e enjte, tetor 23, 2008

Diskursi etik i fjalës në prozën e Ramiz Gjinit
Fatmir Terziu


Duke marë në konsideratë krijimtarinë e Ramiz Gjinit, Faruk Myrtaj ka ndërtuar një sistem komunikimi mes fjalës ose një diskurs etik të saj. Pikasja e tij është nënkuptuar si një respekt për ‘mëvetësinë’ dhe diferencën në fushën e shkrimeve dhe si një përllogaritje e kontekstit si një rëndësi, por Myrtaj gjithashtu thekson se “Fjala dhe fraza në prozat e Ramiz Gjinit lexohet ashtu siç rrjedh në jetën e përditshme: bollshëm, shkumbshëm, ngjyrshëm, por edhe mençurisht, e ngarkuar me mendim dhe shqetësim njerëzor dhe qytetar.” Myrtaj analizon: “Duke përdorur cilësorin “i mëvetshëm” jam ndër ata që mendojnë se proza e Ramiz Gjinit ka ardhur qysh në fillimet si diçka origjinale. Ngaqë autori i këtyre radhëve e konsideron origjinalitetin një arritje dhe jo thjesht përpjekje për të mbërritur atje, në rastin e prozës së Gjinit më vjen për osh të përdor përcaktorin “i mëvetshëm”.
Një tjetër këndvështrim gjendet nga Mëhill Velaj në krijimtarinë e Gjinit, ku ai shpalos “një dukuri të veçantë krijuese” në prozën e ij. Sipas Velajt “Ajo është: bukuria e anktheve njerëzore. Dhe nuk është e fundit për nga rëndësia. Është ndoshta më kryesorja, më e spikatura. Gati të gjitha tregimet e tij, kanë këtë sintagmë: Jeta njerzore rrjeth përmes anktheve të ndryshme.”
Unë i mbështes këto deklarime në dy pika. Së pari unë gjej në këtë sistem etik atë që është metafizikë e veçantisë, kur fjala e përdorur në letërsi është një tipar për të parë autorësinë në stilin e tij dhe atë që gjendet tek vetë fjala kur sheshohet me ndërlidhjen metafizike të saj me ambientin, shoqërinë, kohën, arsyen, tematikën, problematikën dhe ‘urdhërin’ autorial që frymëzon për të përdorur atë si krijim. Së dyti, unë shoh tek të dy pikasjet një lidhje në përdorimin e elementëve të teorisë së Kantit dhe Aristotelit, duke kuptuar më thjesht atë që sipas Myrtajt “Ramiz Gjini dhe proza e tij meriton të quhet “i mëvetshëm” për disa arësye të kësaj natyre, por më së pari se të shkruarat e tij janë letërsi: Sepse autori ofron mënyrë të mëvetëshme të sjelljes së fjalës dhe frazës; nuk përpiqet ta gjejë e ta kërkojë, e pastaj ta vendos fjalën si autor teksti, por i bindet mëvetësisë së fjalës në kuadër të lirisë së brendshme të krijimtarisë.” Dhe më tej sipas Velajt, “të gjitha këto, edhe kur përmbajnë elemente të së shkuarës, apo të groteskut, janë të bukura. Ramiz Gjini, i sjell kështu me artin e fjalës së tij narrative.”


Thënë shkurt në dy deklarimet e mësipërme shihet diskursi etik i fjalës që përpunohet në dy këndvështrime, duke shpalosur dy elementët e teorive të Kantit dhe Aristotelit, ku sipas Myrtajt gjendet te ‘i mëvetshëm’ dhe sipas Velajt tek ‘sintagma: jeta njerëzore rrjedh përmes anktheve të ndryshme”. Të dyja këto pikasje e shpien krijimtarinë e Ramiz Gjinit larg dilemave morale, dhe e parashtrojnë atë si një arritje ‘postmetafizike’, ku fjala dhe sintagma e përditësisë njerëzore janë arsyeja që kjo post-metafizikë gjendet në lidhjen me njeriun në hapësirën, vendin dhe situatën që e rrethon. Thjesht Ramiz Gjini tek tregimet e tij “Zjarr nën akull”; “Turmë”; “Takim me vartësin”; “Për ku kështu, o kumbar”; “Për faj të burrit bythec”; “Një djallushkë e bekuar prej Zotit”; “Kur djali fle”; “Kthimi i dajës Alem”; “Koka e gruas” etj ndihen ose kapen më shpejt dy veçori që lidhen me pikasjet e mësipërme të cilat ndikohen nga dy teoritë e cituara dhe që janë respekti moral universal dhe ndërsjelltësia barazimtare. Të dyja këto veçori realizohen në mënyrën tipike të Gjinit, që natyrshëm mbetet një prozator tipik i fjalës në prozë, duke shuguruar ndjeshmërisht diskursin etik të fjalës. Në fakt diskursi etik i fjalës nënkupton atë që pjesëmarësit, karakteret dhe personazhet janë racionalë, artikulohen, janë të hapur deri në bindje dhe atë që ata e shohin moralin e komunitetit si një shoqëri me të drejta të barabarta, e lirë që të nënkuptohen vlerat personale në mënyrë subjektive.
Tek tregimet e tjera, të paktën tek ata që kemi patur rastin ti lexojmë si “I mirë si një kalë”; “Hajdutët”; “Gjurmë gjindi mbi dëborë”; “Është bukur tek ne ditët e festive”; “Atdheu prej dëbore”; “Dembelët”; “Cirili” dhe “Bastardët” modeli i diskursit etik të fjalës është i lidhur në një farë mënyrë me diçka të brendshme që vjen nën motive dhimbjesh, malli, dashurie dhe sfide personale që kapërcen pragjet e së përditshmes. Ky model në këto krijime vjen si një ‘etikë nëpërmjet meditimit letrar’. Në këto tregime lexuesi kupton qartë se ‘realiteti’ është i prekshëm më parë se ai të jetë një objektivitet i një shtyse shtirjeje, apo që zakonisht është një lloj sëmundje që prek mjaft shkrime të sotme që klasifikohen në prozë, apo ‘tregimtari’.


Vazhdon…. (së shpejti)

Nuk ka komente: