e diel, shtator 21, 2008

Stuart E. Mann: Myftiu një shkrimtar modern



Fatmir Terziu

Mehmet Myftiun në fakt unë e kam njohur vetëm nga libri “Në Kërkim Të Identitetit: Artikuj, Ese, Intervista, Letra”, botur nga “Marin Barleti”. Ndërsa nga Gjovalin Kola mësojmë se Mehmet Myftiu është autori i romanit për disidencën shqiptare. “Nga pikëpamja e objektit, romani i Mehmet Myftiut, “Shkrimtari” (1964), botuar në version të plotë vetëm në vitin 1995, është një dëshmi e asaj çka u ndodhi disidentëve të viteve 1950, përfshirë edhe autorin vetë.” (Gjovalin Kola). Por më tutje nga studiuesi anglez, Stuart E. Mann mësojmë se ai hyn midis krijuesve të vlerësuar për krijimtari moderne. Pikërisht në librin e tij të botuar në vitin 1955, Myftiu bie në sy të studiuesit britanik për këtë pikasje krijuese. Në fakt libri i Mann është libri i parë që vëzhgon krijimtarinë shqiptare deri në atë kohë. Dhe përpos kësaj dëshmia e prurë nga britaniku varet në shumë pikëlidhje me këtë krijimtari. Myftiu, një fitues i çmimit të parë për tregimin “Fabrika e Çimentos”, natyrshëm do të sillte atë krijimtari që më pas u ndalua. Stuart E Mann e gjen rrjedhën e tij të dalë nga radhët e familjeve patriotike dhe të forcave të majta antifashiste, megjithëse fare i ri në moshë, Myftiu bën pjesë në brezin e të rinjve idealistë që besonin aso kohe se komunizmi do të mund t’i zgjidhte problemet e shoqërisë shqiptare: do të vendoste drejtësi e barazi sociale, sistem të përparuar politik dhe sidomos mirëqenie për popullin. Por më pas si shumë të tjerë në fushën e krijimeve do të binte pre e kosës së kuqe dhe jeta do ti vështirësoj shumë. Me një biografi shumë të përshtatshme për regjimin e ri - 13-vjeçar në luftë, arrestuar nga gjermanët dhe mbyllur në kampin e Prishtinës nga shpëton mrekullisht – Myftiu merr pas çlirimit detyra dhe funksione të besuara në KQ dhe në LSHA. Sipas Kolës ai kishte “Natyrë idealisti dhe ishte i ndjeshëm ndaj së drejtës dhe vlerave humane, i prirur të afirmojë individualitetin si intelektual në rrethin e shkrimtarëve të kohës, çka rezultoi e pamundur në kushtet e atomizimit të individit nga ideologjia dhe praktika e Partisë-shtet, M. Myftiu kalon fazën e formimit në një periudhë transformimesh dramatike”. I gjendur edhe nën ndikimin e mikut dhe kolegut të tij, Kasëm Trebeshinës, i cili provon para tij demagogjinë dhe kërbaçin e ish-shokëve të idealit dhe të luftës, Myftiu vendos të marrë anën e “armikut të klasës”, siç u cilësua menjëherë autori i “Promemories”. Në fakt, kjo ishte zgjedhje fatale për të, sido që ai bëri këtë me bindjen se kjo ishte rruga e drejtë dhe bindja e tij. Në një kuptim të gjerë, Myftiu mbronte atë për të cilën kishte luftuar dhe shpresuar: lirinë e mendimit e të krijimit, të drejtën e kritikës dhe humanizmin, parime që komunistët i varrosën më të marrë pushtetin absolut.
Por jo vetëm kaq ai kishte shansin të ishte në kohën kur krijonte edhe një emër tjetër tepër i talentuar i fushës së letrare shqipe në atë kohë. Ishte krijuesi, Veli Islami, që me tregimin “Dolli e Bereqetit”, jo vetëm ra në sy, por edhe u përfshi në plejadën e krijuesve me kokra të asaj kohe që zotëruan modernizmin. Ndërsa koha solli në skenë inskenime krijuesish për shumë kohë këto emra që kishin në dorë mrekullinë krijuese u flakën dhe u harruan. Harrimi ishte për vepërn e tyre ishte krimi i kohës, por edhe i kohërave, pasi ata u sfiduan nga dhuna e kohës, për të ndërprerë krijimtarinë e tyre në moshën e tyre më prodhimtare.
Duke vazhduar shënimet e tij Gjovalin Kola shkruan se “Prandaj e pësuan edhe disidentët e LSHA-së në Tiranë. “Shkrimtari” i Myftiut është një vepër unike në llojin e saj nga pikëpamja e temës dhe e brendisë së saj. Një emërtim të tillë na e lejon edhe vetë tipologjia e veprës që, e shkruar para më shumë se 40 vjetësh si roman aktualiteti për ngjarje e persona realë (autobiografizmi është gjithashtu një tipar krejt i dukshëm), ai mund të studiohet tani e tutje edhe si roman historik. Në një kuadër më të gjerë, në kontekstin evropian, ai ka ngjashmëri, sidomos për sa i përket atmosferës dhe motiveve me romanin e njohur “Një ditë e Ivan Denisoviçit” (1962) të Aleksandër Solzhenicinit dhe “Shakanë” (1967) të Milan Kunderës. Edhe një kundrim i shpejtë i pozicionit të autorit në vepër, e cila quhet ndryshe edhe pikëpamja e tij në raport me ngjarjet e treguara, vihet re se kemi të bëjmë me një rrëfim faktik në vetën e tretë, ku haset përputhshmëria midis autorit, rrëfimtarit dhe personazhit.”
Në librin e Mann, kjo pikërisht mungon, pasi libri i tij ka parë dritën e botimit më herët se të ndodhin këto krasitje në fushën e emrave dhe letrare. Por libri i Mann, jep një dritë përkujdesjeje për këtë ndodhi. Duke vëzhguar si i pari britanik krijimtarinë shqiptare, që nga lindja e saj, ai sqaron se rruga krijuese në Shqipëri në atë fillim revolucionar kishte marë ngjyrim tjetër. Mann sjell fakte të larmishme dhe tepër interesante, madje shumica e tyre të panjohura e të keqinterpretuara më parë në fushën e letrave shqipe.
Bën përshtypje edhe vlerësimi për Ndue Palucën i njohur me emrin Anton Paluca, që shumë qartë nga autori shpjegohet se ai ka qenë një bashkëpunëtor i ngushtë i Aleksandër Xhuvanit. Paluca është vlerësuar nga vetë Xhuvani dhe është shquar për grumbullimin e fjalëve dhe shprehjeve të gjuhës shqipe. Madje ai ka një vlerë të konsiderueshme në përshtatjen e shumë fjalëve dhe shprehjeve të gjetura nga vetë ai. Duke sjellë emrin e Leonida Ndrenikës, ai thekson se Ndrenika ka bërë një studim të thellë për gjuhën shqipe dhe origjinën e saj. Puna e tij përfshihet tek libri “Pellazgët dhe Gjuha e tyre”, i botuar në vitin 1936.
Në librin dhe studimin akademik të Stuart E Mann, ajo që është parandjerë në fakt është argumentative. Ai nuk përcakton të ardhmen e krijimtarisë së Myftiut, apo të tjerëve, por mënyra e përcaktimit vjen në një rrugë logjike. Dhe kjo rrugë logjike më së shumti ndeshet në faktet që ai sjell për krijimtarinë në vite. Këto fakte janë argumenti im në një shkrim të dytë, që do ta pasojë së shpejti për lexim.

vazhdon...

Nuk ka komente: