Nga Ragip Sylaj
-Nga punimet e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë
Në ditën e dytë të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, dje, përveç kurseve të gjuhës, nga prof.dr. Emin Riza është mbajtur ligjërata “Banesa qytetare shqiptare në Kosovë në shek. 18-19”. Sipas tij, banesa qytetare kosovare është një dukuri e trajtuar vonë, pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo është një dukuri jo vetëm shqiptare por edhe evropiane. Kjo për faktin se kultura popullore nuk pati mundësi trajtimi adekuat, sepse injorohej. Për dallim nga objektet e kultit, fortifikimet, banjat publike, banesa popullore ishte lënë në plan të dytë. Ajo konsiderohej minore, kështu që nënvlerësohej vlera artistike e saj. Quhej popullore, sepse ndërtues i saj ishte mjeshtri popullor, i pashkolluar, por duke e përcjellë mjeshtërinë e tij brez pas brezi.
Karakteristikat e banesës së përmendur ndërlidheshin me kërkesat e pronarit dhe me pozitën qytetare, por edhe me mundësitë e tij ekonomike.
Duke u ndalur te arkitektura kishtare, Riza tha se pavarësisht nga feja, ndërtimet e tilla kanë një program rreptësisht të zbatueshëm me mundësi të vogla për ndonjë interpretim nga mjeshtri. Në kontekst, mecenati (investitori) ka dashur ta lartësojë emrin e vet dhe ka dashur të kontribuojë në përhapjen e feve.
Fortifikimet, që kanë pasur funksione mbrojtëse, vrojtuese etj. janë të pabanuara, ndërsa rëndësi parësore ka trualli, ndërsa teknika e ndërtimit të mureve është kushtëzuar nga revolucioni i teknikës së armatimit (p.sh. zbulimi i armëve të zjarrit etj.).
Ky ligjërues përmendi edhe objektet e banjave publike në qytete (që ishin bërë fillimisht nga romakët, e më pas edhe nga Perandoria Osmane). Në këtë kontekst, ai tha se përgjithësisht mund të flitet për ndërtimet, ose banesat shqiptare në periudhën romake, osmane etj. Ato janë arkitektura shqiptare të akëcilës periudhë, ndërsa ndërtimet që janë krejtësisht origjinale janë ato të popujve të prapambetur. Në këtë kuadër mund të thuhet se shqiptarët kanë marrë gjithçka pozitive prej popujve të tjerë dhe se në këtë drejtim nuk ka pasur paragjykime.
Shfaqja e banesës si nevojë për strehim është kategoria më e lashtë. Sa i përket banesës shqiptare dhe përgjithësisht banesës evropiane dhe ballkanike të dhënat e derisotshme (reale, të prekshme) kryesisht i përkasin shekujve 18, 19.
“Konsiderimi i banesës fshatare (e shekujve 18, 19) e cila për natyrën e saj është më konservatore, dhe duke e njohur këtë tipologji historiani i arkitekturës ndihmohet në mënyrë prapavajtëse edhe në shekujt e mëparshëm”, tha Riza. Sipas tij, dallimi thelbësor ndërmjet qytetit dhe fshatit qëndronte në mënyrën e sigurimit të jetesës. Një qytet ishte më tepër qytet në përputhje me numrin e popullsisë që ushtronte zejtarinë dhe tregtinë. Në tipologjinë e banesës qytetare shqiptare ndeshim edhe banesa të thjeshta me vende ku strehoheshin edhe kafshët, meqë ata ushtronin edhe bujqësinë e blegtorinë (veçmas në periferi të vendbanimit).
Me banesë qytetare kosovare nënkuptohet banesa e ndërtuar përgjithësisht nga shqiptarët për shqiptarët dhe të nacionaliteteve të tjera. Rol të rëndësishëm kishte, siç u tha, porositësi e që lidhej me mënyrën e jetesës dhe me gjendjen e asaj popullsie.
Riza foli edhe për kriteret e studimit, përkatësisht të njohjes së banesës dhe klasifikimin e saj. “Kur themi banesë kosovare pretendohet të nxirren në reliev karakteristikat e saj në krahasim me banesën shqiptare dhe ballkanike. Ajo është edhe dokument i jashtëzakonshëm dhe shenjë e kulturës dhe e identitetit tonë”, theksoi ligjëruesi Riza.
Pasi foli për shtëpinë e zjarrit, oxhakun, odën e miqve, hajatin, çardakun etj, ai u ndal në tipologjinë e banesës, përkatësisht klasifikimin e saj: tipi i banesës me hajat, me çardak, me qoshk, tipi i kullës, zgjedhje të veçanta.
SNGJLKSH i sivjetshëm, përkatësisht edicioni i 27-të i tij, mbahet në shenjë të 100 vjetorit të lindjes së prof. Eqrem Çabejit, 70 vjetori të vdekjes së Migjenit, por edhe 130-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit.
Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, punimet e të cilit do të zgjasin deri më deri më 29 gusht, mbahet me përkrahje financiare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.
