e enjte, prill 03, 2008

Poeti Eqrem Basha, mes reales dhe absurdes




“Gjonlekaj Publishing Co. dhe Robert Elsie kanë sjellë në shqip e anglisht “As plagë as këngë”të poetit ekstravagant Eqrem Basha

nga Dalip Greca

Kush e kontakton për të parën herë poezinë e Eqrem Bashës, provon fillimisht një ndjenë të papërcaktuar, ndoshta një ndjenjë që lëkundet mes hutimit dhe egazltimit, ndërsa kush është ushqyer herët me ekstravagancën e muzës së tij poetike, së paku që në mesvitet ‘70- ‘90-të, e ndjen veten si në shtëpinë e poezisë, zor se ngopet me të dhe sa më shumë zhytet labirintheve të saj, aq më shumë i uritur ndjehet. Poezia e Eqrem Bashës është e një lloji të veçantë, zor se ka pika të tjera krahasuese ndër bashkëkrijuesit e hapësirës shqiptare. Ajo është gurrë më vete dhe i ka të veçanta krojet, ku ushqehet muza e tij tekanjoze, e cila të bën që të mekesh, të mbash frymën , të mbyllësh sytë e ta lësh veten në krahët e ndjenjës poetike kur e përjeton, është njësoj sikur ta imagjinosh veten në një fluturim në krah zogjsh a krah ëndërrash, ku i frikesh zgjimit dhe nuk do të doje kurrë që Pegasi të lëshonte qiejt.
Në qarqet poetike të Tiranës poezia e Bashës qarkulloi gjysëm klandestine në mesin e viteve ’80 për të qarkulluar lirshëm në fillimn e viteve ’90 dhe tërhoqi vëmendjen për ekstravagancën e saj. Trillet poetike të Bashës, që duket se lëkundet mes ekzistencës dhe inekzistencës, mes reales dhe irelaes, mes absurdit, të befasojnë e të trondisin. Ai vuan nga plagët e shpirtit, ndërkoh që pa iu shuar dhimbja që pikon stërmundim e vuajtje, arratiset në mrizin e poetëve dhe këndon hareshëm për të ardhmen që e sheh edhe kur ajo mungon.
“Neither a Woulnd nor a Song”, “As plagë as këngë” është një përzgjedhje e përkryer e Robert Elsie, i njohur tashmë për prurjet cilësore në anglisht të krijuesve shqiptar. Ndërkohë që Janice Mathie-Heck, sjell bashkë me poezinë e Eqrem Bashës edhe një studim dinjitoz për poezinë e veçantë të poetit tonë ekstravagant.
Kënga e poetit Basha lind brenda gjoksit të tij të trazuar, gatuhet aty brenda honeve të zemrës së tij, që nuk trandet, rrokullehet brenda gurrave të muzës së tij, që vuan në rezonancë me shpirtin e popullit të vet. Brenda honeve të poezisë së tij rrokullisen lloj-lloj personazhesh, tamam si në një trilogji voluminoze në prozë; është vetë shpirti , uni i tij poetik, janë ata që vuajnë bashkë me të, janë poetët e tjerë(e tërë raca fisnike e poetëve të vërtetë vuan), është ai pijaneci, që gjithë shpirtin e ngjit në fundin e gotës me alkol, është prostituta, që ka shitur trupin-por jo shpirtin, është i marri, është gjithçka që i takon ekzistencës mbi këtë tokë e në hapësirën e tejdukshme a të përhumbur… Dhe poeti duket se na merr për dore dhe na shëtit nëpër vende të njohura e të panjohura, na takon me të marrin që luan me fije shkrepsesh në një mejhane ( dhe mbush shtratin e lumit me eshtra); na prezanton me “Trashëgiminë e Polipëve”, që mbyllin/ E hapin/varre të reja/kërkojnë në to/thonjtë e mbetur….Ndërsa kërshërisë sonë për të njohur rruzullin e madh , i përgjigjet me një ftesë alla poetësh: rruzullin kërkoni të njihni? Eja se ua tregoj unë, e kam në bebzën e syrit, pasi unë (poeti) jam dritëz që e shuan veten…jam xixëllonjë e një stine….Po a e di lexuesi se ç’heq poeti i ngratë që shuan veten për të na përcjellë ne dritën e shpirtit të plagosur?
Diku zbulon një shtëpi të braktisur… një qen e ruan/ një njeri i vogël i harruar/mjekër parruar –flokëkëlëshur/ shëtit lart e poshtë-sillet si i çmendur/fytyrë humbur-shpresë këputur/ qenin e kërkon…Duket se lexon lodra fjalësh, shtëpia e braktisur/ qeni e ruan, njeriu i harruar… kërkon qenin që… ruan shtëpinë…
Situata të tilla një penë mjeshtërore mund të krijoji.
Korpusi i veprës së Eqrem Bashës i shtrirë në përmasat infinitive kohore përmban në vetevete gjurmët e asaj kohe që vetë ai përjeton- dhe nuk e jeton dosido, por ashtu siç e jetojnë poetët, që vuajnë jo vetëm për vete, por edhe për ne që i lexojmë. Poetët nuk janë njerëz të zakonshëm, është i veçantë secili prej tyre, ashtu siç, brenda racës së poetëve ka ndryshime tronditëse. Nuk kam parasyshë poetët e vetshpallur si vargjebërës, por ata që lënë shpirtin në vargje… Eqrem Basha është i veçantë pikërisht brenda racës së poetëve. Poezia e tij kërkon të ndjejë atë që unë e ti nuk e ndjejmë, kërkon të na paralajmërojë për atë që ne nuk e shohim, kërkon që të na rrëfejë se çdo të ndodh nesër, pasnesër, pas një viti a një shekulli...Na tregon të pandodhurën e nesërme… Ai parandjen:”në mua dridhen zemra e tokës/ përpëlitet fjala që s’thuhet/emri që s’i është vënë kujt/ e shoh atë që s’shihet dot/më kot kërkoj pranë njerëzve fytyrën që s’është lindur/…çdridhje fsheh kjo tokë/ç’fjalë emëron futurin/ të ëndërrës apo zhgjëndrrës/ në mua rreh tamthi i kokës së sëmurë/apo njeriu që s’ka lindur më kanoset/ të rritet në ushqimin q’i jep ashti im…
Në guidën e përbashkët lexues-poet, me Eqerem Bashën, përshkojmë skutat e qytetit të tij, ku personazhet e vetëndjehen si në shtëpinë e vet. Atje ai thur “Baladë për poetin e Kafenesë së lagjes”. Pikërisht aty është ai, poeti i kafenesë, të cilin ky, poeti ynë, dikur ka dashë ta imtoi; “shpesh i pata thënë vetes që të bëhesha i mençur , si ai; dhe me një hurpë të pija një gotë raki të fortë… Eh, çndodh në atë kafene, ku poeti nuk po duket më; aty në këndin e rrugës, ku kamarjerja Mira i priste/ dashnorët i thërriste dhe në këndin tjetër të errët/ i daroviste me të gjitha hiret e saj….”
Basha është enigmatic, është vetja… dhe i mrekullueshëm njëkohësisht. Ai operon mjeshtrisht me vargun dhe me figuracionin e larmishëm që pikon metafora. Kostelacioni i tij poetik është i pasur, shëtit e lodron në një lëmsh të pafund figuracioni poetik; poezia e tij është fund e krye metaforike; në pak vargje ai thotë më shumë se sa të vetëshpallurit poetën s’arrijnë ta thonë në shumë libra të prodhuar në seri, pikërisht sepse gjithçka ia lehtëson figuracioni letrar aq shumë i përdorur prej tij. Duket se poezia ka lindur bashkë me të. Le të sjellim si shembull vetëm një poezi të vogël në dukje, “Fundi i Verës” me të cilën hapet libri:
Dhe ndalem mbi gotën e përmbysur/
Jashtë fryn era
Jep shpirt Vera
Prelud i Shopenit
Dy gjethe të thara
Në Zhelezova Vola

