e martë, tetor 21, 2008

“E papërmbajtura lehtësi” e... të mëdhenjve


GRIGOR JOVANI

Moda ka llogjikën e qarkut: herë pas here bën ciklin e plotë nëpër pasarelat. E vjetra bëhet e re dhe anasjelltas. Nga kjo llogjikë përfshihet shpesh edhe arti. Konkretisht, letërsia. Siç ndodh me “çarkun”, ku herë pas here bien të mëdhenjtë e letrave. Papritmas, qiejt letrarë mbushen me shkrepëtima të llojit: filan shkrimtar i famshëm, madje nobelist, nuk është ajsbergu që shihet. Ajo çka fshihej dhe që doli në dritë kaq befasisht është tmerrsisht shokuese. Zbulimi është sensacioni i ditës. Goliathi i tanishëm, dikur na qenkësh David. Shkëlqimi aktual s’mund të fshehë errësirën, prej nga vjen, që të plotësojë qarkun. Se edhe ditënata ka ciklin e saj të plotë. Kështu, planetet letrarë, nobelistët, gjigandë për nga madhësia dhe vlera, humbasin një ditë gravitetin. Bëhen si kozmonautët në hapësirat ndërplanetare, që duke humbur peshën, bëhen fluturakë në mëshirën forcave të tjera. Ndërvaren prej tyre. Pushtohen nga një lehtësi e padurueshme, e papërmbajtshme. Si është titulli i asaj kryevepre të Kunderës? “E papërmbajtuar lehtësi e të qënit”. E ekzistencës. Në rastin tonë: “E papërmbajtura lehtësi e të... mëdhenjve”.

Para një viti, Ginter Gras. Nobelist. Njeriu që i dha një rëndesë të pazakontë letërsisë gjermane të Hajnes dhe Shilerit. Por që një ditë humbi peshën nën këmbët e veta. Rrezikoi të bëhej një asteroid fatgjorë në qiejt kozmikë të letrave. Shtypi i përbotshëm botoi fotografi të rinisë së hershme të nobelistit të sotshëm, ku djaloshi Ginter përshëndeste kobshëm: “Hail Hitler!”. Sensacioni: Ginter Gras bënte pjesë dikur në rininë naziste! Parakolonte nën kolonat e Branderburgut, duke i kënduar superioritetit të racës së vet dhe Fyhrerit të Rajhut.

Mpirje. Shok i përbotshëm. Si?! Ç’farrë?! Është e mundur?!

Për gjermanët e atëhershëm, doemos, kjo ishte kulmi i lavdisë. Por për të sotmit... Është krejt i ndryshëm nocioni i lavdisë. Ju kujtohet: u desh të kalonin dhjetra kampionate botërorë dhe evropianë futbolli, që gjermanët e pasluftës të këndonin qoftë dhe hymnin e kombit, nëpër stadiumet e tyre olimpikë dhe kombëtarë. Qenë të djegur (dogjën dhe botën mbarë) në “gëzime” të tilla. Mendoni, sipas llogjikës së tyre të sotshme, megavatët e tanishëm të bombës Gunter Gras...

Moda kishte qëlluar në shenjë. Praktikë e sprovuar. Bashkëpatriotë të tjerë të famshëm letrarë, qenë akuzuar para tij, kohë më parë. “Lakenj” të të njëjtit padron, pushtetit, veçse tashmë me ngyrë tjetër. Gjarmanolindërët Krista Volf dhe Hainer Miler, sipas të dhënave të publikuara, ishin agjentë të STAZ-it, Gestapoja moderne e të kuqve gjermanolindorë.

Pak më tej, hungarezi Istvan Sabo, regjisori që hodhi shkëlqyeshëm në ekran “Mefiston”, të njohur dhe të pëlqyer si libër edhe nga publiku shqiptar, u akuzua si spiun i policisë sekrete, gjatë kohës kur studionte në Budapest.

Dhe tani së fundi, vetëm para disa ditësh, bomba e re. Tashmë e përmasave vërtet “ndërplanetare”. Simboli i disidencës së Lindjes gjatë Luftës së Ftohtë, shkrimtari çek Milan Kundera, ai që me romanin “Shaka” nuk bëri aspak shaka, por i ndërtoi vetes një piedestal të përbotshëm lavdie, aq sa fitoi triumfialisht Nobelin e letrave, ishte dikur, sipas njoftimit të njëzëshëm të agjencive të lajmeve, as më pak dhe as më shumë... spiun. Madje në shërbim të atyre, kundër të cilëve ishte drejtuar gjenialiteti i tij si shkrimtar: të kuqve.

Ma do mendja, gjëmimi i Hiroshimës nuk do të jetë dëgjuar më shumë nëpër botë! Le të ndalemi këtu. Plaga atomike është akoma e re...

Gjithshka u bë e ditur nga një reportazh sensacional i periodikut javor “Respekt”. Aty, Milan Kundera paraqitet si një spiun i vetëdijshëm i policisë sekrete çekosllovake. Sillen fakte konkretre, të dokumentuara dhe të pohuara nga ish zyrtarë të lartë të këtij shërbimi famëkeq, që mori në qafë kaq e kaq njerëz demokratë në këtë vend.

Konkretisht: në vitin 1950, 21 vjeçar, gjatë kohës kur studionte në Pragë, i riu Milan spiunoi tek organet policore çeke një pilot dezertor, të quajtur Mirosllav Dvoraçek, i cili kishte programuar një takim të fshehtë me të dashurën e vetë, bashkëstudente të Kunderës. Vazhdimi i kësaj historie është vërtet i dhimbshëm: piloti dezertor arrestohet, torturohet për javë të tëra në bodrumet e errëta të hetuesisë, dënohet me 22 vjet heqje lirie dhe e vuan dënimin në kampet famëkeqe të punës së detyruar.

Ky është skenari që paraqiti periodiku “Respekt”. Gjyq dhe ekzekutim me një goditje.

Dashamirët e shumtë të Kunderës, anekënd globit, të hutuar nga lajmi-kob, do të kenë thënë të indinjuar: Ç’janë këto?! Pse ta fsheh, i pari unë, që para disa vitesh pata kënaqësinë të sjell në shqip Kunderën-poet, madje në lirika të papërsëritshme nga bukuria.

Veçse fakti është fakt. Bombat në të vërtetë u hodhën në Hiroshimë e Nagasaki. Dhe dihen autorët. Amerikanët. Siç u bë i njohur autori i akuzës në fjalë: Adam Hradilek, shefi i arkivave të periudhës komuniste në Institutin Studimor për Regjimet Komuniste. E, një dëshmitar i tillë nuk mund të mos mirret të paktën seriozisht.

Aq më shumë, kur sjell një letër, ku shkruhet e zeza mbi të bardhë. Fjala është për një dokument të këtyre arkivave, me kodikun 624/1950, të prejardhur në këtë institut nga arkivat zyrtare të Ministrisë së brendshme. Në të shkruhet: “Sot, rreth orës 16.00, studenti Milan Kundera, i lindur më 1 prill të vitit 1929 (o zot! Kundera dhe unë paskemi lindur në një ditë! Ç’fat i keq, ta mësoj në një rast të keq!- shënimi im, G. J.) në Bërno, u paraqit përpara shërbimit tonë për të deklaruar, se një mikja e tij studente do të takonte këtë mbrëmje Mirosllav Dvoraçekun... Ky i fundit është dezertor i ushtrisë sonë popullore dhe pranverës së shkuar është arratisur, në mënyrë të paligjshme, në Gjermani”.

Ky ishte dokumenti që publikoi Adam Hradilek. Njeriut, siç deklaroi, i kishin vajtur sytë rastësisht tek dokumenti në fjalë. Dhe, natyrisht, nuk i ishin ndarë prej tij. Ishte si të shikonin pleqtë e Trojës, siç thotë Homeri, mbretëreshën e Spartës, Helenën, me ta sjellë Paridi në qytetin e Ilionit, fill pas rrëmbimit historik...

Kaq donte shtypi. Pastaj bëri punën e tij. Gërmoi dhe dhe e gjeti më të dhimbshme historinë në fjalë.

Piloti Dvoraçek, që ishte arratisur nga ushtria dhe vendi, fill pasi ishte vendosur rregjimi komunist, ishte rekrutuar në Mynyh nga një organizatë sekrete çekosllovake, që financohej nga amerikanët. U kthye në atdhe me një mision të posaçëm, tashmë si agjent i fshehtë. Një person tjetër tragjik në këtë histori është studentja Iva Militka, të cilën duket se e denoncoi bashkë me pilotin bashkëstudenti i saj, Kundera. Militka, e cila është gjallë dhe iu rrëfye paskëtaj “Respekt”-it për çka ndodhi atë kohë, pohon se e njohu pilotin fatkeq, si mikun e një dashnorit të saj më të hershëm, Miroslav Xhupës. Dy të rinjtë me të njejtin emër kishin dhe ëndërr të përbashkët: dëshironin të bëheshin pilotë. Më 1947 hynë në Akademinë e Aviacionit. Veçse ëndrra iu kthye në efialt në shkurt të 48-ës, kur Partia Komuniste hypi në pushtet. Spastrimet që nisën në ushtri përfshinë dhe studentët e aviacionit. Të dy Miroslavët u dëbuan nga Akademia, si kundërshtarë të regjimit. Përballë kësaj gjendjeje pa perspektivë, u arratisën në Gjermaninë Perëndimore.

