Iliriana Sulkuqi
Kështu ka thënë Faruk Myrtaj për Kolec Traboinin, kur sapo lexoi në ekranin e vogël edhe një blogspot për të njohurin e hershëm të letrave shqipe Roland Gjozën.
E fillova me thënien e Farukut sepse nuk gjej tjetër më të saktë. Të botohesh ndryshe do te thotë edhe të lexohesh “ndryshe”. Pra, nga 500 apo maksimumi 1000 kopje libri të botuara nga xhepat e varfër të poetëve dhe shkrimtarëve, të lexohesh nga mijra lexues. Dhe këtë e bëjnë “botues” të papaguar dhe që nuk e kanë biznes këtë “lloj” botimi.
Po sikur, i mirënjohur Kolec, njëzetëmijë lexuesve të “ Traboini Connect” t’u shtoheshin mijra lexues edhe nga multibiblioteka e Simbad Detarit (Vasil Qesarit), nga “Fjala e Lirë” dhe “Albania News” e Fatmir Terziut, apo “Shirat e Vjeshtës” të Dilaver Baxhakut, apo…., sa lexues do të bëheshin ?
Nuk ka shumë kohë që “festuam” në mënyrën tonë internetike, Reportazhin e njëmijtë të Simbadit në TV Francë 3 dhe 5000 lexuesit në “Simbad”. . Për të largëtit miq , të tilla festa janë sikur një dasmë, pa nuse e dhëndërr , por me një Hyjni të përbashkët: - Artin.
Fatmiri, na le pa gojë me temporitmin cilësor të tij, ku ditënata për të nuk qenka si e jona. Brenda tij qenka tre herë e gjysmë më shumë. I kthehet dhe u rikthehet vlerave. Ditë e pas pak ditëve lexon e rilexon …”përsëri për Pëllumb Kullën…përsëri për Faruk Myrtaj…, përsëri për Kolec Traboinin…përsëri për “kodin poetik të Nase Janit…”asgjë e përsëritur nga më parë, asgjë e thënë nga ndokush tjetër…. Autori sikur ka etjen tonë …Dhe Dilaveri, me “Shirat e Vjeshtës”, na mbledh të gjithëve në Tiranë.
jAJa Miq të letrave që botojnë njeri-tjetrin dhe gjithë të tjerët, miq që urojnë njeri-tjetrin, privatisht dhe puplikisht (pa asnjë interes të ndërsjelltë); miq që dijnë ta sjellin njeri –tjetrin përballë lexuesit dhe nuk e zhgënjejnë atë; miq që i dhurojnë njeri-tjetrit qetësi shpirtërore dhe i japin “urdhër” për të vazhduar më tej, më tej; miq që nuk e kopjojnë apo e “vjedhin” njeri-tjetrin, por me individualitetin e tyre të patjetërsueshëm, i dhurojnë lexuesit, nëpërmjet njeri-tjetrit, vlera nga të gjitha fushat e artit.
Shumë nga miket dhe miqtë e mi gazetarë më thonë se, para se të fillojnë punën e përditshme në gazetë, “vizitojnë” më parë “shtëpinë” e Artit të Simbadit, Kolecit, Fatmirit… Pra, të dashur miq, duke menduar për lexuesin , mendoni edhe për gazetarët tanë në vendin tonë, të cilët, të vërtetat i marrin më shumë nga ju se nga Tirana.
Urime dhe shëndet, miq! I paçi hallall lexuesit …dhe mos e dhëntë zoti t’i harroni…
Me dashuri dhe në pritje për t’ju dhënë, të paktën, një kafe poetike-
sinqerisht-Iliriana
Nuk ka komente:
Posto një koment