Me dy gishtërinj sjell orën e rërës
Dhe kthehem në breg
Në zallin e trazuar
Mbi secilën gjurmë
Era shtyp harresë
çdokund fryn era
Jep shpirt Vera….
E gjithë poezia ëshët një lirikë dhimbjeje për humbjen e viteve. Ajo përmes vargjeve të zhytura në lëndinën e mbështjellë me pikavesën e metaforave, shpreh melankolinë e vjeshtës që vjen dhe meditimit për gjërat kalimtare…
Studiuesit e Bashës, ndër ta dhe autorja e parathënis së këtij vëllimi, kanë vënë re se varka e krijimtarisë së Eqrem Bashës vozit shpesh në oqeanin e dukshëm dhe të padukshëm të Ekzistencializmit. Krijimtari e tij i referohet objekteve fizike, ai është i ndjesishëm se ato egzistojnë, por njëkohësisht përcjell edhe ndjesinë se ato nuk kanë kuptim brenda qenise së tyre. Ai ndeshet me të hershmen, të lashtën dhe kërkon që të afirmojë egzistencën e së tashmes dhe së nesërmes, por e ka të vështirë, ndaj pyet lodhshëm: Çfarë jam unë? Pse jam këtu? Nga kam ardhur? Ku po shkoj?, karaketristiek këto pyetje për Egistencialistët. Poeti, si admirues i egzistencialistëve e lë të lirë imagjinatën, që rënkon nga nga një frymë lënduese pesimizmi dhe ankthi. Ndoshta realiteti, kur lindi dhe u poq shpirti i tij poetik e justifikon prirjen e tij ekzistencialiste. Vetë regjimi supershtetit jugosllav pretendonte “liri”, por poeti vuna pikerisht mungesën e lirisë; shpirti i tij ndjente veç dhunë, siç ndjenin të gjithë bashkombesit e tij shqipfolës, që egzistonin brenda absurdit sllav. Poezia e Bashës nuk njeh kufij , ajo bredh e lirë, kalon kufijë kohorë e gjeografikë, dhe si e tillë ka një frymëmarrje shumëdimensionale. Është thënë se gjatë 30 viteve të para të jetës së tij poezia e Bashës kishte ngjasim ose thënë më shqip, fqinjëronte me krijimtarinë e penave të njohura të poezive të poetëve francezë si: Baudelaire, Rimbaud, Mallarme’ dhe Apollinaire. Kjo nuk e cënon fare frymën individuale të poezisë së Bashës, përkundrazi i jep asaj përmasat e vërteta të bashkëkohorësisë dhe përpjekjeve vitale për të gjetur individualitetin e vet. Poezia e Bashës ka ardhur duke u pjekur: ajo e kaloi suksesshëm fazën e adoleshencës; kaloi nga temat melankolike, reflektive, lënduese, vetëvrasëse, çmendurake drejt së madhërishmes që diku egzistonte. Pena e tij bëhet serioze, parashikuese. Le të kthehemi edhe nëj herë tek poezia brilante ”Një i çmendur luan me shkrepsen”. Është një gjetje e përkryer metaforike për brutalitetin shtazarak, absurd, është një paralajmërim i parakohshëm se shoqëria po shkon me shpejtësi marramendëse në një anarki. Imazhet që përcjell poezia janë të çngjyrosura, skeletore; me kocka njeriu që bëhen pirgje si shkrepset në një buzëlumi të tharë. Finalja e poezisë është mrekullisht e përkryer:
Më jepni një fije të shkrepses…
dhe i dehuri trupmolisur i jep një kuti
të marrët e tjerë i hedhin eshtrat në lum
ai ndez një fije ndez dy fije
pranë tij grumbull kutish të zbrazura
………………………………………..
më jepni një fije të shkrepses
dhe njerëzit ia hedhin kutitë
ai qeshet e nuk falenderohet
një i marrë luan me fije të shkrepses
hej kujdes thërrasin fëmijët me qerpikë te përcëlluar
shtrati i lumit u mbush me eshtrat e hedhura….
Poeti duket se pat kuptura prej kohësh gjithçka do të ndodhte; heqjen e asaj pak lirie Kosovës dhe shkallëzimin drastik të dhunës” shtrati i lumit u mbush me eshtrat e hedhura….
Poezia e Bashës ka përshkuar një rrugë të hatashme njgjitjeje dhe përkryrje:Vëllimi i tij poetik ”Yjedet” botuiar më 1977 përshkohej përgjithësisht nga tone epike, ndërkohë që vëllimi tjetër ”Atleti i ëndërrave të Bardha” i botuar më 1982, Basha fillon të ironizojë përmes poezisë, e cila ndjehet më e sigurtë, poeti jep prova se është më i pjekur dhe duket se paralajmëron pa zhurmë dorëheqjen nga egistencializmi. Poeti këtu jep shenja se e ka kuptuar që nuk mund të ecësh kundër padrejtësisë, nga ana tjetër e pranon se lufta është e pashmangshme, qoftë edhe me fjalë…Ai jep përshjtypjen se sistemi mund të ndryshohet nga brenda dhe nuk ka frikë të tallet e të ironizoj.
Në librin tjetër të botuar më 1986 ”Udha qumështore” ndjehet trazimi i poetit; poezitë e tij vuajnë bashkë me shpirtin e tronditur poetik; poeti përpiqet të gjejë vendin e vet në shoqrinë e përpirë nga rrokopuja, por e ka të vështirë; ai ndjen frikë për të ardhmen e popullit të vet që sa vjen i errësohet pamja e së nesërmes; ndjehet i vetmuar dhe i ankthshëm, qenia e tij jep alarmin; ka nevojë për kontakte njerëzore dhe ndjen ftohtë nga vetmia e imponuar…Heroi i tij tek poezia ”Udhëtari i natës së kësaj Bote” është një njeri ordiner, por edhe pse atij nuk i takon as një varg poezie, i takon së paku një velrësim, edhe pse:
Ai s’është zgjuar si tërë bota-në mëngjes
Por tërë jetës udhëton rrugës së vet
nga skaji drejt mesit të errësirës
I takon-si thonë-familjes së urithëve
Që njerëzit e ndershëm i ndjekin me helm
Për t’i ruajtur rrënjët e shëndosha

Për të as që mund të shkruhet ndonjë varg
E megjithatë është i ndjeshëm i punësuar
I martuar me dy tre fëmijë dhe gruan që e nderon
Me dy tri kredi konsumi dhe banesë
Në lagjen e tretë të vendbanimit të dytë
Të bashkësisë lokale Një… të regjionit numër tre…
Paçka se heroi i tij është i atillë, ai është i ndjeshëm; dy herë tentoi vetvrasje; të tretën s’e vërejtën; mbet në gjysëm të rrugës; dhe s’shkoi deri në fund; se agoi ditë e bukur që e trembi e përzuri…Prapë, dhe ky meriton; edhe për të të thuhen; dy tri fjalë; në një vjershë…
Poezia e Eqrem Bashës të flet me një gjuhë të veçantë dhe përcjell ide të qarta. Ai nuk kërkon superheroin. Basha nuk e ndjen veten të frikur që t’u përcjellë bashkshtetasve të vet se u duhet një shtet që t’u shërbejë atyre, një shtet modern që të ketë për shqetësim mirësinë e shtetasve të vet.
Në poezinë ”Këshilla dhe detaje të një projekti urban” poeti ka mbjellë jo vetëm ironinë e shtirjes, por dhe mendimin e tij qytetar se shteti egziston pikërisht që t’u shërbejë njerëzve dhe poeti nuk ka ndroje që të tregojë se si duhet të jetë qyteti, por ai këkon një qytet poetik, qytet me diell:
Së pari qytetin vendose nga dielli
Që të ndritë në mëngjes dhe në mbrëmje
Pastaj projekto kanalizimin
Që t’i hedhë jashtë mbeturinat
E atentateve të netëve të errëta
Në qendër vere monumentin e heroit të panjohur
Që të marrë frymë lirisht
Në ndërrimin e stinëve
Dhe
Mos ngul rrokaqiej
Që i bëjnë hije njeriut
Kur t’i shënosh rrugët
Le të nisen të gjitha prej zemrës
Që të sjellin gjak
Në çdo gjymtyrë të qytetit
Nëse s’ka lum
Derdhi lotët e të dëshpëruarve
Nëse s’ka parqe
Bëje një pyll me flokë të kërleshura
Dhe
Mbi të gjitha
Projekto qelitë solare
Sepse qyteti…
Së pari vendoset nga dielli…

