Nga Fatmir Terziu
Klara Kodra diku në analizën e poezisë së poetes Iliriana Sulkuqi pyetjes së saj në ‘është femërore poezia e Ilirinës’ në shkrimin e saj i flirton shpejtësinë, si një derivat që bashkëudhëton me krijimtarinë e poetes. Është fjala për shpejtësinë të cilën Gerald Manley Hopkins, një nga poetët e mëdhenj të shekullit të 19-të, i mirënjohur si një poet i natyrës dhe i shpirtit njërëzor, e vuri për herë të parë si një urdhëresë ndjesore për të kontrolluar ‘mbi shpejtësinë e linjave dhe efekteve të tyre dramatike’. Ndërsa në poezinë e Iliriana Sulkuqit kjo shpejtësi vjen në dy forma. E para është ajo e cila Hopkins përdori në sonetet e tij dhe e dyta është shpejtësia me të cilën ecën dhe lëvrohet kjo ‘luleshtrydhe’ e ushqyer artistikisht në vite. A nuk është një model Hopkinian kjo perlë poetike:
“Po t’i mbledh
ditët e dashurisë,
më dalin shumë më pak se një pikë loti…
Po të mbledh
Hapësirat e dhimbjes,
Kam frikë mos më mbytet Globi…”
Këtu shpejtësia në kuptimin e saj të parë, në kuptimin e shpejtësisë së Hopkin, natyrshëm udhëton fuqimisht në linjën e figuracionit që prodhohet nga fuqia e fjalës metaforike. Tjetra është poezia vetë. Këtu ndjehesh i pa fuqishëm të arrish atë. Është vështirë të gjesh shpejtësinë reale, shpejtësinë e poezisë së poetes Iliriana Sulkuqi. Është një shpejtësi maratonë që nis herët hapin e saj ushtarak dhe thellon vrapin e saj pa moshë në një hapësirë tjetër, ku liria së cilës i kushtohet kjo poezi fle e qetë dhe e sigurtë. Pasi merr uratën e gazetarit dhe publicistit të mirrënjohur Dalip Greca në mesin e kësaj lirie, në Amerikë, ku ai e sheh poeten si ‘magjistare të fjalës poetike’, një tjetër stacion i saj është nën penën e Odise Goros në Greqi, që nxitohet nëpër faqet e gazetës “Tribuna” dhe valëve të BBC-së të arrijë poezinë e Sulkuqit, pët të kumtuar ndjenjën dhe cilësimin për poezitë e Ilirianës si një “portret-poezi, që plotësojnë njëra-tjetrën…” Dhe në këtë vrapim poetik është fjala që nxiton të gjej fjalën. Dhe në këtë garë fjalësh poetike, e madhja Tinka Kurti pyet me gjithë shpirt: “Cila është më e bukur”? E ku pra të ndalësh vrapin, vrapin për të arritur një poezi që ngjitet edhe majave me vrapin e rinisë? Mes fjalës së Vasil Qesarit, në këtë ‘rritje’ të shpejtësisë në poezinë e Sulkuqit, shihet ‘shpirti i madh e një botë drithërimash, një zemër që troket sic trokasin pak të tilla.një ndjenjë e mrekullueshme e cila edhe pse plot brenga e vuajtje, është tepër humane, fisnike e madhështore”. Le të kthehemi sërrish tek fjala e Grecës. Greca thotë se “motivet e shpirtit Iliriana i këndon në poezinë e saj”. Dhe natyrshëm ky shpirt poetik gjen pikëtakimin krijues artistic, gjen edhe shpejtësinë fluturuese të ‘lejlekëve’ edhe kur “Lejlekët nuk vijnë më…” për të kuptuar ‘shpirtin e delirit’:
“O shpend i bukur,
me flatra e shpirt deliri…
hapësirë më hapësirë,
mbi ikje zjarr-ore…”
Këtu konsonanca poetike flet…
vazhdon…
Nuk ka komente:
Posto një koment