e diel, qershor 22, 2008

Shqipëria e ikur*



Faruk Myrtaj

Emigrantët janë racë e çuditshme. Prej kohësh po shfaqen si e ardhme e botës. Ngaqë më mungojnë ca pak të dhëna, dhe ngaqë askujt nuk do t’i hynte në punë, nuk shtyhem deri sa ta konsideroj komb më vehte! Por që janë “shumica më e lirë” e planetit, nuk druhem ta pranoj.
Emigrantët shqiptarë, si gjithë të ikurit e tjerë, shtyhen të ndjehen e të sillen e të jetojnë në shoqëritë ku tashmë gjenden. Të vonuar, edhe si emigrantë, i gjenë megjithatë më të dyzuarit mes emigrantëve: më shumë në atdheun e lënë se aty ku jetojnë. Dhe për më tepër, fatkeqësisht janë më fatlumët mes emigrantëve të Europës: nuk i kanë të shumtë lajmet e mira prej Tiranës zyrtare, sa të mendojnë kthim të shpejt atje! Edhe pse tek-tuk ndodh ndryshe… Më tepër ka të ngjarë të presin që Atdheu t’i afrohet Europës. Megjithatë, sytë e veshët dhe gëzimet e festat e hallet, atje i kanë!
E lamë Lindjen, ngaqë pritja për ta parë vendin Perëndim dukej ca si shumë e gjatë. Atje ku kemi qenë, situatën vazhdojnë ta quajnë tranzicion. Duket se i marrin gjërat me të qeshur, që ndjehen mirë. Nuk është fjala vetëm për pushtetarët që ngjiten e bjenë përkohësisht prej karrikeve. Shqetësues është fakti që votohet gjithnjë për “kullutkofagët” që bërtasin më shumë, gjithnjë në emër të popullit që është në Ikje.
Ata që vazhdojnë të mbesin, ose presin të përfitojnë diçka nga të mbeturat e betejës së paparimtë, ose janë mësuar me mungesat e gjërave “elementare”, si drita, uji, liria...!
Kur u telefonojmë njerëzve tanë atje, na pyesin me shaka nëse këndej ku jemi kemi drita apo jo?! Dhe nëse kemi ujë gjithë javën?! Po u themi, kemi, si s’kemi! Si për gjëra të rëndomta, teksa ndjejmë se vërtetë po harrojmë ato gjëra që atje janë mungesore. Ndjehemi OK, kur bëjmë “birin, vëllanë a motrën e mirë”, kur mund të bëjmë dritë pak më shumë si qytetarë.
Po korrupsion, a keni?, na pyesin, se këtu nuk po ngjyejmë dot më!
Edhe këndej kemi, bëjmë iso ne, por nuk i dimë edhe aq këto gjëra! Ne dimë korrupsionin që dini ju aty! Se mungesat aty vazhdojmë të vuajmë, rrugët aty janë gjithnjë të prishëshme, pavarsisht tenderave, dhe qeveritë e ministrat aty i dijmëë kokërr për kokërr, se aty premtojnë atë që është e sigurt që s’do të bëhet, se aty opozita premton po ato gjëra të opozitës së mëparshme, kurse pozita mbrohet me të njëjtin fjalor të ish-pozitës! Vetëm prej aty dëgjomë që politikanët e duan Europën dhe Amerikën më shumë se të qeverisurit prej tyre! Dhe sjelljet i kanë si pashallarët e hershëm që për të fituar nam tek Porta e Lartë, e shtrëngonin rripin për shqiptarët...

