Fatmir Terziu
Pas agjensive britanike që shënojnë interesin e shtëpive dhe banesave shqiptare, tashmë janë edhe spanjollët që ia kanë kthyer sytë tregut shqiptar. Kështu Shqipëria është kthyer tashmë në një arenë, ku ndeshja e investitorëve shënon një arenë banesash ende mister. Në këtë arenë janë perëndimorët, vendasit e kamur dhe tek-tuk ndonjë emigrant me mendje pas. Në këtë arenë është tashmë fati i vetë shqiptarëve, fati i banesavë të tyre, që mund të shiten për një grusht para dhe pastaj të riblihen me thasë. Sidoqoftë lajmi vjen disi ogurbardhë. Sipas një prej agjencive kryesore të konsulencës lidhur me të patundshmet në Spanjë mësohet se janë publikuar këto ditë ofertat më të fundit për klientët e saj, ku të bie në sy një vëmendje e theksuar për zhvillimet në Europën Lindore. Sipas “Kategora Investments S.L.”, me qendër në Bilbao, zona baske e Spanjës, veç të tjerave, Shqipëria përbën një treg me leverdi në këtë drejtim për arsye të ndryshme.
Çmimi
Së pari, sipas ekspertëve imobiliarë, ndoshta është i vetmi vend në “kontinentin e vjetër” në të cilin ende mund të gjesh apartamente që kushtojnë duke filluar nga 25.000 euro. Agjencia citon dy raste konkrete, të ndërtimeve të kohëve të fundit, ku ende ka hapësira të lira për t’u shitur, të cilat në fakt, ndodhen në rajonet periferike të kryeqytetit, ku çmimi i metrit katror të apartamentit të përfunduar me gjithë refiniturat, është 400-450 euro. Për spanjollët, por jo vetëm për ta, çmime të tilla janë të paimagjinueshme. Fjala është për dy komplekse rezidenciale, në Farkë dhe Kashar, pra në dy nga komunat jashtë vijës së verdhë të Tiranës, por që janë ngjitur me të, që ndodhen pranë selive të administratës qendrore, por edhe plazhit apo aeroportit ndërkombëtar.
Sipas të dhënave të vetë kësaj agjencie, çmime të tjera të leverdishme banesash mund të gjenden në Rumani, por duke filluar nga 1.100 euro/metri katror, madje jo në kryeqytet, por në Kluzh.
Rishitja
Së dyti, agjencia e konsideron blerjen e apartamenteve të tilla, kryesisht si një mundësi të mirë investimi me fitim të lartë. Sipas Kategora Investments, çmimet e banesave në Shqipëri janë rritur në mënyrë konstante me 15-20% në vit. I nxitur nga kërkesa të emigrantëve; çifteve të reja, që janë me shumicë, në një vend me popullsi të re; migracioni nga zonat rurale drejt qyteteve kryesore, ky treg, sipas vlerësuesve spanjollë, ka tendencë të mbetet i tillë edhe për shumë kohë. Kush blen tani, me këtë çmim, ka shansin të shesë pas pesë vjetësh, me përfitim 100%. Asnjë bankë nuk të ofron një normë kaq të lartë interesi dhe janë të pakta investimet në sektorë të tjerë që afrohen, thekson agjencia e Bilbaos. Ky lajm që vjen në mesin e shqiptarëve nga agjensia “Ballkanweb” duket tashmë se interesi për banesat shqiptare, është një lloj rime me dy mënyra sublime. E para i hyn në punë biznesit të banesave që kanë ngelë bosh këto kohët e fundit dhe i dyti vetë shtrenjtimit të tyre, nëse të huajt do të mësyjnë. Në këtë mënyrë komenti është ende në gatim edhe pse nuk është herët të flasësh për këtë problem.
Nuk ka komente:
Posto një koment