e mërkurë, tetor 22, 2008

Laureati Fatos Arapi




Pak kohe me pare, Akademikët Ali Aliu dhe Mateja Mateski thanë se çmimi i Mbrëmjeve strugane të poezisë shkon në duar të vërteta, tek autori që shërben si shembull për shumë poet të rinj.
Katedra e gjuhës dhe letërsisë shqipe të universitetit të UEJL-it në Tetovë si dhe Instituti i studimeve politike dhe ndërkulturore, në kuadër të edicionit të 47 të mbrëmjeve strugane të poezisë organizoi prezantimin e laureatit të sivjetshëm, fituesin e “Kurorës së artë” poetin shqiptar Fatos Arapi. Për veprën dhe jetën e tij foli akademik Ali Aliu.
“Për Fatos Arapin mund të them se është njëri nga dy-tre poetët më të mëdhënjë të pjesës së parë të shekullit 20 dhe të fillimit të këtij shekulli, i cili ka arritur kulminacionin e tij në poezi. Shumë nga poetët e gjeneratave të reja ia kanë zili. Poezia e Fatos Arapit ka dimension evropian dhe si e tillë është pranuar gjithkund ku është përkthyer në gjuhët evropiane", tha Aliu.
Akademiku Mateja Matevski i cili ka përkthyer 15 vepra të Arapit, nga shqipja në maqedonisht, tha se çmimi shkon në duart e vërteta.
“Mbrëmjet e Strugës realizuan një projekt shumë të rëndësishëm me ndarjen e Kurorës së artë Fatos Arapit, së pari ai vërtetë është poet i rëndësishëm shqiptar dhe evropian me domethënie universale edhe pse është poet shqiptar me çka poezia shqiptare, për të cilën kam mendim shumë të mirë, i bashkohet këtij çmimi prestigjioz ndërkombëtarë", thotë Mateja Mateski.
Mbrëmjet strugane realizuan një projekt shumë të rëndësishëm me ndarjen e “Kurorës se artë” për Fatos Arapin së pari, sepse ai është vërtet poet i rëndësishëm shqiptar dhe evropian me rëndësi universale, dhe së dyti për arsye se është poet shqiptar me të cilin poezia shqiptare, për të cilën kam një vlerësim shumë të madh, përfshihet në këtë çmim prestigjioz ndërkombëtar.
Për poetin Arapi, i cili në shenjë falënderimi mori piktura artistike dhe ”Maska e artë”, folën edhe akademikët Luan Starova dhe rektori i universitetit të SHTUL-it Vebi Bexheti. Të pranishëm ishine dhe shumë politikan vendas.