Pastaj bje fjala për punët që bëjmë ne këndej dhe punët që me gjasë bëjnë ata atje dhe ... aty nisin dallimet. Ne këndej punojmë, ne këndej e dimë se pa punë nuk mbahemi dot gjallë, pa punë nuk rronë dot ditën tjetër. “Këndej nuk ka Parti Pune, por ka punë!”, u themi. Ata qeshin, qeshim edhe ne. Dhe vazhdojmë t’i bindemi “fatit” që kemi për pjesë. Ata i gëzohen atij Atdheu që është, ne Atdheut-imazh, ëndërruar prej rilindasve, që s’bëhet që s’bëhet! Ata me shpresë të gjejnë ndonjë vizë për këndej, ne...na e do shpirti atë truall, por hë të bëhemi me dokumenta, hë të marrim pak veten, gjersa vjen një ditë që Atdheu na bëhet i pamundur...
A thua, po të ktheheshim atje, do ta “ulnim kokën” të bënim punët që bëjmë këtu?! Dhe si qytetarë me më shumë dritë tashmë, a do ta bindnim të afërtin tonë të kërkonim nga qeveria atë që vetëm prej saj duhet kërkuar, dhe prej qytetarit gjithë sa qytetari ka për detyrë? Si të ikur, si “shqiptarë të jashtëm”, s’mundim që s’mundim të jemi më të ftohtë, më të arsyeshëm. Kur jemi bijë komunistësh s’arrijmë dot ta themi një ndjesë, së paku tani larg atdheut, dhe të mos na tërheq loja e atjeshme e të njëjtëve; kur jemi të munduar nga ajo kohë, a s’mundim të predikojmë që më në fund të pushojë padrejtësia, privimet, censurat? Kur jemi nga Jugu, bëjmë mirë ta dëgjojmë dëshirëmirë gegnishten, dhe kur jemi nga Veriu të qëmtojmë faktin se dhuna ka qenë dhunë, ndaj gjithë vendit. Dhe të dy palët, të qetësohen teksa kujtohemi se është fjala për një Shqipëri të vogël, s’mund të flitet për Veri dhe Jug të një pike!
Përkundrazi, ndizemi flakë dhe grindemi në mes të metropoleve si pranë KQZ-së në Tiranë! Sepse, prej po asaj balte jemi bërë, prej po asaj klime na valon gjaku, dhe se e dimë mirë që, edhe nëse nuk jemi të pranishëm atje në fushatat elektorale, atje jemi të regjistruar dhe atje e hedhim votën! Kur rastisim vetë atje, apo kur ua delegojmë votën njerëzve tanë atje, a nuk nisemi shpesh nga pasione të vogla, të kultivuara nga shtypi i paprinciptë?
Por lajmet e atjeshme mezi i presim, megjithatë. E lexojmë qysh në mëngjes shtypin atje, edhe pse e dimë që krijesë e mjerë politike është! Klikojmë tek gazetat shqip dhe mbetemi me të njëjtin virus prej të cilit ata atje e kanë vështirë të shpëtojnë. E kemi sharë e mallkuar të gjithë komunizmin, por as që kujtohemi se në Shqipëri ish-komunistët janë kudo në politikë, dhe ende nuk ka pronarë pa lidhje në politikë! Nuk shkojmë ndërmend t’u themi të vërteta qeveritarëve tanë, kur na vizitojnë (ndjekur nga shpura si prej burrështetas të vendeve të mëdhenj e me mirëqënie), këndej ku na ka degdisur pikërisht qeverisja e tyre. Madje jemi gati të paguajmë për ceremonitë false e boshe që organizohen për ta! Vijnë në Perëndim e paraqesin plane e projekte për investimet në Shqipëri, por lenë Perëndimin, zbresin në Lindje, dhe i kthehen avazit “avash-avash”! Për Anglinë dhe Europën konstitucionale e demokratike kujtohen dhe e thërrasin si arbitër veç kur grinden për “pjesët” midis. A thua nuk e dinë se pa kthyer pronarin, pa rivendosur drejtësinë, pa respektuar të drejtën e votës, të pronës dhe fjalës, askush nuk ka ndërmend të vijë e të investojë atje...
E dimë se atje të gjithë kemi kushërinj, dhe ata duhet të fitojnë, se nuk ka Zot të na pengojë të mos e gjejmë “mikun” për zgjidhjen e “halleve” të njerëzve tanë atje, qoftë edhe jashtë ligjit; e dimë se sipas akuzave të vetë politikanëve për njeri tjetrin, ata të gjithë duhet të ishin në “shtëpitë pa qira”, gjë që nuk ka për të ndodhur se s’ka drejtësi të pavarur, dhe prapë bëjmë iso për ta! Në fund të fundit ngushëllohemi se më mirë jemi, po të krahasohemi me dhunën e “pushtetit popullor” që na ka qeverisur më parë!
Por na trishtojnë lajmet prej atje. Shumë. Se ne atje jemi, prandaj...
Shqipëria e ikur, jemi.
Ajo Shqipëri që kurrë nuk u bë dot, si për mërzi e maraz të idealistëve të saj. Ajo Shqipëri që u ndërpre papushim, si shesh luftrash për të tjerët. U rilindë ëndrrash prej Rilindasve dhe bëri të merrte trajtën e Shtetit, por u ndëshkua ashpër në vitet si “Fanar i Kuq”. Shqipëria tjetër, europiania, u kërkua nga poshtë, në fillimvitet ’90, u shpërdorua nga ata sipër. E lodhën ëndrrën, e lanë pa pronë të hidhte rrënjë, pa liri fjale të madhohej prej ëndërruesve, e kthyen në “materiale” dhe vazhdojnë ta ndajnë mes veti...
Ne ikëm...
Nuk do të doja të kisha asnjë fije të drejte, nëse do të shprehesha se shqiptarët ikin duke marrë edhe ëndrrën me vehte...
Megjithatë, është mirë të bëjmë kujdes mos rezultojë e vërtetë kjo pandehmë. As edhe pjesërisht.
Ne jemi Shqipëria e Ikur, por ndjehemi më shumë atje. S’ka se si që edhe ëndrra jonë të mos jetë atje...
Ç’bëhet vallë, sikur t’ua kujtonim këtë atyre...?!

*Ky eshte marre nga gazeta "AlbanianMail" qe botohet ne Mbreterine e Bashkuar.

Nuk ka komente: