Fatmir Terziu
Hurmat gati dy vjet me rradhë nuk lëshuan as lule në kohën e tyre. Tek-tuk ndonjë lule e tyre nuk arriti të bëhej kokërr. Kokrrat e hurmave, apo kakive siç i thëriste Pepa, komshiu im i afërt, po i zhdukte dreqi. “Ai dreq kishte hyrë thellë në tokë”, - thoshte Pepa. Dhe sa herë që e shikoja ai gërmonte aty nën drurë. Gërmonte dhe përsëriste me veten. “Po me bakllavanë e drurit ç’patën?” Ç’farë u prishte ajo. Ne atë kishim. Se ullinjtë na i morën, na i mblodhën…”
Pastaj çudia sa vinte e shtohej, pas një shiu me ngjyrë që ra nga qielli, para disa muajve, nga skutat e zeza të qiellit, nisi sërrish një mision i çuditshëm dhe fap lëshoi atë gulçimën e tij mosmirënjohëse për punën e komshiut tim, por edhe tonën. U lëshua një breshër, që veç në atë anë njihet. Një breshër në mes të diellit. Aty nga pasditja ai breshër, që shkrihej duke rënë, vetëm sa shpuri një rokollimë në veshë të çakërdisur. Veshët e Pepës ishin rahat. Këtë të paktën e dija mirë. Sa herë që i flisja për punën e tij, madje edhe kur i thoja “Punë e Mbarë, o Pepë!”, ai më përgjigjej menjëherë, sikur ta kishte të kurdisur pas gjuhës: “Ja po mbjellë ca qepë.”
Dhe unë habitesha. Poshtë hurmave të bëheshin qepë? Po, ja ai ngulte këmbë në të vetën, se një ditë edhe poshtë hurmave do të binin të shkretat. Të paktën të lëshonim ca lotë, në gjithë atë gëzim.
Dhe ai në të tijën. Në të përditshmen e tij. Punëshumë. Fjalëpak. Aspak gricës apo thashethemexhi, madje edhe kur dinte për ndonjë pseudonim të ndonjërit edhe të ndonjërës, se shumë kishte në këto anë, vetëm qeshte dhe nuk i merte me seriozitet pompat e tyre, që shfryheshin si me ego.
Pas breshërit u thir mbledhja e Këshillit të lagjes. Aty, në Spajkore, lagja kishte emër tjetër, që lidhej me një datë të ardhjes së të ardhurve në qytet, dhe Pepa nuk e donte atë datë. Jo se ai kishte shprehur ndonjë gjë, por se kuptohej në veprimet e tij. Letrat për mbledhje iu çuan shtëpi më shtëpi gjithë banorëve të lagjes. Këshilltarët dhe aktivistët e frontit, iu qepën rrugicave që me natë, madje deri në të zbardhur. Ata e kishin kryer misionin. Dhe ndërsa të gjithë ishin të detyruar të zbrisnin andej nga kalonte Rema, ujëmbledhësi kanal që shtrihej gjërë e gjatë nga Shkumbini, deri tek Arat e Gjata në Elbasan, shihnin në rrugë e sipër Pepën që rëmonte nën hurma. Dhe i flisnin ata. “Punë e Mbarë o Pepë!” Dhe ai prapë në të vetën përgjgjej “Ja po mbjell ca qepë!”
Kryetari i Këshillit me të filluar mbledhja, pyeti si zakonisht njërin që mbante në krah. E pyeti në vesh. Ai ngriti supet. Por i egërsuar nga ngritja shpërfillëse e supeve, ai menjëherë shfryu: “Për atë shurdhin pyes, për atë Pepën…”. Ai, tjetri, më i përdoruri i misionit të tij të Frontit Demokratik, jashtë internetit sigurisht, se atëherë nuk kishte kaq shumë teknologji, u përgjigj: “është ai dhe ajo që meren me të, unë…”.
Nejse, tha kryetari, andej nga Stacioni Metereologjik në Tiranë na kanë lajmëruar se tani do të ketë vetëm diell në tokat tona. Nuk do të lejojmë të bjerë shi më…Atëherë, pa mbaruar Ai, pra kryetari, një zë erdhi nga fundi i sallës së madhe të mbledhjeve: “Po në arën time, nuk do të lini pak shi?”. Të gjithë kthyen kokat dhe nuk u besonin syve. Aty kishte ardhur edhe Pepa. “Po, po…, ai dëgjoka,”- tha pastaj kryetari duke iu marë goja. “Ai nuk qenka shurdh!”,- shtoi ai.
Nuk ka komente:
Posto një koment