Nga programi i SNGJLKSH
Në ditën e tretë të Seminarit, dje në orën 11.00 për arsimin në Kosovë, para seminaristëve dhe të pranishmëve të tjerë në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë ka ligjeruar ministri i Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj. Në orën 13.00 do të realizohet një vizitë në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Ndërsa në orën 18.00 do të mbahen referime nga studiuesit: Marenglen Verli, Jarosllav Jasochacki, Abdullah Karjagdiu, Jusuf Bajraktari, Lush Culaj, Gjyltekin Shehu, dhe Lavdosh Ahmetaj. Këto referime në qendër të intersimit të autorëve kanë ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në jubileun e 130-vjetorit të saj.
Ditë më parë nga çelja e seminarit
Në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë filloi punimet Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Fakt është që misioni i këtij Seminari nuk është i tejkaluar, por vazhdon të mbetet i kërkuar. Në hapje të SNGJLKSH kanë folur: drejtori i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare prof. dr. Imri Badallaj, bashkëdrejtuesi i Seminarit Ymer Çiraku, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Enver Hoxhaj, rektori i Universitetit të Tiranës prof.dr. Dhori Kule, kryetar i ASHAK akademik Rexhep Ismajli dhe dekani i Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës Nuhi Rexhepi, i cili e deklaroi të hapur Seminarin. Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, punimet e të cilit do të zgjasin deri më deri më 29 gusht, mbahet me përkrahje financiare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.
***
Manifestimi tradicional i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, përkatësisht edicioni i 27-të i tij pardje (më 18 gusht) i ka filluar punimet në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë. Në hapjen solemne, përveç pjesëmarrësve të Seminarit, merrnin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve politike, shkencore dhe kulturore të Kosovës. Prof. dr. Imri Badallaj, drejtor i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, pasi foli për historikun e këtij institucioni, tha se ky edicion është i veçantë në të gjitha trojet shqiptare, sepse një veprimtari e tillë që zgjat dy javë nuk mbahet askund tjetër, përveçse në Universitetin e Prishtinës. Në seminar, sipas Badallajt, pjesëmarrësit janë jo vetëm njohës dhe të interesuar për studime të gjuhës dhe letërsisë shqipe, por edhe miq të Kosovës, të cilët kanë kontribuar në shumë segmente. Bashkëdrejtues i Seminarit Ymer Çiraku tha se misioni i këtij Seminari nuk është i tejkaluar, por vazhdon të mbetet i kërkuar krahas faktorëve të tjerë konkurrues shkencor dhe jashtë shkencor. Seminari i Prishtinës, sipas Çirakut, është i mirëseardhur dhe plotësisht i dobishëm edhe në këto kushte të reja politike e sociale të Kosovës e më gjerë të të gjithë shqiptarëve. Sipas ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, Seminari është kohezion, traditë dhe kontinuitet i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Seminari për më shumë se 30 vjet ka qenë një forum me një mision të fuqishëm shkencor dhe politik për shqiptarët, i cili për shumëçka e ka definuar edhe shtetësinë e Kosovës, tha më tej ministri Hoxhaj. Rektori i Universitetit të Tiranës, prof.dr. Dhori Kule punën e këtij institucioni e ka quajtur mbrojtës i vlerave autentike të kulturës shqiptare, si pjesë integrale e kulturës evropiane. Akademik Rexhep Ismajli, kryetar i ASHAK, tha se bota akademike ka nxjerrë vlera të mëdha nga Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Ai me këtë rast ka potencuar, në mënyrë të veçantë, rolin e seminarit në çështjen e arbëreshëve të Italisë, të cilët, sipas Ismajlit, gjetën në këtë seminar strehën ku kultivuan vlerat e tyre të identitetit historik dhe kulturor. Në kohën e respektimit të të drejtave të pakicave në Evropë, me këtë rast, u bëri thirrje sidomos arbëreshëve nga Greqia që të shfrytëzojnë Seminarin e Prishtinës për të sensibilizuar çështjen e identitetit të tyre nacional dhe kulturor. Nuhi Rexhepi, dekan i Fakultetit të Filologjisë, i cili e deklaroi të hapur Seminarin, tha se gjuha shqipe është thesar i shumë brezave, esencë e qenies sonë kombëtare dhe për misionin që gjuhës shqipe t’i jepet hir i ri. Me këtë rast nga Blerta Ismajli u lexua një letër përshëndetëse e albanologut hungarez Ishtvan Shyc (85), i cili për 25 vjet me radhë ka qenë pjesëmarrës në SNGJLKSH. Ai, me fjalët më të zgjedhura, njoftonte për përgatitjen e një libri nga albanologjia që do të botohet në gjuhën frënge. Në programet e veta SNGJLKSH përfshin kurse gjuhe (në tri shkallë), ligjërata të veçanta të gjuhësisë e të letërsia, referime shkencore, ligjërata të përgjithshme. Me këtë rast, më 28 dhe 29 gusht do të mbahen dy sesione shkencore. Nga gjuhësia tema qendrore do të jetë “Shqipja në rrjedhat e globalizmit”, ndërsa nga letërsia: “Kosova dhe letërsia shqipe”. Në dy tryeza të rrumbullakëta do të shënohet 100 vjetori i lindjes së prof. Eqrem Çabejit dhe 70 vjetori i vdekjes së Migjenit. Por, do të shënohet edhe përvjetorët e këtij viti, siç janë: 130-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit.
Nuk ka komente:
Posto një koment