LEDIA LLESHI
Është rivlerësuar si park kombëtar dhe si magnet i fuqishëm për zhvillimin e turizmit
LIBRAZHD - Në Shqipëri fatmirësisht ekzistojnë ende zona të cilësuara “të virgjëra” me një potencial mundësish për të ofruar njëkohësisht turizmin natyror, malor dhe dimëror. Stërbleva, rreth 28 km larg Librazhdit, është një ndër zonat perlë të Shqipërisë Verilindore. Rrugës për në vendin e pyjeve të bukura, liqeneve të vogla me ujin kristal, kafshëve të egra, ndër të cilat edhe kaproj, zbulon sesa e vështirë është për të mbërritur atje. Për të arritur në vendin e mrekullive nuk mund të përdoret një automjet i zakonshëm dhe banorët e dinë mirë. Me një fuoristradë nisemi për në Stërblevë dhe rreth mesditës mbërrijmë në vendin e quajtur “Fushë-Studën”. Pyjet me gjelbërimin uniform që të deh, ajri i pastër, njerëz mjaft mikpritës bëjnë që ndalesa të ishte një frymëmarrje e thellë.
Natyrë në harmoni
Liqenet, pyjet e gjelbra dhe lëndinat me bar në Stërblevë janë kombinimi i përsosur që mund të krijonte natyra. Banorët e zonës me një investim të fituar nëpërmjet projektit për zhvillimin e zonave malore do të kenë mundësi vaditjeje për tokat e tyre nëpërmjet liqeneve aq të preferuara për ujin e ftohtë. Pyjet që shtrihen në një sipërfaqe rreth 7 mijë hektarë kufizojnë më tej Maqedoninë. Në mes të pyjeve ekzistojnë lëndina dhe liqene të krijuara nga grumbullimi i ujërave gjatë shkrirjes së dëborës. Gjithçka duket perfekt dhe vlerësimet për zonën kanë ardhur jo vetëm brenda territorit të Shqipërisë, por edhe nga vizitorë të huaj. Në brendësi të pyjeve që duken pa mbarim gjenden specie të ndryshme. Banorët thonë se në lëndinat e bukura mund të gjesh nga kafshët e vogla, zogj nga të gjitha llojet e deri te derrat e egër, kaprojtë, që janë të veçantë për zonën, dhe ujqërit, që nuk kishte sesi të mungonin.
Uji i pijshëm është i garantuar nga burimet e pashtershme të zonës. Po kështu nuk mungojnë mundësitë për krijimin e pistave të skive në dimër dhe kampingut veror në stinën e nxehtë. Shtëpitë karakteristike nuk kërkojnë shumë investim dhe bujtinat pritëse janë një përparësi.
Infrastruktura
Vullneti i banorëve nuk mungon dhe gjithashtu dëshira për të përfituar nga kjo natyrë ku kanë lindur. Por gjithçka nis e mbaron me investimin e shumëpritur në infrastrukturë.
Mjaft të interesuar për infrastrukturën ata kërkojnë që fondi të lëvrohet pjesë-pjesë, por rruga deri në Stërblevë të fillojë. Projekti është përfunduar një vit më parë nga disa specialistë nga Tirana. Ai ka kushtuar 9.3 milionë lekë dhe përfshin 28 km gjatësi me shumë pak vepra arti. Sipas një përllogaritje paraprake rruga kushton mbi 10 milionë euro. Ndërsa kanë marrë gjithmonë fjalë të mira sa herë që kanë komunikuar me përfaqësues të ministrisë së transporteve, drejtuesit e komunës e kanë quajtur shumë të largët ditën kur ky segment i rrugës nacionale do të marrë vëmendjen me anë të një investimi thelbësor.
Aktivitete dimër e verë
Ski në male e patinazh në liqene të ngrirë
Megjithëse infrastruktura nuk jep shumë mundësi për të mbërritur lehtë në Stërblevë, grupe eksploruesish kanë mbërritur në malet e veshura. Në dimër dëbora arrin deri në dy metra dhe sipërfaqe të tëra mund të përdoren si pista për ski. Po kështu liqenet e ngrira janë një mundësi e mirë për të ushtruar patinazhin. Vera është tjetër imazh. Pyjet e dendura dhe hapësira të mëdha të lëndinave u shërbejnë kampingjeve veror. Çdo verë, siç tregojnë banorët, grupe njerëzish me çadra e ushqime mbërrijnë në Stërblevë. Qëndrimi në ajër të pastër dhe gjithçka përreth u fal këtyre njerëzve kënaqësinë e natyrës. Të mahnitur nga uniformiteti i pyjeve dhe nga mundësitë e mëdha për zhvillim, turistët e huaj u kanë sugjeruar banorëve të fillojnë punën për ta përgatitur këtë zonë për turizëm, por këta të fundit i kanë humbur shpresat për shkak se të gjithë kur vijnë në Stërblevë vlerësojnë natyrën, por infrastruktura rrugore ka qenë një pengesë kryesore. Investimi prej 50 milionë lekësh të reja, që përbën edhe fazën e parë të punimeve, është edhe një ogur i mirë për këta banorë, të cilët kanë pritur për vite me radhë këtë mbështetje.
Rivlerësohet pasuria
Stërbleva, parku më i ri kombëtar
Komuna malore e Stërblevës me vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave është shpallur Park Kombëtar për vlerat e paçmueshme natyrore që mbart. Parku Kombëtar fillon nga Jabllanica e mbaron në Shrebrenik dhe përfshin 33 mijë hektarë. Me kërkesën e herëpashershme të kryetarit të kësaj komune është arritur që qeveria shqiptare më datë 23 maj të këtij viti ta shpallë këtë komunë Park Kombëtar. Stërbleva, komunë që ndodhet 22 kilometra larg qytetit të Librazhdit, është e shtrirë në një lartësi prej 1200 metrash mbi nivelin e detit dhe me një popullsi mbi 3000 banorë, e përbërë nga shtatë fshatra, fshati i parë është Fushë-Studën, e më pas Borova, Zabzuni, Stërbleva , Llanga Mugica dhe Stëbishti, është shpallur Park Kombëtar. Parku përfshin një sipërfaqe prej 33927 hektarë, e ruajtur e mbrojtur dhe me shumë vlera. Kjo zonë e përfshirë nga gjashtë komuna është veçuar si zona me vlera të rralla, vlera të ruajtura dhe të mbrojtura. Mbi bazën e studimeve, me propozim të Ministrisë së Mjedisit, Këshilli i Ministrave vendosi t’ia rrisë vlerat e rëndësinë kësaj zone të veçantë të shquar për natyrën dhe njerëzit mikpritës. Sipërfaqja e parkut prej gati 34 mijë hektarësh e bën që sipërfaqja e zonave të mbrojtura në Shqipëri të dyfishohet në krahasim me muajin shtator të vitit 2005. Aktualisht mbi bazën e programit të qeverisë, zonat e mbrojtura në Shqipëri kanë mbërritur në 11.4 për qind të territorit nga 5.4 për qind që kanë qenë në vitin 2005. Ky park kombëtar pritet të shërbejë si magnet i fuqishëm për investime të reja, për turizmin që mund të zhvillohen në këto zona malore. Zona është shumë e pasur me resurse, duke filluar si nga ana e prodhimeve, ashtu edhe resurset natyrore, ajri i pastër si dhe turizmin malor dhe dimëror.
Nuk ka komente:
Posto një koment