Shtigjet poetike te Fatos Arapit


Fatos Arapi lindi në qytetin e Vlorës. Po atje ai kreu shkollën e mesme, ndërsa studimet e larta i ndoqi në Bullgari (Sofje) në fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë. Ka punuar shumë vjet gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori Filologji të Tiranës. Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi. Përveç poezisë ku ai qëndron në rreshtat e parë, F. Arapi ka shkruar disa novela: Patat e egra, 1969; Cipa e borës, 1985; Gjeniu pa kokë, 1999 etj; disa romane: Dhjetori i shqetësuar,1970; Shokët,1977; Deti në mes,1986; disa drama: Partizani pa emër,1962; Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku,1995; ka bërë disa përkthime: Këngë për njeriun, Nikolla Vapcarov, 1981; Poezi, Pablo Neruda, 1989; Safo, 1990; Antologji e poezisë turke etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme. Poezitë e para F. Arapi i botoi në gjysmën e dytë të viteve pesëdhjetë, dhe, përkatësisht në vitet 1962 e 1966 botoi vëllimet "Shtigje poetike" dhe "Poezia dhe vjersha". Që në hapat e parë ai paralajmëroi një zë të vëçantë në artikulimin gjuhësor të botës dhe të njeriut, një vizion të vetin mbi realitetin. Fillimet poetike të Fatosit do të jenë tematikisht të rrudhura e të reduktuara, duke u kushtëzuar nga rrethanat politike të kohës. Në frymën e hovit ndërtimor dhe të entuziazmit për çlirimin e vendit, që mbizotëronte brenda parimeve krijuese të realizmit socialist poeti shpaloste besimin se Shqipëria ecte drejt një rrugë të re, të lirë, dhe ky besim bënte të përballohej më lehtë durimi dhe sakrifica. Brenda këtij vizioni, Fatos Arapi shpesh do t'i përqeshë e përbuzë burokratët dhe demagogët, si në poezinë "Antiburokratike", apo do të sjellë disa veçanti përmbajtësore dhe ekspresive si në poezinë "Pse erdha në jetë". Siç shihet, poeti i thurr ode lirisë dhe "mejtimit të lirë" siç e quan ai. është synim dhe ideal madhor, pas të cilit poeti magjepset dhe përbetohet.
Parë nga kjo perspektivë vetë çensurimi, mund të bëhen interpretime të shumëfishta: se shoqëria e re është ajo që sjell dhe garanton lirinë, apo, se poeti sikur e ndien të rrezikuar lirinë, prandaj del në kundërshtim të brendshëm me kohën e vet. Cilido nga interpretimet duhet marrë parasysh dhe për faktin e leximit zyrtar të poezisë. Por, edhe në rrafsh të artikulimit gjuhësor, në përzgjedhjen e figurës dhe të figuracionit, Arapi do të kërkojë mundësi të reja në thurrjen e vargut dhe artikulimin e fjalës. Eshtë ndjerë e hutuar mbase dhe vetë çensura përballë vërshimit të figurshëm në stilin "Nata shkon shaluar mbi kurriz të maleve", "Nata e ngarkuar me alarme...", te poema mjaft e ndjerë dhe e suksesshme e asaj kohe "Alarme të përgjakura".
Në fillim të viteve shtatëdhjetë, e sidomos me veprën e botuar më 1972 "Më jepni një emër", besimi dhe entuziazmi mbi të nesërmen e sigurtë sikur fillon të meket. Do të vërehet kjo në dy rrafshe: në përsiatjet për idenë e ekzistencës, (në çastet e dëshpërimit personal) dhe, në prirjen e figurshmërisë së mbyllur, për të mos qenë deri në fund i lexueshëm. E tillë mund të jetë dhe poezia, titullin e së cilës mban vëllimi "Më jepni një emër". Vërehet se shumë dilema shqetësuese fshihen nëpër vargje, shumë çështje dhe kategori vihen para pikëpyetjeve, ose të paktën shumë çështje të ekzistencës mbesin të hapura... Dhe pikërisht gjatë viteve shtatëdhjetë, syri zyrtar do të dalë publikisht me alarmin nga rreziku i një poezie të tillë. Qoftë në frymën e entuziazmit dhe të besimit të fillimit, qoftë në kuadër të shenjave të para për zvetënimin e këtij besimi, poezia e Fatos Arapit për gjatë gjysmë shekulli arriti ta ruajë tërësinë e qëndrueshme estetike dhe etike. Në planin tematik, poezia e tij nuk e vuri poezinë në shërbim të politikës së ditës. Në rrafshin e shprehjes, ai vazhdoi të jetë origjinal duke e zgjeruar hapësirën krijuese dhe artikulimin figurativ. Zakonisht vetëm me një lëvizje, me një shpërthim befasues, poezia e Fatos Arapit sugjeron thellësí dhe hapësira universale përfytyrimi, duke e vendosur objektivin poetik brenda konteksteve të reja ekzistenciale, ku shquhet mprehtësia e mendimit. Edhe figura, prandaj del përherë e re, çuditërisht e freskët, e ngarkuar me përmbajtje dhe ndjeshmëri të papërsëritshme.
Është një gjuhë poetike e aftë ta ndjekë e ta artikulojë të fshehurën, të padukshmen, të ndrydhurën në mjedisin që e rrethon, me tërë tragjedizmin, trishtimin dhe egërsinë bashkë. Mund të thuhet se figura në poezinë e Arapit është ndër më efikaset dhe ekspresivet në poezinë bashkëkohore shqiptare. Në mpleksjen ndërvarëse: nga njëra anë realiteti, nga ana tjetër imagjinata, emocioni dhe intelekti, lind kjo lirikë. Prandaj lexuesi e gjen, e zbulon veten me ndjesinë se dhe ai kështu e përjeton botën përreth, por nuk ka mundur ta formulojë ashtu. Nga përplasja e poetit: (imagjinata, emocioni, filozofia) me realitetin, reflektohet synimi drejt përsosjes së njeriut.


Është një loje


Është një loje e madhe, e dashur
lodrojne fjalët, ritmet, rimat;
perqafohen figurat, vijnë rreth dritave
si fluturave prej rrezeve te diellit
u perzhiten krahet
ato prapë gicilohen me dritat
Loje e hapesirave
qe mbyllen të gjitha ne buzët e tua
kur ti vet qenke ne buzë te jetës
firome e mermerimes se tyre
Është një loje e vërtetë, e dhemshura ime
loje e mjergullave, qe tretën nëpër agime
për te rilindur mbremjeve ne gjire te fushes
..se detit
e legjendave, qe jetojne midis mjergullave
qe braktisin vet legjendat
e te nesërmen përsëri dalin prej tyre
si zogjt e pellumbave – prej levozhges se bute
loje e endrrave, qe shartohen nëpër trungun
.e endrrave
e dallendysheve qe sapo ngriten folene
brenda syve te tu
loja jote dhe imja;
loje e vdekjes dhe e perjetesise.

Ata qe dashurojne akoma
Ata qe s'kanë buke,
kur te kujtojnë buken,
ty dhe mua le të kujtojnë.
Ata qe s'kanë zjarr,
kur te kujtojnë zjarrin,
ty dhe mua le të kujtojnë.

Të pagjumet e botës,
me syrin hapur si nata,
ne mesnaten e tyre
ty dhe mua le të kujtojnë.
Ata qe kanë vdekur
dhe dashurojne akoma,
ty dhe mua le të kujtojnë.

28 Korrik 1451
...Kte ditë si Rozafen

muroseni themelit ne keshtjelle

Dhe vetëm gjirin ia lini pak jashtë,

gjaku i Muzakes te rrjedhe.


Do vijnë ditë te tjera

aty te pine paprere.

Do te jenë ato ditë--Vajkal,

Albulene do të jenë...



Po trokas ne zemren tënde


Motiv arberesh

Po trokas ne zemren tënde
hapma deren,zonja ime!
Kaloj pragun e hyj brenda...
Dua qe te kem mbi krye
hapësirën ere yjesh;
te shikoj rrekete qiellore
se si lozin gjithë dritëza
burimit te syrit tënd.
Dhe si luftetar i varfer
qe te mbështet kryet mbi gurë,
gjer te nise lufta prapë,-
dua koken ta mbeshtes
mu ne gjoksin tënd prej dielli...

...dhe te marr,moj,një sy gjume.

Nuk ka komente: