Gërdeci! Një emër që ekziston prej vitesh në gjeografinë shqiptare. Por një emër që tashmë ka zgjeruar ‘fuzionin’ e tij gjeografik, përpos tragjedisë. Pas shpërthimit të municioneve, që morën jetë njerëzish, Gërdeci hyri në faqet dhe lajmet mediatike, jo natyrshëm si një fshat shqiptar, por si një pjesë gjeografike, që edhe pse e vogël në sipërfaqe bëri zhurmë të madhe. Pasi hëngri koka njerëzish të pafajshëm, shkatërroi banesa dhe prona, shkundi e tundi një zonë, madje edhe një rreth të madh politik. Një ministër mbrojtje u largua dhe një dorë biznesmenësh dhe politikanësh u bënë ushqimi mediatik dhe i zbatimit të ligjit. Lajmi i Gërdecit u ndje edhe në mediat britanike. Dhe kështu humanët, shqiptarët dashamirës iu drejtuan thirrjes së gazetës “Albanian Mail” për të zbutur sadopak dhimbjet e Gërdecit. Ideja e lindur si pasojë e nismës së gazetës “AlbanianMail”, që publikoi thirjen për këtë qëllim beri te veten. U grumbulluan me thirjen dhe dashamirësinë e botuesit të saj Nik Berisha, ish kryeredaktores së talentuar dhe tepër humane, Linda Lufo dhe stafit të saj, një sasi e konsiderueshme ndihme financiare. Një ndjenjë tepër humane i kishte shtyrë ata në një veprim krejt human, bujar dhe tepër njerëzor. Mbi një ide të vjetër të shqiptarit Arsim Zagragja, që aktivizoi disa shqiptarë dashamirës për të krijuar skuadra futbolli në shërbim të një ndjenje humane që ndihmoi me të holla disa organizata në Kosovë, djemtë dashamirës shqiptarë i kthyen sytë nga grumbullimi i ndihmave për viktimat e Gërdecit. Menjëherë dashamirësia e shqiptarit Fatmir Merkoja, me origjinë nga Prishtina, krijoi kontributin e parë me një mijë stërlina. Pas kësaj janë djemtë e kryesuar nga Ardian Paloi, Dritan Gërxhala, Shkëlqim Hajri etj. Që kontribuan duke grumbulluar rreth 900 stërlina për të ndihmuar viktimat e Gërdecit. Në bashkëpunim me “Goals Football Center” në Beckenham, djemtë shqiptarë organizuan komunitetin e tyre dhe ndërtuan 16 skuadra futbolli në shërbim të kësaj ideje për të grumbulluar të hollat e lartpërmendura. Gazeta “AlbanianMail” i ka falënderuar këta humanë shqiptarë dhe tani marin urimin e madh. Dhe ata që grumbulluan këto ndihma ia besuan gazetës së komunitetit shqiptar që të çonte misionin deri në fund…
1 Gusht 2008
Në Shqipëri bën vapë. Gjithandej pijet freskuese tentojnë të bëjnë të kundërtën e saj. Por më kot, gati e pamundur të largosh djersën që të bën të kullosh i tëri në ujë. Madje vapa ishte shtuar edhe në hyrje të Gërdecit. Një postbllok, një mori tabelash që të detyrojnë të ndalesh dhe një duzinë ushtarakësh të veshur blu dhe laramanë të detyrojnë të mos vazhdosh më tutje. “Ndal! Zonë ushtarake!”; “Policia ushtarake”; “Ndal policia ushtarake”. Teksa ndalohemi nga rojet ushtarake dhe policore shohim në sfond një kolonë makinash të parkuara në brendësi të fshatit zhurmëmadh. Një grup banorësh afrohen më pranë nesh. “Ka ardhur ambasadori amerikan Withers dhe ministri Oketa na thonë ata, por kanë mendime të ndryshme për fshatin…” U shpjegohemi ushtarakëve dhe u paraqesim dokumentet ligjore, por e pamundur të hysh. “Nuk lejohet”! “Ata që kanë hyrë kanë marë leje,”- na thonë ata. Dhe askush nuk jep më shumë sqarim. Nuk lejohemi të hyjmë në brendësi të Gërdecit, edhe pse tentuam me mënyra të tjera, madje as edhe urdhrat e disa funksionarëve nuk bënë punë. “Ne jemi policia ushtarake dhe nuk njohim tjetër njëri”. Kaq u tha dhe ne nuk tentuam më tepër…
Aty afër postbllokut me një grup njerëzish, ne dëgjojmë prej tyre argumente dhe biseda të ndryshme dhe pyesim pyetje të ndryshme, thjesht gazetareske. Në thelb tentojmë të zbulojmë të dëmtuarit, më nevojtarët e një ndihme modeste, por tepër domethënëse. Një nga ushtarakët na afrohet dhe na jep telefonin e kryeplakut. Arif Halili, kryeplaku i fshatit, përgjigjet menjëherë. Ne i shpjegojmë misionin tonë dhe ai na falënderon. “Jam larg”,- thotë ai, “por po ju jap një emër…Ali Aliu, është me një këmbë. Është i dëmtuar gjatë shpërthimit. Ai është 54 vjec”. Për çudi dhe për fat, këtë emër na e kishin thënë edhe të tjerët, Ramazani, plaku 80 vjeçar që kulloste lopën, Artan Tushaj, fshatari nga Marikaj, por me nënë nga Gërdeci, Nazmi Muka, pronari i firmës “Europa”, për punime duralumini, që tashmë ishte e shkatërruar, e ëma Fitnetja dhe Shefqet Visha që gjendej pranë nesh. Të tjerët hezitonin të jepnin emrat e tyre, madje i shmangeshin edhe fotografive, edhe pse ne folëm hapur me ta për misionin tonë human. Ne ishim përfshirë në një bisedë gati të përhumbur, duke haruar dhe sfiduar vapën. Në çast ia beh si me një frymë, Ramazan Aliu, plaku 80 vjeçar, me lopën e tij, miken e tij, sic u shpreh ai. Ai na foli gjatë për Gërdecin, por ashtu si në rrëfenjat e netëve të gjata, si nëpër skenarë filmash… “Vështirë të bluash Gërdecin në tru”, - na thotë ai, dhe ne përshëndetemi me të dhe të tjerët…
Drejt njeriut me këmbë të këputur
Ai quhet Ali Aliu. Është 54 vjec dhe ka këmbën e djathtë të këputur nga shpërthimi në Gërdec. Është prindi i katër fëmijëve. Babai i tre djemve dhe i vajzës së tij të martuar në Marikaj tek Artan Tushaj. Pas tragjedisë dhe humbjes së këmbës, Aliu ka qëndruar për gati një muaj në spitalin ushtarak dhe tani mban një protezë provizore për të lëvizur. Dy shtëpitë e tij dykatëshe dhe tjetra njëkatëshe, e ndërtuar për djalin e mesëm, janë cilësuar të pabanueshme. Kështu ai tani jeton tek e bija e tij në Marikaj, ku dhëndri Artan Tushaj ia ka hapur zemrën dhe derën njeriut në nevojë.
Ne u ndalëm aty rreth orës tre pasdite në afërsi të shtëpisë së Tushajve në Marikaj. Askush nuk dinte për misionin tonë. Por edhe pse askush nuk dinte gjë, në shtëpinë e Tushajve në cast u bënë gati dhjetë vetë. E para na priti e bija me një fëmijë të vogël në krah. Pastaj pamë në një kënd të ishte ulur Aliu. Pranë tij mbante protezën provizore. Tentoi të ngrihej e të na priste sipas zakonit. Ne gati po na tradhëtonin lotët. Ishte vështirë të përballoje në cast një emocion të atillë që përzihej mes dhimbjes, lotëve dhe ndjenjave njerëzore për njeriun me këmbë të këputur në gjumë. Një gotë me pije freskuese për të gjithë dhe një bisedë më pas. I shpjegojmë ardhjen tonë. I flasim për gazetën dhe publikuesin e saj dhe ai përlotet. Dëshiron të flas me pronarin e gazetës, dëshiron të falënderojë gjithë dashamirësit me zemër të madhe…
Pastaj mbi Gërdec kishte një tis pluhuri, dhe ne shtrënguam duart me të gjithë duke iu drejtuar sërish Tiranës. …
Nuk ka komente:
Posto një koment