Tregim
Nga Fatime Kulli
Gjatë vizitës dr. Iliri u bë çehreprishur. Bërtiti me forcë:
-Shpejt, shpejt, gati sallën! Gruaja është në rrezik, bashkë me fëmijën.
Britma e tij më shkarfosi çelësin e kullës së kujtimeve, që e kisha varrosur prej kohësh…
Gruaja lindi vajzën e katërt. Në sytë e saj shkëlqenin lotët e fitores, lotët e gëzimit se solli në jetë, një jetë, lotët e hidhërimit, pasi priste të lindte një djalë pas 4 vajzave. Ndarja e rrokjeve të bebes ua-ua-ua, më shpërtheu tej për tej kasafortën e fshehtësive, saqë përfundova në terapinë e mjekut.
Dr. Iliri i shqetësuar më tha: -Çfarë ke kështu Arjana?!
-Nuk duhej të hyja...-i thashë e hutuar.
-S'ke për të hyrë më në sallën e lindjes, se paske zemër lepuri, -vazhdoi të më fliste doktori, duke më "qetësuar" ndërgjegjen.
Por mua më ishte zgjuar syri i tradhtisë së kujtimeve...Edhe pse ishim në verë, më mbërthyen emocionet e etheve të dimrit...
-Arjana! – më thirri doktori. –Nesër je pushim, mundohu të pushosh dhe harroi ato që pe sot, pasi janë raste të rralla në lindje. Mos të të hyjë frika!
O Zot, thashë me vete, edhe këtë kisha mangët. Ky duhet të dijë ndonjë të fshehtë për mua, ose ka ndonjë …Nuk e di, a ishin fjalë të sinqerta, apo provokime të kolegut, kur unë po ecja nëpër fijen më të rrezikshme të ndërgjegjes sime. Përjetova me të vërtetë një provë të tmerrshme rikujtimi…
Shtrirja e naivitetit e ndaloi urinë e të qarit, por zemra gati sa s'më dilte nga kraharori, kur dr. Iliri i thoshte gruas: "Duro dhe pak... Jepi, ashtu... Të lumtë, je e mrekullueshme, ia dole!"
Po ky, ku i di se si janë dhimbjet e lindjes?! Ky njeri po më çmend, po më torturon, s'do të guxoja t'i thoja...Këto dhimbje janë të forta, të idhta që më sjellin ndërmend emocionet torturuese, që lypin forcë shpirtërore e morale. Por, kur nuk ndjehesh e fortë, përplasesh me revoltën e brendshme të shpirtit, që thërret:
-Mos hesht!
E ndjej se jam e pafuqishme përballë syve të dr. Ilirit, ai më ndjell emocione, pasione…por sonte shikimi tij është si një shpend grabitqar dhe më imponon trokitje...
Oh, kjo grua sonte, me gëzimin e saj tymosi pasqyrën e shpirtit tim, duke më tërhequr zvarrë si lypse të karakterit shpirtëror... Por zëri i sinqeritetit shpërthen fuqishëm, duke më rrëmbyer mëkatet nga skutat e pafajësisë për rrëfim:
Ishin ditë të ftohta dhjetori. Binte një shi i rrëmbyer. Isha strukur nën strehë të librarisë dhe prisja të pushonte shiu. Para meje si me magji u shfaq Agroni, (shoku im më i ngushtë i kursit) me dy çadra në dorë. Të pash te ballkoni- më tha. Agroni më ftoi të shkonim në shtëpinë e tij, pasi isha bërë qull. Shtëpia e Agronit, ishte një shtëpi e thjeshtë e mobiluar pak, por me një bibliotekë shumë të pasur. Në shtëpi s'ishte asnjë nga pjesëtarët e tjerë, pasi i kish ftuar për drekë motra e tij.
S'patëm kohë të reklamonim pasionet e dëshirat tona, se mes nesh u ndez një zjarr, që ishte i vështirë të shuhej... Pas asaj dite miqësia jonë u shtua më shumë. I vishnim njëri tjetrit mantelin e përkëdheljeve të orëve, ditëve, muzgmbrëmjeve…Isha e lumtur. Kur isha në prag të provimeve, vetëm gjumi na ndante bashkë. Erdhi pranvera. Asgjë më bukur se kodrat e liqenit s'dinë ta përshëndesin ardhjen e saj. Buzëliqenit, përqafova flladin e ngrohtë pranveror, me lulëzimin e një krijese brenda kufijve të qenies sime. Gëzimi dhe frika, përplaseshin në murdëshirën ku përplasej pasioni ...
Sa i lumtur ndjehej Agroni, sa nuk fluturoi nga gëzimi kur i tregova se brenda meje po lulëzonte një bimë e njomë... Më ledhatonte dhe prehej në lëndinën, ku fëshfërinte
Një prekje e lehtë në sup, më largoi nga lundrimi në vatrën e meditimeve, ku kish mbetur vetëm hiri i dhimbjeharresës...
-Arjana! Eja të shohësh një fëmijë, sapo e sollën me ambulancë.
Fëmijën e sollën të pashoqëruar me njeri. Thanë se e kish lindur një vajzë shumë e re. E braktisi pasi djali që e donte, nuk ia pranonte atësinë.
Dhe hija e kësaj vajze të pafajshme, kërkon të më ngulë më thellë thonjtë tek fajësia ime.
-Largohu o hije rëndë e mëkatit, se as unë nuk kam faj!... Edhe ti, edhe unë kemi puthur të njëjtat pasione, por s'qemë të zonjat t'i ruajmë ato të shenjta. Mos më ndjek më pas o hijerëndë, sepse dhe ti je mëkatare sikur unë! Nuk jemi të shenjta, përderisa lejuam të tjerët, të flasin me gjuhën e emocioneve tona dhe t'i keqinterpretojnë ato.
Në spital ia vunë emrin foshnjës -Kopil-.
O Zot! -largohu o hije se po më mbyt me thonjtë e mëkatit...
O Zot, më ndih! Shërbimi im sonte u kthye në një pellg balte, ku po më mbytin kujtimet. I gjithë personeli i spitalit pëshpëriste nën zë (duke dënuar vajzën dhe djalin), madje, i quanin edhe kriminel.
O Zot! Edhe unë...
-Jo, jo! Ju s'keni të drejtë të na gjykoni kaq ashpër!
Agroni s'kishte asnjë faj. Ai shprehu gatishmërinë për të qenë një baba i mirë. Por guximi i gëzimit të tij, u përbalt nga pellgu i pistë autoritar i familjes sime, pasi familja e tij nuk ishte e sërës sonë. I ati i Agronit, ishte një nga inxhinierët më të zot të Naftës, të cilin e quajtën armik të popullit. Unë iu binda furtunës egoiste të familjes, duke vrarë pranverën e Agronit që e doja aq shumë.
Muajin e fundit më dërguan në qytetin e tezes. Agronin e përjashtuan nga shkolla, pasi babai im kishte pushtet të plotë në Ministrinë e Arsimit. Pas pak muajsh, Agroni pësoi një aksident me motor, dhe pranvera tjetër s'do ta vriste më...Kurse unë, pres dhe përcjell çdo pranverë, duke çjerrë mosvendosmërinë e duke apeluar ndërgjegjen.
Moj zonjëz grykës bardhë
Ç'tu bë koka andrallë
Gërryej, gërryej çka ke brenda
Mos përtyp çka s'të ka ënda!
Oh, si s'më plas ky shpirt!
-Doktoreshë, më thërret infermierja.-Nr.6 e kërkon e ëma, t'ia tregoj të atit.
U turbullova dhe instinktivisht, i them:
-Do ta çoj unë 6-tën tek e ëma.
Duart po më dridheshin, ndërsa foshnja gugatej, hapte gojëzën e vockël, sikur donte të thosh...
-Ti, mos më mbaj në krah!
-O Zot! Dhe ti engjëlli më i pastër i kësaj bote të ndyrë, më ke kuptuar...
-Mos të lutem! Mos e hap gojëzën tënde, se po më mbyt me pafajësinë tënde engjëllore...
Oh, kur linda unë, nuk më lanë ta shihja, por vjedhurazi i vura re se në dorën e majtë (kur i vunë numrin), kishte një nishan, krejt siç e kishte Agroni në krah.
Nëna e 6-tës, sa ma pa foshnjën në dorë, brofi në këmbë, zgjati duart dhe e shtrëngoi fort pas gjoksit, duke thirrur gjithë dashuri:
-O shpirti i mamit, o krijesë hyjnore, ka ardhur babi, ja, ja ku është, dhe drejtohet nga dritarja.
-Po pse më përball me dritaren, moj nënë e 6-tës?! Apo mos vallë e di ti, që kjo dritare është dëshmitarja e vetme që më akuzon, si të pashpirtë...?!
Jo, s'e përtyp dot naivitetin tënd moj grua, se ende më oshëtin në vesh, kënga e Agronit atë natë...Gjithë natën ai orkestronte melodi dhe këndonte me vargje të thurura vetë.
Dilmë në dritare
O e shtrenjta ime
Të të shoh si dukesh nënë
Me krijesën time.
Mos u tremb nga nata
Vrullshëm hëna po shkëlqen
Nxirrma ta shoh at'yll
Zemrën pse ma bren?
Të të ngjasoj ty
Do jem shumë i lumtur
Por po e braktise
Do rritet i përbuzur.
O Zot hareja e kësaj nëne, tundi themelet e shpirtit tim. Çdo qelizë të trupit e gërvishtnin të qeshurat, ledhet, përkëdheljet që i bënin prindërit e 6-ës. Kurse unë isha e dobët, nuk munda t'i mposht ata, që më bëri të mos e gëzojë emrin e madh –Nënë...!, nuk munda nuk...
O Zot! sa ju urrej juve o njerëz që më privuat nga kjo e drejtë
-Doktoreshë!- thërret nëna, - Merre të lutem engjëllin tim! Të faleminderit shumë. Së shpejti edhe ju me çfarë t'ju dëshirojë zemra.
-Përse më shpon kështu me shigjeta plagëshpuese, moj nënë e 6-ës? Apo mos do, të më vrasësh me gjuhën e nënës?!
Por nëna e 6-ës, vazhdon me naivitetin e saj:
-Nuk dua të të mërzis, por ta uroj me gjithë shpirt.
E vendosa foshnjën në shtratin e saj dhe dëgjojë të qarat e fëmijëve që oshëtinë si kori i zogjve. Simfonia e tyre më kafshojnë ndërgjegjen. Më kafshojnë të ndjeshmen me dhëmbë helmues, në çdo kapilar të damarëve të shpirtit.
Më kujtohet mirë, kur sanitarja e spitalit më dha një copë letër dhe më thotë:
-Unë s'të dhashë gjë, se po më diktuan më pushojnë nga puna. Dikush, jashtë pret përgjigje... Vetëm ti duhet të vendosësh, përndryshe e nesërmja do të të vrasë në shpirt, por do të jetë shumë vonë. Unë kam 30 vjet këtu dhe kam parë shumë gjëra.
E lexova letrën dhe më zuri gjaku. Agroni kish çarë një gisht të dorës me një copë xham dhe me në kërcell luleje, ngjyer me gjakun e tij shkruan disa vargje:
Po e vras zemrën, me zemrën time
Më fal, por mos u mërzit!
Nëse dikush...vjen dhe troket një ditë.
Portat i kam hapur për të dy.
Ishte letra e fundit që mora nga ai dhe atë se pashë më...
O Zot ç'u trullosa kështu sonte, më duket se të gjithë po më hetojnë e më ndëshkojnë. Të qarat e foshnjave, tregojnë mospërfilljen e ekzistencës sime, (me bluzë të bardhë) që nxihet nga pafajësia e qenies së tyre.
Oh, m'i kositën të gjitha vendimet dhe ëndrrat që ndërtova, me egoizmin e pushtetin e të tjerëve, që s'kanë të drejtë të ndryshojnë dhe të vrasin ndjenjat e mija ndjenjat e...
-Arjana, Arjana! Eja, se dua të të them diçka! Kam marrë një vendim, dua pëlqimin tënd!
...Befas, Arjana zhveshi bluzën e bardhë, ia la në dorë dr.Ilirit dhe vrapoi nga dera...
-Ku po shkon? - thërriste Iliri.
-Të gjej krijesën time të braktisur...dhe vrapoi bashkë me erën, që shpërndante tingujt e cicërimave të foshnjave të porsalindura.
Nuk ka komente:
Posto një koment