e shtunë, qershor 28, 2008

Shqipëria pa ndotje?!



Nga Fatmir Terziu

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dy herë ndërroi veshjen e tij gjatë vizitës në zonën e ish metalurgjikut të Elbasanit. Ndërsa fiksohej në kamera, herë me jelek blu e herë me xhaketë të zezë, ai deklaronte para medias se “Shqipëria nuk ka ndotje...”. Dhe këtë prononcim ai e bënte në krah të inspektorëve të ambientit dhe Prefektit të Elbasanit, mjekut Deliallisi, që pak kohë më parë patën dhënë alarmin për ndotjen në Elbasan. Nëse deklarimi i Berishës do të bëhej nga ndonjë qytet tjetër, ndoshta puna e ndotjes do të përtypej lehtë, siç janë përtypur shumë gjëra të tilla në situata të ngjashme. Por kur ky deklarim vjen nga Elbasani, nga qyteti me ndotjen më të madhe në Shqipëri, absurdi i kalon kufijtë.

Në lidhje me këtë deklarim të Kryeministrit të Shqipërisë, në fakt pak media reaguan. Edhe ato që reaguan e quajtën shaka të radhës. Të tjerët heshtën. Dikush edhe nuk i besonte veshëve. Të thuash në mes të ditës me diell të mbuluar nga tymi i siderurgjikut se “nuk ka ndotje”, do të thotë hapur se qëllimisht prodhohen barcaleta nga kreu i ekzekutivit shqiptar.

Në fakt është thënë edhe më parë nga institucionet shqiptare se Shqipëria vazhdon të renditet si një ndër vendet me nivelin më të lartë të ndotjes. Agron Deliu, specialist pranë Institutit të Shëndetit Publik, shpjegon se gjatë 2006-ës, OBSH bëri një matje, nga e cila rezultoi se grimcat ndotëse që shqiptarët thithin bashkë me ajrin janë 2-3 herë më të larta se vendet e tjera të BE-së. "Si rezultat, kjo ndotje shkurton jetën e shqiptarëve nga 1.5-2 vjet, nga 7 muaj që është për vendet e tjera të BE-së", - ka shpjeguar Deliu. Deklaratat janë bërë me rastin e "Ditës botërore të shëndetit". "Dua të falënderoj Organizatën Botërore të Shëndetësisë për mbështetjen e vazhdueshme të sistemit tonë shëndetësor, megjithatë Shqipëria ende ka shumë probleme për shkak të një ekosistemi të dëmtuar dhe ndotjeve që ka shkaktuar urbanizimi i shpejtë", - ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka.

Ndërkohë zoti Berisha i është drejtuar të pranishmëve në Forumin Ekonomik të Vjenës, një aktivitet që u organizua për herë të parë në Tiranë nga Agjencia e Investimeve të huaja, (Albinvest): “Përsa i përket mjedisit ka pasur përmirësime te mëdha. Kjo përsa i përket industrive që nuk ekzistojnë më. Përsa i përket shkarkimit në atmosferë të gazrave, Shqipëria nuk është ndër ato vende që shkakton të tilla. Siguroj se bregdeti shqiptar është në masën 90% i përshtatshëm. Ne kemi masterplan. Do kemi program shumë miqësor për turistët në Shqipëri. Shumë i rëndësishëm është dhe bashkëpunimi mes shteteve siç kemi me Malin e Zi”.

Të gjelbrit Evropianë: situatë katastrofike ekologjike

Një delegacion zyrtar i kryesisë së Partive të Gjelbra evropiane pas vizitës në qytetin e Elbasanit ka shprehur shqetësimin për situatën e rënduar mjedisore që vazhdon të mbizotërojë në këtë qytet. “Elbasani nuk është vetëm i juaji, por është edhe i qytetarëve të tjerë evropianë. Kjo situatë katastrofike ekologjike që të bën për të qarë duhet të frenohet sa më shpejt.” Me këto fjalë iu është drejtuar autoriteteve vendore të këtij qyteti eurodeputeti Harry Vassallo njëkohësisht edhe anëtar i kryesisë së partive të gjelbra evropiane. Vassallo dhe një delegacion zyrtar i kryesisë së Partive të Gjelbra evropiane vizitoi në mesjavë qytetin e Elbasanit ku kanë shprehur shqetësimin për situatën e rënduar mjedisore për të cilën sipas tyre nuk ka nevojë që të vendosen aparatura matëse pasi gjithçka duket fare qartë kur kalon përgjatë rrugës në zbritje nga Qafë Kërraba për në drejtim të zonës industriale.

Të Gjelbrit evropianë janë ofruar të japin shembullin e tyre në këtë drejtim për Elbasanin. Me shpresën që Elbasani do të kthehet në një nga qytetet me nivel ndotjeje sa më të ulët në të ardhmen delegacioni zyrtar i kryesisë së partive të gjelbra evropiane ka sugjeruar edhe një plan masash që duhet të ndërmerret nga ana e strukturave shtetërore për përmirësimin e gjendjes aktuale mjedisore.

1 koment:

Anonim tha...
Komenti u hoq nga administratori i blogut.