Poeti Ragip Sylaj e ka zakon që subjektin poetik ta bëjë të flasë me metaforat e thella që i njeh lënda e poezisë, së paku kjo vërehet në librat tjerë poetik të tij, por në librin e fundit Eliksir, poeti Sylaj e le të shpërthejë më lirë emotiven.
Ardian Haxhaj
Krijimet poetike shquhen për subjektivizëm, jo vetëm se janë krijime letrare subjektive (shkruhen dhe kompozohen nga autori), por edhe se rrëfejnë, në të shumtën e herave, vetëm për subjektin lirik. Ajo që e shquan librin e fundit poetik Eliksir të poetit Ragip Sylaj, është pikërisht pretendimi për ta shndërruar poezinë krejtësisht në një monolog poetik, si për ta zbuluar misterin e tërësishëm shpirtëror, që fshehet brenda unit të njeriut.
Edhe në librat e mëparshëm poetik të Sylajt shquhet tendenca për ta zbërthyer enigmën dhe skutat e subkoshiencës së krijuesit, të cilat fshehen thellë në ndërdije, por kësaj here poeti Ragip Sylaj është pakëz më i hapur dhe si rezultat edhe më refleksiv. Poezia që e hap si testament përmbledhjen poetike Eliksir, është poezia "Në ditën e tetë të javës", që në titull shënjon jorendomtësinë, në të cilën ditë, subjekti lirik do të duket ashtu siç dëshiron ai:
Në ditën e tetë të javës
Do ta takoj vetveten dhe do tzi hyj në thellësi
Larg kaosit larg dhembjes larg përbuzjes
Ky deklamim poetik për mbërritjen e "ditës së tetë të javës", në të cilën subjekti lirik do të gjejë prehjen e kërkuar, nuk është i mbështjellë me ndonjë ironi të shpërlarë. Jo. Ky deklamim poetik është shumë më i thellë në mendim, shumë më i thellë në emocione dhe shumë më i thellë në mesazhe. Ajo çka e largon notën e ironisë së shpërlarë në këtë poezi, është bindja e këtij subjekti lirik për mbërritjen e "ditës së tetë të javës", që shënjon edhe një lloj dite të shpëtimit për të. Dhimbja dhe tragjika që e ngërthen këtë poezi qëndron te heqja dorë e unit poetik nga kërkimi i lumturisë në shtatë ditët e rendomta të javës. A nuk do të thotë se ky zë poetik i ka larë duart njëherë e mirë nga rendomtësia dhe gëzimin mundohet ta gjejë te jorendomtësia? A nuk përshfaqë kjo ndjenjën rezignuese, se të mirat e njeriut nuk mund të gjenden në të shtatë ditët e javës? Poezia testament "Në ditën e tetë të javës", që edhe e hap librin poetik Eliksir, qëndron në vete si poezi antalogjike, jo vetëm në përbërje të këtij libri poetik, por duke i përfshirë këtu edhe librat e tjerë poetikë të këtij poeti, si: Hije e gjallë, Anatomia e rrënjës, Lisi i shenjtë dhe Mëngjes qumështor me akull.
Poeti Ragip Sylaj i takon asaj kategorie krijuesish, të cilët në krijimet letrare mundohen të fusin sa më shumë përvojën psikologjike të subkoshiencës njerëzore. Një formacion i këtillë stilistik vërehet edhe në librat me tregime të po të njëjtit autor. Prandaj në librin poetik Eliksir vërehet tendenca për të monologuar me vetveten, që vetvetja është e ndarë në "unë" njerëzor dhe në "unë" shpirtëror, kurrsesi të njëjtë. Përkundrazi, janë subjekte të ndryshme. Mirëpo, poeti Sylaj ia ka arritur me sukses që këta dialogë psikologjikë me vetveten tzi shndërrojë në monologe poetike, të cilat, për nga kompozimi dhe gjetjet stilistike, i bëjnë poezi me nivel të lartë artistik. Për shembull, në poezinë "Bisedë me demonin tim" përsëri përshfaqet monologu i dialogizuar ndërmjet dy subjekteve, ashtu si në poezinë tjetër "Ballë për ballë me përjetësinë". Në këto poezi qahet halli ndaj vetvetes, ndaj mundimeve dhe përvujtnisë jetësore, që i janë bërë për shkak të moslakimit të shtyllës kurrizore ndaj idealeve. Edhe këtu vërehet fryma e një testamenti poetik, që në gjuhën poetike ngërthen ndjenjën e një pikëllimi të largët dhe ndjenjen e një rezignimi momental. Monologu poetik me vetveten vazhdon pothuajse në të gjitha poezitë e ciklit "Ora e qiellit", ku subjekti lirik në shumë vargje i kërkon falje vetvetes, një kërkim faljeje ky ndërmjet dy subjekteve inerte, brenda një uni poetik.
Poeti Ragip Sylaj e ka zakon që subjektin poetik ta bëjë të flasë me metaforat e thella që i njeh lënda e poezisë, së paku kjo vërehet në librat tjerë poetik të tij, por në librin e fundit Eliksir, poeti Sylaj e le të shpërthejë më lirë emotiven. Është me rëndësi të theksohet se përmbledhja poetike Eliksir është e kompozuar nga poezi të cilat janë shkruar nëpër vite të ndryshme, e për këtë autori i ka shoqëruar poezitë edhe me vitet e shkrimit të tyre, që e kapin kohën e një dekade. Pra, kjo formë e re e prezantimit poetik për të qenë më i çlirshëm në krijimin e metaforave të mbushura me intonacion të lartë emotiv, është një sprovë e re autoriale. Në poezinë e ndarë në shtatë pjesë "Këngët e ngashërimit", të cilat asociojnë me shtatë ditëshin e krijimit biblik të botës dhe njerëzimit, poeti i këndon pasojave të apokalipsës ndaj etnikumit tonë dhe ngashërimit që ndjen për gjithë atë rrënim:
Frikë ndiej prej jetës si i burgosuri prej lirisë
E ngashërehem për fëmijët që presin etërit e amshuar
Ndiej nevojë të qaj sonte për të vdekurit
E szdi a mzka mbetur mall tzi takoj të gjallët
Një tjetër veçanësi e librit poetik Eliksir të Ragip Sylajt është cikli i fundit me poezi i titulluar "Antikënga e mllefit", ku i këndohet ndjenjës së dashurisë. Të gjitha poezitë e këtij cikli shquhen për një frymë paksa romantike ndaj dashurisë, që ta kujton konceptin naimian ndaj të bukurës dhe dashurisë, këngëtimin metaforik lasgushian për të dashuren, si dhe përdorimin e rimave dhe konsonantave të ngjashme me poezitë e Lasgushit:
Epshin e pangopshëm e mbylla në dry
Për tzpushuar magjishëm një krijesë
si Ty
Nzveshje ekzotike Ti mzrrezaton prore
Bukuri supreme lulja më femërore
Po ashtu, poezitë me motive dashurie, në këtë libër poetik, të kujtojnë vrullin dhe sensualen e "Këngëve mbi këngët", ku gruaja mishërohet me gjallërinë dhe tharmin e jetës për njeriun. Koncepti i Sylajt për gruan është, herë si grua-lule, herë si grua-dashuri, herë si grua-hyjneshë. Poezitë e ciklit "Antikënga e mllefit", pa dyshim, janë poezitë më të arrira, me motivin e dashurisë, në gjithë krijimtarinë poetike të poetit Sylaj.
Poeti Ragip Sylaj krijon poezi kur gjakon për të krijuar poezi. Është një ndër të rrallët poetë në arealin e poezisë shqiptare, që poezinë e krijon me kaq dhimbje krijuese, që poezinë e nxjerrë nga momentet më të trazuara shpirtërore. Poezitë e Sylajt e përligjin konceptin e Aristotelit, se poezia është më filozofike se gjithçka tjetër.
Nuk ka komente:
Posto një koment