Po si u mpleks Milan Kundera, gjithmonë sipas të dhënave të publikuara, me këtë histori komuniste dashurie dhe ndëshkimi?

Ja se si: një miku i tij i ngushtë në Akademinë Kinematografike, ku studionte në Pragë, Miroslav Dlask (çudi! tre Miroslavë në këtë histori të mistershme dhimbjeje!), ishte i dashuri i atëhershëm i Iva Militkës. Vajza i tregoi Dlask-ut takimin e fshehtë me Dvoraçekun, kurse ai, nga ana e tij, bëri gabimin fatal, ia besoi mikut të tij, Kunderës. Sipas komenteve të shtyçit çek, iu besua “ujkut”, lajmi se ku do të takoheshin “qëngjat”.

Ç’ndodhi më tej?

Dvoraçeku ia arriti të mbijotente dhe të kthehej nga skëterra. Kur u lirua, më 1963, Kundera sapo kishte botuar përmbledhjen me tregime “Dashuri qesharake”. Pikërisht ky libër i hapi rrugën e mëpastajme të lavdisë. Thua të aprovonte një titull të tillë piloti fatkeq, që sot është 80 vjeç dhe ngrys ditët e tij të pasme në Suedi, pas një mundimi të gjatë me zemrën? Zemër është dhe ajo, qoftë edhe e një piloti...

Ish piloti nuk bëri asnjë koment për shtypin. Nuk donte të gërmonte zjarrin e urrejtjes, fshehur në hi. Foli, megjithatë, e shoqja e pilotit, tek Agjencia Franceze e Lajmeve: “Nuk na habiti ky zbulim. Kundera është shkrimtar i mirë. Por nuk ushqej asnjë iluzion për njerzillëkun e tij”.

Kësaj ere i fryu më tej Adam Hradileku, njeriu që bëri botën të skuqej, me zbulimin e tij: “Ndonëse komunist atëhere, Kundera nuk ishte nga ata që ishin të etur për gjak. Përkundrazi. Mbase e bëri këtë për “t’u shpëlarë” përpara Partisë, e cila ishte njoftuar për idetë e dyshimta të studentit Kundera, pas bërjes të njohur të letërkëmbimit të tij”.

Po Kundera, ç’thotë ai për të gjitha këto?

Kujtojmë se Ginter Gras i vuri gjoksin “zbulimit” sensacional dhe e pranoi: Po! Bënte pjesë dikur në rininë naziste! Ishte mëkati i rinisë së parë, kur ai, si shumica e bashkëkombësve, ishin zhytur dhe hipnotizuar brenda delirit nazist. Veçse sot, ai dhe Gjermania, ishin krejt ndryshe... Dhe bota mbarë u mallëngjye me burrërinë e këtij qëndrimi të fisniktë. Nobeli nuk e humbi paskëtaj shkëlqimin e tij.

Po kështu, Istvan Sabo i “Mefistos”, i cili jo vetë nuk e mohoi se ishte bashkëpunëtor i policisë së fshehtë hungareze, por e karakterizoi “veprim të guximshëm, përderisa shpëtova me gënjeshtrat e mia bashkëstudentët e mi nga arrestimi dhe litari”.

Kështu dhe mund të jetë... Kush e di...

Veçse Kundera po mban një qëndrim krejtësisht tjetër. Me një deklaratë të posaçme dhënë agjencisë çeke të lajmeve CTK, 79 vjeçari Kundera, që rron nga 1975 në Paris, pasi ka marrë qyshkur, si Kadareja ynë, nënshtetësinë franceze, përgënjeshtroi sensacionin në fjalë, duke thënë se nuk njeh asnjë Mirosllav Dvoraçek. Dhe shton: “Jam i habitur prej një çështjeje, për të cilën nuk njoh asgjë, për një ngjarje, që nuk ndodhi kurrë”. E cilësoi gjithë këtë çështje, si “mister”. Për të konkluduar: “Nuk ekzistonte asnjë mundësi, që të spiunoja një njeri, të cilin nuk e njihja. Nuk bashkëpunova, gjithashtu, asnjëherë me policinë komuniste. Nuk mund të më tradhtojë kujtesa, nuk isha kurrë anëtar i policisë sekrete. Pretendimet e periodikut në fjalë janë atentat kriminal kundër një shkrimtari”.

Fjalë të qarta! Akuzë e rreptë dhe e drejtpërdrejtë! Pa i përtypur dhëmbët.

Por ç’ndodh kështu?! Cila prej të dyjave ka humbur forcën e saj të gravitetit, bota e modës, apo ajo e shpirtit?

Ç’të presim tjetër, të dalë një periodik shqiptar dhe të akuzojë Ismail Kadarenë, si bashkëpunëtor të Sigurimit ogurzi? O zot! Këtë të dëgjojmë dhe të humbasim gravitetin, ne që vuajmë nga tensioni...


Nuk ka komente: