqën të dy. Nuk sollën as liko e as kafe, por katër sy që u lëshonin flakë.
- Qërrohuni që këtej! - i u shkreh gruaja që ata e kishin caktuar të
udhëhiqte ison e vajit. – Zhdukuni nga shtëpia ime dhe të mos u a shoh bojën! Zuzarë! I merrni të keqen Komandantit, ju!
Të dërguarit e Pallatit u ngritën në këmbë edhe dhe deshën t’i
sqaronin edhe më mirë, por aty hyri në valle burri. Ata bërtit - e ai ulërit! Buçiste odaja e miqve e nuk merrte vesh qeni të zonë.
- Mbathjani sa s’kam rrëmbyer çiften, - tha më në fund burri i amatores,
- se po e mora, do t’ju a mbush zorrët me saçme!
- More, dale, - u tha Fatosi. – Se na nuk jemi as të marrë dhe as armiq.
Kemi një porosi partie. Porosinë e kemi nga vetë shokët e ngushtë të Enver Hoxhës!
- Ia kemi parë shokët e ngushtë atij, na! Dyzet vjet që përpiqen t’i
bëjnë varrin! – nuk mbahej burri.
E tërë mëhalla do të qe ngritur në këmbë.
Dy të dërguarit deshën të iknin nga sytë këmbët, por nuk arritën. Duket se Vitoria u paskësh bërë zë djemve. Ata hynë që të tre me tërsëllëmë dhe e iu bënë krah babait. I shtynë vizitorët në oborr drejt portës, pastaj zunë t’i godisnin me këmbë e me duar, me grushte e me shkelma. Të rrahur, po të rrahur! I hodhën jashtë shtëpisë, e i plasën mbi kalldrëm, po për fat asnjeri nuk i pa. Aty mbi gurët e sokakut, instruktorët e Kulturës nuk po i ndjenin shembjet, se ishin akoma të nxehtë. Ulviut i dukej një e çarë në ballë dhe ata u morën gjatë me të deri sa e ndalën gjakun që rridhte.
Vendosën të mos ankoheshin gjëkundi. Qe e kotë: do të lartonin Vitorinë, burrin dhe djemtë e Vitorisë! Dhe pastaj e merrnin me mend, se kështu do t’i përzinin kudo që të trokisnin.
- O po, lëre! - dha një mëndje të mirë, Ulviu. – Pyesim plakat tona,
pyesim lart e poshtë, formojmë listën me gjashtë gra, ia shpiem Ligoraqit dhe kur të na i miratojë ai, i thërresim të gjitha në Pallatin e Kulturës. Atje ato, nuk na hidhen dot në fyt. E shumta, do përpiqen të ikin, ngaqë nuk duan të dëgjojnë për vdekjen e Komandantit, siç deshim të iknim edhe ne, nga zyrat e partisë. Por në zyrat tona të Kulturës do jemi shumë vetë e do ta kemi më kollaj t’i bindim.
Ashtu bënë. E formuan listën që atë natë. Po atë natë ia shpunë
Namikut. Drejtori kish trokitur që në mëngjes në Komitet të Partisë dhe ua solli listën të miratuar. Ulviu i kërkoi drejtorit të niste korrierin e t’i thërriste gratë të vinin në kohën e drekës në zyrën e seksionit të folklorit.
Ulviut i binte në sy leukoplasti që pat vënë mbi të çarën e djeshme. Fatosi u ul disa herë të trazonte tastet e pianos, por mezi qëndronte, ngaqë i therte kërbishtja. Ata nuk i rrëfyen Namikut që kjo ndërmarrje pillte kundërshtime më serioze se shpërthimet folklorike, që u përmendte me të tallur, Ligoraqi.

Gratë që thirrën me korrier nuk kishin ardhur ende, kur u fut në drejtori Moisi Dhëmblani me Thoma Milon, kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve. Vinin nga zyra e shokut Aziz. Moisiu i kish sytë flakë të kuq nga pagjumësia.
- Tetëmbëdhjetë herë e shkrojta dhe e prisha, - tha ai me zë të ...

vazhdon...

Nuk ka komente: