Fatmir Terziu
Harlisja e bukurisë së luleve ka apeluar tek artistët që nga koha e Pauzianëve, një nga mjeshtrat grekë të pikturimit. Nëpër vite, artistët kanë frymëzuar të tjerët me aspekte nga kjo bukuri delikate duke ardhur në Rilindjen shqiptare ku mrekullisht u thurën vargje për manushaqen, lulen e verës apo nëpërmjet natyrës një sy natyrshëm iu kthye kësaj bukurie delikate. “Shpirtëzimi” i luleve dhe simbolizmi i tyre në jetën e njeriut apo në besimin e tij së bashku me anatominë e petaleve më vonë plotësuan atë dedikim të hershëm që e morën në dorë poetët. Dhe që nga ajo kohë kur magjia e bukurisë natyrore u fiksua ndër lule dhe fjalë stina që u dha jetë atyre në shekuj u fiksua si një telajo ku poetët pikturonin ndjenjat e tyre poetike. Në këtë rrugë të gjatë poetike është edhe krijimtaria e poetit, mjeshtrit të fjalës, njeriut që edhe të shkruarën e përditshme e ka një poezi më vete. Është poezia e poetit të shquar elbasanas Hyjni S. Ceka. “Pranvera” është poezia që në tërë krijimtarinë e tij krijon çelësin hyrës në një mori krijimesh të kësaj fushe. Aty vjen fjala, vargu, natyra, stina e dashur dhe natyrshëm ‘mikja e dashur’ të cilën autori e kujton gjithmonë. Por nëse mjaft poetë i kanë kënduar natyrës dhe bukurisë së luleve, poezia e Cekës është një refren poetik që vjen si një nënkuptim për çdo të tillë. Dhe nëse do të lexonim Cekën nën postulatin e Oscar Wilde tek “Lady’s Windermere’s fan” në aktin e tretë ku thotë se “eksperienca është emri që gjithkush i jep gabimeve të veta” ne do të gjenim atë gabim në thonjëza që pena dhe zemra e poetit bëri për fajin e kohës që i ndaloi mosbotimin e veprave vetëm se ai pra këndoi me gjithë zemër dhe lotoi pa lot në poezinë e tij, ku vetëm pranvera vinte e ikte duke numëruar Prillin në ikje dhe Majin që afrohej. Por ndërsa natyra e autorit ‘qeshte’ dhe ‘vendi zbukurohej’ një tjetër arsye e detyronte poezinë e autorit të kujtonte miken, ta kujtonte gjithmonë.
Duke patur goditjen e asaj kohe për hir të të Atit që u dënua me pushkatim në diktaturë dhe më pas përfundoi me burgim të përjetshëm, autorit gjithë pranverat iu bënë të ngjashme vite me rradhë.
Duke shkruar për krijimtarinë e tij kritiku dhe krijuesi shqiptar Ahmet Mehmeti shprehet: “Pra cili është dinjiteti ynë njerëzor, në këtë periudhë të qenies sonë. Cila është kahja për të dalë nga udhëkryqi. “Sokëllet Karaburuni” është poezi e shqetësimit qytetar. Intelektualit i është ngritur mendja dhe s’e zë gjumi për atë që ndodh para syve të tij. Këtë gjendje tronditëse shoqërore, autori e përjeton si brengë me përmasa të mëdha.”
Ky është poeti që gjen frymëzimin e tij në kompleksin e fuqisë së fjalës për të ‘shprehur artistikisht’ atë që deformon atë bukuri të natyrshme të natyrales, të delikates që fiksohet në petalet e fjalëve të përzgjedhura të artistit elbasanas Ceka. Kështu Hyjni Ceka, nuk është thjesht një poet, nuk është vetëm një krijues apo publicist i përsosur, ai është një kompleks i armatosur me sinqeritetin e shpirtit poetik që pikturon deri në detaje.
Ne e lexojmë poetin Ceka dhe shfletojmë fletët që shpalosin jetën e tij. I lindur në qytetin e Elbasanit, më 6 Tetor 1932 ai mban në veprat e tij të hershme punën e tij 45 vjeçare të fiksuar në organe të ndryshme të shtypit letrar dhe në librat e tij që nisin që nga viti 1969 dhe që ndalen nga diktatura për disa vjet për tu rikthyer më të pjekura pas viteve 1990 me “Tempuj dhe Apostuj”, “Shenjtorë dhe djaj”, “Ditë e Verës”, “Valëzakja” etj. Por përsëri këtu fjala e Mehmetit vjen në ndihmë: “të kesh parasysh se poeti i ka kaluar të shtatëdhjetat, poezitë e tij “Qëmoti paç dashur një vashë”, “Anakreontike”, “Pleqëria” etj tingëllojnë befasuese e të freskëta… Të krijohet bindja se e bukura adhurohet nga të gjithë… Ky shenjtërim nuk njeh kufinj moshe. Të paktën për Hyjni Cekën që ‘erotikën’ di të na e japë me format më humane…” Unë do të thoja se poeti mbledh polenin e luleve të verës elbasanase, apo të Labërisë ku u degdis të punonte, më pas të Kavajës dhe Cërrikut, ku mes zhurmës së nxënësve gatoi mjaltin më të ëmbël poetik në vite për zonën e madhe krijuese të Elbasanit.
Më kujtohet një thënie e krijuesit dhe fabulistit të shquar elbasanas Selman Biza, që gjithmonë shkroi nga ‘frika’ me SEBI, të thënë mes krijuesish “Ai do të vdesë me dosje dhe poezi në duar. Atij edhe natën if let poezia si në Bahçe, ku Lulet e Verës i duken me minifunde dhe erë severgjeni…” Dhe natyrshëm unë të paktën kështu e mbaj mend poetin e shquar, me dosjen dhe poezinë nën sqetull, me nektarin poetik për poetët e rrinj.
Nuk ka komente:
Posto një koment