Poeti Eqrem Basha, si qytetar progresist, ironizon medikorit, mesatarët, njerëzit e klasës së mesme, që kërkojnë mosndryshimin e stat quo-s. Finalja e “Odë mesit” është e përkryer:
Ne të mesmit
Ne mes të mesit të jetës
E bëjmë një çerdhe të mesme
As të pasur as të varfër
Ne të mesmit
As të mençur as budallenj
As të fortë as të dobët
Ne të mesmit
As të mëdhenj as të vegjël
As me faj as pa faj
Ne të mesmit
Në mes të mesit të jetës
Jetojmë një jetë mesatare
Në mes të këtij shekulli
Dhe në mes të mesit të mesit
Mësohemi
Ne të mesmit
Dhe s’ndalemi në fund të rrugës
Nuk ia nisim prej fillimi
Po qëndrojmë aty diku
Në mes
Ne të mesmit
Ecim përmes botës…
Ndër poezitë që ia vlen të veçohen në këtë vëllim të përzgjedhur është dhe ajo me titull “Në stcionin e fundit”. Poeti tregon se është njeri si gjithë të tjerët, se shpirti i tij ndjen dhe vuan, shpirti i tij i friket stacionit të fundit, atij të tmerrshmit, stacionit të vdekjes:
Është diku një qytet
Një stacion që vetëm pret
E s’përcjell kurrë
Aty gjeometrat e lodhur
I flakin hartat
Është një qytet
Që vetëm pret
E s’përcjell kurrë
Një kopësht me lule
Ku s’dua të shkoj
Pa e thithur pluhurin
E rrugëve të mia….
Është e pamundur që t’i përnendësh të 63 poezitë që studuesi Elsie ka përzgjedhur nga krijimtaria e hershme dhe e sotme e Eqrem Bashës, nga vëllimet potike “Yjedet”, “Atleti i ëndrrave të bardha” dhe “Udha qumështore” e ”Zogu i zi”. Botimi i Shtëpisë Botuese ”Gjonlekaj Publishing Co.” është si gjithmonë luksoz. Libri është në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, i pajisur me bibliografi dhe një studim me vlerë, në vend të parathënies.

15 komente:

Anonim tha...
Komenti u hoq nga administratori i blogut.
Anonim tha...
Komenti u hoq nga administratori i blogut.
Anonim tha...
Komenti u hoq nga administratori i blogut.
Anonim tha...
Komenti u hoq nga administratori i blogut.
Anonim tha...
Komenti u hoq nga administratori i blogut.
Anonim tha...
Komenti u hoq nga administratori i blogut.
Anonim tha...
Komenti u hoq nga administratori i blogut.
Anonim tha...
Komenti u hoq nga administratori i blogut.
Anonim tha...
Komenti u hoq nga administratori i blogut.
Anonim tha...
Komenti u hoq nga administratori i blogut.
Anonim tha...
Komenti u hoq nga administratori i blogut.
Anonim tha...
Komenti u hoq nga administratori i blogut.
Anonim tha...
Komenti u hoq nga administratori i blogut.
Anonim tha...
Komenti u hoq nga administratori i blogut.
Anonim tha...
Komenti u hoq nga administratori i blogut.