(rreth tregimit tw Spiro Gjikondit “Të Gjallë e të Vdekur” (Ose: tregimi që nuk do ta botoja kurrë)
Fatmir Terziu
“Cer-cer-cer” dhe “Telefon i tredhur” janë disa nga fjalët që tërheqin vëmendjen në tregimin më të ri të Spiro Gjikondit “Të Gjallë e të Vdekur” (Ose: tregimi që nuk do ta botoja kurrë). Jo se vetëm këta fjalë tërheqin vëmendjen, por se këto fjalë japin një tingëllimë treguese tipike poetike. Në këtë tingëllimë është edhe fjalia e shkurtër, e shtruar bukur dhe tepër komunikuese e Gjikondit, që situatën e kryen qetë dhe panxituar, për të treguar vlera dhe stil që rallë gjendet në krijimtarinë shqiptare. Një përshkrim detajues dhe një fjali e tillë e gjen sofrën e prozës shqiptare të pangopur dhe të gatshme të presë ‘mikun’ e ri krijues. Në këtë motiv krijues tipik, natyrshëm kombinimi sintaksor shpalos një arsye më shumë për tërheqjen e vëmendjes. Në fjali të tilla ku peneli artistik i autorit pikturon shkëlqyeshëm atmosferën e figuruar, vjen një telajo treguese e qartë dhe shpalosja natyrale të afron kënaqësi dhe lexueshmëri për të mos e braktisur. Modeli i tillë gjendet kudo në tregimin e Gjikondit, por në këto fjali ai ka më shumë teh prekës deri në imtësi: “Qielli s'dukej gjëkundi. Çuditërisht, ( nuk e kisha vënë re më parë!) në të gjithë apartamentet, papërjashtim, ishin fikur dritat, ndërsa nëpër dritare ishin vendosur qirinj të ndezur. Më kapën të dridhurat.
Mu duk se nuk ndodhesha ne qytetin tim. Sikur gabimisht kisha hyre ne nje bote tjeter, ne nje nekropol gjigand, ne nje qytet te vdekurish. Te sapo-vdekur. Te vdekur qysh kur. Te vdekur ne mase. Dhe ne koke te secilit, mbi çdo varr, neper dritaret-kamare, nga nje qiri i ndezur. Vdekja, pra, nuk ishte vetem atje, mendova, ne njeren nga sallat e Presidences. Krahet e saj, te padukshem e skeletike, ishin zgjatur papritur dhe e kishin mberthyer tere qytetin. Ajo ndihej kudo. E pameshireshme e fryme-marese. Me kedo e mbi gjithçka. A isha edhe une nje nga ata te sapo-vdekur, me shkrepi ne koke nje dyshim i çuditshem. Ndoshta fantazme, mendova. Hije e vetvetes. As i gjalle, as i varosur. Hije e qenies sime. Vdekur qe kur. I varosur per se gjalli. Akoma i patretur. Ngritur nga nentoka. I mbuluar jo me dhe e me balte te qullet por me kripe… Ku vete, thashe pa ze. Ku te çojne kembet. Kthehu! Ndiz edhe ti nje qiri dhe hyre midis te vdekurve te tjere.”
Në këto fjali tipikja vjen si një domosdoshmëri e materiales. Materialja që simbolizon udhëtimin mortal të vdekjes fiksohet nën simbolikën e qiriut, që herë del i ndezur nën dritën e tij dhe herë në kërkesën medituese për të ndezur një tillë. Simbolika e qiriut dhe vdekja, bashkëudhëtarë të njëra tjetrës, plotësues të njëra-tjetrës në jetën njërëzore, këtu fiksohen nga Gjikondi si një pamëshirshmëri frymëmarjeje. Dhe në këtë pamëshirshmëri vdekja vjen si një katapultim hierarkik. Ajo pushton sallat e Presidencës dhe udhëton lirshëm pastaj si vdekje nëpër të gjitha anekset e jetës. Ajo, pra si një fantamë në gjuhën e autorit, ka motiv tjetër për të përshkuar e depërtuar lirshëm më pas në çdo gjë e mbi gjithshka.
Por ndërsa vdekja ka shtrirë krahët e saj skeletike në tërë qytetin e tregimit të autorit, ana tjetër që pështjellohet nën motivin e treguar është ligjësia filozofike e komunikimit që pasqyron me mjeshtëri hapësirën rrethuese. Hapësira rrethuese pushtohet nga zbrazëtia. Dhe zbrazëtia që në gjuhën e De Luze është një fenomen që madhërishëm fikson kryesoren në mënyrën e të treguarit kompleks. Kjo mënyrë komplekse shihet gati në çdo pjesë të tregimit të Gjikondit. Pra zbrazëtia si nocion filozofik në letërsi ka kuptimin e veçantë të saj, në të cilën vjen edhe argumenti i autorit që fikson situatën nën produktin e zbrazëtisë, barazvlerën e vdekjes.
Por në situatën e vdekjes, ku zbrazëtia konfigurohet me heshtjen proza e Gjikondit del më ngadhnjimtare. Është përzgjedhja e fjalës dhe situatës që e bën atë model, edhe në këtë detyrë të cilën ai e kryen në vetën e parë, në një ambient që në atë kohë të cilën referon autori, pakkush mund ta fiksonte kaq bukur: “Gjuha me digjte. Me ishin thare mushkerite. Kisha nevoje per nje kafe apo nje shishe birre, sa per te lagur buzet, te cilat, ngaqe i kafshoja shpesh, kishin nisur te me percellonin.”
Duke përdorur kafenë natyrshëm ne nuk kuptojmë përpos situatës, kafenë tradicionale të vdekjes, por kafenë që kërkon trupi i alrmuar i njeriut nga shtysat e ndjesisë dhe papranueshmërisë së situatës me vdekjen në atë Presidencë. Ndërsa nevoja e një shisheje birre, dukshëm garanton një nivel të kënaqshëm sarkazme therëse, që vjen e fuqishme dhe tepër konkludive me lagjen e buzëve dhe kafshimin e shpeshtë të tyre. Dihet pse kafshohen buzët!
A nuk është në të njëjtën linjë edhe kjo pjesë e shkëputur nga tregimi i Gjikondit? “Kisha ndjesine se trupi im po shnderrohej gradualisht ne nje mase sfungjeri qe vazhdimisht thithte. Lot te kripur… Te atyre qe shkonin dhe te atyre qe ktheheshin. Po te ishte dite me diell gjithe ajo mase e lenget e derdhur mbi mua me siguri do te ishte thare dhe do te zbardhte mbi trupin tim. Sa i lumtur do te isha sikur te binte nje shi i rrembyer qe te me lante! Por ate dite nuk kishte as diell e as shi te rrembyer. Ishte dite e vrenjtur dhe trupi im vazhdimisht thithte… Mezi prisja sa te mbaronte ajo dite e te ikja prej andej. Te shkoja ne shtepi, ti hidhja rrobat ne nje legen plastik qe mbanim prapa deres se banjes, te futesha edhe vete ne nje kazan me uje, te shkrija kripen qe me mbulonte, te shpetoja prej saj, perpara se ajo te depertonte thelle ne palce, perpara se te thahej e te zbardhte mbi mua. Por nuk shkova ne shtepi. Shkova drejt e ne zyre. Qe te mos takohesha me njeri. Te mos shkembeja asnje bisede. Te mos shqiptoja asnje fjale…”
Pikërisht në këtë fragment të shkëputur konturi artistik i tregimit kapërcen nivelin e tij dhe gati shpalos një aritje tepër të pëlqyeshme në prozën e shkurtër. Është një strukturë e thjeshtë, ku çdo lëvizje flet, korrigjon, këshillon dhe edukon. Por e gjithë kjo lëvizje prodhon dhe gatuan letërsi të mirëfilltë. Fjala është tejet filozofike dhe tepër domethënëse. Zyrtari, gjen zyrën, dhe me dashje “harron shtëpinë e tij” dhe sipas modelit njerëzor zyra i bëhet shfryrja e mllefit, zbrazja e sikletit që trupi i tij ka ‘thithur’ në atë pamje mortale ku ikjet dhe ardhjet lotuese njerëzore i ngjisnin trupit të tij kallëpe materiesh të papranueshme, madje jo të shijueshme për në shtëpinë e tij. Dhe fajin e ka prajsa, ajo parajsë që vinte nën atë ndotje rrobash, ku medoemos duheshin flakur e ndërruar shpejt nga trupi i tij. Nga ajo vdekje në Presidencë, natyrshëm shpëtimi ishte vetëm ‘legeni plastik prapa derës së banjos’ dhe madje shpëtimi nga ‘kripa trupore’ ishte edhe një shplarje e madhe dhe madje as mostakimi me njeri nuk duhej të ndodhte. Mosshkembimi i asnjë bisede plotëson fuqishëm atë zbrazëti, që ushqehet nga inercia e frikës, edhe pas asaj vdekjeje në Presidencë.
Pas kësaj nis pretenca e tregimit që mbledh forca për të larguar vdekjen. Këtu autori sërrish krijon në mënyrë të kuptueshme, duke e larguar vdekjen nga dera e tij dhe e atyre që e rrethojnë dhe duke e plasur atje ku ndodhi në atë Presidencë, dhe duke u shprehur hapur se tani vdekja eshte atje. Atje qofte! Ti te rosh…! Gezuar! - Jo vetem, - i thashe duke e mbajtur goten pezull ne ajer.
Dhe autori qartëson: “Midis te vdekurit te gjalle dhe te gjalleve te vdekur. Ne brezin e intelektualeve deshtake e fatkeqe, te cileve, edhe pse dashurohen e dine te bejne dashuri me mire se askush, as ka per t'iu degjuar ndonjehere fjala, e as kane per te mbijetuar si te pavdekshem. Po gjersa te vije radha jote une do jem plakur…”.
Kështu tregimi i Spiro Gjikondit lexohet ndjeshëm dhe deskriptimi i tij është një mesazh dhe lajtmotiv brezash njëkohësisht. Shkrimtari e ka kryer detyrën e tij.
Nuk ka komente:
Posto një koment